Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë “rrëmbyer” (arrestuar) më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. (Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposavicit, brenda territorit të Kosovës).
Çfarë u tha në Kosovë?
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi ai në Facebook.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.
Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe. Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.
“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.
Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.
Fotografi e publikuar nga autoritetet serbe e momentit të arrestimit të policëve të Kosovës. Kelani tha se zyrtarët policorë janë policë patrullues, e paqeruajtës.
“Unë dua të ju siguroj që ata janë tre zyrtarë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç”, tha ai.
Kelani shtoi se Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.
- Kosova ndalon hyrjen e mallrave nga Serbia, gjithashtu në kufi nuk lejohet të futen makinat me targa serbe
Qeveria e Kosovës ka marrë një tjetër vendim ekstrem ndaluar hyrjen në territorin e tyre të gjitha automjetet me targa të Serbisë.
Lajmin e ka konfrimuar për “REL” zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili tha se pas rrëmbimit të 3 policëve, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare, duke shmangur në këtë mënyrë ndodnjë hakmarrje të mundshme ndaj serbëve që futen në Kosovë.
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës”, njofton Kryeziu.
Gjithashtu gjatë pasdites te se merkures, autoritetet e Kosovës kanë bllokuar në kufi të gjitha mallrat serb.
Çfarë u tha në Serbi?
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.
“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.
Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhelko Bërkiq, gjatë një konference për media tha se policët e Kosovës kanë ardhur me veturë zyrtare në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku e kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë- Gnjillicë, ku, sipas tij, janë lokalizuar dhe arrestuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka deklaruar se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.
Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
Fotografi e publikuar nga MPB-ja serbe, që shfaq policët e arrestuar të Kosovës.
Reagimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”, shtoi ajo.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviqi cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, tha Kurti.
Kryeminstri kosovar bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë dhe ftoi faktorin ndërkombëtar, të dënojë, atë që ai e quajti, “akt agresioni të Serbisë”.
“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, shkroi ai në Facebook.
Nga BE-ja thanë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in për të verifikuar ngjarjet që ndodhën në vijën kufitare.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.
Një ditë më herët, autoritetet serbe kanë arrestuar katër qytetarë të Kosovës në Merdare, pikën kufitare që e lidh Kosovën me Serbinë.