Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën në Kongresin amerikan se Ukraina vazhdon ende të qëndrojë, pavarësisht të gjitha parashikimeve kundër. Fjalimi i tij para ligjvënësve amerikanë ishte pjesë e një vizite të shkurtër e sfiduese në kohë lufte në Uashington, me synim për të falënderuar udhëheqësit e vendit, si dhe amerikanët e thjeshtë, për mbështetjen që i kanë dhënë Ukrainës, në luftën kundër Rusisë. Zoti Zelenskiy u zotua se nuk do të bëjë kompromise në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Vizita e udhëheqësit të Ukrainës u shoqërua me miratimin nga Presidenti Joe Biden dhe Kongresi të një ndihme të re në miliarda dollarë dhe me premtimin për të ndihmuar Ukrainën që të arrijë atë që u quajt një “paqe e drejtë”.
Zoti Zelenskiy u përshëndet me ovacione të fortë e të gjata nga ligjvënësit gjatë fjalimit të tij në Kapitol. Ai tha se Ukraina nuk do të dorëzohet kurrë ndërsa paralajmëroi se konflikti nuk rrezikon thjesht vendit të tij, por vë në provë demokracitë në mbarë botën.
“Kjo betejë nuk mund të injorohet, me shpresën se oqeani apo diçka tjetër do të sigurojë mbrojtje“, tha ai, gjatë një fjalimit të mbajtur në anglisht para ligjvënësve, të cilin e cilësoi si një fjalim për amerikanët.
Zoti Zelenskiy shtoi se dhjetëra miliarda dollarë në ndihma amerikane për vendin e tij nuk ishin bamirësi, por një investim për sigurinë globale.
Ai tha se shpresonte që Kongresi do të vazhdonte ta mbështeste Ukrainën me një qasje dypartiake.
Deri tani nuk ka shenja për zhvillimin e bisedimeve për paqe me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe si Rusia ashtu edhe Ukraina, kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të vazhduar luftën. Por zoti Zelenskiy tha se kishte diskutuar me presidentin Biden mbi një formulë paqeje prej 10 pikash, ofruar nga Ukraina.
“Më vjen mirë që presidenti Biden mbështeti nismën tonë të paqes. Secili prej jush sot zonja dhe zotërinj mund të ndihmojë në zbatimin për të siguruar që roli udhëheqës amerikan të mbetet solid, e të gëzojë mbështjeje dypartiake“, u tha zoti Zelenskiy ligjvënësve amerikanë.
Biden thirrje që uniteti global për Ukrainën të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023
Përpara fjalimit në Kongres presidenti i Ukrainës u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti amerikan Joe Biden. Më pas dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti Biden u kërkoi amerikanëve dhe mbarë botës, që të vazhdojnë të mbështesin Kievin edhe përgjatë vitit 2023. Kjo është vizita e parë e udhëheqësit të Ukrainës jashtë vendit, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 50 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, prej fillimit të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, konflikt gjatë të cilit janë vrarë me dhjetëra mijëra vetë, janë larguar miliona të tjerë nga shtëpitë e tyre, si dhe janë shkatërruar shumë qytete në të gjithë vendin.
Por disa republikanë, të cilët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vitin e ardhshëm, kanë shprehur shqetësime për koston e lartë të luftës.
“Ndërsa i afrohemi vitit të ri, është e rëndësishme për popullin amerikan dhe për botën, të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ju zoti president për luftën e Ukrainës dhe nevojën për të vazhduar të qëndrojmë së bashku deri në vitin 2023”, tha zoti Biden gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Biden tha se kurrë nuk e kishte parë NATO-n dhe Bashkimin Evropian më të bashkuar sesa në rastin e Ukrainës.
“Ne po diskutojmë për sanksione e trysni ligjore mbi vendin terrorist Rusinë”, tha zoti Zelenskiy.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha gjithashtu se një paqe e drejtë me Rusinë, nënkuptonte zero kompromis mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij, por ai vuri në dyshim nëse mund të ketë një paqe të tillë, për prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre në luftë.
“Nuk e di se çfarë do të mund të konsiderohej si një paqe e drejtë?!“, tha zoti Zelenskiy duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth asaj që ai e konsideronte një mënyrë të drejtë për t’i dhënë fund konfliktit.
“Për mua si president, një paqe e drejtë nuk është kompromis mbi sovranitetin, lirinë dhe integritetin territorial të vendit tim. Do të thotë shpagim për të gjitha dëmet e shkaktuara nga agresioni rus“, vazhdoi zoti Zelenskiy, duke iu referuar kërkesës së tij që Moska të paguajë për dëmet e shkaktuara.
Ai shtoi gjithashtu se do të jetë e vështirë të ketë një paqe të drejtë për prindërit, fëmijët e të cilëve janë vrarë.
“Shumë prindër kanë humbur djemtë dhe vajzat e tyre në vijën e frontit. Çfarë do të thotë për ta një paqe e drejtë? Paratë nuk janë asgjë“, shtoi ai.
Më herët gjatë takimit me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, presidenti Joe Biden garantoi për mbështetjen e Uashingtonit mes sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës.
Presidenti ukrainas, i cili tha se kishte dashur të vinte shumë më parë në Shtetet e Bashkuara, falenderoi presidentin Biden, Kongresin dhe amerikanët e thjeshtë për mbështetjen e dhënë ndaj vendit të tij.
Gjatë takimit zoti Zelenskiy i dha zotit Biden, një medalje për merita ushtarake, ofruar nga një ushtarak ukrainas. Zoti Biden premtoi t’i jepte në këmbim kapitetin t arëtilerisë ukrainase, një medalje nga një prej fushëbetejave të shumta ku janë përfshirë trupat amerikane, Iraku, ku ka luftuar edhe djali i tij Beau Biden.
“Ti je njeriu i vitit“, i tha Presidenti Biden zotit Zelenskiy, duke iu fereruar vendimit të revistës “Time” për ta vendosur atë në kopertinë.
Zoti Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin po përshkallëzon sulmet ndaj civilëve dhe po përpiqet të përdorë dimrin si armë.
Zoti Zelenskiy tha se do të zhvillonte bisedime me zotin Biden për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Kievit kundër sulmeve shkatërruese të Rusisë.
Po sot administrata e Presidentit Biden njoftoi një pakete të re ndihme ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin edhe sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.
Prej kohësh Presidenti Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë ushtruar trysni ndaj udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të avancuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin e tyre në luftën kundër Rusisë.
Vizita e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi amerikan pritet të votojë për buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe përgatitjeve të Uashingtonit për t’i dhënë Kievit sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.
Ndihma e re amerikane, që përfshin edhe sistemin e raketave ‘Patriot’, sinjalizon një zgjerim nga Shtetet e Bashkuara të llojit të armatimeve të avancuara, që do të dërgojnë në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve në rritje me raketa nga Rusia në javët e fundit.
Vendimi për dërgimin e sistemit të raketave ‘Patriot’ vjen pavarësisht kërcënimeve nga Ministria e Jashtme e Rusisë se furnizimi i Ukrainës me këtë sistem të avancuar raketash do të konsiderohej një hap provokues. Moska ka thënë se personeli ushtarak që do të shoqërojë sistemin e raketave ‘Patriot’ do të ishte një objektiv legjitim i goditjes nga forcat ruse.
Kremlini paralajmëroi të mërkuren se rritja e furnizimit të Kievit me armë nga Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përkeqësonte luftën shkatërrimtare në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi në mënyrë të paligjshme 10 muaj më parë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zgjerojnë furnizimin me armë dhe me llojet e armëve për Ukrainën. E gjithë kjo, natyrisht, çon në një përkeqësim të konfliktit dhe, në fakt, nuk është një shenjë e mirë për Ukrainën”, u tha të mërkuren gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Nuk është e qartë saktësisht se kur pritet të mbërrijë në vijën e frontit në Ukrainë sistemi i raketave ‘Patriot’, pasi trupat amerikane së pari do të duhet të stërvisin forcat ukrainase se si të përdorin këtë sistem të teknologjisë së sofistikuar. Stërvitja mund të zgjasë disa javë dhe pritet të kryhet në Gjermani. Deri më sot, të gjitha stërvitjet e forcave të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë kryer në vendet evropiane./VOA