Pas përfundimit të mandatit të anëtares në Gjykatën e Lartë në vitin 2013, Shpresa Beçaj paraqiti kërkesë pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD për emërimin e saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Kërkesa e Beçajt nuk u shqyrtua nga ish-KLD dhe për pasojë u trajtua me pagesë kalimtare gjatë periudhës 2013-2016.
Me përfundimin e trajtimit me pagesë kalimtare, Beçaj nisi një betejë ligjore për rikthimin në gjyqësor dhe në korrik 2016, gjykata e detyroi ish-KLD-në që të merrte në shqyrtim kërkesën e saj për t’u emëruar si gjyqtare. Në prill 2017, Gjykata Administrative e Apelit i njohu Beçajt të drejtën për t’u emëruar në detyrë, nga buron edhe pasja e statusit.
Gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut, nga Komisioni konstatua se subjekti i rivlerësimit nuk kishte plotësuar dhe dorëzuar formularin për kontrollin e pastërtisë së figurës, formularin e vlerësimit profesional dhe deklaratën e kontrollit të pasurisë.
Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë pretendoi se rasti i saj ishte “unik”, pasi nuk i ushtronte detyrat e saj në momentin e dorëzimit të deklaratave në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar. Sipas Beçajt, ajo nuk mund të penalizohej për mosdorëzimin e këtyre deklaratave.
Por ky argument nuk e bindi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, që vendosi më datë 3 korrik 2020 shkarkimin e saj nga detyra. Beçaj ushtroi ankim duke pretenduar se vendimi Komisionit është rrjedhojë e një procesi të parregullt ligjor në drejtim të një hetimi të plotë e të gjithanshëm. Dhe në ankim, ajo pretendoi se për shkak se nuk ishte në ushtrim funksioni, nuk ishte subjekt i ligjit të vetingut të magjistratëve dhe se çështja e saj nuk mund të shqyrtohej nga Komisioni.
Sipas subjektit, në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe të ligjit për “vetingun”, ajo ushtronte aktivitet privat dhe ka aplikuar duke u kualifikuar si “kandidat gjyqtar” pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ajo i kërkoi Kolegjit që të prishë vendimin e KPK dhe të pushojë shqyrtimin e çështjes- por ankimi i saj është rrëzuar nga Kolegji.
Arsyetimi mbi statusin
Sipas vendimit të arsyetuar, KPA i ka rrëzuar si të pambështetura shkaqet e ngritura për procesin e rregullt ligjor në Komision. Për të arritur në konkluzionin nëse Beçaj duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit dhe për t’i dhënë zgjidhje themelit të çështjes, Kolegji ka analizuar përcaktimet ligjore dhe kushtetuese lidhur me kriteret që duhet të ketë një subjekt për t’iu nënshtruar rivlerësimit ex -officio.
Sipas KPA, cilësia si “magjistrat” fitohet në momentin e emërimit në detyrë dhe në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut, nuk rezulton që Beçaj të kishte administruar ndonjë akt që deklaronte të mbaruar statusin e saj si magjistratate.
Po ashtu, vërehet se ajo gjendej në një proces gjyqësor me KLD-në për rikthimin e saj në detyrë dhe se njëkohësisht ushtronte profesionin privat.
KPA vëren se Gjykata Administrative i njohu Beçajt të drejtat që buronin nga pasja e statusit të gjyqtarit, dhe ish-KLD-ja, në zbatim të atij këtij vendimi e ka emëruar në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Në vijim, Kolegji konstaton se në momentin kur Komisioni ka kryer procedurat e shpërndarjes së shortit dhe nisjes së procesit të rivlerësimit, Beçaj ushtronte efektivisht funksionet e gjyqtares, e për rrjedhojë ndaj saj nisi procesi i rivlerësimit kalimtar.
KPA e ka rrëzuar të pabazuar konkluzionin e Komisionit se Beçaj përfshihej ndër subjektet ex officio që mund të vetoheshin në cilësinë e ish-gjyqtarit, me kërkesë të tyre. “Cilësia e ish-gjyqtares në rastin e znj. Beçaj, përveç faktit që statusi i saj nuk është mbaruar/humbur, përjashtohet edhe për faktin se nga ana e saj nuk është paraqitur kërkesa për t’iu nënshtruar rivlerësimit kalimtar si ish-gjyqtare, që është një kusht i domosdoshëm për nisjen e procesit sipas nenit 179/b, pika 426 e Kushtetutës”, konstaton KPA dhe nënvizon se subjekti, që nga momenti i përfundimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, e derisa është emëruar në detyrë në zbatim të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e ka konsideruar veten si gjyqtare.
Po ashtu, Kolegji e gjen të pambështetur në situatën faktike këtë konkluzion të KPK-së edhe për shkak se nuk është administruar ndonjë akt i ish-KLD-së apo KLGj-së që të ketë deklaruar të mbaruar statusin e magjistrates për Beçajn.
Ndërkohë, trupi gjykues i KPA ka rrëzuar pretendimin e subjektit se situata e saj nuk kishte një rregullim ligjor, pasi ishte e veçantë për shkak të mosqënies në ushtrim funksioni.
“…Kolegji vlerëson se në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese më datë 11.08.2016 dhe të ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit, znj. Shpresa Beçaj, nuk e kishte humbur statusin e gjyqtares, edhe pse nuk ishte e emëruar në detyrë. Në të njëjtën kohë, Kolegji nuk gjen ndalim ose rast përjashtimor të caktuar në ligj ku të parashikohej mundësia për të mos plotësuar dhe për të mos dorëzuar deklaratat,” citohet në vendim.
Situata e Beçajt vlerësohet e qartë nga Kolegji, që çmon se për sa kohë nuk ishte deklaruar i mbaruar statusi i magjistrates, ajo përfshihet në rrethin e subjekteve të përcaktuara në pikën 3 të nenit 179/b të Kushtetutës, që përcakton ndër të tjera dhe rivlerësimin ex officio të gjyqtarëve.
Kolegji çmon se edhe në rast se ish-KLD-ja nuk do të kishte ekzekutuar vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, ose dhe në rast se subjekti nuk do të kishte nisur proces gjyqësor, përsëri ajo do të konsiderohej “subjekt rivlerësimi” në cilësinë e gjyqtares.
“Statusi i gjyqtarit është një e drejtë që nuk humbet me veprime konkludente, aq më tepër gjendur në kushtet kur subjekti i rivlerësimit, znj. Shpresa Beçaj, për shkak të pritshmërisë së ligjshme që i buronte nga neni 25 i këtij ligji, kishte paraqitur kërkesën e saj për zbatim të kësaj dispozite”, vëren KPA dhe rithekson se Beçaj konsiderohet si magjistrate gjyqtare edhe për efekt të procesit të rivlerësimit.
Kolegji vlerëson se statusi i magjistratit do të humbiste vetëm nëse do të deklarohej si i mbaruar prej organit kompetent, ish-KLD-së apo prej Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në të njëjtën mënyrë, Kolegji analizon edhe aplikimin e subjektit të rivlerësimit pranë Avokatit të Popullit, për të qenë pjesë e organeve të sistemit të rivlerësimit. Sipas KPA, aplikimi është një e drejtë që mund ta ushtronin të gjithë individët që plotësonin kriteret formale dhe fakti se Beçaj është kualifikuar për të vijuar me fazën tjetër, nuk e cenon statusin e saj të magjistrates.
“Ndryshe do të ishte situata nëse znj. Beçaj do të ishte emëruar në detyrën e ‘gjyqtares’ pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për të cilën kishte aplikuar, pasi në nenin 26, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, është parashikuar që anëtari i institucionit të rivlerësimit nuk i nënshtrohet procesit të rivlerësimit”, argumenton KPA dhe vëren se, nëse do të ishte ky rasti i Beçajt, atëherë ndaj saj nuk do të nisej procesi i vetingut.
Në vijim, Kolegji konstaton se për mosplotësimin dhe mosdorëzimin në kohë të deklaratës së pasurisë dhe të deklaratës së kontrollit të figurës brenda afatit të caktuar, legjislacioni ka parashikuar në mënyrë eksplicite shkarkimin nga detyra të cilitdo person që përfshihet si subjekt rivlerësimi në cilësinë e magjistratit.
“…Krahas të drejtave dhe garancive që kërkonte të realizonte nëpërmjet procesit gjyqësor për shkak të pasjes së statusit të gjyqtares, duhet të kishte mbajtur në konsideratë edhe detyrimet ligjore që rrjedhin prej statusit, një prej të cilave ishte edhe nënshtrimi ndaj procesit të rivlerësimit”, shton KPA dhe vëren se nga ana e subjektit të rivlerësimit nuk është paraqitur provë ose rrethanë që të ketë pamundësuar paraqitjen e deklaratave brenda afatit të caktuar.
Në përfundim, Kolegji e gjen të bazuar konkluzionin e KPK se subjekti duhej të kishte dorëzuar në kohë deklaratat në kuadër të procesit të vetingut si dhe shkarkimin e saj nga detyra.
/Reporter.al