Ndër zhvillimet ekonomike të javës kaloi, thuajse pa diskutime të shumta, vendimi i radhës i Bordit të Transparencës për rritjen e çmimit të naftës në tregun e pakicës.
Të pakët ishin zërat dhe komentet që vunë në dukje se vendimi nuk kishte thuajse asnjë justifikim në kohën kur në shumë prej tregjeve europiane dhe amerikane, çmimi i shitjes së naftës në tregun e pakicës është sot më i ulët se sa niveli i 24 shkurtit 2022, dita e fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Fatkeqësisht ky është vetëm problemi më i vogël i këtij vendimi.
Nëse në marsin e këtij viti, kur qeveria vendosi krijimin e bordeve për caktimin e çmimeve, kishte ende nga ata që mendonin se qeveritë mund të ulin çmime me vendime administrative, sot ky argument është rrëzuar tërësisht.
Çmimet janë lajmësi i një ekonomie, jo shkaku i problemeve të saj, por kjo ide mbetet ende e huaj, gati armiqësore, në debatin dhe vendimmarrjen publike shqiptare.
Bordet janë vetëm një prej rasteve të shumta ku shfaqet bindja se shteti, dhe jo tregu, është zhvilluesi i ekonomisë. Për disa javë, rrjetet sociale u mbushën nga diskutimet mbi disa grante të dhëna nga qeveria për startup-e dhe kompani të reja.
Fokusi i diskutimit ishte nëse grantet ishin dhënë në konflikt interesi, ose jo. Thuajse askush nuk e kundërshtonte në parim idenë se institucionet shtetërore nuk duhet të jenë ato që zgjedhin fituesit apo humbësit në garën e konkurrencës – një parim thelbësor i ekonomisë së tregut.
Ligji i shumëdiskutuar i investimeve strategjike ngrihet mbi thuajse të njëjtin parim, atë që disa burokratë shtetërorë mund të zgjedhin se cilat janë projektet që duhen mbështetur e cilat jo. Edhe këtu, shumica e kundërshtimeve publike bazohen mbi konflikte interesi në disa prej projekteve, por jo në parimin e gabuar, mbi të cilin ngrihet ligji në tërësi.
Një sy i kujdesshëm mund të gjente plot raste dhe institucione të tjera që ngrihen mbi po të njëjtat parime. Rezultati i këtyre nismave është sot i qartë: Shqipëria ka një ekonomi tregu thuajse primitive, aspak inovative dhe të zhvilluar.
Kompanitë më të mëdha të vendit janë ato që veprojnë thuajse ekskluzivisht me kontratat publike, apo kanë përfituar nga licenca dhe lehtësi të tjera të ofruara nga institucionet publike.
Eksportet e vendit – aty ku shfaqet vërtet aftësia konkurruese e një ekonomie – dominohen nga sektorë me vlerë të shtuar të ulët: bujqësi, fasone dhe lëndë minerare. Kompanitë e mëdha të vendit nuk janë thuajse fare të përfaqësuara në eksporte, me përjashtim të lëndëve minerare.
Ato veprojnë ekskluzivisht me tregun e brendshëm, të mbrojtura nga çdo lloj konkurrence e brendshme dhe ndërkombëtare, falë lehtësive të krijuara nga ligjet dhe institucionet e ndryshme publike.
Teksa qytetarët shqiptarë, me të drejtë, shqetësohen për konfliktet e interesit që shfaqen në kontratat e ndryshme publike, ekspertët dhe politikëbërësit duhet të fillojnë të shohin edhe përtej tyre. Ekonomia shqiptare, pas më shumë se 30 vitesh tranzicioni, duket gjithmonë e më pak si një ekonomi tregu e gjithmonë e më shumë si një ekonomi shtetërore.
Të shumtë janë ata që, për arsye të ndryshme, nostalgji ose naivitet, duan ende të shpresojnë se fuqia e burokratëve të zyrave të shtetit mund të sjellë zhvillimin ekonomik të një vendi. Sa herë që modeli dështon, justifikohen duke fajësuar burokratët, por jo modelin.
Nga ana tjetër, Shqipëria duket se është shembulli i gjallë e i vazhdueshëm në limitet e këtij modeli.
Ajo që nuk kemi provuar të ndërtojmë ende është ajo çfarë kanë ndërtuar të gjithë ekonomitë e zhvilluara të planetit: një treg të lirë, konkurrues, ku idetë dhe talenti individual janë përcaktuesit e suksesit dhe jo lidhjet personale me burokratët e administratës.
/Monitor.al/