Në Strasburg u nënshkrua akti ligjor i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në zonën “Schengen” nga 1 janari i vitit 2024. Çfarë do të ndodhë tani e më tej, a pritet që liberalizimi i vizave të ketë ndikim edhe në ekonominë e Kosovës. Sa rrezikohet të mbetet pa fuqi punëtore Kosova.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Pritja prej shumë vitesh ka marrë fund. Qytetarët e Kosovës tashmë janë lodhur nga regjimi i vizave që kishte vënë Europa dhe bota.
Parlamenti Europian miratoi vendimin final. Qytetarët do të lëvizin të lirë në Europë nga 1 janari i vitit 2024.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, duke bërë të ditur se autoritetet do të nisin fushatë informuese lidhur me kufizimet që vijnë me liberalizimin e vizave.
Ai ka thënë se procesi i vizave ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
“Ky ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa rrugës dhe ka marrë 11 vite kohë për ta mbyllur. Liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, do të forcojë lidhjet tona me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe do të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë”.
Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodhë pas 20 ditësh.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës “Schengen”.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirisht në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Europian, që në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa vende anëtare vazhdimisht kanë shprehur rezerva.
Heqja e vizave prek ekonominë
Liberalizimi i vizave pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social të Kosovës.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qytetarët e Kosovës, do të kenë mundësi, në aspektin ekonomik, të kontaktit dhe forcimit të partneritetit në vendet e BE-së dhe mundësi për depërtim në treg.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka rëndësi ekonomike, psikologjike, politike dhe gjeostrategjike.
“Në sektorin e drurit kemi pasur humbje të mëdha gjatë eksportit, sepse kemi eksportuar produkte të gatshme, por në pamundësi të montimit dhe përcjelljes që do të shtonin vlerën e eksportit.
Kjo do të jetë një perspektivë. Mund të jetë shqetësuese se do të ketë një fluks të madh të lëvizjes dhe një sfidë për diasporën.
Mund të ketë edhe rënie të remitancave nga diaspora në Kosovë, pasi është e pamundur që ta bartin barrën edhe të vizitave në Kosovë, edhe mbajtjes së familjarëve atje”.
Gërxhaliu vlerëson se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ofrojë mundësi të mira për bizneset.
“Në aspektin ekonomik, komuniteti i biznesit do të ketë mundësi për kontakte dhe partneritet të ri me kompani europiane, por në të njëjtën kohë, edhe për ofrim të shërbimeve, sepse shumë kompani prodhuese në Kosovë nuk kanë pasur mundësi lëvizjeje deri tani, çfarë edhe ka bërë që të presin për shërbime, apo gjëra të tjera.
Në 6 muajt e parë pas fillimit të lëvizjes së lirë do të përfitojnë më së shumti edhe kompanitë e transportit”.
Gërxhaliu thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndikojë edhe në uljen e remitancave nga diaspora, duke theksuar se efekti i kësaj lëvizje do të ndikojë shumë në këtë aspekt.
“Kosova është mburrur me vite për dërgesën apo remitancat nga diaspora, por duhet të kuptohet e vërteta tjetër, që lëvizjet e shumta nga Kosova drejt Europës do të kenë efekt në uljen e remitancave, për shkak se paraja e tyre do të jetë e ndarë edhe për të qëndruar atje, edhe për të ndihmuar”.
Edhe ekonomisti Muhamet Mustafa vlerëson se kjo është një ngjarje historike për vendin dhe qytetarët e Kosovës. Liberalizimi i vizave, sipas tij, ka efekte pozitive në shumë fusha.
“Me këtë lehtësohet komunikimi i drejtpërdrejtë dhe transaksionet e biznesit, marrëveshjet, partneritetet stimulohen ndërmjet vendeve anëtare të BE-së.
Është me rëndësi, jo vetëm në aspektin e këmbimit të mallrave, por edhe në përgjithësi, në avancimin e kërkimeve shkencore, edukimit kulturor-arsimor, sportiv dhe komunikimi në këto fusha patjetër që ngre nivelin në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës”.
Kosova do të mbetet me 150 mijë qytetarë më pak
Aleanca Kosovare e Biznesit ka vlerësuar se liberalizimi do t’i kursejë Kosovës rreth 20 milionë euro në vit.
AKB vlerësoi se qytetarët paguanin kosto shumë të lartë financiare kohore për të marrë një vizë biznesi, për bashkim familjar, vizë turistike apo pune, ndërsa termini për viza kishte kosto të lartë.
“AKB vlerëson se liberalizimi do t’i kursejë Kosovës rreth 20 milionë euro në vit. Kosovarët vuanin nga varfëria, por paguanin kosto shumë të lartë financiare, kohore, për të marrë një vizë biznesi, për bashkim familjar, vizë turistike apo pune, derisa termini për viza kishte kosto të lartë.
Liberalizimi është gjithsesi i mirëpritur, ndërsa vonesat nga viti 2016 e deri më sot, duhet t’u faturohen atyre liderëve që bllokuan këtë proces”.
Sipas Aleancës Kosovare të Biznesit, vetëm vitin e parë nga liberalizimi i vizave, Kosova rrezikon të mbetet me 150 mijë qytetarë më pak.
“Sipas parashikimeve që kemi bërë një vit më herët, ku paralajmërimet kanë qenë që nga viti 2010, 2011, 2016 që do të bëhet liberalizimi, kemi bërë një hulumtim dhe sipas atij, ne vetëm vitin e parë mund të mbetemi me 150 mijë qytetarë më pak. Një vlerë e madhe e cila pritet të lëvizë drejt Europës, për të gjetur mundësi për t’u punësuar”, tha ai.
AKB bëri thirrje që Kosova të marrë masa të menjëhershme për të parandaluar një tendencë të tillë të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova duhet menjëherë të marrë masa, të bëjë një strategji se si ta ruajë fuqinë punëtore, në mënyrë që të rrisë shërbimet, pagat dhe të mbajë standardin që qytetarët të shkojnë në Europë, por të kthehen prapë”.
Kushtet e punëtorëve mbeten të këqija, njëjtë si vendet e rajonit, edhe Kosova është prekur dukshëm nga emigrimi i paligjshëm në vitet e fundit.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka treguar disa nga arsyet e ikjes së punëtorëve në vendet e Perëndimit.
“Kam informacione se janë diku mbi 200 mijë aplikacione nëpër ambasada që janë në Kosovë, pjesa më vitale dhe pjesa më e kualifikuar e këtyre punëtorëve kanë qëllim të ikin jashtë, pasi edhe pas dy dekadave, ne nuk deshëm t’u krijojmë kushte këtyre punëtorëve që t’i mbajmë për vete.
Ne si Kosovë kemi shpenzuar shumë për këta punëtorë e në veçanti familjet e tyre, ku shpeshherë kanë ndarë edhe kafshatën e gojës që fëmijët e tyre t’i aftësojnë dhe të shërbejnë në vendin e tyre, por këta, më në fund, e panë që nuk ka ndonjë perspektivë dhe kanë marrë rrugën e kurbetit”.
Azemi thotë se tani në Kosovë punëtorët nuk mund të paguhen “me një copë bukë” si në të kaluarën.
“Nuk është më ajo fuqia punëtore që ka qenë, e cila është paguar me një copë bukë, tani duhet të financohet shumë më shumë për ta, dhe normal që edhe koston e krijimit të një objekti e ngre, por prapë se prapë në mënyrë retroaktive e paguan vetë qytetari i Kosovës”.
Trendi i emigrimit, sipas shifrave zyrtare të institucioneve të Kosovës, është në rritje. Vetëm vitin e kaluar, nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.
Arsyet kryesore të emigrimit të rregullt sipas ASK-së janë bashkimi familjar, martesa, gjetja e një vendi pune apo edhe studime. Në vitin 2020, nga Kosova emigruan mbi 8,000 veta; më 2019 mbi 34.000; dhe më 2018 mbi 28.000.
Pritja e miliona eurove të shpenzuara në viza
Qytetarët e Kosovës, deri më tani, ose më saktësisht deri më 1 janar të vitit 2024, janë të vetmit në Ballkan që u duhen viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian.
E për të marrë një vizë, qytetarët kanë shpenzuar mjaft para.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Grupi për Ballkanin, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë “Schengen”.
Për pesë vjet, në periudhën 2016-2021, janë shpenzuar mbi 72 milionë euro.
Mbi 659 mijë aplikime për vizë “Schengen” janë parashtruar nga qytetarët e Kosovës që kur nisi dialogu me Komisionin Europian për liberalizim vizash më 2012 e deri në fund të vitit 2021, sipas të dhënave të KE-së.
Qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me shumë pritje e sfida për një vizë.
Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e qytetarëve të Kosovës kanë kërkuar vizë “Schengen”, që mundëson lëvizjen lirisht në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së pati qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi për shkak të pandemisë. Më shumë kërkesa ka pasur në vitin 2019, me 108 mijë e 774. Në vitin 2020, pati 24 mijë e 566 kërkesa.
Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se qytetarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën “Schengen”.
Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve. Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative. Ndër vite janë refuzuar me 11 – 21% të aplikimeve.
Në vitin 2018, Komisioni Europian propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Europian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk pajtoheshin.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën “Schengen”./ MONITOR