Të paktën tetë janë tipologjitë e ndërtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave gjatë vitit 2022 që janë dyshuar si forma të pastrimit të parave në vend.
Raporti vjetor i kësaj drejtorie zbardh se shumica e tipologjive kanë në thelb investimet në pasuri të paluajtshme ku janë të paktën tre të tilla të lidhura me to por nuk mungojnë as dyshimet për përdorim të fondeve publike, transferta të dyshimta të lidhura edhe me grupe kriminalë.
Të gjitha këto tipologji të hasura janë dërguar pranë autoriteteve përkatëse nga ana e kësaj drejtorie për t’u hetuar dhe për të dalë më pas në përfundime më të sakta mbi atë se çfarë përfaqësojnë.
Vetë Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të parave ka shoqëruar këto tipologji me skema dhe ka sqaruar se emrat e përdorur janë fiktivë dhe nuk lidhen me emra personash apo subjektesh konkret. Më poshtë tipologjitë dhe skemat e zbardhura në raportin vjetor të DPPPP sa i takon pastrimit të parave në 2022.
Tipologji 1
“Dyshime lidhur me përdorimin e fondeve publike”
Shtetasi X, krijon shoqërinë e tij ‘DEF’, me objekt aktiviteti “tregtim, prodhim të produkteve të ndryshme blegtorale”. Shoqëria ‘DEF”, aplikoi më tej për financim pranë Institucionit Publik “B” për zhvillimin e aktivitetit të saj. Pas miratimit të aplikimit, bëhet e mundur kalimi i fondeve në shumën 300 000 EUR në llogari të subjektit “DEF”, pranë një banke të nivelit të dytë.
Pas kreditimit të fondeve, shtetasi X (ortaku i saj), kryen kalim e pjesës më të madhe të fondeve nga llogaria e shoqërisë së tij në llogarinë personale, me qëllim final investimin në pasuri të paluajtshme.
Konkretisht, shtetasi X ka nënshkruar kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme me shoqërinë “ABC’, të shtetasit Y.
Marrë në konsideratë përdorimin e fondeve jo në përputhje me qëllimin e deklaruar, u kryen verifikime të mëtejshme nga ku rezultoi se:
- Shtetasi X, shfaqej me historik punësimi pranë shoqërisë ‘ABC’;
- Shoqëria ‘ABC’, rezultonte e themeluar nga shtetasi Y, për të cilin administroheshin të dhëna për shpërdorim të fondeve publike.
Bazuar në sa më sipër, rasti është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 2
“Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”
Shtetasja X, paraqitet pranë një banke të nivelit të dytë dhe deklaron se është në pritje të transfertave nga shoqëria e huaj ‘DEF”, e regjistruar në një shtet të Evropës “V”. Transfertat justifikoheshin me anë të një marrëveshje huaje, sipas së cilës shtetasja X do merrte hua shumën prej 600,000 Euro. Marrë në konsideratë vlerën e lartë të pretenduar, si dhe mungesës së justifikimit të qartë ekonomik të këtij huazimi, u kryen verifikime të mëtejshme.
Nga këto verifikime, rezultoi se shtetasja X, me vendqendrim në Shqipëri nuk ishte e punësuar dhe në muajt e fundit kishte nënshkruar disa kontrata shitblerjesh të pasurisë së paluajtshme, në cilësinë e palës blerëse dhe shfaqej e përfshirë në marrëdhënie kontraktuale huaje me shtetas të ndryshëm.
Gjithashtu rezultoi se shtetasja X rezultoi të kishte lidhje familjare me shtetasit E, F, H për të cilët rezultuan të dhëna negative për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike, në disa shtete të Europës, përfshirë dhe në vendin e regjistrimit të shoqërisë së huaj “DEF”.
Në vijim, u kërkua dhe bashkëpunimi i homologëve në shtetin “V”, nga ku rezultuan të dhënat me dyshime edhe lidhur me profilin e shoqërisë së huaj.
Bazuar në dyshimet:
- Transfertat e larta në mbërritje nga një shoqëri me profil të dyshimtë, pa një shpjegim të qartë ekonomiko-juridik.
- Investimi në pasuri të paluajtshme nga një shtetase jo e punësuar; ·Lidhja familjare me shtetas të dyshuar për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike; · Veprimet financiare me të tretë në formë huaje;
Tipologji 3
“Depozitime nga një PEP i huaj”
Shtetasja e huaj A nga një vend Europian, në vitin 2020 ka kryer depozitime në vlerën 280 000 USD në llogarinë e saj bankare pranë një banke të nivelit të dytë në vend. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasja A, ishte PEP i huaj dhe fondet janë transportuar fizikisht duke deklaruar në hyrje të Pikës Kalimit
Kufitar në Shqipëri, si fonde nga kursime familjare.
Gati një vit më pas, shtetasja A transferon shumicën e fondeve në favor të një shoqërie ndërtimi në vendin tonë, me qëllim porosinë e një pasurie të paluajtshme të llojit “vilë” në një qytet bregdetar, kundrejt një çmimi blerjeje të njëjtë me shumën e depozituar prej saj.
Nga verifikimet e mëtejshme pranë homologëve tanë, rezultoi se shtetasja A deri në muajt e parë të vitit 2021 ka ushtruar një funksion të lartë shtetëror, në vendin e saj të origjinës dhe është nën hetim për akuzat e pastrimit të parave dhe ryshfetit. Shtetasja A, e ka vizituar disa herë vendin tonë, edhe në pozicionin e funksionarit, përpara se të vendoste të investonte në pasuri të paluajtshme.
U vu re se depozitimet në vendin tonë përkojnë në vlerë dhe periudhë me fondet për të cilat shtetasja është nën akuzë nga vendi i huaj.
Bazuar në dyshimet:
- Hetimet e vendit të huaj për akuzat e pastrimit të parave dhe ryshfetit;
- Depozitime në para fizike në vlerë të konsiderueshme nga një person i ekspozuar ;
- Burimi jo bindës i fondeve të depozituara cash dhe të investuara;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 4
“Transferta të dyshimta”
Shtetasi A së bashku me shtetasin B (lidhje familjare mes tyre) dhe shtetasin X kanë investuar në pasuri të paluajtshme në shumën prej 400,000 Euro. Gjithashtu shtetasi A në këtë periudhë rezulton se ka lidhur disa akte noteriale për shit/blerje automjetesh nën vlerën e tregut.
Përsa i përket burimit të fondeve rezulton së shtetasi A dhe B përgjatë viteve 2017-2022 kanë përfituar në llogaritë e tyre një numër të lartë transfertash nga jashtë, në total rreth 1,800,000 Euro, kryesisht me përshkrim për shërbime konsulence ku disa prej tyre janë urdhëruar nga vende “parajsa fiskale”. Lidhur me mënyrën e përdorimit të fondeve të ardhura nga jashtë vihet re se një pjesë e madhe janë tërhequr.
Nisur nga vlerat e larta të transfertave në mbërritje të pasuara me tërheqje cash u kryen verifikime të mëtejshme ku rezultoi se shtetasi A për herë të parë ka regjistruar aktivitet privat në vendin tonë në vitin 2019, me objekt aktiviteti: shërbime konsulence. Nga verifikimet e mëtejshme të kryera rezultoi se shtetasi X ka qenë me parë i dënuar për trafikim të qenieve njerëzore.
Bazuar në dyshimet:
- Investim në pasuri të paluajtshme me burim jo të qartë;
- Tërheqje cash nga llogaria bankare i shumave për të cilat nuk dihet përdorimi;
- Përfshirja e personave me precedent kriminalë;
- Qarkullimi i flukseve monetare nëpërmjet bankës përgjatë viteve 2017 – 2019 periudhë kur asnjëri nga shtetasit nuk kanë pasur aktivitet privat;
Tipologji 5
“Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”
Shtetasit X dhe Y kanë në pronësi të tyre një numër të lartë pasurish të paluajtshme për të cilat nuk kemi informacion për mënyrën e fitimit të tyre dhe burimin e të ardhurave.
Pas verifikimeve të kryera nisur nga anomalia e mësipërme rezultoi se shtetasit kanë pasur aktivitet të regjistruar që nga viti 2013 në fushën e shërbimeve, aktiviteti i cili ka vazhduar për 8 vjet dhe më pas është pezulluar. Fitimet e deklaruara kanë qenë tepër të ulta, duke arritur vlerën maksimale 500,000 Lekë në vit, si dhe në disa raste me humbje.
Duke marrë në konsideratë të ardhurat e ulta të realizuara ndër vite nga shtetasit X dhe Y dhe mungesën e informacionit për mënyrën e fitimit të pronësisë edhe mbas verifikimeve të kryera, për një numër të lartë pasurish të paluajtshme, rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 6
“Transferta përmes shoqërive të transfertave të lidhura me dyshime për emigracionin të paligjshëm”
Shtetasi A.B. i vitlindjes 2003 ka përfituar 8 transferta në muajt shtator-tetor 2022 nga një shtet i BE, i njohur si vend në një pozitë gjeografike, e cila ofron mundësi kalimi për emigrantët e paligjshëm. Dërguesit e këtyre transfertave janë persona të ndryshëm nga vende me risk për emigracionin e paligjshëm dhe vlerat e dërguara variojnë nga 1,200 deri 5,700 EUR. Deklarimet në lidhje me qëllimin e këtyre transfertave janë se paratë dërgohen me qëllim ndihmë ekonomike nga miq të shtetasit dhe burimi i këtyre të ardhurave është nga puna e tyre.
Nga verifikimet e kryera në lidhje me shtetasin shqiptar A.B i cili kishte përfituar rreth 21,000 EUR, nuk rezultuan të dhëna për llogari bankare apo transaksione të tjera financiare të kryera prej tij. Gjithashtu ai nuk rezultoi i punësuar apo të ketë ndonjë lidhje të njohur me personat dërgues të transafertave. As për përfituesit nuk rezultuan të dhëna në raportimet tona dhe as në burime të hapura.
Por nga burime të hapura rezulton të ketë gjetje negative për shtetasin A.B. dhe familjarë të tij, konkretisht për vëllain dhe xhaxhain e tij, të cilët janë kapur në flagrance gjatë kalimit të emigrantëve të paligjshëm në kufi.
Nisur nga këto gjetje negative, kërkuam informacion dhe u informuam nga organet ligjzbatuese se shtetasit (shtetasi A.B. dhe familjarët e tij) kishin precedentë për veprën penale ‘Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’ sipas nenit 298/3 të Kodit Penal.
Bazuar në transaksionet e dyshimta dhe gjetjet negative për shtetasit, informacioni u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 7
“Transferta të dyshimta nga një rrjet i dyshuar trafikimi narkotikësh, përmes shoqërive të transfertave”
Shtetasi i huaj D.E. ka regjistruar në vendin tonë në prill 2022 një kompani ‘X’, objekti i së cilës konsiston në ‘tregtimin me pakicë dhe shumicë të të gjitha produkteve industriale, materiale ndërtimi, produkte bujqësore dhe ushqimore, transport tokësor mallrash kombëtar e ndërkombëtar etj’.
Shtetasi D.E. dhe vëllai i tij shtetasi B.E. kanë kryer një numër të lartë transfertash monetare rreh 40 të tilla përmes një shoqërie transfertash, si dërgues edhe përfitues, përgjatë viteve 2018–2022. Vlerat e transfertave variojnë nga 50 EUR deri 3,380 EUR me apo drejt shtetasve të ndryshëm kryesisht të huaj. Transfertat janë kryer në pjesën më të madhe drejt shtetit ‘Y’ të BE, i njohur si një nga vendet me risk përsa i përket trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga verifikimet në të dhënat tona nuk rezultuan transaksione financiare të kryera prej këtyre shtetasve dhe njëri prej tyre pikërisht shtetasi D.E. rezulton i punësuar pranë aktivitetit tregtar të regjistruar prej tij, por nuk rezultojnë transaksione financiare të kryera për llogari të këtij aktiviteti prej muajit prill deri në fund të vitit 2022.
Nga kërkimet në burimet e hapura, rezultoi se dy vëllezërit shtetasit me gjeneralitete D.E. dhe B.E. janë arrestuar në vendin tonë nën akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në shtetin ‘Y’, i cili është edhe vendi i origjinës së tyre. Po nga burime të hapura rezultonte se në këtë rrjet të organizuar të trafikimit të lëndëve narkotike kanë patur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, ndër ta edhe shtetasi A.F. punonjës në një organ ligjzbatues të vendit tonë.
Edhe shtetasi (A.F.) rezulton të ketë kryer disa transferta të tjera me shtetas shqiptar dhe të huaj në të njëjtën periudhë, me vlera nga 150 EUR deri 1.500 EUR, në drejtim të disa shteteve të tjera brenda dhe jashtë BE.
Për sa më sipër, mbështetur në transfertat e pajustifikuara nga biznesi, profili i tyre financiar apo lidhje të tjera të mundshme te identifikuara për ta, si dhe gjetjet negative nga burimet e hapura, rasti është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
Tipologji 8
“Investime në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare nga persona të përfshirë në veprimtari kriminale”
Shtetasi shqiptar X, për të cilin ka evidenca se është përfshirë në veprimtari të paligjshme si shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim lëndësh narkotike, gjatë 5 viteve të fundit ka regjistruar disa aktivitete tregtare që operojnë në sektorë si: ndërtim, hidrokarbure, hoteleri – turizëm etj.
Nga të dhënat që disponojmë rezulton se shtetasi X për realizimin e aktivitetit kriminal, bashkëpunon më së shumti me familjarë të tij dhe lidhje të tyre shoqërore (disa prej të cilëve janë arrestuar më parë në një shtet të Amerikës Latine) dhe të ardhurat e gjeneruara nga veprimtari të paligjshme shtetasi i investon në aktivitete tregtare dhe pasuri të paluajtshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht ne vende bregdetare.
Nisur nga investimet e larta në pasuri të paluajtshme dhe subjektet tregtare, kemi vijuar me investigim të mëtejshëm të rastit, nga ka rezultuar se:
- Në vitin 2011 shtetasi X ka marrë hua 600,000 USD në para fizike nga një miku i tij (Y – i cili sipas burimeve të hapura përveçse është arrestuar në vitin 2010 si pjesë e një rrjeti narkotrafikantësh,
akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, mashtrim etj.) me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme.
Huaja është marrë pa interes dhe pa afat kthimi, nisur nga njohja reciproke mes palëve.
- Gjatë vitit 2021, në një hark të shkurtër kohor, shtetasi X ka blerë nga një biznesmen i huaj (Z), kuotat e dy shoqërive tregtare (A dhe B) me një çmim total prej 55,000,000 Lekë (shumë më e lartë sesa kapitali i tyre) si dhe ka marrë përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve monetare në një vlerë totale të përafërt 18 me 6,000,000 USD që këto shoqëri kanë ndaj të tretëve. Po ashtu disa javë pas blerjes së këtyre shoqërive, shtetasi X ka zmadhuar me gati 5 herë (në vlerën 50,000,000 Lekë) kapitalin e shoqërisë B, nëpërmjet kontributit në para të ortakut të vetëm të saj.
Ndërkohë nga verifikimet e kryera për subjektet e tij tregtare ka rezultuar se:
– Përgjithësisht shoqëritë tregtare të shtetasit X gjatë periudhës së operimit kanë deklaruar humbje. Edhe 2 prej tyre që kanë rezultuar me fitime në vlera të larta, nuk i kanë shpërndarë këto fitime, por i kanë ruajtur si rezervë për investime të mëvonshme.
– Shtetasi X ka deklaruar të ardhura vjetore personale prej gati 10 vitesh dhe burimet kryesore të të ardhurave të tij janë deklaruar: fitimet kapitale nga investimet në tituj dhe pasuri të paluajtshme apo nga shitja e këtyre të fundit, qiratë si dhe paga.
– Megjithatë u konkludua se rezultatet e evidentuara financiare të shtetasit X nuk i justifikojnë transaksionet dhe investimet e kryera.
Duke marrë në konsideratë:
- Regjistrimin e disa aktiviteteve tregtare nga një person i përfshirë në aktivitete të paligjshme;
- Lidhjet e identifikuara/sinjalizuara me persona të inkriminuar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike;
- Përfshirjen e tij në transaksione huaje në vlerë të lartë nga shtetas me indicie negative në burime të hapura;
- Transaksionet në vlera të konsiderueshme, të pambështetura nga rezultatet e njohura financiare;
Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.
/Monitor.al/