Kupa e Botës 1970 në Meksikë ishte shen jtërimi i një miti të quajtur Pele. Edson Arantes do Nashimento, i lindur më 23 tetor 1940 në “Três Corações” (shteti i Minas Geraish) dhe vdiq dje në Sao Paulo, arriti titullin e tij të tretë në kampionatet botërorë me finalen e paharrueshme të vitit 1970, me Brazilin që fitonte përballë Italisë, 4-1.
Një moment historik që ai e arriti në moshën 29- vjeçare dhe që deri më tani asnjë lojtar tjetër nuk ka mundur ta përsërisë. Për këtë sukses, për futbollin e tij dhe për magjinë e tij me topin në këmbë, që atëherë ai njihet si “O Rei” (Mbreti) i padiskutueshëm.
SUKSESI NË SUEDI 17 VJEÇ – Pele kishte hyrë në analet e futbollit në vitin 1958, duke u bërë kampioni më i ri në Kupën e Botës në vitin 1958 në Suedi kur ishte vetëm 17 vjeç. Ai humbi dy ndeshjet e para për shkak të një dëmtimi në gju në një miqësore, por luajti 4 të tjerat dhe shënoi 6 gola, duke futur dhe dy në finalen e madhe kundër Suedisë (4-2). Imazhi i portierit Gilmar pas ndeshjes që mbante mbi supe atë adoleshent që ngjalli admirimin e shokëve të skuadrës dhe rivalëve, përfaqësonte fillimin e legjendës së një lojtari unik, trampolinë e tij drejt famës, ndërsa në të njëjtën kohë ai filloi të gdhendte mrekullinë e tij karrierën në Santos, klubi i jetës së tij.
TITULLI I DYTË NË KILI – Katër vjet më vonë, në vitin 1962, Brazili mbronte titullin në Kili kundër Çekosllovakisë (3-1) dhe Pele vijoi të shkruante historinë, duke qenë kampioni më i ri me dy tituj në moshën 21-vjeçare. Por në Botërorin e vitit 1962, impakti i tij nuk ishte i njëjtë me atë të katër viteve më parë. Ai luajti shumë pak në dy ndeshjet e para, teksa vuante nga një dëmtim dhe nuk luajti më. Megjithatë, disa javë më vonë ai fitoi Kupën Libertadores dhe më vonë Kupën Ndërkontinentale me Santosin, suksese që ai do të përsëriste në vitin 1963. Kjo e bëri atë të shpallej sërish lojtari më i mirë në botë. Viktimë e shkelmave në Angli – Prania e tretë e Peles në një Botëror ishte në kampionatin botëror në Angli në vitin 1966. Ai e kaloi Botërorin pa lavdi dhe plot dhimbje për shkak të ashpërsisë së rivalëve. Brazili u eliminua që në fazën e parë duke u mundur 1-3 nga Hungaria dhe po 1-3 nga Portugalia. Pele u largua nga “canarinha” pas atij turneu për shkak të dëmtimeve dhe nuk u kthye deri në vitin 1969, duke ndierë se fiziku i tij iu përgjigj, në kohën e duhur për t’u kurorëzuar përfundimisht në “O Rei”.
LAVDIA NË MEKSIKË – Përpara se t’i bashkohej sërish Brazilit, ai duhej të kapërcente një pengesë të paparashikuar. Zhoao Saldanja, trajneri më i keq brazilian në atë kohë, i tha: “Pele është miop dhe ka një problem në ijë. Ai nuk do të thirret për Kupën e Botës 1970”. Ato fjalë u morën si sakrilegj në Brazil dhe ai u pushua nga puna disa ditë më vonë. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ndonëse nuk kishte luajtur në dy Botërorët e mëparshëm, ai vijonte të ishte idhulli i madh i “Torsidës” (tifozëria braziliane), të cilët prisnin që ai të mbyllte karrierën me kombëtaren me një tjetër titull.
ZGJUARSIA E ZAGALLOS – Ashtu ndodhi! Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) emëroi Mario Zagallon, i cili tashmë mbante postin e trajnerit midis viteve 1967 dhe 1968 dhe kishte idenë e qartë. Falë ideve të tij brilante lindi ajo që njihet si skuadra më e mirë e të gjithë kohërave, Brazili i 1970-ës. Disa ditë para Kupës së Botës, ai mblodhi në dhomat e zhveshjes Rivelinon, Gersonin, Tostaon, Zharzinjon dhe Pelenë, të cilët luanin si numra “10” në skuadrat e tyre dhe konfirmoi se të pestë do të luanin së bashku në Meksikë!
“TOPI I ARTË” I KUPËS SË BOTËS 1970 – Rezultati eksperimenteve të Zagallos ishte spektakolar. Pele, futbollisti dhe udhëheqësi shpirtëror i atij grupi, u zgjodh si “Topi i Artë” i Botërorit 1970. Me një fizik mbresëlënës, ai ishte i pandalshëm, një mrekulli e vërtetë teknike dhe inteligjenca e tij taktike ishte shumë më e lartë se të tjerët. Ai nuk kishte një pozicion fiks dhe lëvizte në të gjithë frontin e sulmit, duke i shqetësuar rivalët dhe duke liruar shokët e skuadrës.
GOLI NË FINALE – Në finalen kundër Italisë (4-1), Pele ishte protagonist në katër golat e Brazilit, një prej të cilëve e shënoi vetë. I kurorëzuar tri herë kampion bote, Pele gjatë festimeve deklaronte: “Kjo ishte Kupa ime e fundit, unë jam njeriu më i lumtur në botë”. Vite më vonë ai do të rrëfente se gjithçka “ishte një dhuratë nga Zoti, më e mira për mua”. “O Rei” shënoi në 4 Kupat e Botës (12 gola në 14 ndeshje) dhe fitoi 3 prej tyre. Ai u tërhoq nga ekipi brazilian në korrik 1971. Në vitin 2000, FIFA e zgjodhi atë si lojtarin më të mirë të shekullit të 20-të së bashku me Diego Armando Maradonën.