Gjyqtarja Gentiana Muçaj e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u përball pa probleme të mërkurën më 8 mars 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Për profesionalizmin ajo dha shpjegime për afatet e gjykimit në disa çështje, si dhe për dy denoncime nga publiku.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Muçaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Gentiana Muçaj i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Lezhës. Prej vitit 2013, Muçaj e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 108.75 m2 në vitin 2009 në vlerën rreth 79 mijë euro si dhe për burimet financiare që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie – vlera 50 mijë euro nga shitja e apartamentit në pronësi të vjehrrit dhe kredi në vlerën 3.5 milionë lekë.
Bekteshi sqaroi se është kryer analizë e rrethanave të blerjes dhe shitjes së apartamentit të vjehrrit të subjektit. Nga verifikimet ka rezultuar se blerësi i këtij apartamenti në vitin 2008 ka nënshkruar një deklaratë noteriale për këtë transaksion si dhe ka depozituar në llogarinë e vjehrrit të gjyqtares Muçaj vlerën e çmimit të dakordësuar, 55 mijë euro.
Sipas KPK, apartamenti që është shitur nga vjehrri nuk ka qenë i regjistruar në emër të tij. Bekteshi bëri me dije se subjekti ka sqaruar se kjo pasuri nuk është regjistruar në emër të vjehrrit, pasi të gjithë apartamentet e pallatit ku gjendet ishin bllokuar për shkak se investitori kishte dalë nga leja e ndërtimit.
Ndërkohë, nga verifikimet e kryera prej KPK-së ka rezultuar se më vonë, apartamenti është i regjistruar në emër të blerësit, shtetasit I.S.
Si burime për blerjen e apartamentit të shitur nga vjehrri, subjekti ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti si shpërblime nga puna në Policinë e Shtetit. Ajo ka shpjeguar se këto shpërblime kanë qenë sekrete për shkak të detyrës që ushtronte bashkëshorti.
Në séance, Muçaj deklaroi se kishin arritur të siguronin katër urdhër shpërblime për bashkëshortin e saj, në vlerën totale 2.4 milionë lekë.
Komisioni i ka kërkuar shpjegime lidhur me pagesën me vonesë të tatimit të të ardhurave nga vjehrri lidhur me këtë pasuri. Ajo shpjegoi se për shkak se vjehrri nuk e kishte pasur të regjistruar këtë pasuri në momentin e shitjes, kishte qenë i paqartë se kur duhej të kishte paguar detyrimet tatimore lidhur me të ardhurat e siguruara.
Ajo theksoi se provohej zotërimi i këtij apartamenti nga vjehrri, pasi pagesat e energjisë elektrike dhe të ujit ishin kryer në emër të tij.
Sipas Bekteshit, nga analiza e kryer ka rezultuar se familja e bashkëshortit të subjektit ka pasur mundësi për të blerë apartamentin e shitur në 2008-ën.
Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për kredinë dhe për rrjedhojë, nga analiza financiare paraprake është konstatuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për të shlyer këstet për apartamentin e blerë në 2009-ën.
Nga hetimi ka rezultuar se familja e subjektit ka pasur mundësi për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2012 për çmimin 1000 euro; dy llogari në emër të djemve, si dhe likujditetet bankare në emër të bashkëshortit.
Nisur nga fakti se subjekti dhe bashkëshorti kanë qenë në një trung familjar me vjehrrin janë verifikuar edhe pasuritë e tij. Nga hetimi ka rezultuar se vjehrri ka blerë një apartament në Lezhë për çmimin 3.7 milionë lekë. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e vjehrrit, vjehrrës dhe vajzës së tyre, prej nga ka rezultuar se kanë pasur mundësi financiare për këtë investim. Muçaj ka shpjeguar se ajo dhe bashkëshorti nuk e kanë përdorur asnjëherë këtë apartament.
Hetimit administrativ i është nështruar edhe një automjet që subjekti e ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2005 për çmimin 500 mijë lekë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kjo pasuri nuk është regjistruar në emër të Muçajt. Ajo sqaroi se makina i është shitur nga djali i xhaxhait dhe se nuk e ka regjistruar në emër të saj, me qëllim që t’i kryenin procedurat vjetore të kontrollit të mjetit në Berat ku kishte më pak radhë se në kryeqytet. Nga analiza financiare ka rezultuar se Muçaj ka pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie.
Gjyqtarja Gentiana Muçaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Ndërkohë, nga verifikimi i çështjeve të përzgjedhura nga subjekti dhe atyre të shortuara, KPK konstaton tejkalim të afateve të gjykimit.
Subjekti deklaroi se vetëm një çështje ka zgjatur 6 muaj e disa ditë, ndërsa të tjerat e kanë kaluar me pak ditë afatin njëmujor të përcaktuar në udhëzimin e ish-KLD-së. Ajo vërejti se në legjislacionin përkatës nuk parashikohen afate dhe shtoi se ligji prevalon mbi udhëzimin.
Ndaj gjyqtares Muçaj janë depozituar tetë denoncime nga publiku, në gjashtë prej të cilave nuk janë gjetur indicie, ndërsa i janë kërkuar shpjegime për dy prej tyre. Denoncuesi A.L. ka pretenduar se subjekti ka shënuar një avokat të pakërkuar pej tij, me qëllim që të tejkalohej afati i ankimit.
Subjekti shpjegoi se denoncuesi kishte pajisur me prokurë të posaçme djalin e tij dhe se ky i fundit i kishte dhënë prokurë të posaçme një avokati për të përfaqësuar pretendimet e tyre. Ajo deklaroi se pas vendimit për pushimin e çështjes, pala denoncuese ka të drejtë ta ringrejë padinë.
Denoncuesi tjetër, R.U. ka ngritur pretendime lidhur me shqyrtimin e një padie të tij nga subjekti, që kishte të bënte me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore për të ekzekutuar një akt që ai e kundërshtonte si të pavlefshëm. Subjekti deklaroi se kishte arsyetuar edhe lidhur me vlefshmërinë e aktit duke konkluduar se ishte i vlefshëm. Subjekti solli në vëmendje të Komisionit se çështja aktualisht ishte në Apel.
Në përfundim, gjyqtarja Gentiana Muçaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 9 mars në orën 09:45.
/Reporter.al/