Organizata ndërkombëtare “Reporterë pa kufij” (Reporter Sans Frontiéres, RSF), në rapotin e saj vjetor të publikuar të mërkurën (03.05) në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, vë në dukje mungesën e sigurisë së gazetarëve në Shqipëri. “Gazetarët janë viktima të krimit të organizuar dhe nganjëherë të dhunës policore, të nxitur nga dështimi i qeverisë për t’i mbrojtur ata,” thekson ky raport.
Përmirësim në renditje, përkeqësim në cilësinë e lirisë
Megjithë kërcënimin e krimit të organizuar ndaj gazetarëve, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, 3 maji, e gjen këtë vit Shqipërinë me një pozicion të përmirësuar në Indeksin Botëror te Lirisë së Shypit, të publikuar nga RSF. Shqipëria renditet në vendin e vendin e 96-të ndër 180 vende të botës, pozicion që përbën një ngritje prej 7 vendesh krahasuar me vitin 2022 kur renditej në vendin e 103-të.
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, thotë për DW se “pavarësisht nga pozicioni i përmirësuar,cilësia e lirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar. Media nuk luan dot rolin e saj si një pushtet që do të shërbente si pasqyrë për pushtetet e tjera në kushtet e shoqërisë shqiptare që vazhdon të jetë në stanjacionin e një demokracie hibride.”
“Liria e medias është e kapur nga grupe të pakta interesi që kanë asete, kapacitete financiare, që kanë ndërtuar dhe mbajnë në fuqi, një marrëdhënie të rëndë informale me politikën, partitokracinë dhe nivelet e larta të vendimmarrjeve qeverisëse”, rreshton Aleksandër Çipa për DW argumentat për opinionin e tij.
Të rrezikuar gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin
Në raportin e sivjetëm të RSF, krimi i organizuar përcaktohet si një nga “kërcënimet më të mëdha në Shqipëri për sigurinë e gazetarëve.”
”Edhe pse policia ka ndërmarrë hapa për të hetuar sulmet kundër gazetarëve, mosndëshkimi për këto krime, i kombinuar me përpjekjet politike për të diskredituar gazetarët, ka krijuar një klimë që ka të ngjarë të inkurajojë sulme të mëtejshme,” theksohet në raport.
Sulmi me armë ndaj selisë së Top Channel, në mars të këtij viti, ku mbeti i vrarë një nga rojet e sigurisë, cilësohet një “rast i paprecedentë” nga RSF. Raporti konsideron më shumë të kërcënuar ”gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin”. Siguria e gazetarëve përbën shqetësim edhe për Këshillin e Europës, ku Shqipëria është anëtare që prej 31 vitesh. Sekretarja e Përgjithshme e këtij Këshilli, Marija Pejčinović Burić, në deklaratën e saj për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 2023, “nxiti qeveritë evropiane ta bëjnë prioritet politik sigurinë e gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias.”
Peisazhi mediatik
RSF konstaton në Indeksin Botëror për Lirinë e Medias, 2023, zotërimin e mediave më me ndikim në sektorin privat në Shqipëri nga “një pjesë e vogël kompanish të lidhura me botën politike që operojnë në sektorë të tillë si ndërtimi. Ndër qindra media online, vetëm një numër i vogël kanë një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent”, thekson raporti.
Situata është e tillë ku “pronësia e pjesës më të madhe të peizazhit mediatik shqiptar është e përqendruar në duart e katër ose pesë kompanive. Financimi shtetëror përfaqëson një burim të madh të ardhurash për median, por ai shpërndahet në mënyrë të errët dhe diskriminuese që ngre dyshime për shitje të ndikimit”, thotë për DW, Aleksandër Çipa. “Kjo situatë ka shembur besueshmërinë publike ndaj mediave dhe gazetarëve. Kompanitë që zotërojnë tregun mediatik kanë histori marrëdhëniesh kompromentuese, klienteliste me politikën dhe qeverisjet, histori abuzimesh përmes depërtimit në investimet dhe financimet publike. Këto kompani kanë cënuar apo imponuar ndryshime ligjore në fushën e mediave që favorizojnë politikën e pronësisë së përqëndruar”, thekson ai.
Kuadri Ligjor
Liria e shtypit garantohet në Kushtetutë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare të Shqipërisë. Por mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve të informacionit, sipas RSF, është e pamjaftueshme. “Mediave iu ndalua, pas një vendimi të diskutueshëm të Prokurorisë, të mbulonin pasojat e një sulmi kibernetik të vitit 2022 ndaj institucioneve shtetërore,” thekson raporti i RSF. Projektligji kundër shpifjes, që u hoq nga agjenda e Parlamentit të Shqipërisë vitin e kaluar “do t’i kishte dhënë shtetit një kontroll joproporcional mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte autocensurën”, vihet në dukje në këtë raport.
Autocensurë dhe propagandë
“Ka ngjarje dhe ꞔështje që nuk raportohen, nëse nuk dëshiron pronari i mediave. Autocensuara e gazetarëve vjen nga disa drejtime: nga biznesi që paguan dhe blen mosraportimin, nga politika, pushteti që negocion me pronarët, nga strukturat kriminale. Ndodh rëndom që denoncime, shkrime kritike sapo publikohen hiqen nga qarkullimi kur ndaj tyre ka reagime nga politikanë apo nga struktura të ndryshme okulte” thotë për DW, kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa.
“Një rrezik i shtuar është mungesa e lirisë së editorit në media. Në Shqipëri ekziston vetëm autoriteti i plotë i pronarëve dhe i administratorëve, por jo i editorit apo drejtuesve redaksionalë” thekson ai për DW. Në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2023, RSF konstaton që “në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak”.
Një dukuri tjetër që cënon lirinë e medias në Shqipëri është propaganda e shtuar. “Në media ka shumë propagandë, rikthim të modelit të vjetër të raportimit sipas parimit ndarës në “pro dhe kundër”. Kjo ka rikthyer gjuhën e ashpër konfliktuale, jo informuese dhe si rrjedhojë edhe disinformimin. Në kontekstin e fushatës elektorale për Lokalet 2023 disinformimi është bërë edhe më shqetësues dhe me efekte negative potenciale”, thotë për DW Aleksandër Çipa.
Liria e shprehjes – nxitëse për gjithë të drejtat e tjera themelore
Me moton “Formimi i një të ardhmeje të drejtash:Liria e shprehjes nxitëse e lirive të tjera, themelore të njeriut”, 3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Medias, shënon sivjet 30 vjetorin e saj. A ka potenciale që kjo motto të jetë nxitëse edhe në Shqipëri? “Liria pa cilësi e medias nuk mund të bëhet dot nxitëse për liritë e tjera, aq më tepër ato themelore. Komuniteti i gazetarëve ka nevojë për solidaritet bashkues, rritur autoritetin dhe integritetin në marrëdhëniet me pronarët dhe administratorët e mediave për të negociuar përmirësime ligjore. Ka segmente të gjera dhe me ndikim të shoqërisë që e inkurajojnë këtë. Ka mekanizma juridikë dhe shtetërorë në dispozicion, por inspektoriatet dhe institucionet e pavarura, që monitorojnë dhe mbrojnë liritë themelore duhet të kenë më shumë guxim dhe të ndërhyjnë sa herë që media denoncon cënimin e lirive themelore të njeriut,” thotë për DW, Aleksandër Çipa./DW