Politologu Ilir Kalemaj foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi komisionin hetimor, padinë dhe protestën e opozitës lidhur me skandalin “McGonigal” ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe kryeministri Rama.
Kalemaj e konsideroi si të paprecedentë dhe minimalisht arrogancë faktin që Rama s’u paraqit në Kuvend për interpelancë.
Ai vuri në dukje mungesën e koherencës te kreu i qeverisë, ndërsa e konsideroi rastin si megaskandal.
Sa herë dëgjoj fjalën komision hetimor, na vjen në mendje fjalët që i atribuohen kryeministrit jetëgjatë italian Andreott-it, që thoshte sa herë doni të varrosni një çështje ngrini një komision hetimor. Në rastin e Shqipërisë kjo bëhet shumë adekuate. Në Shqipëri s’kemi parë asnjë komision hetimor që të ketë shpënë para drejtësie, e mandej drejtësia të ketë vendosur për të penalizuar një funksionar të lartë publik, ministër, kryeministër. Jo për faj të opozitës dhe atyre që e kërkojnë komisionin hetimor, apo interpelancës, sepse në fund të ditës këtë detyrë ka. Interpelancat, komisionet hetimore, paditë në SPAK, por ne s’mund të presim që SPAK të zgjidhë problemet e politikës shqiptare, të dënojë me burgim gjithë politikanët shqiptarë. Kemi të bëjmë me indicie dhe fakte që janë publike, nëse ka vend për shpërdorim detyre nga kryeministri apo cilido zyrtar i lartë, drejtësia mund të fillojë hetimet. Por mendoj që është e parakohshme të bëhet padi, sepse është çështje që po hetohet tani në Amerikë, sa po ka filluar, nuk do mbyllet nesër. Kemi një situatë paradoksale. Kryeministri Rama i frigohet apo nuk shkon në Parlament, mandej del në tre TV brenda të njëjtës ditë dhe fillon i flet publikut pa patur palë përballë, pa pranuar pyetje të gazetarëve, pa patur një opozitë, një palë që do rrëzonte shumë nga pretendimet e kryeministrit. Kjo është e paprecedentë. Opozita e ka quajtur frikë. Minimalisht është arrogancë. Frikë pastaj duhet provuar. Deputetët, ministrat, kryeministri, qeveria, votohen për llogaridhënie, që bëhet përmes zgjedhjeve, mekanizmave institucionalë, dhe ngritja e strukturave të tilla ku funksionarët e lartë të kenë ku të japin llogari. Nuk është kryeministri publicist që komenton në studiot televiziv dhe bën ligjëratë. Është takuar 4 herë minimalisht me të. Zotëria në fjalë ka pranuar tre këste 225 mijë dollarë. Kemi mungesë koherence. Skandali në fjalë është i përmasave të jashtëzakonshme, nëse do të vërtetohet nga drejtësia. Paralelizmat e Ramës dhe emisarëve të tij se edhe Presidenti Biden dhe Trump janë nën hetim, s’janë korrekte. Ata kanë të bëjnë me disa dokumente që mund të jenë marrë gabimisht, që s’janë gjendur në vendin e duhur, por s’kemi të bëjmë me rast korruptiv, kapje shteti, dhe s’kemi implikim të palëve të treta si Rusia. Kemi të bëjmë me megaskandal, dhe minimalisht ajo që media bën është t’i ekspozojë këto fakte para publikut”.
Duke folur mbi mos reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me rastin, Kalemaj tha se për sa kohë kemi të bëjmë me hetim të Departamentit të Drejtësisë nuk mund të reagojë DASH-i.
“Mendoj që kryeministri është i shqetësuar, minimalisht ai e kupton efektin publik që kanë akuza të tilla. Opozita normalisht do përdorë të gjitha gurët dhe heshtat për të arritur synimin e saj. I qëndroj mendimit që për sa kohë kemi të bëjmë me hetim të Departamentit të Drejtësisë, DASH, që mbulon politikën e jashtme, s’mund të shprehet. Këto janë rregullat në një shtet institucional. Lidhur me faktin që znj. Kim ka qenë ambasadorja më politike në Shqipëri, kjo është në rrafshin e retorikës politike”.
I pyetur se sa qëndrojnë deklaratat e Berishës se është kërcënuar nga ambasadorja Yuri Kim, duke i përmendur fëmijët, Kalemaj tha se në Shqipëri është e vështirë të ndash faktin nga fiksioni.
“Në Shqipëri është vështirë të ndash faktin nga fiksioni. Është zhvlerësuar fjala, kemi një inflacion. Këtu i thonë njëri-tjetrit kriminel! Por kemi një situatë të paprecedentë në adresimin e një kryediplomati, natyrisht këto janë akuzat e z.Berisha, janë akuza politike, ai ka një pozicion të caktuar në raport me SHBA-të dhe mendoj që komentet janë të tepërta”.
Kalemaj e konsideron protestën të rëndësishme në një kohë kur opozitës i kanë mbetur pak mjete në dispozicion, por thekson se ajo duhet të ketë një objektiv të qartë.
“Protestat janë gjithmonë të rëndësishme, aq më tepër me një opozitë që ka pak mjete në dispozicion. Nuk ka rrugë tjetër veç të protestojë. Në vendet e tjera protestat organizohen nga sindikatat, shoqëria civile, në Shqipëri shumë rrallë kemi parë që OJF-të t’i mobilizojnë njerëzit në rrugë. Për sa kohë i nxjerrin partitë politike njerëzit në shesh, gjithmonë do ketë prezumime që ata janë rrogëtarë, apo militantë. E rëndësishme është kauza, por edhe objektivi i protestës. E gjithë Franca është në protestë për rritjen e moshës së pensionit. Protesta që të jetë e vazhdueshme duhet të ketë një objektiv”.