Kërcënimet e Rishi Sunak për ndalimin e gomoneve ka bërë që të rinjtë shqiptarë të nxitonin për të përfunduar udhëtimin drejt Britanisë së Madhe, që ndodhta kishin muaj që e kishin planifikuar. The Mirror shkruan se në këtë përfundim kanë dalë studiuesit që kanë vizituar Shqipërinë një javë më parë, në kuadër të një misioni ‘fakt mbledhës’. Sipas tyre, bandat kriminale kanë ushtruar presion mbi të rinjtë shqiptarë që të niseshin me gomone, para se këtyre udhëtimeve tu jepet ‘goditja e fundit’ nga qeveria.
Kështu, The Mirror shton se duke përdorur vdekjen e Mbretëreshës e dëbimin e Boris Johnson, trafikantët bërë oferta dhe ulje çmimesh për të rinjtë shqiptarë, duke u siguruar se do të mbërrinin më me lehtësi në destinacion duke qenë se politikanët në Mbretërinë e Bashkuar ishin të fokusuar nga ngjarje të mëdha.
Dr Krish Kandiah i Fondacionit Sanctuary tha se shumë të rinj shqiptarë kanë në plan të vijojnë me tentativat për të kaluar në Britaninë e Madhe, nëse nuk bëhet diçka për të hapur rrugët ligjore dhe për të ulur varfërinë në vend, kryesisht në Veri.
“Ata gjejnë mënyra për të shpëtuar nga varfëria, duan të shohin një të ardhme për veten e tyre”. Varfëria është një faktor shtytës i madh. Kur isha për herë të fundit në Shqipëri në vitet 1990, ishte zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë me më shumë njerëz që udhëtonin me kuaj dhe karroca sesa makina. Qytetet janë modernizuar shpejt, por ka pjesë të vendit që janë lënë pas nga zhvillimi,”- tha Dr Krish Kandiah.
Duke intervistuar një grup prej nëntë të rinjsh në Kamëz, Dr Kandiah zbuloi se të gjithë ata kishin një anëtar të familjes që kishte emigruar në Angli me gomone.
“Shkuan të bënin lekë, shumica punojnë në lavazhe dhe tregti ndërtimi,”- shtoi ai.
Dr Kandiah tha se bandat kriminale janë të aftë të marketohen në mediat sociale si dhe i tundojnë të rinjtë të bëjnë kalimin me gomone me premtimin e jete luksoze.
Rreth 12,301 njerëz nga Shqipëria shkuan në Mbretërinë e Bashkuar me gomone vitin e kaluar, sipas shifrave të qeverisë britanike.
“Financimi i ndihmës në Mbretërinë e Bashkuar ka filluar tashmë për të trajtuar disa nga pabarazitë në Shqipëri. Por, e rëndësishme është të ofrohen rrugë të sigurta, ligjore për të rinjtë shqiptarë që duan të punojnë në Angli, pa pasur nevojë të rrezikojnë të mbyten në Kanalin Anglez ose të përfundojnë në shtëpitë e barit,”- tha ai ndër të tjera.
Një student, 22-vjeçari Ervin, tha se ëndrra e tij ishte të bëhej menaxher hoteli.
Ai u tha studiuesve se të rinjtë shqiptarë nuk ia dalin dot në vendin e tyre, me pagat që marrin humbasin durimin.
Ai vetë tha se nuk do të udhëtonte kurrë me gomone.
“Historia ka treguar se këto lloj parash vijnë me shumë vështirësi. Jeta është e vështirë kudo dhe nuk jemi të vetmit që kemi ikur. Është e vështirë, prandaj ne duhet të ndjekim procedurën e duhur në vend që të rrezikojmë kalimin illegal,”- tha Ervini.
The Mirror e përshkruan Shqipërinë si vendin me një det kristal i pastër, pamje malore që të lë pa frymë, vende historike magjepsëse, ushqime të shijshme dhe njerëz miqësorë e mikpritës.
“E ndërsa shumë pushues shkojnë drejt Shqipërisë, mijëra të rinj shqiptarë largohen nga vendi…Pse? Nuk ka luftë në Shqipëri, nuk ka persekutim nga shteti, nuk ka shkelje të theksuara të të drejtave të njeriut. Çfrë nuk shkon në këtë vend?”- shtrohet pyetja në artikull.
“Doja të zbuloja se çfarë po e shtynte eksodin e të rinjve shqiptarë, pse kaq shumë po kriminalizoheshin ndërsa udhëtonin nëpër Evropë dhe nëse mund të bëhej diçka për ta ndaluar atë. Misioni im faktmbledhës në Shqipëri zbuloi 3 faktorë kryesorë shtytës dhe 3 faktorë kryesorë tërheqës. Faktori i parë shtytës që hasa ishte varfëria ekonomike. Faktori i dytë shtytës është mungesa e mundësive. Një nxënës i klasës së 9-të në fshatin Kamëz më tha se fitohet dy herë më shumë në një kantier ndërtimi në MB se çdo punë tjetër në Shqipëri. Faktori i tretë i shtytjes është efekti ‘kërpudhë’. Sa më shumë shqiptarë që largohen, aq më shumë i ndjekin ata.
Në këtë epokë të migrimit global, shumica e shqiptarëve largohen përmes rrugëve legale. Ata që janë me arsim të lartë dhe të aftë, shfrytëzojnë mundësitë për të studiuar ose punuar jashtë shtetit. Mjekët janë në Gjermani. Financierët në Amerikë. Ndërsa të rinjtë shqiptarë që s’gjejnë mundësi legale, luajnë bixhoz me fatin e tyre dhe nisen me gomone për në Angli. Faktorët e tërheqjes janë po aq të fortë. E para dhe më e dukshme është tërheqja nga bandat e organizuara kriminale që përfitojnë nga pabarazitë në rritje në Shqipëri. Ata ofrojnë aspiratë për ata që jetojnë pa shpresë dhe mundësi, duke premtuar kalime të lira dhe të lehta nga Calais. Kostoja prej 3000 £ mund të paguhet pas mbërritjes përmes punës.
Faktori i dytë tërheqës është reputacioni i Britanisë. Shqiptarët kanë dëgjuar se ka mungesë të fuqisë punëtore në MB, për shembull në ndërtim. Ata kanë përshtypjen se Britania është më pak raciste se vendet e tjera evropiane. Çdo ditë ata shohin rolin e jashtëzakonshëm që luan Mbretëria e Bashkuar në industrinë e muzikës, televizionit dhe filmit. Reputacioni ynë i fortë për demokracinë, lirinë dhe drejtësinë duket se i kapërcen titujt kundër emigracionit. Faktori i tretë tërheqës është, për ironi, kërcënimet e Britanisë për të ndaluar gomonet. Kjo gjë thjesht i nxit që përshpjetojnë udhëtimet,”- shtoi Dr Krish Kandiah.
Më shumë se 1,100 emigrantë kaluan kanalin javën e kaluar, ndërsa më shumë se 4,500 vetëm në vitin 2023. Mes tyre ka pasur edhe shumë shqiptarë të cilët kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Britaninë e Madhe ku u takua me kryeministrin Rishi Sunak dhe nënshkruan një marrëveshje. Të gjithë shqiptarët që po e vuajnë dënimin në burgjet angleze, do të ekstradohen në atdhe. Kjo gjë do të bëhet gradualisht. Vizita e Ramës erdhi pas një retorike të ashpër që tensionoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër dhe e ka konsideruar një pushtim emigrimin e shqiptarëve në Britani.
Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve. Megjithatë Braverman nuk dorëzohet! Ajo vazhdon të mendojë njësoj dhe ka rinisur negociatat për dëbimin e emigrantëve drejt Ruandas, të cilin e konsideron një vend të sigurtë.