Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme gjatë një takimi me Lidhjen Demokratike të Gruas Shqiptare se çështja e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal dhe lidhja e tij me kryeministrin Rama është krye tema e mediave në SHBA.
Berisha deklaroi se Porti i Durrësit është afera më e madhe e qeverisë dhe nëpërmjet firmës së Edi Ramës do të grabiten plot 122 miliardë lekë.
“Shpreh mirënjohjen, falënderimin tim për ju, për të gjitha anëtarët e Lidhjes Demokratike të Gruas, që keni dhënë dhe jepni në përpjekjet e kësaj partie, për rivendosjen e pluralizmit politik. Kontributin që keni dhënë në të gjitha periudhat e vështira dhe të suksesit të saj. Tani ne vijmë në një fazë të një rëndësie jetike për demokracinë dhe për vendin. Për një seri shkaqesh, PD-ja prej 10 vitesh është në opozitë. Por ky dhjetëvjeçar solli një fatkeqësi të madhe kombëtare. Se një parti në opozitë mund të rrijë edhe 10-12 vite. Ndodh në vendet demokratike ku qeveritë perfomojnë. Por kjo qeveri pas 10 vitesh ja doli të vendosë monizmin në Shqipëri, ja doli që kryeministri i vendit të vendosë nën kontroll të gjitha pushtete.
Ja doli të shndërrojë drejtësinë në një degë të ekzekutivit dhe për fatin më të keq të vendosë kontroll dhe mbi opozitën. Në këto përpjekje, duhet ti themi gjërat haptas, ai nuk qe i vetëm. Në këto përpjekje për fatin më të keq, ai pati mbështetje të fuqishme të personave shumë të fuqishëm me të cilët projektoi shkatërrimin e opozitës. Për fat të keq, këta persona kësaj here ishin nga partneri ynë kryesor, vendi që frymëzon më shumë se çdo tjetër për pluralitet, kontroll pushtetesh, liri dhe të drejta qytetarësh, vendi që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Edi Rama ka shfrytëzuar korrupsionin, metoda të tjera në mënyrë që të luftojë në kundërshtim me çdo parim, çdo vlerë opozitën shqiptare. Ju bëni një bilanc sot. Ka qëndruar në pushtet si një pushtues, si një njeri që urren këta njerëz. Statistika e këtyre tre ditëve të fundit, tregon se nga Shqipëria nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022 për në hapësirën e BE-së janë larguar 935 mijë shqiptarë, pothuajse 1 milionë.
Nuk përfshihen ata që janë larguar për në SHBA, Kanada, Norvegji, Zvicër, Angli e vende të tjera. Nuk ka komb tjetër më shpesëvrarë se kombi ynë. Asnjë luftë, lokale, rajonale apo botërore nuk ka arritur të pakësojë me të paktën 33% një komb, asnjë luftë. Maksimumi kanë humbur polakët në luftën e Dytë Botërore, 20% të popullatës gjatë viteve të luftës. Edi Rama ka arritur ta çojë Shqipërinë para alternativës, të jetë apo të mos jetë. Çdo ditë e tij në pushtet është ndëshkim për çdo shqiptar, çdo ditë. Një person i përmbajtur në vjedhje, në kulmin e damkosjes së tij në gjithë botën, firmoste marrëveshjen për grabitjen e pasurisë publike numër një të shqiptarëve që është Porti i Durrësit, me offshoret e tij, që është vetë me suitën e tij. Në kulmin e varfërisë vjedh e shpërdoron sipas KLSH-së në 9 muaj, 122 miliardë lekë. Me këto para 2/3 e tyre, rrogat e shqiptarëve çdo vit mund të dyfishohen, pensionet e shqiptarëve mund të dyfishohen. Kurse ato përfundojnë në tubat e ajrimit, kontot orffshore të Edi Ramës. Imagjinoni ju kur një punonjëse, shefe kabineti gjendet me 700 mijë euro, sa kanë ministrat. Ku i kanë fshehur, ku i kanë çuar, sa ka Edi Rama, sa ka Olsi Rama, ortaku i të gjitha aferave të mëdha, përfshi vjedhjen me Amant Josifin të 2.2 miliardë eurove të qytetarëve evropianë me call centerat”, tha Berisha.