Pas rezultateve paraprake premtuese në Evropën Lindore, Google do të fillojë një fushatë të re në Gjermani që synon t’i bëjë njerëzit më të ndërgjegjshëm ndaj efekteve negative të keqinformimit në internet.
Gjiganti i teknologjisë planifikon të publikojë një numër videosh të shkurtra që nxjerrin në pah teknikat që përdoren për përhapjen e shumë pretendimeve mashtruese. Videot do të shfaqen si reklama në platforma si Facebook, YouTube dhe TikTok në Gjermani. Përgatitje për fillimin e një fushate të ngjashme janë duke u bërë edhe në Indi.
Kjo është një qasje që përfshin përpjekjet për të mësuar njerëzit se si të dallojnë pretendimet e rreme përpara se t’i hasin ato. Strategjia po fiton mbështetje në mesin e studiuesve dhe kompanive të teknologjisë.
“Ka vërtetë një dëshirë të madhe për zgjidhje”, thotë Beth Goldberg, kreu i kërkimeve dhe zhvillimit në “Jigsaw”, një divizion i kompanisë Google, që studion sfidat sociale në vendet në zhvillim. “Përdorimi i reklamave si një mjet për të kundërshtuar një teknikë dezinformimi është një prirje mjaft e re. Dhe ne jemi të kënaqur me rezultatete saj”, shtoi ai.
Ndërsa besimi i gënjeshtrave dhe teorive të konspiracionit nuk është një fenomen i ri, shpejtësia dhe niveli i përhapjes në internet ka rritur fuqinë e tyre. Kur përdoren si katalizator përmes algoritmeve, pretendimet mashtruese mund t’i dekurajojnë njerëzit nga vaksinimi, mund të përhapin propagandë autoritare, të nxisin mosbesim në institucionet demokratike dhe mund të shkaktojn veprime të dhunshme.
Kjo është një sfidë me pak zgjidhje të lehta. Kontrollet gazetareske të fakteve janë të efektshme, por ato kërkojnë punë intensive, nuk lexohen nga të gjithë dhe nuk i bindin ata që tashmë nuk i besojnë gazetarisë tradicionale. Kontrollimi i përmbajtjes nga kompanitë e teknologjisë është një përgjigje tjetër, por ajo e zhvendos keqinformimin diku tjetër dhe shkakton ankesa për censurë dhe anshmëri.
Nga ana tjetër, videot paraprake që demaskojnë dezinformatat janë relativisht të lira, mund të prodhohen me lehtësi dhe mund të shihen nga miliona njerëz pas publikimit të tyre në platforma të njohura në internet. Ato gjithashtu shmangin sfidën politike, duke u përqëndruar jo në temat e pretendimeve të rreme, të cilat shpesh janë tema të debtueshme kulturore, por në teknikat që e bëjnë dezinformimin viral kaq të dëmshëm
Këto teknika përfshijnë nxitjen e frikës, krahasimet e rreme, ekzagjerimet dhe mungesën e kontekstit. Pavarësisht nëse tema ka të bëjë me COVID-19, sulmet me armë, imigracionin, ndryshimet klimatike apo zgjedhjet, pretendimet mashtruese shpesh mbështeten në një ose më shumë truke të tilla në përpjekjet për të shfrytëzuar emocionet dhe formën e thjeshtëzuar të mendimit kritik të njerëzve
Vjeshtën e kaluar, Google nisi provën më të madhe të kësaj teorie deri më tani me një fushatë me video duke demaskuar teknikat e dezinformimit në Poloni, Republikën Çeke dhe Sllovaki. Videot shpjegojnë teknika të ndryshme që shihen në pretendimet e rreme për refugjatët ukrainas. Shumë nga këto pretendime mbështeteshin në histori alarmante dhe të pabaza rreth refugjatëve që thuhej se kryenin krime dhe merrnin vendet e punës të banorëve vendas.
Videot u panë 38 milionë herë në Facebook, TikTok, YouTube dhe Twitter, një numër që është i barabartë me atë të shumicës së popullsisë së këtyre tre vendeve. Studiuesit zbuluan se krahasuar me njerëzit që nuk i kishin parë videot, ata që i panë ato, kishin më shumë gjasa të ishin në gjendje të identifikonin teknikat e dezinformimit dhe më pak të ngjarë të përhapnin pretendime të rreme tek të tjerët.
Projekti pilot është prova më e madhe e demaskimit paraprak të dezinformimit deri tani dhe ka intensifikuar mbështetjen tashmë në rritje për këtë teori.
“Ky është një lajm i mirë, për t’iu kundprvënë asaj që në thelb vlerësohet si një biznes i keq, kur bëhet fjalë për dezinformimin”, thotë Alex Mahadevan, drejtor i MediaWise, një iniciativë e edukimit mediatik e Institutit Poynter, që e ka përfshirë këtë format në programet e veta. Programi është në përdorim në disa vende përfshirë Brazilin, Spanjën, Francën dhe SHBA-të.
Zoti Mahadevan e quajti strategjinë një “mënyrë mjaft të suksesshme për të trajtuar dezinformatat, sepse kjo informon shumë njerëz, ndërsa në të njëjtën kohë trajton një gamë të gjerë dezinformatash”.
Fushata e re e “Google” në Gjermani do të përfshijë hulumtimin e fotografive dhe videove, si dhe lehtësinë me të cilën ato mund të përdorën si prova për diçka të rreme. Një shembull: javën e kaluar, pas tërmetit në Turqi, disa përdorues të mediave sociale shpërndanë video të shpërthimit masiv në Bejrut në vitin 2020, duke pretenduar se ishte në të vërtetë pamje e një shpërthimi bërthamor të shkaktuar nga tërmeti. Nuk është hera e parë që shpërthimi i vitit 2020 bëhet objekt keqinformimi.
Fillimi i fushatës në Gjermani bëhet në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih, që nis javën e ardhshme. Koha e njoftimit, para mbledhjes vjetore të zyrtarëve ndërkombëtarë të sigurisë, pasqyron shqetësimet e shtuara për ndikimin e dezinformatave, si midis kompanive të teknologjisë, ashtu edhe të zyrtarëe qeveritarë.
Kompanive të teknologjisë u pëlqen formati për t’i edukuar njerëzit se si të dallojnë pretendimet e rreme përpara se t’i hasin ato, sepse kjo shmang temat që politizohen lehtësisht, thotë Sander van der Linden, profesor i Universitetit të Kembrixhit, i konsideruar si ekspert kryesor i teorisë. Zoti Van der Linden ka punuar me Google për këtë fushatë dhe tani po këshillon edhe firmën Metan, kompaninë mëmë të Facebookut dhe Instagramit.
Meta e ka futur në përdorim këtë format në shumë fushata të ndryshme të edukimit mediatik dhe anti-dezinformimit në vitet e fundit, tha kompania për agjencinë Associated Press në një deklaratë të dërguar me postë elektronike.
Ato përfshijnë një program të vitit 2021 në SHBA, që ofroi trajnime për edukimin mediatik rreth pandemisë COVID-19 për komunitetet e afrikano-amerikanëve, latino-amerikanëve dhe aziatikëve. Pjesëmarrësit që kryen trajnimin u testuan më vonë dhe u zbulua se kishin më pak gjasa të binin viktimë e pretendimeve mashtruese për COVID-19.
Formati ka sfidat e veta. Për shembull videot duhet të jenë krijuar mjaft mirë për të tërhequr vëmendjen e shikuesit dhe të përshtatura për gjuhë, kultura dhe demografi të ndryshme. Dhe ashtu si një vaksinë, ajo nuk është 100% efektive për të gjithë
Google zbuloi se fushata e saj në Evropën Lindore ndryshonte nga vendi në vend. Ndërsa efekti i videove ishte më i lartë në Poloni, në Sllovaki ato kishin “pak ose aspak efekt të dukshëm”, zbuluan studiuesit. Një shpjegim i mundshëm: videot janë dubluar në gjuhën sllovake dhe nuk janë krijuar posaçërisht për audiencën vendase.
Por, së bashku me gazetarinë tradicionale, moderimin e përmbajtjes dhe metodat e tjera për të luftuar dezinformimin, ky format mund të ndihmojë komunitetet të arrijnë një lloj “imuniteti të tufës” kur bëhet fjalë për dezinformimin, duke kufizuar përhapjen dhe ndikimin e tij.
“Dezinformimi duhet parë si një virus. Ai përhapet dhe zgjat. Mund t’i bëjë njerëzit të veprojnë në mënyra të caktuara”, thotë zoti Van der Linden. “Disa njerëz zhvillojnë simptoma, disa jo. Pra: nëse përhapet dhe vepron si virus, atëherë ndoshta ne mund të kuptojmë se si t’i vaksinojmë njerëzit”./VOA