Edi Rama ka nisur një fushatë joshjeje dhe manipulimi qëllimi final i së cilës është të fshehë gjendjen e mjerueshme të lirisë së shtypit në vend, që vënë në dukje raportet ndërkombëtare. Lapsi.al ka arritur të sigurojë një draft projekt konfidencial që po qarkullon në zyrat e qeverisë, ku bëhet fjalë për mbajtjen në Tiranë të një konference në bashkëpunim me organizatat e lirisë së shtypit, OSBE, BE, Këshillin e Evropës, e cila pretendon të ndërtojë një hartë rruge për përmirësimin e gjendjes së mediave në vend.
Në epiqendër të joshjes dhe manipulimit është vendosur organizata me renome ndërkombëtare, “Reporterët pa kufij” e cila e renditi Shqipërinë të fundit në Ballkan për lirinë e shtypit duke e ulur me 20 vende dhe duke e klasifikuar të 103 në botë.
Në raportin e përvitshëm që “Reporteres sans frontieres” publikojnë në fillim të majit, në ditën botërore të lirisë së shtypit, arsyet e kësaj rënieje drastike jepeshin qartë: “Pjesa më e madhe e tregut mediatik shqiptar është tepër e përqendruar në duart e katër ose pesë kompanive”, vërenin “Reporterët…”. Ata vazhdonin në të njëjtën linjë: “Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë që kanë nevojë për rregullim nga shteti, si ndërtimi”.
Ndaj ketyre konkluzioneve fshikulluese, që tregonin nivelin real të demokracisë në vend kryeministri shqiptar u soll fillimisht në mënyrë sfiduese.
Faktin që ishim rokullisur nga vendi i 83 në të 103 ai e komentoi kështu:
“Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!”.
.
Por, me sa duket shpejt kryeministri e kuptoi se kjo nuk ishte rruga e duhur. Shtypi më prestigjoz i kontinentit filloi ta vlerësojë regjimin e Tiranës në raport me lirinë e shtypit në vend. Gazeta prestigjoze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung kritikoi hapur presidenten e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, që shprehej se Shqipëria i plotësonte kriteret për hapjen e negociatave. Në një shkrim në fund të gushtit të vitit që shkoi, FAZ theksonte se ky lavdërim që Leyen bëri për vendin i’u duk si tallje gazetarëve shqiptarë.
“Kjo për shkak se liria e shtypit në shtetin e vogël ballkanik me 2.8 milionë banorë nuk po ecën fare në drejtimin europian: mediet më me ndikim kontrollohen nga një grusht sipërmarrësish dhe politikanësh të pasur, dhuna kundër gazetarëve është e përhapur dhe ligjet e medias mbrojnë kryesisht më të fuqishmit” theksonte FAZ.
Gjendja u bë edhe më e pashpresë pasi përfaqësuesit e 7 organizatave më të njohura ndërkombëtare për lirinë e mediave ia behën në Shqipëri për një mision vëzhgimi. Ata takuan Ramën të cilit i thanë në sy se Shqipëria renditej në të njëjtën gjendje si Turqia e Erdoganit dhe lexuan përpara publikut konkluzione shumë të rënda. “…ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pronarëve të mediave në pavarësinë editoriale është e lartë dhe disa çështje apo tema të ndjeshme konsiderohen të palejueshme për gazetarët. Këto praktika pronësie kanë minuar prej kohësh besimin e publikut në integritetin e medias dhe çojnë në autocensurë kronike brenda komunitetit gazetaresk dhe mungesë të raportimit investigativ cilësor” thuhej në komunikatë ku shtohet: “Këta pronarë mediash, shumë prej të cilëve kanë pronësi edhe industri kyçe të rregulluara nga shteti që mbështeten në tendera publikë, përdorin sistematikisht asetet e tyre mediatike për t’i shërbyer axhendave të tyre private ose politike në vend të interesit publik”.
Gjatë konferencës për shtyp, në 18 nëntor 2022, Rikardo Gutieres, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve tha: “Qeveria e Shqipërisë duhet të përmbushë rekomandimet e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve si dhe për mbrojtjen e gazetarisë. Ne ishim këtu 3 vjet më parë dhe konstatuam nivelin e ulët të lirisë së medias. Tani shohim se gjendja nuk është përmirësuar dhe madje jemi të shqetësuar se tashmë nuk kemi të bëjmë me kapjen e medias, por konstatojmë kapjen e gazetarisë, për t’u shërbyer interesave të ngushta private, por në demokraci media nevojitet për të mbrojtur interesat e publikut”.
Pra situata nuk qe një nga ato që kryeministri i kalon me një cicërimë në Tëitter. Prandaj ai mori avionin e vet personal, për të shkuar në Paris të takohet personalisht me Sekretarin e Përgjithshëm të “Reporters sans Frontieres”, Cristophe Deloire. Një burim i mirëinformuar i tha Lapsi.al se kryeministri i ishte ankuar shefit të organizatës për rolin e oligarkëve që kontrollonin mediat, duke i bërë presion qeverisë, se kjo ishte shndërruar në një barrë edhe për të, i cili donte me ç’do kusht ta ndryshonte gjendjen. Duke u hequr si viktimë dhe jo si shkaktar i kësaj gjendje, Rama i ka kërkuar zotit Deloire, fillimin e një procesi për rregullimin e mediave duke startuar me një konferencë pompoze në Tiranë, gjetjen e fondeve për të cilën do e garantonte qeveria shqiptare dhe ambasadat perendimore në Shqipëri.
Sipas informacioneve që disponon Lapsi.al disa partnerë e kanë refuzuar këtë shou propaganistik që i shërben retushimit të imazhit të regjimit. Por projekti i qeverisë shqiptare po vazhdon për të bërë për vete këdo që mundet në mënyrë që një konferencë ndërkombëtare të mbahet gjatë muajit mars.
Në draftin konfidencial që ka arritur të sigurojë Lapsi.al, qeveria shqiptare, faktorët lokalë dhe “Reporterët…” pritet të angazhohen në një proces 6 mujor dikutimesh për këtë çështje. Për faktin se në maj zhvillohen zgjedhjet lokale ky proces parashikohet të nisë pas tyre.
Por, po në maj, “Reporters sans Frontieres” nxjerrin edhe klasifikimin e tyre të përvitshëm për Shqipërinë. Duket qarte se një nga synimet imediate të Ramës është të bëjë nxënësin e bindur për të mos rënë edhe më poshtë në këtë klasifikim që njihet në mbarë botën.
Ndërsa synimi afatgjatë manipulues është që të zbusë imazhin dhe të blejë kohë që mos vazhdojë të krahasohet me mikun e tij Erdogan, për sa i përket lirisë së shtypit, në një kohë që ajo po ngushtohet në Shqipëri me sulmet ndaj bizneseve të oligarkëve mediatikë që i ka kundër dhe me krijimin e televizioneve që kanë drejtpërdrejt pronare qeverinë./Lapsi.al