Komisioni Evropian ka vendosur disa kufizime në importet e misrit, farave të lulediellit dhe disa produkteve tjera ukrainase në Poloni, Hungari, Rumani, Sllovakia dhe Bullgari, deri më 5 qershor.
Ku vendim ka rezultuar me heqjen e njëanshme të ndalesave, që kanë vendosur Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria, duke cituar nevojën për mbrojtje të bujqve të tyre.
Rumania nuk ka vendosur ndalesë në importe.
Pse është duke eksportuar Ukraina përmes Evropës Lindore?
Ukraina i ka eksportuar produktet e saj bujqësore përmes porteve në Detin e Zi, derisa ato janë bllokuar nga Rusia, vitin e kaluar, për shkak të luftës së nisur nga Moska.
Tri porte në rajonin e Odesas janë rihapur ndërkohë, pas marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, në korrik të vitit të kaluar.
Marrëveshja parasheh krijimin e një korridori të sigurt për eksportet, për të ndihmuar në luftimin e krizës ushqimore globale.
Portet tjera ukrainase, përfshirë një prej më të rëndësishmëve, në Mikollaiv, mbeten të mbyllura.
Ukraina, një prej vendeve që eksporton më së shumti grurë dhe fara të lulediellit, është detyruar t’iu rikthehet rrugëve tokësore dhe i ka zgjeruar eksportet përmes porteve të vogla në lumin Danub.
Rruga më e lehtë tokësore, në veri, përmes Bjellorusisë, aleates së Rusisë, është mbyllur prej nisjes së luftës, duke i detyruar ukrainasit që ta eksportojnë shumicën e grurit përmes Evropës Lindore.
Për ta lehtësuar këtë opsion, Bashkimi Evropian ka marrë vendim – në qershor të vitit 2022 – për pezullim njëvjeçar të tarifave të importit për Ukrainën.
Sa janë rritur eksportet në Evropën Lindore?
Rritja e eksporteve të grurit ukrainas dhe farave të lulediellit, përmes rajonit lindor të Bashkimit Evropian, ka qenë shumë e madhe.
Të dhënat e doganave ukrainase kanë treguar se më 2022, në Rumani janë eksportuar 3.39 milionë ton të misrit, 1.47 milion ton të grurit dhe 529.689 ton të elbit.
Më 2021 janë eksportuar 526 ton të misrit dhe nuk është eksportuar aspak grurit, apo elb.
Ndërkohë, Polonia ka pranuar 2.08 milionë ton të misrit, 579.315 ton të grurit dhe 44.114 ton të elbit më 2022.
Në vitin paraprak, në këtë shtete janë eksportuar 6.269 ton të misrit dhe 3.033 ton të grurit. Elb, aspak.
Rritje të sasisë së eksporteve është vërejtur edhe në Hungari dhe Bullgari, ndonëse volumi nuk është aq i lartë sa në Rumani dhe Poloni.
Pse janë të pakënaqur bujqit evropianë?
Bujqit në lindje të Evropës, fillimisht kanë përfituar financiarisht nga konflikti në Ukrainë, pasi çmimet e produkteve të tyre janë rritur, në linjë me tregjet globale.
Megjithatë, ata me vonë janë përballur me garë të madhe në tregjet lokale, pasi aty janë shtuar edhe produktet ukrainase.
Për ta është bërë më e vështirë, dhe më e shtrenjtë, që të transportojnë produktet e tyre, pasi kamionët dhe vagonët e trenit që i kanë përdorur dikur, tani kanë qenë plot me mallra ukrainase.
Më vonë ata janë përballur edhe me rënie të çmimeve, dhe për këtë gjë i kanë fajësuar importet ukrainase.
Mirëpo rënia e çmimeve është trend global, në cilin tregtarët ua kanë atribuuar faktorëve sikurse eksportet në sasi të mëdha nga Brazili dhe Rusia, si dhe kërkesa më e vogël sesa zakonisht nga Kina.
Edhe thatësia në disa pjesë të Evropës Qendrore, vitin e kaluar, ka krijuar vështirësi financiare për bujqit në rajon.
Shembull, të korrat e misrit në Hungari, kanë rënë në 2.8 milionë ton verën e kaluar, më pak sesa gjysma e korrjeve të vitit paraprak prej 6.4 milionë tonëve, sipas Këshillit Ndërkombëtar për Korrje të Grurit.
Sa janë të rëndësishme këto eksporte për Ukrainën?
Mbyllja e porteve ukrainase vitin e kaluar, e ka detyruar shtetin të eksportojë grurë dhe fara të lulediellit, përmes Evropës Lindore, me trena, kamionë dhe tragete.
I gjithë malli është bartur përmes rajoneve në lindje të Evropës, pasi kufijtë e Ukrainës dhe Rusinë dhe Bjellorusinë janë mbyllur tërësisht.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për të mundësuar një korridor të hapur për eksporte të produkteve, e ka lehtësuar pak presionin nga rrugët evropiane.
Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se rreth 29.3 milionë ton të produkteve bujqësore janë eksportuar nga portet ukrainase në Detin e Zi, përmes korridoreve të sigurta, përfshirë 14.8 milionë ton të misrit.
Mirëpo, funksionalizimi i vetëm tri porteve, ka nënkuptuar që kapaciteti ka qenë i pamjaftueshëm dhe produktet bujqësore, janë bartur kryesisht përmes rrugëve tokësore, pavarësisht se ky opsion është më i shtrenjtë sesa transporti përmes detit.
Sipas organizata për transportim të grurit, Ukraina pritet të transportojë rreth 24 milionë ton të misrit në periudhën 2022/23.
Mirëpo vetëm 62 për qind e kësaj sasie tashmë është transportuar, kur kanë mbetur më pak se dy muaj për përfundim të sezonit.
Megjithatë, rëndësia e rrugëve tokësore do të rritet në masë të madhe, nëse Rusia refuzon të vazhdojë marrëveshjen që mundëson transportimin e mallrave përmes detit, përtej mesit të majit të këtij viti.
Sa janë të rëndësishme këto eksporte për tregjet globale?
Ukraina ka qenë eksportuesja e katërt më e madhe e grurit në sezonin 2020/2021, pas Shteteve të Bashkuara, Argjentinës dhe Rusisë.
Gruri ukrainas është transportuar në 95 shtete, dhe ndër blerësit kyçë kanë qenë: Kina, Egjipti, Pakistani, Spanja dhe Libia.
Këshilli Ndërkombëtar për Korrje të Grurit ka parashikuar që Ukraina do t’i eksportojë 28 milionë ton të grurit në sezonin 2023/24, çka mund ta bëjë eksportuesen e tetë më të madhe në botë.
Brazili e ka shfrytëzuar më së miri këtë hapësirë, pasi eksportet pothuajse o ka dyfishuar, nga 26.2 milionë ton më 2021/2022, në 50.9 milionë ton në periudhën aktuale 2022/23.
Si ka ndikuar lufta në çmimet e grurit?
Çmimet e grurit dhe misrit, të rritura pas nisjes së luftës në Ukrainë, patën nxitur shqetësimet se konflikti mund të shkëpusë zinxhirin e furnizimeve të Rusisë dhe Ukrainës, dy eksportuesve më të mëdha të grurit në botë.
Megjithatë, tani çmimet kanë rënë në nivelet para luftës.
Kjo, për shkakun se eksportet e grurit rus janë rritur, pas sasisë rekorde të korrjeve në verën e kaluar.
Edhe ulja e sasisë së eksporteve të misrit ukrainas, i ka shërbyer Brazilit, e cila ka shtuar disa fish sasinë e eksporteve të këtij produkti./Rel