32-vjeçarja Eljesa Beqiri hap çdo mëngjes me buzëqeshje shkollën e gjuhëve “Opportunity” në Gjakovë. Gazetarja e diplomuar nuk ka punuar asnjëherë në profesionin e saj. Në vend të tij ajo organizon si koordinatore kurse për gjuhën gjermane. Ajo është ndër të paktat të reja kosovare që ndryshe nga shumë bashkëqytetarë të saj nga Gjakova dhe rrethina, nuk duan të shkojnë jashtë vendit. Pothuajse të gjithë studentët e saj synojnë të emigrojnë në Gjermani ose në vendet gjermanishtfolëse. Arsyet kryesore për këtë janë niveli i lartë i pagave në Gjermani në krahasim me Kosovën dhe sigurimi social me një sistem shëndetësor që nuk ekziston në Kosovë.
Eljesa Beqiri jeton me nënën dhe vëllain e saj më të vogël në Gjakovë. Vëllai tjetër i saj emigroi në Gjermani shtatë vjet më parë, ashtu si edhe gjashtë vëllezërit e babait të saj që jetojnë atje që një kohë të gjatë. Eljesa Beqirin nuk do të largohet nga Kosova “Nuk do të doja kurrë të shkoja në Gjermani, sepse më pëlqen të flas shqip dhe miqtë e mi janë këtu dhe më pëlqen mentaliteti këtu. Unë kam miq kudo që të shkoj”, shpjegon ajo, dhe duke shkelun syrin shton: “Përveç kësaj, nuk dua të martohem me gjerman”.
Të gjithë nxënësit e kursit duan të largohen nga Kosova
Të ardhurat mesatare në Kosovë janë rreth 300 euro. Me shpenzimet e jetesës që shpesh janë të ngjashme me ato në Gjermani, këto të ardhura të ulëta mujore u mjaftojnë shumicës së të rinjve kosovarë për të mbijetuar. Shumë prej tyre ende jetojnë me prindërit. Ata nuk mund të përballojnë të shkojnë me pushime ose të sëmuren. Nëse nevojiten ndërhyrje të mëdha mjekësore, paratë mblidhen brenda familjes.
Eljesa Beqiri ka qenë e varur nga mbështetja e vëllait të saj në Gjermani. Megjithatë, prej tre vitesh ajo ka të ardhura të mira nga shkolla e gjuhës. Së bashku me të ardhurat e anëtarëve të tjerë të familjes, ajo thotë se mund të përballojnë një jetë të mirë. “Kosovarët besojnë se në Gjermani paratë mbillen në fusha dhe atyre u mbetet vetëm t’i korrin”, thotë Beqiri, duke përmbledhur idetë e studentëve të saj.
Çdo vit vetëm shkolla e gjuhës “Opportunity” ka rreth 340 nxënës – dhe pothuajse të gjithë duan të largohen. Vetëm disa prej tyre qëndrojnë në vend, ku përdorin aftësitë e tyre të gjermanishtes dhe punojnë në qendra telefonike, për shembull në atë të Bambus Group, një kompani e regjistruar në Hamburg që ofron një gamë të gjerë shërbimesh ndaj klientit në sektorin e telekomunikacionit në 36 gjuhët.
Dyqane bosh dhe mungesë punëtorësh të kualifikuar
Qyteti piktoresk i vjetër i Gjakovës karakterizohet nga dyqane, kafene të vogla dhe restorante. Disa dyqane në zonën e këmbësorëve janë tashmë të mbyllura, posterat reklamojnë qiramarrësit e rinj. Padyshim që pronarët e mëparshëm janë larguar. Eljesa ka frikë se nëse gjërat vazhdojnë kështu edhe për dhjetë vjet të tjera, dyqanet e mbetura në qytetin e vjetër gjithashtu mund të zhduken.
Nxënëse e gjuhës gjermane në shkollën e saj është Arlinda Ramaj nga Gjakova. Situata e jetesës së 27-vjeçares është tipike për shumë bashkëmoshatare të saj në Kosovë. Ajo është infermiere, por Kosova që nuk ka sistem të mirëfilltë shëndetësor, mund t’i ofrojë vetëm pak mundësi punësimi. Tani ajo po mëson gjermanisht për të punuar si infermiere në Gjermani. “Unë u binda nga kushtet më të mira të jetesës, paga më e mirë dhe mundësitë që janë në dispozicion. Nëse do të gjeja një punë të paguar mirë këtu, do të qëndroja në Kosovë”, thotë Arlinda Ramaj.
Vëllai i saj ka një vit që është në Gjermani dhe punon si kamarier në një resturant, ndonëse ka kryer praktikën si kontabilist në Kosovë. Arlinda tregon, se ai është i kënaqur me punën dhe me të ardhurat e tij. Edhe motra e Arlindës, e cila aktualisht po përgatitet për diplomimin, dëshiron të shkojë një ditë në Gjermani.
Emigrimi nga Kosova formëson shoqërinë dhe ekonominë
Arlinda Ramaj është një nga 30 mijë emigrantët që largohen çdo vit nga Kosova. Lirim Krasniqi, bashkëthemelues i OJQ-së “Germin” që merret me diasporën shqiptare, e njeh mirë çështjen e emigrimit. “Mund të flisja për të gjithë ditën”, thotë ai, “kjo temë është kaq e gjerë në Kosovë”.
Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), dhjetë vjet më parë nga vendi largoheshin çdo vit rreth 15,000 deri në 20,000 kosovarë. Në pesë vitet e fundit ky numër ka vazhduar të rritet. Emigrimi tani vlerësohet në rreth 30,000 vetë në vit. Megjithatë jo të gjithë emigrantët qëndrojnë jashtë vendit përgjithmonë.
“Efekti ekonomik është i madh, sepse shumica e emigrantëve janë të rinj, nga 24 deri në 35 vjeç. Kompanitë kosovare gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se u mungojnë punëtorët e kualifikuar,” thotë Krasniqi. “Prandaj, pagat që ofrohen janë rritur. Megjithatë, në afat të gjatë, Kosova do të humbasë pjesën më vitale të shoqërisë së saj. Sektori i shëndetësisë do të goditet më rëndë, për shkak që nevojitet kohë për të përgatitur kuadro të reja dhe kjo s’mund të bëhet shumë shpejt.”
Qeveria e Kosovës nuk ka strategji për përballimin e emigracionit. Ndërsa vende si Gjermania po rekrutojnë punëtorë të kualifikuar dhe të rinjtë nga Kosova janë tërheqës, vetë vendit po i mbarojnë punëtorët.
Të diplomuarit në universitetet e Kosovës studiojnë për papunësi, thotë Krasniqi dhe shpjegon: “Kosova duhet të reformojë sistemin e saj arsimor që edhe të diplomuarit të kenë një shans këtu”. Lidhur me mungesën e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani, ai sugjeron: “Gjermania duhet t’i paguajë Kosovës kompensim për trajnimet që marrin punëtorët e kualifikuar këtu. Kjo mund të marrë formën e investimeve. Kosova duhet ta kërkojë këtë edhe në bisedimet diplomatike.”
Punët për mësimdhënësit e gjermanishtes në Kosovë janë të sigurta
Tek shkolla e gjuhës së Eljesa Beqirit. Këtu jep mësim edhe mësuesja 33-vjeçare Vlora Ramadani. Ajo është shumë e lumtur me jetën e saj në Kosovë. Çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, ajo jep mësime të gjuhës gjermane, njëmbëdhjetë orë në ditë.
Të gjithë studentët e saj janë të vendosur të emigrojnë. Edhe mësuesja kishte qenë emigrante, por pas njëmbëdhjetë vitesh në Gjermani, ajo është e lumtur që është kthyer në vendin e saj. “Më pëlqen komoditeti ynë, nuk kam nevojë për makinë, gjithçka është afër këtu, mund të bëj gjithçka më këmbë. Në Gjermani gjithçka është plot tension – vetëm punë,” thotë ajo./DW