E izoluar për më shumë se dy muaj në një qeli të veçuar, Svetlana Timofeeva, blogerja 33-vjeçare ruse e arrestuar për spiunazh në Shqipëri, nisi të ëndërronte për një regjim të zakonshëm burgu.
“Në oborrin e shëtitjes është e modës të luash basketboll dhe në përgjithësi, regjimi i burgut i ngjan një konvikti studentësh, vetëm se pa internet dhe pa të drejtën për të dalë jashtë,” shkruan Timofeeva në një letër dërguar miqve më 17 tetor.
Por ajo nuk kishte qenë ende në atë burg dhe e përshkruan atë sipas rrëfenjave të njërës prej oficereve të shërbimit. Ndryshe nga të burgosurat e tjera, Timofeeva u mbajt e izoluar në një seksion të zbrazët në Spitalin e Burgut në Tiranë nga 24 gushti deri më 16 nëntor, në një qeli ku komunikimet, gazetat dhe fjalëkryqet ishin të ndaluara dhe ku i vetmi kontakt me botën ishin britmat e një pacienteje të sëmurë në repartin ngjitur.
“Oficeret e shërbimit janë po aq të trashura sa edhe unë, ato punojnë në turne 8-orëshe me një pushim, dhe habiten se pse unë jam këtu dhe pse duhet të ruhem si një terroriste veçanërisht e rrezikshme,” shkruan më tej ajo.
Përmes tre letrave nga qelia, Svetlana Timofeeva përshkruan situatën e saj të pazakontë si një shtetase ruse e burgosur në Shqipëri, në një kohë gjithashtu të pazakontë lufte, ku posta me Rusinë është nën embargo. Ajo ia ka dorëzuar letrat avokatit të saj, ndërsa BIRN i siguroi ato përmes Anastasia Krylova, një prej të njohurave të Timofeevas, e angazhuar në një fushatë për të ndihmuar lirimin e saj.
Trajtimi i Timofeevas gjatë periudhës së paraburgimit në Shqipëri, përfshirë mbylljen në spitalin e burgut për më shumë se dy muaj, është bërë objekt i një hetimi të ndërmarrë nga Avokati i Popullit.
“Ne do hetojmë vendimmarrjen për të qëndruar atje, ndërkohë që nuk ishte e sëmurë,” tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca për BIRN.
Avokati i Timofeeva, Fatmir Lushi i tha BIRN se klientja e tij vazhdon të mbahet e veçuar edhe pas transferimit nga spitali i burgut në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, IEVP “Ali Demi”, i njohur ndryshe si burgu i grave.
“Për arsye sigurie pretendojnë, mbahet e veçuar,” tha Lushi në një telefonatë.
Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, tha se prokuroria nuk kishte kërkuar trajtim të veçantë të Timofeevas dhe se nuk kishte kompetencë mbi vendin e ekzekutimit të vendimit penal. Ndërkohë, IEVP “Ali Demi” tha në një përgjigje me shkrim se e paraburgosura po mbahej e veçuar pas një vlerësimi risku nga komisioni multi-disiplinor në institucion, që e gjetur atë me “risk të lartë”.
Svetlana Timofeeva u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh në Shqipërinë qendrore. zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre. Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtrake të “Luftës së Ftohtë”.
Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare – dyshime të pranuara deri më tani nga gjykatat. Gjykatat e shkallës së parë dhe Apeli kanë vendosur masat e “arrestit me burg” për të tre të akuzuarit. Gjykata e Lartë po ashtu vendosi të mos e pranojë rekursin e Fedir Alpatov, duke mos i cënuar vendimet e mëparshme. Ndërkohë, dy rekurset e bëra në emër Timofeeva dhe Mikhail Zorin nuk janë shqyrtuar ende nga Gjykata e Lartë.
Ndërsa ende priten përgjigje për rekurset, për shkak të përfundimit të afateve të hetimit dhe paraburgimit, çështja është rikthyer në Gjykatën e Elbasanit. Prokurori Kreshnik Ajazi i tha BIRN në një telefonatë se ai kishte bërë shtyrjen e afatit të hetimit, por palët nuk ishin njohur ende me këtë vendim.
“Çështja në ngarkim të shtetasve të huaj të arrestuar në kuadër të këtij procedimi është aktualisht në fazë hetimi paraprak. Deleguar për hetime pranë Njësisë Rajonale Antiterrorrizëm Elbasan,” tha Ajazi.
Tre të akuzuarit për spiunazh dhe avokatët e tyre e kundërshtojnë akuzën. Avokati Saimir Visha, i cili përfaqëson Alpatov në proces, i tha BIRN se kjo që po ndodhte ishte një skandal.
“Është një skandal i vërtetë. Afatet e paraburgimit kanë përfunduar, ende nuk është gjetur një përkthyes dhe ne nuk kemi asnjë informacion mbi hetimin,” tha ai.
I pyetur se si po mbaheshin në qeli tre të arrestuarit, Visha u përgjigj me ironi.
“Ku jeton ti, jeton në Shqipëri me mua apo në Kinë? I mbajnë në burg me një fjalë,” tha ai, ndërsa kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë u rrëzua në gjykatën e Elbasanit më 22 dhjetor.
Të njëjtin fat pati edhe kërkesa e avokatit të rusit Mikhail Zorin, Isuf Shehu, i cili kishte paraqitur në gjykatë një kërkesë për të pushuar çështjen e klientit të tij. Ndërsa Lushi që përfaqëson Timofeevan i tha BIRN se ai ende nuk kishte bërë një kërkesë të tillë. Udhëtimi i gushtit nuk ishte i pari në Shqipëri për Svetlana Timofeeva, e njohur në Instagram përmes një profili popullor me 255 mijë ndjekës nën emrin Lana Sator.
Në një udhëtim të mëparshëm, ajo kishte fotografuar avionë të braktisur MIG në Gjadër dhe tunelin e nëndetëseve në Pashaliman. Pas arrestimit më 20 gusht, miq të saj dhe pjesëtarë të komunitetit të “Urbex” u bënë bashkë për t’i siguruar një avokat si dhe financat për t’u mbrojtur, ndërsa faqet e lidhura me të bënë thirrje për ndihmë financiare. Megjithatë, miqtë e Timofeeva i thanë BIRN se nuk ishin në gjendje të komunikonin me të për muaj me radhë dhe morën prej saj vetëm një letër përmes avokatit, e cila po ashtu i shqetësoi.
“Svetlana nuk u lejua të telefononte askënd për të paktën 4 muaj që prej arrestimit. Vetëm më 16 nëntor ajo ka telefonuar të ëmën për herë të parë që prej ndalimit në gusht,” i tha BIRN Anastasia Krylova, gjithashtu blogere.
Krylova është shtetase ruse e larguar drejt një vendi të Europës pas situatës së krijuar me luftën në Ukrainë. Ajo tha se mungesa e komunikimit me Timofeevën e kishte shqetësuar.
“Ne në fakt e konsiderojmë këtë një dhunim të të drejtave të saj, ne besojmë që asaj duhet ti jepet mundësia të kontaktojë miqtë dhe familjen pas arrestimit, të paktën për të thënë që është mirë,” tha ajo.
Pas transferimit në IEVP “Ali Demi”, Timofeeva thotë përmes një letre të dytë se ndjehet shumë më mirë se në spitalin e burgut – ajo ka gjetur aty dy rafte me libra në Anglisht si ushqim të ngrohtë e të shijshëm, bashkë me çaj dhe kafe.
Por ajo vazhdon të trajtohet ndryshe nga të paraburgosurat e tjera.
“Ata vazhdojnë të më mbajnë ndarazi nga të tjerat, por është një gardh me tela, kështu që mund të flasësh me të tjerat. Kam dërguar kërkesë që të më hiqet siguria gjatë ditës, që të lejohem të eci nëpër territor si të tjerat, përndryshe jam si qen i mbyllur në kafaz,” shkruan Timofeeva.
IEVP “Ali Demi” pranoi se Timofeeva mbahej e veçuar nga të paraburgosurat e tjera, por pretendoi se kjo ndodhte për shkak të sigurisë së saj.
“Për shkak të riskut të lartë, e vlerësuar kjo nga komisioni multidisiplinor në institucion, e paraburgosura është vendosur në Sektorin e Kujdesit të Veçantë për ta monitoruar më me kujdes,” tha IEVP “Ali Demi” në një përgjigje me shkrim.
Institucioni sqaroi gjithashtu se pas mbërritjes në këtë burg, Timofeeva ishte ngacmuar nga të paraburgosurat e tjera, të cilat e kishin thërritur atë me epitete si “Ruse” apo “Putin”, por kjo kishte ndaluar pas ndërhyrjes së punonjësve të burgut.
“Dhoma e saj e banimit është e kufizuar nga pjesa tjetër me tela dhe nuk pengon komunikimin e saj me të paraburgosurat e tjera, madje është lejuar të marrë kafe dhe lëngje nga të paraburgosurat e tjera,” shtoi IEVP “Ali Demi”.
Institucioni pranoi gjithashtu se Timofeeva nuk ia kishte dalë të shkëmbente letra përveç atyre që u kishte nisur miqve përmes avokatit.
“Aktualisht nuk dërgohet postë nga Shqipëria për në Rusi, pasi dhe zyra e Postës Shqiptare i ka kthyer sërish zarfet e nisura nga e paraburgosura,” thuhet në përgjigjen me shkrim.
Avokatja e Popullit, Erinda Balanca i tha BIRN se pas verifikimit nuk u gjetën probleme mbi trajtimin e të paraburgosurës dhe se asaj i ishin garantuar të drejtat e tjera. Balanca tha se i vetmi shqetësim i lindur nga inspektimi dhe për të cilin do të kryheshin verifikimi, ishte mbajtja e saj në spitalin e burgut pa qenë e sëmurë. Në letra, Timofeeva është ironike me akuzat për spiunazh në Shqipëri dhe më pas edhe në Rusi, ku ajo akuzohet thuajse për të njëjtën vepër penale.
“Mendoj se shqiptarët kanë ëndërruar të kapin spiunë të vërtetë rusë që prej Luftës së Ftohtë, ndoshta në vitet 60’, por ia dolën të kapin vetëm spiunë falsë dhe një ukrainas në vitin 2022,” shkruan 33-vjeçarja në letrën për miqtë.
Duke folur për akuzat, ajo thotë se fabrika sekrete në Gramsh kishte 30 vjet që nuk punonte dhe se aty kishte vetëm rrënoja. “Edhe ne rusët kemi gjysmën e vendit me rrënoja të tilla sekrete,” shkruan ajo.
Timofeeva thotë se e kupton që koha nuk kishte qenë e përshtatshme, por këmbëngul që nuk ka spiunuar për askënd. Duke iu referuar një akuze të ngjashme ndaj saj në Rusi, ajo shkruan se nuk di shumë për çështjen, por pasi ishte larguar nga Rusia kishte mësuar që apartamenti ku ajo qëndronte ishte kontrolluar dhe ishin sekuestruar kamera dhe mjete të tjera që i kishin kushtuar shumë.
Akuzat e ngritura në Rusi janë të ngjashme me ato në Shqipëri. Timofeeva akuzohet se bashkë me persona të tjerë kanë hyrë në baza ushtarake dhe kanë mbledhur informacione sekrete. Sipas medias ruse rbc.ru, pjesë e një grupi mediatik me qendër në Moskë, bashkë me Timofeeva, për të cilën u vendos arresti në mungesë u arrestua edhe Dmitry Blinov, punonjës i një kompanie franceze të procesimit të ushqimeve. Akuzat në Rusi u bënë vetëm pak ditë pasi Timofeeva ishte arrestuar në Shqipëri, duke nxitur spekulime shtesë mbi të. Në fillim të dhjetorit, Rusia paraqiti edhe zyrtarisht kërkesë për ekstradimin e saj. Prokurori Kreshnik Ajazi tha se çështja ishte ende në shqyrtim dhe se nuk i ishte dërguar gjykatës.
“Normalisht do të shprehet gjykata për këtë,” tha Ajazi, duke vënë në dukje se prokuroria mund të kërkonte që ekstradimi të mos kryhej, për sa kohë kishte hetime penale në Shqipëri. Ai tha po ashtu se Timofeeva do duhej të shprehej për këtë. Avokati Lushi tha se as ai as klientja e tij nuk ishin në dijeni të kërkesës për ekstradim nga Rusia.
Ndërkohë në letër Timofeeva shpjegon për herë të parë versionin e saj të ngjarjeve. Ajo thotë se ata kishin ardhur në Shqipëri në kohë të ndryshme nga drejtime të ndryshme dhe pasi ishin takuar, kishin bërë tre ditë vizita interesante në vende të ngjashme me rrënoja dhe ditën e tretë i ishin drejtuar uzinës.
“Udhëtuam në mes të ditës në fabrikën e braktisur mekanike,” shkruan Timofeeva dhe më pas përshkruan se ata ishin tërësisht të qetë dhe të sigurt që nuk po kryenin diçka të ndaluar. Ajo thotë se makinën e ndaluan afër fabrikës dhe se në vetvete, makina ishte një provë e rëndësishme që ata nuk ishin duke u fshehur dhe as spiunë.
“Makina e Fedias (Fedir Alpatov) duket si BAT-MOBILE… Sidoqoftë, është një makinë sportive portokalli me targa të Ukrainës. Aaaaah!,” shkruan ajo në letër.
Timofeeva shkruan gjithashtu se letrat i japin ndjesinë se është më pak e vetmuar dhe iluzionin e një lidhjeje me botën, por ankohet se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.
“Sepse posta, mesa duket është ndërprerë. Mund të dërgosh një letër në Kubë apo Australi, por jo në Rusi. E gjitha kjo falë Putinit,” përfundon ajo.
Marrë nga Reporter.al