Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha ka sfiduar kryebashkiakun Rakip Sulin që të përsërisin votimin tradicional me fletë fizike votimi në 10% të qendrave të qytetit.
Hoxha u shpreh se nuk ka besim te votimi elektronik dhe se nëse realizohet votimi në 10% të qendrave të Kamzës dhe rezultati i përafrohet me rezultatin e 14 majit, atëherë ai i jep dorën kundërshtarit.
“Edhe të majtët në Kamëz janë të bindur se kjo votë nuk është vota e qytetarëve por vota e makinerisë kriminale elektorale e datës 14. Kamza në datë 14 maj ka qënë skenë krimi në çdo qendër votimi skenë krimi e masakrës elektorale. Të sekuestrohen dhe të vendosen mbi to kqyrja me ekspertë të pavarur mundësisht ekspert të huaj dhe në qoftë se kjo që them unë nuk është e vërtetë pastaj unë mbaj çdo lloj përgjegjësie. Unë e sfidoj që në 10% të qendrave të votimit le ti përzgjedhë vetë dhe le të vendosë kutinë me votim tradicionale me fletë votimi fizike dhe nëqoftë se përafrohet se unë nuk them që do dalë i njëjtë pasi nuk mund ti marrim të gjithë votuesit sipas listës që të bëhet një eksperiment i tillë sepse ne presupozojmë që ky votim pilot në 3 bashki do të shtrihet në të gjithë vendin, atëherë unë po u them se nëse do bëhen çdo ditë zgjedhje dhe unë do jem i përzgjedhur nga PD për të marrë pjesë në votim elektronik unë refuzoj të marr pjesë në votim elektronik sepse nuk është ai produkt i vullentit të qytetarëve votës së qytetarëve. Në datë 14 maj qytetarët e Kamzës kanë shkuar kot në qendrat e votimit. Kanë shtypur disa tastiera të programuara dhe rezultati ka qënë në kompjuter dhe jo ai i vullnetit”, tha ai për “Syri Tv”.
“Kamzën nuk kishin asnjë mundësi tjetër për ta marrë përveç se me votim elektronik. As me para as me zhavorr elektoral, as me presione, e kanë provuar. E sfidoj sot Rakip Sulin sot që ai është më i fortë, të bëjmë një eksperiment në 10% të qendrave të votimit ku ti përzgjedhë ai vetë me një komision të pavarur dhe nëse rezultati do të jetë i përafërt unë i shtrëngoj dorën. Le të vijë ta bëjë që sot që nesër kur të duan. A do të implementojmë një votim elektronik në të gjithë vendin, se është përzgjedhur Kamza në kundërshtim me çdo lloj procedure, se Kamza nuk ishte një ndër këto bashki që do të implementohej votimi elektronik por kanë qënë Elbasani, Durrësi dhe Vora. Më vonë u hoq Durrësi dhe u vendos Kamza pa asnjë argument, thjesht dhe vetëm se u orvatën me çdo lloj mënyrë tjetër dhe nuk ia dilnin dot Kamzës ta kthenin të majtë dhe doli që vetëm me kompjuter kishin garancinë. Çfarë të keqe ka të isha dhe unë gjatë numërimit të votave”, shtoi.