Nga Maurice Glasman ”Newstatesman”
Muhamed Ali thoshte se nuk rrëzohesh kurrë nga një grusht që e sheh duke të ardhur drejt fytyrës. Por pavarësisht se u paralajmërua për muaj të tërë, pushtimi rus i Ukrainës pati pikërisht atë efekt si në Gjermani ashtu edhe në Francë. Madje këto vende po i ndjejnë ende pasojat.
Tashmë po bëhen të qarta konturet e një peizazhi të ri:rivendosja e shtetit-komb si një aktor kryesor në skenën globale, dhe rëndësia e përtërirë e klasës punëtore dhe e vendeve të “lëna pas dore” në zgjedhjet demokratike. Ky proces lidhet me shpërbërjen e globalizimit dhe shfaqjen e aleancave të dallueshme, të cilat po marrin forma ideologjike dhe rajonale.
Faktori dominues është se dy protagonistët kryesorë të globalizimit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, nuk janë më në një linjë, dhe kjo gjë po sjell një ndryshim në balancën e fuqisë brenda Evropës. Pushtimi rus i Ukrainës, ishte ngjarja që e shkatërroi konsensusin e vjetër.
Në Evropë kishte dy institucione politike mbikombëtare. Njëri ishte Bashkimi Evropian dhe tjetra ishte Federata Ruse, e cila përfshin Kaliningradin, Çeçeninë dhe që nga viti 2014, Krimenë. Gjeorgjia, Armenia dhe Bjellorusia mbetën të lidhura ngushtë me Moskën, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht.
Brenda kësaj aleance nuk kishte asnjë kundërshtim për epërsinë e Moskës. Feja ishte ortodokse dhe gjuha ruse. Ndërkohë Bashkimi Evropian kishte një udhëheqje të përbashkët midis Francës dhe Gjermanisë, ku Franca merrte rolin mbizotërues ushtarak dhe diplomatik ndërsa Gjermania atë ekonomik.
Kuadri ligjor bazohej në përparësinë e ligjeve të BE-së brenda shteteve anëtare. Kjo shkaktoi tensione të mëdha si në lindje ashtu edhe në perëndim të Evropës. Britania e Madhe votoi në shumicë pro largimit nga BE në një referendum në vitin 2016, dhe ia doli ta çojë deri në fund këtë nismë në fillim të vitit 2020.
Polonia dhe Hungaria i kundërshtuan ashpër çështjet sociale, por mbetën brenda bllokut sa i përket politikave ekonomike. Gjermanisë iu dha përparësi në lidhje me politikën ndaj vende të lindjes. Ajo mori përgjegjësinë për integrimin e vendeve të Vishegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia – brenda tregut të përbashkët, dhe ishte investitori kryesor brenda BE-së.
Status quo-ja bazohej tek një mirëkuptim mbi eksportin e gazit (si dhe të naftës dhe qymyrit) nga Rusia në Gjermani, më e dukshme kjo përmes gazsjellësit “Nord Stream”. Berlini dhe Moska e mbajtën edhe një herë në duart e tyre fatin e Evropës Qendrore.
Interesat ekonomike gjermane ishin mbizotëruese, pjesërisht sepse BE-ja nuk zhvilloi një strategji ushtarake të përbashkët. Dhe pikërisht kjo e bëri kaq shpërthyese çështjen e statusit të Ukrainës. Integrimi i saj as në BE dhe as në NATO, nuk ishte në interesin ne Gjermanisë. Sepse ajo do të minonte interesat e saj ekonomike, si e vetmja ekonomi serioze industriale brenda BE-së, e cila bazohej tek importet e lira të energjisë nga Rusia. Pushtimi i Ukrainës e zhvendosi fokusin nga sfera ekonomike në atë ushtarake, ku Gjermania ishte më e dobët dhe më ngurruese.
Franca e ndante këtë antipati. Një përballje ushtarake me Rusinë, do të zhvendoste fuqinë dhe burimet në NATO, gjë që do të sillte një rigjallërim të fuqisë së SHBA-së (dhe Britanisë) brenda Evropës. Integrimi në NATO i Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke në vitin 1999, pasuar nga shtetet baltike, Bullgaria, Sllovakia dhe Sllovenia në vitin 2004, e ndryshoi balancën ushtarake në mënyra të rëndësishme që po shihen tani.
Brenda diskursit politik akademik dhe elitar, u supozua gjerësisht se Brexit do të çonte në margjinalizimin e Britanisë brenda Evropës, dhe në konsolidimin e boshtit franko-gjerman brenda BE-së. Në fakt ka ndodhur e kundërta. Pas pushtimit të Ukrainës, Britania mori një qëndrim të qartë mbështetës si në aspektin ushtarak dhe atë politik për Kievin.
Ndërsa SHBA-ja i ofroi azil presidentit Volodymyr Zelensky, Britania i dërgoi menjëherë armë dhe e udhëhoqi reagimin politik të Evropës Perëndimore me një sërë sanksionesh ekonomike të paprecedenta kundër Rusisë. U duk sikur Brexit e kishte forcuar lirinë e veprimit në kohë lufte.
Paralelisht, Polonia udhëhoqi reagimin e vendeve të Evropës Lindore. Ajo hapi kufijtë e saj për refugjatët dhe dërgoi shumë armë në Ukrainë. Aleanca midis Polonisë dhe Britanisë ishte transformuese si për NATO-n ashtu edhe BE-në. Ajo zbuloi një koalicion të ri midis lindjes dhe perëndimit, dhe një Gjermani të izoluar në Evropën Veriore.
Shtetet baltike anuan menjëherë drejt pozicionit anglo-polak, ashtu si edhe vendet skandinave. Suedia dhe Finlanda braktisën 70 vitet e neutralitetit dhe aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO. Shtetet e Bashkuara nisën t’i dërgojnë Ukrainës armë më të fuqishme, dhe të ndajnë të dhënat e inteligjencës.
Në 9 muajt e parë të luftës, presidenti francez Emmanuel Macron u angazhua në disa biseda telefonike me Vladimir Putin, ndërsa Gjermania hezitoi të dërgonte ndonjë gjë më shumë se sa helmeta. Qeveria polake ishte publikisht kritike ndaj Gjermanisë, madje shkoi aq larg sa të kërkonte dëmshpërblime për dëmet ekonomike të shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aleanca e Vishegradit u shkatërrua, pasi Hungaria u afruar më shumë me Gjermaninë dhe Rusinë. Në këto kushte, vendimtare ishe shfaqja e Ukrainës si një aktore ushtarake me peshë. Supozohej se Rusia do ta mposhtte brenda pak ditësh. Por kjo gjë nuk ndodhi.
Ndaj kjo krijoi hapësirën e duhur për nismën britanike dhe aleancën e saj me Poloninë. Veprime të tilla nuk ishin spontane. Një dialog dypalësh midis Polonisë dhe Britanisë së Madhe ishte i konsoliduar prej kohësh, dhe që nga pushtimi rus i Krimesë, Britania kishte thelluar aleancën e saj ushtarake me Ukrainën.
I jashtëzakonshëm ishte intensifikimi i këtyre partneriteteve në një koalicion ushtarak dhe politik në kohë reale, gjë që krijoi hapësirë gjeopolitike për shtetet skandinave dhe baltike.
Makiaveli shkroi dikur se lidershipi politik është aftësia për të “vepruar në kohë”.
Britania dhe Polonia e bënë këtë, ndërsa Franca dhe Gjermania nuk mundën. Interesat dhe analizat e tyre, e frenuan aftësinë e tyre për të kuptuar dhe vepruar. Kjo krijoi brenda NATO-s hapësirën që SHBA të merrte një rol më aktiv, dhe që shtetet e Evropës Veriore t’i bashkohen aleancës së forcuar ushtarake.
Anëtarët themeltarë të NATO-s si Italia u bënë të parëndësishme. Franca dhe Gjermania e humbën besimin. Lenini tha në një rast se “ka dekada kur nuk ndodh asgjë; dhe ka javë ku ndodhin aq gjëra sa për shumë dekada”. Pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse ishte një nga këto momente.
Franca dhe Gjermania e humbën epërsinë e tyre. Polonia dhe Britania dolën në plan të parë.
Vendet baltike dhe skandinave iu bashkuan koalicionit të ri, duke e lënë Gjermaninë të izoluar brenda Evropës Veriore. Edhe Holanda mbështeti në mënyrë aktive aleancën britaniko-polake.
Bilanci i pushtetit në Evropë u zhvendos në lindje dhe perëndim dhe u dobësua në qendër. Dhe ky proces vetëm sa ka filluar. Udhëheqja laburiste, e cila dëshiron që Britania e Madhe të rikthehet në BE, përpiqet të kuptojë ndryshimet që kanë ndodhur brenda atdheut të saj. Ajo e vendos ende Francën dhe Gjermaninë në qendër të fuqisë evropiane, por ky realitet nuk ekziston më.