Në Shqipëri janë krijuar pasiguri të shumta juridike pas vendimit të qeverisë për konfisikimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në fillim-vjeshtë të vitit të kaluar. Mjaft qytetarë, që kanë blerë apartamente në 25 ndërtesat e konfiskuara tashmë, janë të shqetësuar mbi të ardhmen e investimit të tyre në këto objekte.
Juristët shprehen se vendimi i Këshillit të Ministrave cenon të drejtën e pronës, dhe të sigurisë juridike. Autoritetet sqaruan për Zërin e Amerikës, se janë duke përgatitur një projektligj, që synon të rregullojë pasojat e shkaktuara nga ndërtimet pa leje dhe mënyrën e përdorimit të tyre për interes publik.
Vendimi i qeverisë për konfiskimet e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në shtator të vitit 2022 shkaktoi mjaft debate në qarqet politike dhe juridike në vend. Ky vendim parashikon përdorimin për qëllime sociale të sipërfaqeve të konfiskuara. Njohës të fushës juridike argumentojnë, se ai bie ndesh me vetë ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit të cilit i referohet, si dhe me Kodin Penal, ndërsa deputetë të opozitës kanë kërkuar shfuqizimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.
Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit i tha Zërit të Amerikës, se janë konstatuar 25 objekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, të cilat janë konfiskuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Por sot 6 muaj nga miratimi i këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave, kritikave për ligjshmërinë e tij, i shtohet dhe shqetësimi i qytetarëve, mbi fatin e apartamenteve që kanë blerë në këto ndërtesa, tashmë të konfiskuara.
Sipas juristëve të drejtat e zhvillimit të objektit, pas konfiskimit i kalojnë shtetit, dhe se as ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, dhe as vendimi i qeverisë, nuk parashikojnë, sipas tyre, se çfarë ndodh me objektin, kush e përfundon ndërtimin, si mbrohen palët e treta. Po ashtu, është e paqartë kur ndërtuesi nuk shfrytëzon të drejtën që i jep vendimi për të parablerë sipërfaqet pa leje, që gjithashtu është një pikë problematike, e VKM-së, pasi shteti hyn në marrëdhënie financiare me atë që ka shkelur ligjin.
‘Shteti në këtë rast konfiskon qytetarin. Pronari e ka realizuar të drejtën e tij përmes shitjes së ndërtimit. Qytetari e ka blerë dhe shteti nuk konfiskon pronarin por qytetarin, ndërtimi i të cilit ndodhet në këtë objekt të konsideruar pa leje. Qytetari është cënuar tërësisht në kundërshtim me ligjin. Ne të gjithë jemi qytetarë, ne nuk jemi rojet e një ndërtimi pa leje, pra sa kate pa leje ka ndërtuar, sa e ka lejen. Ne i drejtohemi një shoqërie që merret me ndërtimin, një zyre noteraile, të cilët bëjnë kontratën, pra jemi në mirëbesim dhe shteti nuk mund të cënojë qytetarin për shkak të ndërtimit pa leje’- tha për Zërin e Amerikës Genc Çifligu, avokat.
Zëri i Amerikës bisedoi me disa qytetarë, që kanë blerë apartamente në objektet tashmë të konfiskuara. Ata nuk pranuan të intervistohen me kamera, por sqaruan se nuk kanë informacion, as nga ndërtuesit dhe as nga autoritetet, se sa i sigurt është apartamenti që kanë blerë në këto objekte.
Sipas tyre askush s’mund ta marrte me mend, se ndërtuesi do të tejkalonte lejen e ndërtimit, ndërkohë që blerjet janë kryer gjatë punimeve fillestare dhe figurojnë në pjesën me leje të objektit. Juristët thonë se Vendimi i Këshillit të Ministrave për konfiskimet e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, cënon parimin e sigurisë juridike dhe të të drejtës së pronës.
Zëri i Amerikës ju drejtua Agjencisë për Media dhe Informim, për të mësuar se: ‘Çfarë ndodh gjatë një konfiskimi kur hyrjet e apartamenteve apo njësitë e shërbimit janë shitur ndërkohë tek individë të tjerë dhe a janë të mbrojtur qytetarët që i kanë blerë ato?’.
Në përgjigjen me shkrim kjo agjenci sqaron se: ‘Qeveria po përgatit një ligj, i cili synon rregullimin e pasojave te shkaktuara nga ndërtimet pa leje, si dhe mënyrën e përdorimit të tyre për interes publik’.
‘Procesi i konfiskimit të ndërtimeve pa leje apo në tejkalim të lejes në kushtet kur ato janë të pamundura teknikisht për t’u prishur’,- thuhet me tej në përgjigje, -’është një nga instrumentet ligjor që shteti përdor për të rregulluar pasojat e paligjshmërisë në zhvillimin e territorit’.
Draft-ligji që po përgatitet nga një grup pune, sipas sqarimit të Agjencisë për media, është instrumenti tjetër ligjor që rregullon këto pasoja në raport me interesat e personave, të cilët janë prekur nga paligjshmëria në zhvillim, dhe se ligji i ri, synon të mbrojë të gjitha këto interesa.
Por nga ana tjetër njohës të fushës juridike janë kritikë për punën e institucioneve përgjegjëse në parandalimin e ndërtimeve pa leje.
‘Mendoj se qeveria në vend të parandalonte ndërtimet pa leje, pasi i ka të gjitha strukturat, bën të kundërtën. Në momentin që plas gjithë problematika, ndërmerr veprime që nuk janë plotësisht të menaxhueshme për palët e treta. Është problematikë e madhe rregullimi financiar’- u shpreh për Zërin e Amerikës Redi Ramaj, avokat.
Kontrolli i ndërtimeve pa leje kryhet nga disa institucione si Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit në njësitë vendore, policia bashkiake dhe ajo e shtetit. Njohës të ligjit thonë, se të paktën për rastet konfiskuara, ato nuk ngarkohen me asnjë përgjegjësi, edhe përse nuk kanë kryer detyrën.
‘Ligji për IKMT-në thotë se inspektorët duhet të kontrollojnë zonën nëse ka ndërtime pa leje. E kanë ata për detyrë, ata nuk gjobiten nuk konfiskohen, nuk merret masë për ta. Mendohet se dëmtohet subjekti ndërtues por në fakt dëmtohen qytetarët’ – u shpreh për Zërin e Amerikës Ana Pertena, avokate.
Ekspertët mendojnë se dhe individët ngarkohen me përgjegjësi kur kryejnë transaksione në treg, por kjo sipas tyre vlen kur shteti funksionon.
‘Por në momentin kur të gjithë institucionet shtetërore fillojnë të dështojnë njëri pas tjetrit, shkarkohen nga përgjegjësia individët, për zgjedhjet e tyre individuale dhe sejcili prej tyre mund të nisë një
aksion ligjor kundër institucioneve për shpërblim dëmi. Qytetari mund të parashikojë aq sa mundet, por në momentin që dikush zhvillon një ndërtesë në mes të qytetit, në pamje të plotë të gjitha organeve shtetërore, ka gjithmonë ka të drejtën të besojë, se çdo gjë është e ligjshme, sepse janë një sërë organesh të përfshira. Në rastin konkret përgjegjësia është totalisht e organeve shtetërore dhe jo e individëve’- shpjegoi për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, Drejtor ekzekutiv i Qendrës Res Publica.
Në disa dalje publike kryeministri Rama, ka ngarkuar me përgjegjësi për situatën e ndërtimeve pa leje, edhe drejtësinë që nuk ka vepruar, madje ka akuzuar përfaqësues të saj se kanë marrë ryshfet për këtë qëllim.
‘Atyre që thonë se vetë i keni zgjedhur, po ju them se nuk i kemi vënë ne. Shumë prej prokurorëve dhe gjykatësve janë ende në radhë, për të hyrë në fshesën e vetingut dhe janë ata që bëjnë gjëra të tilla’- u shpreh Kryeministri Edi Rama në një reagim publik.
Ndërtimi pa leje është vepër penale dhe organet hetimore të paktën për 4 raste në Tiranë kanë nisur hetimet. Edhe pse autoritetet janë shprehur se Vendimi i Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi nuk i shpëton ndërtuesit që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit nga ndjekja penale, sërish paqartësitë ligjore janë të shumta.
Autoritetet kanë njoftuar pak kohë më parë konfiskimin e një sipërfaqeje prej afro 100 mijë metrash katrorë në disa qytete kryesore të vendit, ndërsa procesi duket se do të mbetet pezull deri në miratimin e projekt-ligjit që po përgatitet, për të rregulluar pasojat e ndërtimeve pa leje dhe konfiskimeve të tyre./VOA