Zv/kryeministri i Ekonomisë, Fatmir Bytyqi, ka konfirmuar se shumë kompani vendase ankohen se vështirë gjejnë fuqi punëtore. Zgjidhjen, siç tha ai, e sheh në importimin e punëtorëve nga vendet ku paga mesatare është 200 euro. Pavarësisht rritjes së pagës minimale, por edhe asaj mesatare, Maqedonia e Veriut, sipas tij ka nevojë për 10.000 punëtorë në vit.
“Ata po ikin për paga mesatare më të larta. Paga mesatare në vendin tonë ka arritur në 550 euro, ndërsa paga për të cilën shkojnë të punojnë është 1100 euro, ndërsa në vendet prej nga vijnë punëtorët tek ne rroga mesatare është 200 euro. Është një cikël i natyrshëm i lëvizjes së fuqisë punëtore”, vlerëson Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër i Ekonomisë.
Qeveria është në bisedime me Odat Ekonomike për të konkretizuar se nga cilët sektorë të sjellë fuqi punëtore nga jashtë. Si sektor më të rrezikuar ku ndjehet mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtimi, hoteleria dhe turizmi, sektorë nga të cilët shumica e punëtorëve tanë shkojnë jo vetëm si punëtorë sezonalë, por edhe qëndrojnë në vendet e Bashkimit Evropian ku ka paga shumë më të larta dhe kushte më të mira pune.
Deanoski: Importi i fuqisë punëtore nga jashtë nuk është zgjidhje
Kryetari i sindikatës së punëtorëve Tërpe Deanoski thekson, se punëtorët nga Bangladeshi ose Pakistani që vijnë në Maqedoninë e Veriut shfrytëzojnë rastin që përmes vendit tonë të shkojnë në vendet e BE-së.
“Punëtorët e importuar nuk shihen si garanci, sepse po të njëjtit sapo të fitojnë të drejtat e tyre mund ta shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut si “trampolinë” për të përfunduar në vendet e BE-së. Pas një apo dy muajve edhe ata që vijnë për të punuar këtu do të largohen në vendet e BE-së, ku gjithashtu ka nevojë të madhe për punëtorë si dhe ka paga më të larta”, thotë Tërpe Deanoski kryetar i sindikatës së punëtorëve.
Së paku tri agjenci maqedonase janë në negociata për import të fuqisë punëtore nga jashtë. Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, thotë se kjo tashmë është praktikë e vendosur në Kroaci dhe Bullgari, ku kompanitë ndërtojnë edhe konvikte për punëtorët e huaj, të cilët kryesisht vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Largët. Dimitrov ka marrë një ofertë për punëtorë nga Nepali, por negociatat janë duke u zhvilluar edhe me Bangladeshin, Pakistanin dhe Indonezinë.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, me largimin e të rinjve, do të mbetemi pa punëtorë, ekonomia dalëngadalë do të shembet dhe buxheti do të mbetet pa para”, thotë Dimitrov. Sipas tij, mungesa e punëtorëve është problem serioz, ndaj bizneset duhet të mbajnë llogari për mbajtjen e punëtorëve duke i nxitur me rritje të pagave dhe masa tjera stimuluese.
Largimi i fuqisë puntore nga vendi në rritje e sipër
Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë, se mungesa e punëtorëve po bëhet problem gjithnjë e më serioz për funksionimin e shumë bizneseve. Hazbi Ibrahimi, i cili udhëheq një kompani ndërtimi thotë se mungesa e punëtorëve në vend, veçanërisht e atyre që punojnë në profile të caktuara si hidraulik, saldator etj, e ka detyruar të sjellë punëtorë nga Turqia dhe Shqipëria.
Aikërkon lehtësimin e proceduarave për prurjen e punëtorëve të huaj pasi ai personalisht është përballur me shumë telashe administrative gjatë marrjes së lejes së qëndrimit dhe asaj për punë për punëtorët e huaj në Maqedoninë e Veriut.
“Në bazë të Ligjit për marrëdhënie pune, një punëtor i huaj mund të sillet vetëm nëse kompania nuk ka arritur të sigurojë punëtorë pas tri shpalljeve publike”, thotë Ibrahimi.
Oda e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se tanimë ka filluar të ndjehet mungesa e zejtarëve të ndryshëm dhe mjeshtrave në profile të caktuara si rrjedhojë e një numri të madh të atyre që janë larguar me punë të përkohshme në vendet evropiane.
“Shteti është dashur që më shumë të kujdeset për ne zejtarët. Tani kanë filluar të bëhen disa përpjekje, por kjo nuk mund ta ndalë tendencën e largimit, pasi në vendet evropiane puna e tyre vlerësohet shumë më tepër”, thotë Agron Fazliu nga Oda e Zejtarëve.
Zoran Koçoski, i cili drejton një agjenci që ndërmjetëson për angazhimin e punëtorëve nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit thotë, se vetëm për në Gjermani brenda vitit largohen 2.000 deri 3.500 qytetarë.
“Këto shifra kanë të bëjnë me migrimin e personave me dokumentacion të rregullt, përkatësisht leje për punë dhe vizë që nënkupton leje qëndrimi. Por, në bazë të parashikimeve tona, tre mijë deri në pesë mijë qytetarë të tjerë përmes kanaleve të ndryshme kërkojnë mënyra për t`u shpërngulur në Gjermani”, thotë Koçoski.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut për çdo vit përcakton kuotën e lejeve për punëtorët e huaj, e cila bazohet në politikën e migracionit, si dhe luhatjet në tregun e punës. Kjo kuotë nuk mund të kalojë 5 për qind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, e cila është në marrëdhënie pune./DW