Ndërprerja e kërkimeve për të gjetur Fatmir Sulovarin dhe Leonard Thodhorin, dy 46-vjeçarët e raportuar të zhdukur që prej datë 6 prill, ka bërë që familjarët e tyre të protestojnë së bashku para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë.
Në orën 10:00, familjarë e të afërm të dy personazheve që janë rrëmbyer dhe dyshohet se janë ekzekutuar, për t’u groposur më pas në fshatin Vrinë të bashkisë Konispol, kërkojnë të dinë nga policia se kur do të rifillojnë kërkimet për gjetjen e tyre.
Pas disa protestave në Komisariatin e Sarandës, të afërmit, kanë vendosur të protestojnë në kryeqytet për të apeluar në zbulimin e autoreve dhe kthimin e trupave të viktimave pranë familjeve të tyre.
“Ne duam trupat, shteti nuk po punon. U bënë 26 ditë, as komunikim nuk kemi. Është si në harresë. Këtë kërkojmë nga shteti se i ka mundësitë. Nuk e kuptojmë se përse janë ndërprerë kërkimet dhe shpresojmë që të na dëgjojnë. Do qëndrojmë këtu 24 orë, derisa të na dëgjojnë. nuk ka lidhje konflikti i pronësisë. Po të kishte konflikte nipi im, s’do dilte lirshëm. Kemi ardhur për protestë paqësore këtu. Shteti të gjejë trupat dhe të kapë autorët”, -tha Kujtim Krasniqi, xhaxhai i Fatmirit për mediat.
Sakaq, mësohet se një përfaqësi e përbërë nga tre të afërm të dy 46-vjeçarëve kanë hyrë brenda Drejtorisë së Përgjithshme dhe janë pritur nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku.
Ndërkohë, fakt është se pas 27 ditësh kërkime Fatmir Sulovari (alsias Fatmir Krasniqi) dhe Leonard Thodhori (i njohur si Koçole) ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Hetimet e deritanishme të Prokurorisë dhe Policisë, nuk e kanë bërë të mundur zbulimin e trupave te dy 46-vjeçarëve, ndërsa sipas gazetarit Artan Hoxha dyshimet janë se ata janë rrëmbyer nga anëtarë të një grupi kriminal që fshihet edhe pas ekzekutimit verën e kaluar të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, në një shpërthim me tritol pranë rrethrrotullimit të TEG-ut.
Ai thekson se deri më tani policia ka vënë në pranga vetëm njërin nga anëtarët e bandës, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Dy prej tyre, me rolet kyçe në këtë grup, dyshohet të jenë larguar drejt Dubait menjëherë pas ngjarjes.
Në lidhje me zhdukjen e dy personave është arrestuar 28-vjeçari Sofokli Baxheri, i cili akuzohet për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.
Hetimi ka provuar se i arrestuari është njeriu që u ka dhënë shtëpinë me qira autorëve në fshatin Nivicë të Himarës, ku u gjet makina “Mercedes Benz”, me të cilën dyshohet se u rrëmbyen dy personat.
Dyshohet se shkak për rrëmbimin e tyre mund të jetë bërë konflikti për një truall në fshatin Çukë në afërsi të Sarandës.
Kush janë të zhdukurit?
- Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.
- Fatmir Sulovari (alias Fatmir Krasniqi), 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi kanabisi e ndarë në doza gati për shitje.