Jani Rustemi, i cili përfundoi në koma pas arrestimit nga policia për vjedhje muajin e kaluar, ka humbur jetën në QSUT. I riu 26 vjeç ishte transportuar në spital pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore në ambientet e policisë, ku mbahej për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete. Pas disa javëve në koma, ka humbur jetën këtë pasdite.
Familjarët kanë bërë kallëzim për mjekim të gabuar, që i riu sipas tyre, ka marrë nga mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Arrestimi dhe lënia në burg për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete
Jani Rustemaj u arrestua më 13 prill.
Në një deklaratë për një emision televiziv, një i afër i të riut ka rrëfyer se Jani Rustemi akuzohej për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete.
Sipas Policisë së Tiranës, më 14 prill, gjatë qëndrimit në bllokun e sigurisë në rrugën ‘Mine Peza’ ka shfaqur probleme shëndetësore. Është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, thotë policia, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.
Sipas kartelës mjekësore, të riut i është dhënë metadon për qetësim, pasi sipas bluve, prej varësisë nga heroina ka nisur të ndihet keq. Kjo megjithatë kundërshtohet nga familjarët.
Një ditë pasi dyshohet të ketë pirë metadon, më 15 prill, Jani Rustemaj është dërguar në Gjykatë, ku pavarësisht gjendjes shëndetësore që kishte kaluar dhe llojit të veprës penale, togat e zeza i vendosën masën e sigurimit personal të arrestit me burg.
Më 16 prill, 27-vjeçari është dërguar në paraburgim te 313-a, por autoritetet e burgut, “nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim – thotë zyrtarisht Policia – për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë”.
Më 17 Prill, sipas bluve, Rustemi ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë.
Dyshimet mbi veprimin e autoriteteve
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në një deklaratë lidhur me rastin, shpjegon se ka monitoruar gjithë procedurën e ndjekur nga institucionet e shtetit dhe ka konstatuar një sërë shkeljesh.
Shkelje që konsistojnë në mënyrën e trajtimit të të riut, që ngrenë dyshime për diskrimimin e tij për shkak se i përket Minoritetit Rom si dhe mënyrën e mjekimit.
Sipas raportit të publikuar, Komuniteti i Helsinkut thekson se 26-vjeçari, përdorues, droge, pas shqetësimeve të shfaqura ka marrë trajtimin e parë një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë, duke u trajtuar me metadon. Por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit. Ndërsa pasi ka vijuar të rëndohet është trajtuar me medikamentin diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.
Sipas raportit të KSHH, të dhëna të tjera kontradiktore janë konstatuar edhe për transferimin e të riut nga Blloku i sigurisë në ambientet e burgut 313 dhe IEVP 302, pas vendosjes së masës së sigurisë për të. Komunitetit Helsinkut vëren se i riu është mbajtur në shkelje të ligjit dhe të drejtave të të burgosurve në paraburgim, tej afatit 48 orësh të lejuar. Fillimisht është konstatuar nga KSHH, se i riu nuk ka pranuar të transferohet se te burgu 302 se ka një hasëm aty.
Por vetë burgu 302 ka refuzuar të pranojë transferimin e 26-vjeçarit me pretendimin se nuk mbajnë këtë lloj kategorie në institucionin e tyre. Shkeljet vijojnë edhe më tej kur edhe burgu 313 refuzon transferimin e Jani Rustemit nën pretendimin se ka mbipopullim, gjë e cila ka rënë poshtë nga komuniteti i Helsinkut, pasi është konstatuar se në atë moment në burg kanë qenë 50 persona më pak se numri limit, i këtij burgu që është 480. Për Komunitetin e Helsinkut kjo krijon dy standardizim në praktikën e autoriteteve dhe dyshime të arsyeshme, për trajtime të diferencuara me qasje diskriminuese ndaj tyre, për shkak se 26-vjeçari Jani Rustemi i përket komunitetit rom.
Lexo edhe:
Familjarët e Jani Rustemit: Jetën ia mori shteti!
Ra në koma nga mjekimi i gabuar, flasin sërish familjarët e Jani Rustemit: I dhanë shumë metadon