Nga Boldnews.al
Kur në Shtator të vitit të kaluar, Qeveria nisi një aksion sipërfaqësor për të goditur katet pa leje të “oligarkëve të ndërtimit”, shumëkush e lexoi si një “goditje” ndaj polit ekonomik që menaxhohet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku kontrollon sektorin e ndërtimit, nëpërmjet lejeve bujare të ndërtimit dhe “mbylljes së syrit” para paligjshmërisë së tyre. Nëpërmjet sektorit të ndërtimit, ai menaxhon edhe pjesën kryesore të medias, e kontrolluar nga bosët e pasurive të paluajtshme.
Në krye të “aksionit të paligjshmërisë në ndërtime”, kryeministri Edi Rama vendosi zëvendësen e tij, Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Edhe ky vendim u lexua si një lëvizje e Ramës për të frenuar pushtetin e Veliajt, nëpërmjet Ballukut.
Natyrisht, Rama i mohoi këto zëra dhe duket se kënaqet me nxitjen që i bën publikut dhe rrjeteve sociale, të cilat gëlojnë për përplasje Veliaj-Balluku.
Por, përtej humorit pa shije të shefit të qeverisë, gjërat nuk janë aq të pavërteta sa tenton t’i shesë Rama.
Ose, të paktën aktorët e “përplasjes”, Veliaj e Balluku e konsiderojnë shakanë si “gjysmën e së vërtetës”.
Belinda Balluku u katapultua në sferat më të larta qeveritare vetëm me vullnetin e Ramës dhe pa asnjë kontribut real në Partinë Socialiste.
Tashmë ka mbledhur rreth vetes një pol ekonomik të fuqishëm, të financuar nga Buxheti i Shtetit dhe të menaxhuar nga një numër i madh drejtorësh në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, të konsideruar momentalisht si “çunat e Belës”.
“Çunat” e Belës
– Evis Berberi është drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), institucion i cili tenderon dhjetra miliardë lekë për çdo vit.
Ai është një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ministres Balluku. Ai ka qenë shef departamenti në Albcontrol, kur ky institucion drejtohej nga Belinda Balluku.
Si ministre, Balluku e angazhoi Evis Berberin si këshilltar të saj dhe më tej drejtues të Agjencisë së Efiçencës së Energjisë dhe prej Korrikut 2021 ai është shef i madh i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
– Klevis Jahaj drejton Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Mbetjeve Urbane (AKUM), institucion që menaxhon projektet gjigande të ujësjellësve rajonalë dhe të mbetjeve urbane, ku përfshihen edhe inceneratorët e dyshimtë.
Ai zëvendëson në këtë detyrë Alqi Bllakon, i cili e gëzoi mandatin e deputetit socialist vetëm pak muaj, para se të arrestohej për “aferën e inceneratorëve”.
Klevis Jahaj ka qenë drejtor i Divizionit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për Rajonin e Tiranës për disa vite dhe prej nëntorit të vitit 2021 drejton Agjencinë e Mbetjeve (AKUM).
– Arbër Avrami drejton kompaninë shtetërore të gazit, “Albgaz”, në varësi të ministres Balluku. Sektori i gazit në Shqipëri ka një rëndësi shumë të madhe ekonomike, megjithëse menaxhimi ndër vite nuk ka siguruar përfitime monetare për shtetin, ndërkohë që përfituesit kryesorë janë kompanitë private.
Avrami konsiderohet si një prej njerëzve më të afërt të ministres Balluku dhe ky element u forcua më tepër, pas disa fotosh që të dy u shfaqën duke kryer blerje në dyqane luksoze në Athinë.
– Erlis Hereni, këshilltar i ministres Balluku, u caktua edhe si administrator i kompanisë publike “Albanian Seaports Development Company”.
Kompania publike përfaqëson qeverinë shqiptare në projektin kontraves “Durrës Yacht Marina”, në bashkëpunim me shoqërinë ‘Eagle Hills Real Estate Development”, e administratuar nga Mohamed el Alabar.
– Ergys Verdho, administratori i Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH), menaxhon tendera dhjetra milionë euro, shpesh edhe të dyshimta, për shit-blerje të energjisë elektrike, sidomos në këtë periudhë krize.
Verdho ka pasur një rritje të fuqishme në karrierë, sidomos pasi në krye të ministrisë së Infrastrukturës u caktua Belinda Balluku.
Ai u vendos fillimisht si “drejtor i komanduar” i Autoritetit Rrugor Shqiptar në fillim të vitit 2019, kur ish-titullarja e institucionit, Sonila Qato, u shkarkua “me ceremony”.
Më tej, Verdho mori emërimin zyrtar në ARRSH dhe prej qershorit 2021 drejton KESH-in, ku zëvendësoi Benet Becin, që arriti të merrte një mandat deputeti.
– Skerdi Drenova drejton prej janarit të vitit 2019 Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), një institucioni, të cilit nuk arrihet t’i llogariten dhjetra milionë eurot e tenderave.
Ai ka qenë më herët drejtor në Divizionin e Tiranës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Drenova u emërua në krye të OST-së menjëherë sapo Belinda Balluku mori drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
– Ardian Çela është administratori jetëgjatë i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Ai ka në detyrë që prej ditëve të para të Edi Ramës së kryeministër.
Mund të konsiderohet më shumë si “çuni i Ramës” se sa si “çuni i Belës”. Megjithatë, Ardian Çela ka arritur të komportohet me çdo ministër, ndërkohë që menaxhon dhjetëra miliarda lekë të tenderave në sektorin e energjisë elektrike.
Megjithatë, Balluku ka gjetur një formë se si të mbaj nën kontroll aktivitetin e Ardian Çelës, përfshirë edhe fondet gjigande të tenderave.
OSHEE, një institucion varësie i Ballukut, është aksioner kryesor në dy kompani publike “bijëza”- Operatori Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU).
Në krye të këtyre dy kompanive publike janë Blendian Dalipi dhe Elton Sevrani, të dy të emëruar nga ministrja Belinda Balluku.
– Pirro Vengu, drejtues i Autoritetit Portual të Durrësit, konsiderohet si një prej personazhe “më të bindur” të ministres Balluku.
Më herët ai ka qenë staf i ngushtë i ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe në Tetor 2019 arriti të marrë firmën e Ballukut për të drejtuar Portin më të madh në vend.
Vengu është ngarkuar me detyrën për të realizuar “transferimin” e portit aktual në duart e biznesmenit arab, Mohamed el Alabar.
– Blendi Gonxhe drejton Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor prej disa vitesh. Ai, në fakt, është një ndër miqtë më të ngushtë të Edi Ramës, që nga koha kur drejtonin së bashku Bashkinë e Tiranës.
Megjithatë, aktualisht Gonxhja është në varësinë e Belinda Ballukut dhe, natyrisht, asaj i drejtohet “shefe”.
Në dorën e Gonxhes gjenden tendera të shumtë qindra mijëra euro, e deri tek miliona euro, siç është projekti luksoz për ndërtimin e një piste për makina të shpejta në periferi të Elbasanit.
Gonxhja është gjithashtu pronar i një biznesi fitim-prurës për dhënien me qira të automjeteve. Shoqëria e tij “Albarent” ka përfituar disa qindra milionë lekë nga kompania koncesionare e landfillit të Sharrës.
– Eltar Deda drejton prej pak kohësh kompaninë shtetërore të naftës, “Albpetrol”.
Pasi nuk arriti të konfirmonte mandatin si deputet i Partisë Socialiste, Deda gjeti si strehë punësimi institucionet në varësi të Ballukut.
Fillimisht ishte drejtues i Agjencisë së Efiçensës së Energjisë dhe më tej u emërua në krye të “Albpetrol”, pasi titullari i emëruar më parë, Florian Muçaj, u arrestua si i përfshirë në skandalin e inceneratorëve.
Eltar Deda menaxhon institucionin më të rëndësishëm të industrisë së rëndë në Shqipëri, naftën, në një kohë që qytetarët vuajnë çmimet e larta të hidrokarbureve
– Ceno Klosi, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, nuk është zyrtarisht në varësinë e ministres Belinda Balluku.
Megjithatë, karriera e tij ka kaluar edhe nga firma e saj. Klosi ka qenë për disa vite pjesë e OSHEE-së. Në qershor të vitit 2021, ai u emërua nga Balluku në pozicionin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve (AKUM), duke zëvendësuar Alqi Bllakon, i cili në atë kohë mori mandatin e deputetit të Partisë Socialiste.
Lista e institucioneve të varësisë dhe kompanive publike që drejtohen apo menaxhohen nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është edhe më e gjatë, megjithëse pesha e tyre specifike është pak më e ulët se sa e institucioneve të cituara më lart në këtë artikull.
Të gjithë së bashku përbëjnë një pol të rëndësishëm ekonomik, i cili nuk duhet marrë me lehtësi nga Erion Veliaj, në luftën e tyre të brendshme për primatin qeveritar dhe partiak.