Hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi Tiranën në orët e para të mëgjesit, ku 43-vjeçari Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani dhe më pas veten, kanë marrë një rrjedhë tjetër.
Dyshimet janë për përfshirjen e një personi të tretë në krimin brenda familjes, pasi arma nuk u gjet pranë trupit të 43-vjeçarit, i cili qëlloi veten me një plumb tejshpues në pjesën e nofullës, i cili i ka dalë në anën tjetër.
Sakaq, ai ka qëlluar Migena Sinanin me një plumb në gjoks, teksa 37-vjeçarja ishte duke fjetur në shtratin e saj, së bashku me të bijën 2 vjeçe.
Ndërkohë, arma e krimit është gjetur pas banesës, disa metra larg trupit të 43-vjeçarit dhe hetuesit kanë dyshime të forta se menjëherë pas ngjarjes, babai i Rolandit ka tentuar ta fshehë pistoletën.
DINAMIKA
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në banesën e familjes Sinani. Rolandi ka shkuar në dhomën ku flinte gruaja e vëllait të tij dhe mbesa 2 vjeçe, duke e qëlluar një herë me armë Migenën.
Pas kësaj, 43-vjeçari ka dalë në oborr, ku ka qëndruar për disa minuta ulur dhe është përballur me një person të punësuar si kamarier në lokalin pranë banesës së familjes Sinani.
Kamarieri ka treguar se Roland Sinani ka qëlluar 2 herë në ajër e më pas ju ka drejtuar armën atij dhe një vajze që ndodhej aty. Pas kërcënimit me armë, të dy janë larguar me vrap.
“Në një moment më drejtoi mua armën dhe u ndjeva i frikësuar”, është shprehur ai.
Më pas, kamarieri tregon se ka dëgjuar të shtënën tjetër dhe është afruar për në vendin e ngjarjes ku ka parë Roland Sinanin të shtrirë përtokë dhe kjo dëshmi e tij konfirmon se 43-vjeçari ka kryer vetëvrasje pasi i mori jetën kunatës.
Bashkëshorti i Migenës dhe i vëllai i Rolandit nuk ndodhej në banesë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, pasi ishte i punësuar si taksist.
DËSHMITË
Sipas dëshmive të dhëna nga prindërit e autorit për hetuesit e ngjarjes, mësohet se nëna e e ka parë të birin me armë para se të vriste kunatën dhe i ka kërkuar të shkojë të flejë.
Më pas ajo është shprehur se ka dëgjuar të shtënat dhe pavarësisht vështirësisë në ecje që ka për shkak se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale duke vendosur hekura në këmbë, menjëherë është drejtuar për nga dhoma e gjumit të nuses.
“Unë e kam parë djalin me armë në dorë, i thashë ik të flesh. Kur dëgjova krismat shkova direkt te dhoma e nuses dhe gjeta vajzën e vogël duke qarë”, ka dëshmuar nëna e autorit në polici.
Po një tjetër fakt ka ngjallur dyshimet e policisë, pasi arma, tip pistoletë e përdorur nga 43-vjeçari është gjetur larg trupit të tij.
Sipas dëshmive, babai i autorit, edhe ai i moshuar dhe me probleme skleroze ka shkuar menjëherë të djali i tij kur ai dyshohet se ka qëlluar veten. Ka dyshime se i moshuari e ka larguar armën nga trupi i të birit.
Ndërkohë, fqinjët e familjes Sinani kanë folur jashtë fokusit të kamerave për 43-vjeçarin që tronditi zonën e Shkozës. Ata thonë se Rolandi punonte në gomisteri në zonën e “Ali Demit” dhe nuk shkaktonte probleme në lagje.
Sipas tyre, ai ka pësuar një tronditje gjatë kohës që ka qenë ushtar i angazhuar në Forcat e Armatosura dhe për këtë merrte mjekime.
43-vjeçari kishte qenë shumë i tërhequr dhe frekuentonte një nga lokalet në zonë, por nuk ishte i alkoolizuar. Kohët e fundit ai kishte shfaqur shenja të shumta të depresionit dhe kishte kërcënuar kunatën, por nuk ka pasur denoncime ndaj tij në polici.
Policia ndodhet ende në banesën e familjes Sinani për veprimet hetimore dhe mbledhjen e të gjitha dëshmive. Blutë po hetojnë të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.