Prokurori Urim Buci i Prokurorisë së Dibrës u përball të martën më 25 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për ndërtimin e një banese në Kamëz si dhe për pikëpyetjet mbi një kontratë qiraje me Bashkinë e Kamzës.
Buci mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa në kriterin profesional u pyet mbi hetimin e tre çështjeve ku palë ka qenë një shok i gjimnazit me të cilin kishte kryer një udhëtim.
Procesi i vetingut për prokurorin Urim Buci po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Urim Buci e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 si oficer i policisë gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2015 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.
Relatorja Alma Faskaj tha se Buci rezultonte në pamundësi financiare në shumën 400 mijë lekë për blerjen e dy ngastrave tokë arë me sipërfaqe totale rreth 1000 m2 në Kamëz në vitin 2007, kundrejt çmimit 200 mijë lekë. Sipas saj, duket se toka është blerë për një vlerë më të ulët nga ajo reale.
Faskaj sqaroi se subjekti ka deklaruar se këtë pasuri e ka blerë dhe e zotëron me pjesë të barabarta me të vëllanë, megjithëse e figuron në pronësinë e tij. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat e tij nga emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës 2000-2004 dhe të ardhurat e të vëllait nga emigrimi në Greqi. Relatorja vërejti se subjekti nuk ka depozituar në Komision dokumentacion për të ardhurat e përfituara gjatë emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Prokurori Buci shpjegoi se toka ishte blerë me marrëveshje nga babai në vitin 1998 dhe se ishte formalizuar me kontratë, pasi ishin kthyer nga emigracioni së bashku me të vëllanë. Ai theksoi se në vitin 1998, zona ku gjendet toka ishte informale dhe se qytetarët i kishin blerë tokat për çmime të ulëta nga zaptuesit e tokave. Sipas tij, toka është blerë aq sa është dakordësuar nga pala shitëse me babanë.
Ai këmbënguli se toka është blerë me burime të ligjshme nga puna në emigracion.
Buci ka deklaruar në vitin 2005, kur ai ka qenë oficer i policisë gjyqësore, se në tokën e blerë në Kamëz ka ndërtuar një banesë së bashku me të vëllanë. Në momentin e fillimit të detyrës si prokuror, ai ka deklaruar se banesa ka qenë me tre kate + papafingo, e cila pjesërisht ishte ndërtuar me leje, ndërsa pjesa tjetër ishte në proces legalizimi. Për katin e tretë të banesës në gjendje karabinaje, subjekti ka shpjeguar se është investuar në vijim nga dhëndrri, shtetasi G.D.
Prokurori Buci shpjegoi se punimet për shtëpinë kishin filluar në vitin 1995 nga vëllai. Ashtu si për tokën, si burim financiar për investimet në këtë banesë, subjekti ka deklaruar të ardhurat e vëllait dhe të tijat nga emigracioni.
Faskaj pohoi se Buci ka shpjeguar se nuk disponon dokumentacion për të vërtetuar të ardhurat në Angli sipas kërkesave ligjore të vetingut. Sipas relatores, subjekti ka vërejtur se kjo pasuri është ndërtuar përpara fillimi të detyrës së prokurorit.
Komisioni konstaton paqartësi për kohën e ndërtimit dhe se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2005 kursime cash nga emigracioni, ashtu si ka shpjeguar në vijim dhe nga analiza financiare e kryer për investimin në këtë pasuri ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 7.5 milionë lekë.
Ndërkohë, shtetasi G.D. ka rezultuar me burime financiare të mjaftueshme për investimin e kryer në katin e tretë të banesës.
Prokurori Buci theksoi në seancë se burimet financiare që kanë shërbyer për tokën dhe investimet në këtë banesë kanë qenë të ligjshme. Ai shpjegoi se pasi kishte përfunduar studimet në shkencat juridike në vitin 2000, për shkak se nuk kishte gjetur punë, kishte emigruar në Mbretërinë e Bashkuar ku kishte jetuar dhe punuar deri në vitin 2004. Ai tha se kishte punuar në një fabrikë dhe në disa restorante, prej nga kishte siguruar rreth 60 mijë paund të ardhura.
Buci renditi adresat e subjekteve punëdhënëse në Angli si dhe vërejti se kishte depozituar si prova foto nga koha kur punonte atje. Ai sqaroi se nuk kishte disponuar leje qëndrimi dhe se në atë periudhë nuk ishte interesuar nëse punëdhënësit paguanin detyrimet.
Subjekti deklaroi se shumat i kishte dërguar nëpërmjet Western Union ose me persona të njohur që vinin në Shqipëri. Sipas Bucit, nuk kishte arritur të siguronte dokumentacion nga Western Union, pasi kishin kthyer përgjigje se nuk ruanin dokumentacion më të vjetër se pesë vjet.
Ai deklaroi se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion ligjor për këto të ardhura. Buci këmbënguli se të ardhurat nga emigracioni në Angli ishin të ligjshme dhe kërkoi që të përfshihen në analizën financiare.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar se sa ishte kursimi nga këto të ardhura, subjekti deklaroi se nëna kishte ruajtur rreth 30 mijë paund që ia kishte dhënë kur kishte kryer investimet. Pyetjes së Faskajt se përse nuk i kishte deklaruar në 2005-ën këto kursime, subjekti i’u përgjigj se në atë kohë nuk i dispononte fizikisht dhe se i ishin dhënë nga nëna në vitet 2007-2008 kur kishte kryer punimet.
Faskaj konstatoi se katin e parë të banesës, Buci e ka dhënë me qira për Bashkinë Kamëz, për kopësht për fëmijë. Sipas relatores, bazuar në legjislacionin në fuqi, prokurorët nuk duhet të lidhin kontrata me institucionet publike dhe për pasojë subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit në këtë marrëdhënie.
Prokurori Buci e kundërshtoi këtë konstatim, duke argumentuar se kontrata e qirasë nuk është akt administrativ, por kontratë civile që nuk e vendos në kushtet e konfliktit të interesit. Ai vërejti edhe faktin se e ushtron detyrën në Prokurorinë e Dibrës, që nuk ka kompetencë mbi territorin e Bashkisë Kamëz.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e dy automjeteve, për gjendjen cash dhe në llogaritë bankare të pagave të subjektit e të bashkëshortes.
KPK e ka ndarë analizën financiare në dy periudha, në atë përpara fillimit të detyrës kur ka rezultuar balancë negative totale në vlerën rreth 6.4 milionë lekë dhe në atë gjatë ushtrimit të detyrës, kur pamundësia financiare totale e gjetur është në shumën rreth 745 mijë lekë.
Prokurori Buci deklaroi se nëse do të konsideroheshin kursimet nga puna në emigracion, atëherë del me bilanc pozitiv. Ai pretendoi lapsuse në analizën e kryer pas fillimit të detyrës, duke këmbëngulur se rezulton me bilanc pozitiv edhe për këtë periudhë.
Profesionalizmi
Faskaj evidentoi disa gjetje në njërën prej tre dosjeve të përzgjedhura nga subjekti dhe dy prej pesë të shortuarave, që kishin të bënin me mospasqyrimin në kërkesat për gjykim të të dhënës së kujt i drejtohej kërkesa. Në një prej çështjeve është konstatuar se nuk figurojnë të dhënat e procedimit penal.
Buci shpjegoi se kishte vijuar praktikën e mëparshme lidhur me mënyrën e hartimit të kërkesave për gjykim. Pavarësisht mosshënimit të kësaj të dhëne, ai pretendoi se ishte e qartë se kujt i drejtohej kërkesa për gjykim, si dhe se nuk kishte pasur pasoja. Për konstatimin tjetër, subjekti pohoi se bashkëngjitur në fashikull është një urdhër për regjistrimin e procedimit, ku pasqyrohen të dhënat përkatëse. Sipas tij, edhe në këtë rast nuk kanë ardhur pasoja.
Komisioni ka gjetur se Buci ka kryer një udhëtim me shtetasin A.C., ndërkohë që ka rezultuar se ka hetuar një kallëzim të kryer prej këtij të fundit dhe dy kallëzime penale të kryera kundër tij.
Sipas Faskajt, subjekti ka shpjeguar se e ka pasur shok gjimnazi, por se nuk ka pasur asnjë lidhje tjetër me atë person. KPK vlerëson se subjekti duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga kjo çështje.
Buci pretendoi se në çështjet në fjalë, nuk kishte asnjë indicie për favorizim e shtetasit A.C. Udhëtimin ai e cilësoi si të rastësishëm dhe këmbënguli se nuk ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit. Subjekti sqaroi se me shtetasin A.C. nuk kishte pasur ndonjë marrdhënie apo komunikim tjetër pas përfundimit të gjimnazit. Buci pohoi se në Dibër njeh shumë persona, por kjo sipas tij, nuk mund të jetë shkak për heqjen dorë nga çështjet ku ata mund të jenë palë.
Ndaj prokurorit Buci janë depozituar në Komision 10 denoncime nga publiku, për të cilat KPK sqaroi se i janë kërkuar shpjegime për dy prej tyre.
Në përfundim, prokurori Buci kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 27 prill, në orën 12:45.
/Reporter.al/