Një njoftim i pazakontë u bë nga Ministria e Jashtme e drejtuar nga Olta Xhaçka në muajin Dhjetor, që deklaronte se kishin nisur procedurat e zëvendësimit të ambasadores amerikanë në Tiranë, Yuri Kim. Nga ekspertë të diplomacisë, por dhe zëra të spikatur të opinionit publik, njoftimi i ministrisë është cilësuar në shkelje të praktikave diplomatike. Të njëjtin etiketim i vuri edhe media shtetërore amerikane në gjuhën Shqipe “Zëri i Amerikës”, në një raportim më 14 Dhjetor.
Njoftimi erdhi para garës për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK dhe u cilësua si një betejë mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim, të cilët sipas burimeve, kishin preferenca të ndryshme për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.
Lidhur me çështjen, ministrja e Jashtme Xhaçka foli në një konferencë për mediat këtë të Shtunë, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve.
Duke mos pranuar akuzat, Xhaçka tha se njoftimi erdhi për të sqaruar çështjen pas publikimit sipas saj në media të thashethemeve mbi diplomaten Kim. Madje, në mënyrë të habitshme, për njoftimin nga ana e ministrisë që ajo drejton, fajtor bëri edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Sipas saj, njoftimi erdhi pas teorive të komplotit me autor Berishës, që kishin si qëllim përbaltjen e figurës së Yuri Kim, për të cilën tha se ka marrëdhënie miqësore.
E pyetur, “e keni shkelur kodin etik diplomatik kur keni njoftuar zëvendësimin e ambasadorit amerikan në vend tonë”, Xhaçka tha se beson se “nuk kërkon ndonjë shkencë të madhe për të kalkuluar se kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori, për cilindo ambasador, aq më tepër për ambasadorin e SHBA që ka një vëmendje dhe një interes të veçantë”.
Më tej, shtoi se “ai njoftim edhe mund të mos ishte bërë dhe unë i mirëkuptoj të gjithë ata të cilët mendojnë ne mund të mos e kishim bërë një njoftim të tillë”.
“Por nuk kemi thënë asgjë më shumë se ajo që ‘gia’ u tha në media edhe përpara se ky informacion se të bëhej i ditur nga ne. Ndërkohë që ky informacion ka qenë në ministrinë e Jashtme prej shumë kohësh dhe media nuk e ka ditur dhe ne nuk e kemi bërë të njohur. Ne këtë informacion e kemi bërë të njohur kur ai kaloi përtej Ministrisë së Jashtme se edhe Ministria e Jashtme ka një rol në këtë kapitull, duke dhënë dakordësi sa herë që këto procese ndodhin për të gjithë ambasadorët përpara se zëvendësuesit të akreditohen në vendin tonë dhe në atë moment kur ky informacion ka shkuar përtej ashtu siç duhet të bëjë në rrugë institucionale dhe shkresore në institucionet e tjera, kur ky informacion ka kaluar përtej Ministrisë së Jashtme, tek ne kanë filluar telefonatat, kërkesat për informacion dhe ç’është më e keqja kanë filluar edhe teori komploti, lobimesh sikur çfarë kishte ndodhur dhe kush e kishte ndikuar këtë proces”, vijoi kryediplomatja Xhaçka.
“Dhe në këto kushte, shtoi, gjykuam që ishte vendi për t’ja prerë rrugën këtyre thashethemeve duke sqaruar që kjo ishte asnjë gjë e jashtëzakonshme, ishte një gjë që po ndodhte rëndom. Siç edhe ua thashë edhe më përpara, s’do shumë mend për të kalkuluar se kur fillonte dhe kur mbaronte mandati i ambasadores së SHBA. Dhe u gjykua që mos të bëhej ky proces pis me teori komploti, me lobime kundër ambasadores të thuhej thjesht që është konsumuar një mandat dhe ka nisur një proces për zëvendësimin. Ne nuk kemi komentuar në asnjë moment as procedurat për zëvendësimin e SHBA-ve, as kandidatët e SHBA, psesë ne jemi vendi pritës, nuk është për ne për ti diskutuar. Thjesht i kemi vënë kapak disa thashethemeve dhe aludimeve të shëmtuara që i bëheshin këtij procesi, për të thënë që ‘po, procesi ka nisur, por këtu nuk ka asnjë gjë të jashtëzakonshme dhe nuk ka gisht askush këtu përveçse vendit që ka të drejtën të ripërtërijë trupën e tij diplomatike, sipas afateve, rregullave të tyre’”.
“Ajo që nuk mund të kuptoj asesi është që ky informacion i dhënë nga Ministria e Jashtme përshkruhet nga opozita si një sulm ndaj SHBA—ve, ambasadores së SHBA –ve që edhe po ta lëmë mënjanë marrëdhënien miqësore dhe personale është një diplomate e SHBA-ve, që unë besoj i kemi një borxh mirënjohje për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për ta thelluar e forcuar marrëdhënien tonë strategjike. Dhe është një diplomate e SHBA-ve, se këtë e harron shpesh foltorja, që ambasadorët e sheh si elektron të lirë që kanë inat ‘non gratën’ dhe jo domosdoshmërisht janë përfaqësues të shteteve të tyre dhe përmes detyrave të tyre zbatojnë politikat zyrtare të shteteve që përfaqësojnë. Duke thënë këtë, dua të them që marrëdhënia me SHBA-të s’ka qenë ndonjëherë më e fortë, më e thellë, më domethënëse, më e madhe nga ç’është sot”, theksoi ajo.
Gjatë konferencës, çështjes iu rikthye sërish gazetari i Zërit të Amerikës. “Meqënëse ju dhatë një shpjegim të gjatë mbi çështjen e ambasadores amerikane, unë prape nuk e kam të qartë se çfarë pune ka shteti shqiptar me një çështje e cila është ekskluzivisht e një shteti tjetër? Pra, ato janë procedura e një shteti tjetër dhe shteti shqiptar përse duhet të informojë se çfarë bën shteti tjetër me ambasadoren e vet”, ishte pyetja drejtuar Xhaçkës.
Këtë herë, në përgjigjen e saj, ministrja tha se njoftimi erdhi për të mbrojtur figurës e ambasadores amerikane nga teoritë e komplotit, që sipas saj, erdhën nga Berisha.
“Tashi, për t’ju respektuar se unë përgjigjen time e dhashë dhe gjithsecili mund ta lexojë ashtu siç gjykon. Sigurisht që shteti shqiptar që është shteti pritës nuk ka asnjë punë që të komentojë procedurat e shteteve të tjera për zëvendësimin e ambasadorëve të tyre dhe ne nuk kemi bërë këtë. Dhe unë besoj se unë nuk thashë këtë.
Ne kemi një rol në këtë proces që është ai i dhënies së dakordësisë sa herë ndodh zëvendësimi dhe akreditimi i ambasadorëve. Dhe në kushtet kur ambasadorja amerikane për shkak të trillimeve të shëmtuara të politikës shqiptare, të ‘non gratave’ që kanë bërë pafund teori komploti mbi lobime për të zëvendësuar ambasadorë që funksiononin si elektrone të lirë dhe nuk përfaqësonin politikat zyrtare të shteteve të tyre, ne gjykuam se po i vinim kapak, në kushtet e shumë kërkesave për informacion dhe shumë teorive që erdhën te ne në momentin që ky proces le të themi u bë i ditur për të tjerë apo rrodhi në media. Ne thjesht thamë, nuk komentuam në asnjë rast procedurat, as kandidatët, as ku dhe si qysh tek vjen një ambasador tjetër, por thjesht kemi thënë ju lutem ti vëmë kapak thashethemeve për informacion, sepse këtu s’ka absolutisht asnjë për tu shënuar. Sepse s’do shkencë që të kalkulosh që një mandat ka përfunduar, kaq. Mund të mos e kishim bërë, por qëllimi ka qenë ky dhe vetëm ky”, u përgjigj ajo.
Megjithatë, edhe pas këtyre shpjegimeve, mbetet e paqartë sesi Ministria e Jashtme kërkoi ‘ti shpëtonte fytyrën’ ambasadoren Yuri Kim, duke njoftuar ditën se kur largohet nga puna.
Aq më tepër, kur Kim iu përgjigj njoftimit të Ministrisë së Jashtme duke deklaruar se “do të qëndroj dhe ca më gjatë” se mandati që si rregull zgjat 3 vjet.