Vit pas viti, diferencat në zhvillimin rajonal të vendit po thellohen, duke rrënuar perspektivën e qarqeve, edhe pse burimet natyrore ofrojnë mundësi. Nga viti 2016 deri në vitin 2021, Qarku i Tiranës ka rritur më tej peshën e saj në ekonominë kombëtare. Durrësi është pothuajse në vendnumëro dhe 10 qarqet e tjera kanë pësuar rënie të kontributit në ekonominë e përgjithshme. Në vitin 2021, standardet e jetesës në Kukës ishin më pak se gjysma e kryeqytetasve. Demografia dhe ekonomia e qarqeve kanë rënë në rreth vicioz. Vit pas viti, rajonet shpopullohen me shpejtësi, kryesisht nga mundësitë e kufizuara ekonomike. Nga ana tjetër, tkurrja e popullsisë bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm. Ekspertët këshillojnë qeverinë të ndajë me drejtësi burimet financiare dhe projektet e zhvillimit për rajonet.
Kur shikon burimet natyrore të Shqipërisë nga Veriu në Jug, me male të larta, lumenj të egër, nëntokë të pasur dhe një vijë të gjatë bregdetare, edhe fshati më i thellë i vendit duhet të ishte i begatë, por jo.
Fshatrat e Shqipërisë, në pjesën më të madhe, janë kthyer në rrënoja nga shpopullimi, por edhe qytetet e mëdha po zbrazen me shpejtësi. Lëvizjet demografike kanë sjellë përqendrim të popullsisë në Tiranë dhe Durrës, teksa pas këtyre zhvillimeve, shihet se vit pas viti po rritet pabarazia ekonomike ndërmjet rajoneve.
Në vitin 2021, ekonomia e Qarkut të Tiranës kontribuoi me 44% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, nga 40 që ishte në vitin 2016. Teksa pesha e kryeqytetit në ekonominë kombëtare po vjen në rritje të shpejtë, kontributi i qarqeve është në rënie, duke sinjalizuar rritje të mëtejshme të pabarazisë.
PBB-ja në Rajonin e Veriut që ka në përbërje 5 qarqe, Dibrën, Durrësin, Kukësin, Lezhën dhe Shkodrën arriti në 415,2 miliardë lekë më 2021, sa 22,3% e totalit të PBB-së kombëtare, duke shënuar rënie vjetore me 0.2%.
Ecuri të ngjashme kishte edhe ekonomia e Rajonit të Jugut me qarqet Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë.
INSTAT referoi se më 2021, PBB-ja e Rajonit të Jugut arriti në 504 miliardë lekë, duke kontribuar me 27,2% të ekonomisë kombëtare. Pesha e këtij Rajoni, në ekonominë e përgjithshme, ra me 0.5% krahasuar me vitin 2020.
Në Rajonin e Qendrës, ku bëjnë pjesë vetëm qarqet Elbasan dhe Tiranë, vlera e prodhimit arriti në 936 miliardë lekë më 2021, duke zënë 50.4% të ekonomisë kombëtare. Pesha e rajonit të Qendrës në ekonominë e përgjithshme u rrit me 0.6% brenda një viti.
Agron Haxhimali, nga Instituti për Bashkitë Shqiptare, tha se, pabarazia në rritje në qarqet e vendit vjen për shkak të mungesës së një vizioni për të sotmen, të nesërmen e afërt dhe të largët nga politika dhe pushteti.
Ai shtoi se investimet kanë qenë jo eficiente dhe nuk kanë sjellë ndikimin e duhur për qytetarët dhe nuk patën rol tërheqës për biznesin vendës, rajonal apo kombëtar dhe aspak për atë ndërkombëtar.
Migrimi në shkallë të madhe, gjithashtu, ka krijuar vakuume të mëdha në krahun e punës dhe në burime njerëzore, njohuri dhe kapacitete që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të qarqeve.
Në vitin 2021, PBB-ja për frymë në Tiranë u rrit me 13% në 886 mijë lekë për frymë, ose 34% mbi mesataren e vendit. Në anën tjetër, në qarkun më të varfër të vendit, Kukësi e kishte PBB-në për frymë 395 mijë lekë, duke shënuar rritje në terma nominalë me 8,74%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 59% e mesatares kombëtare.
Ana Beqo, nga Qendra Altax, vuri në dukje se, të ardhurat për frymë në rajonet gjeografike dhe ekonomike të vendit kanë disproporcion të ndjeshëm midis tyre.
Këto të dhëna duhet të shërbejnë për zbatimin e programeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe cilësinë e jetës së popullsisë në vijimësi.
Reforma e decentralizimit, e cila u miratua dhe hyri në fuqi në vitin 2014, që synonte, mbi të gjitha, përmirësimin e cilësisë së jetës në nivel bashkie, duket se ka ndikuar për të kundërtën.
Banka Botërore vuri në dukje në një publikim të fundit se, shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paaftë për të rritur kapacitetin operacional dhe financiar, për të menaxhuar dhe për të ofruar shërbime në mënyrë vazhdueshme.
Rezultati ishte mungesa e shërbimeve dhe cilësia e ulët e tyre. Mangësitë në koordinim me pushtetin qendror, mungesa e standardeve dhe mekanizmave të llogaridhënies kanë ndihmuar në vazhdimësinë e këtyre mangësive, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisin dhe mundësitë ekonomike të njësive lokale në Shqipëri, theksoi Banka.
Ashtu si edhe ekonomia kombëtare nuk e ka një model të qartë mbi të cilin duhet të zhvillohet në afatgjatë, modelet rajonale janë koncepte të hershme për Shqipërinë.
Koha nuk pret, pasi popullsia e Shqipërisë po tkurret pikërisht nga mungesa e aftësive për të përmirësuar pasuritë dhe burimet natyrore në të mirë të komuniteteve.
Përkeqësohet produktiviteti i rajoneve
Ekonomia shqiptare, në përgjithësi, vuan nga mungesa e produktivitetit, ku vlera e punës është e ulët dhe sektorët që ofrojnë paga të larta nuk janë të zhvilluar. Por brenda për brenda qarqeve, situata është edhe më dramatike, pasi produktiviteti në raport me popullsinë ka shumë luhatje, përveç Tiranës.
Në vitin 2021, në Qarkun e Tiranës banonte 33% e popullsisë së vendit, teksa PBB-ja e Tiranës zuri 44% të ekonomisë. Ana Beqo, nga Altax, vë në dukje se vetëm Tirana performon në ekonomi 11% më shumë se pesha e popullsisë së saj, ashtu si edhe Fieri që ndikon 0.9% më shumë dhe Gjirokastra, me 0.1% më shumë se pesha e popullsisë.
Znj. Beqo llogarit se të gjitha rajonet e tjera kane efekt më të ulët se pesha e popullsisë rezidenciale të tyre, ku Elbasani, Shkodra, Korça, Lezha, Vlora dhe Dibra kontribuojnë në PBB më poshtë se pesha e popullsisë me përkatësisht 2.8%, 1.9%, 1.8%, 1.2% dhe 1.1%.
Ekonomia po qendërzohet vit pas vit në kryeqytet, teksa qarqet po shënojnë rënie të peshës në ekonominë kombëtare.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se nga viti 2016 në vitin 2021, vetëm ekonomia e Qarkut të Tiranës ka rritur peshën e saj në ekonominë kombëtare. Durrësi është thuajse në vendnumëro dhe 10 qarqe të tjera kanë pësuar rënie të kontributit në ekonominë e përgjithshme.
PBB-ja në vlerë shënoi rreth 15.1 miliardë euro në vitin 2021, teksa 6,6 miliardë euro, ose 44%, ishin të përqendruara në Qarkun e Tiranës. Nga viti 2016 deri në vitin 2021, pesha e ekonomisë së kryeqytetit në ekonominë kombëtare është rritur me 4 pikë përqindje.
Pas Tiranës, qarku me kontributin më të lartë në PBB është Fieri, me 10.9% të totalit. Pesha e Fierit, në ekonominë kombëtare, ka rënë me 0.2% nga 2016. Qarku i tretë me peshën më të lartë në PBB është Durrësi, me 10.1%, me PBB prej 1,5 miliardë eurosh. Pesha e Durrësit në ekonominë kombëtare u rrit me vetëm 0.2% në krahasim me vitin 2016.
Qarku me kontributin më të ulët në ekonomi është Kukësi. Qarku verior, i cili është edhe më i varfri në vend, kishte një PBB prej vetëm 237 milionë eurosh në vitin 2021, ose 1.6% të ekonomisë kombëtare. Pesha e Kukësit në ekonominë e vendit u zvogëlua me 0.2%, nga viti 2016.
Pas Kukësit, Gjirokastra është qarku me kontributin më të ulët në ekonomi, me një PBB vetëm 316 milionë euro më 2021. Pesha e këtij qarku në ekonominë kombëtare u gjatë 2016-2021 u ul me 0.3%.
Pas Gjirokastrës, Shkodra, Lezha dhe Berati kishin rënien më të madhe të peshës në ekonominë kombëtare prej vitit 2016 deri më 2021.
Rënia e shpejtë e ekonomisë së qarqeve dhe përqendrimi i saj në Tiranë po tregon për një rritje të shpejtë të pabarazisë. Thellimi i pabarazisë ekonomike shërben si arsyeja më e fortë për shpopullimin e qarqeve drejt Tiranës apo jashtë vendit.
Diferencat ndërmjet qarqeve do të thellohen më tej në të ardhmen
Krahasimi i normave të rritjes së PBB-së të rajoneve të ndryshme mund të luajë rol në shpërndarjen e aseteve, duke ndihmuar vendimet për investimet në ekonomitë rajonale me rritje të shpejtë, analizoi Ana Beqo, eksperte e çështjeve vendore në një studim për Altax.
Përtej investimeve të huaja, që kanë hyrë në Shqipëri, mbetet ende sfidë e pazgjidhur dhe me ndikim të mprehtë për produktivitetin e ekonomisë, mungesa e diversifikimit të sektorëve dhe rritja e kapaciteteve shfrytëzuese të sektorëve produktivë në vend.
Kjo duket në faktin se Shqipëria, në vitin 2022, me një peshë sa 16% të popullsisë së Ballkanit Perëndimor (BP6) prodhon sa 13% e tij, apo të paktën më poshtë edhe se pesha e popullsisë. Raporti ka ndryshuar për keq në krahasim me 10 vite më parë, kur pesha e popullsisë së Shqipërisë ishte 14% e popullsisë dhe prodhonte përsëri sa 13% e tij, analizon znj. Beqo.
Vendet e zhvilluara prodhojnë 2-3 herë më shumë vlerë të shtuar se pesha e popullsisë së tyre. Puna efektive po rritet shumë më ngadalë dhe në disa raste, është në rënie. Plakja po theksohet, duke çuar në rënie të raportit të mbështetjes.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, znj. Beqo analizon se në rajonet e vendit, PBB dhe të ardhurat për konsumator efektiv ka të ngjarë të rriten më ngadalë si rezultat i ndryshimeve demografike. Asnjë rajon tjetër i vendit nuk është aq i begatë apo inovativ se sa Tirana, sipas treguesit të peshës rajonale në PBB-në kombëtare.
Nga ana tjetër, sipas parashikimeve afatgjata, madhësia e ekonomisë së rajoneve të tjera nuk ka gjasa të afrohet shumë me atë të Tiranës. Për shkak se Tirana dhe Durrësi kanë të ardhura të larta dhe ekonomi më të mëdha, zhvillimet atje mund të dominojnë tendencat ekonomike të vendit.
Popullsia parashikohet të ulet 15.8% midis 2020 dhe 2050, pavarësisht ngadalësimit në normën e saj të rritjes. Burimi kryesor i pengesës për rritje të mëtejshme dhe të qëndrueshme të rajoneve të vendit është mbështetja e dobët e novacionit dhe tregut ende të pahapur, për të qenë pjesë përbërëse e zinxhirit të ekonomisë rajonale dhe kombëtare të bazuar në rregulla, shton ajo.
Ndërkohë, megjithëse zoti Rama ka të drejtë kur e orienton fokusin dhe buxhetin për të përforcuar rrjetin e infrastrukturës rrugore dhe urbane, ajo që mund të rrezikojë buxhetin e qeverisë siç janë problemet e pazgjidhura të sigurisë sociale, vizioni ekonomik izolues i udhëhequr nga shteti, tha më tej ajo.
Kjo qasje mund të gërryejë përfundimisht standardet e jetesës dhe ndikimin që ka Shqipëria te shqiptarët në rajon, ashtu si dhe brenda vendit, analizoi znj. Beqo./Monitor