Prokurorja Armida Hamiti (Moçka) e Prokurorisë së Rrethit Tiranë u përball të hënën më 19 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për burimet e një apartamenti në Vlorë të regjistruar në emër të saj, pasuri për të cilën pretendoi se e kishte në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës dhe se ishte blerë me të ardhurat e siguruara prej prindërve nga bujqësia e blegtoria, përpara se ajo të fillonte detyrën.
Po ashtu, subjekti i rivlerësimit pretendoi se edhe një pjesë e çmimit të një garazhi ishte paguar nga i njëjti burim financiar, prej nga kishte rezultuar balancë negative në analizën financiare paraprake të KPK-së. Hamiti kërkoi që të mos penalizohej për pasuri të krijuara përpara fillimit të detyrës.
Prokurorja Hamiti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme në kriterin profesional.
Procesi i vetingut për prokuroren Hamiti po kryhet nga trupa e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Armida Hamiti (Moçka) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe u emërua prokurore pranë Prokurorisë së Vlorës. Prej vitit 2015, ajo e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjetjet për pasurinë
Komisioni nuk ka gjetur probleme në një sipërfaqe toke bujqësore të përfituar në vitin 1994 nga familja e origjinës së subjektit në Akërni të Vlorës. Po ashtu, ka rezultuar i rregullt përfitimi i 18 mijë m2 tokë bujqësore në vitin 1993 po nga familja e origjinës, në Mifol të Vlorës.
Por nga verifikimi i dokumentacionit, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar regjistrimin e tokës në Mifol, përpara se të shpronësohej një pjesë e saj në funksion të ndërtimit të autostradës Fier-Vlorë. Bekteshi sqaroi se Hamiti ka deklaruar se ka qenë një pasaktësi formale mospasqyrimi i regjistrimit të tokës në pronësi të familjes së saj, ku ajo zotëron pjesë takuese 20%.
Prokurorja Hamiti u përball me barrë prove për burimet e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe të brendshme 106 m2 + 10 m2 sipërfaqe e përbashkët në Vlorë, të porositur prej saj në vitin 2011 kundrejt çmimit 50 mijë euro, pasuri për të cilën ajo ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat e prindërve nga bujqësia dhe blegtoria prej vitit 1994 e në vijim.
Relatorja Bekteshi sqaroi se Komisioni ka konstatuar se apartamenti rezulton të jetë porositur nga subjekti dhe të jetë regjistruar në emër të saj. Po ashtu, ka rezultuar se pagesat janë kryer prej saj, por prokurorja Hamiti deklaroi në seancë se kjo pasuri është në pronësi të të gjithë anëtarëve të familjes dhe se ajo zotëron vetëm 1/5 pjesë takuese.
Për të vërtetuar të ardhurat e prindërve nga bujqësia dhe blegtoria, Hamiti ka dorëzuar si prova dokumente për zotërimin e tokës dhe rreth 270 rrënjë ullinjve; për vetëpunësimin e nënës në bujqësi; për punësimin e babait nga viti ‘93 e nën vijim; dokumentacion për mbarështimin e gjedhëve; si dhe për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Bekteshi pohoi se me këto dokumente nuk është arritur të provohen të ardhurat e deklaruara si të përfituata nga aktiviteti bujqësor dhe blegtoral dhe për rrjedhojë nuk janë përfshirë në analizën financiare.
I njëjti rezultat është konkluduar prej Komisionit edhe për krijimin e një depozite në vlerën 53 mijë euro, si burim i së cilës janë deklaruar të ardhurat nga bujqësia, blegtoria dhe emigracioni. Po ashtu, është konstatuar pamundësi për blerjen e një garazhi në vitin 2012 për çmimin 500 mijë lekë, pasuri për të cilën ka deklaruar se kanë shërbyer si burim të ardhurat e prindërve nga aktiviteti bujqësor e blegtoral në masën 3000 euro, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga pagat e saj. Hamiti ka deklaruar se edhe në këtë pasuri zotëron 20%.
Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë, pasi dhe garazhi rezulton i regjistruar në emër të saj.
Prokurorja Armida Hamiti theksoi në fillim të fjalës së saj se pasuritë që ka deklaruar janë krijuar përpara fillimit të detyrës. Ajo pretendoi se kishte arritur të provonte ekzistencën e familjes bujqësore; pagesën e detyrimeve për tokën; të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për nënën; si dhe faktin se familja e saj e origjinës zotëron 271 rrënjë ullinj.
Ajo vërejti se i ishte drejtuar fillimisht Ministrisë së Bujqësisë për të kryer një ekspertim të mundësisë së të ardhurave nga prindërit prej aktivitetit të tyre bujqësor e blegtoral, por për shkak se i kishin kthyer përgjigje se nuk mund të kryenin një përllgaritje të tillë, u ishte drejtuar ekspertëve privatë.
Hamiti deklaroi se sipas akt-ekspertimit të dorëzuar prej saj si provë në KPK, familja e saj bujqësore ka krijuar 21.9 milionë lekë të ardhura për periudhën 1994-2011. Ajo sqaroi se, për kryerjen e përllogaritjeve, eksperti është bazuar në referencat e institucioneve shtetërore dhe studimet shkencore.
Në vijim ajo renditi disa vendime të KPK-së dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke theksuar se kërkesa e saj për pranimin e këtyre të ardhurave si burim për krjimin e pasurive bazohej në këtë praktikë. “Të zbatohen të njëjtat standarte. Të pranohet akti i ekspertimit dhe të konsiderohen të ligjshme të ardhurat e familjes time bujqësore,” kërkoi ajo.
Hamiti kundërshtoi konstatimet për pasaktësi në deklarimin e pjesës takuese, duke argumentuar se kishte shënuar gjithmonë si burime të këtyre pasurive të ardhurat e prindërve. “Pjesa ime nuk mund të jetë 100%, por është 20%,” këmbënguli Hamiti dhe kërkoi që të vlerësohet fakti se të gjitha pasuritë janë krijuar përpara se të ushtronte detyrën e prokurores.
Anëtarja Pamela Qirko e pyeti subjektin se kur ishte njohur me bashkëshortin dhe se kur kishte filluar bashkëjetesën. Hamiti sqaroi se ishin njohur në verën e vitit 2011, ndërsa bashkëjetesën e kishin filluar në janar 2012.
Kur u pyet se kur e kishte marrë në dorëzim apartamentin në Vlorë, Hamiti pohoi se për këtë pjesë ishte kujdesur babai. Bazuar në këtë përgjigje, Qirko ngriti pikëyetje lidhur me faktin se kontrata e porosisë dhe pagesat ishin realizuar prej subjektit që e zotëron apartamentin edhe si pronare “de jure”. Hamiti deklaroi se në familjen e saj, gjithçka ishte e përbashkët. Ajo sqaroi se apartamenti përdorej nga të gjithë pjesëtarët e familjes së origjinës kur ata kishin nevojë.
Bekteshi relatoi gjetjet e hetimit administrativ për një makinë dhe kursimet e bashkëshortit për të cilat nuk u evidentuan probleme. Për të ardhurat e bashkëshortit nga një aktivitet dhe shitja e një trualli, u sqarua se do të trajtohen në procesin e rivlerësimit të tij.
Në vijim, Komisioni konstatoi se bashkëshorti i subjektit ka në përdorim një apartament në Tiranë, ku në vitin 2017 ka nënshkruar kontratë qiramarrje kundrejt vlerës 20 mijë lekë në muaj. Sipas Bekteshit, Hamiti ka sqaruar se bashkëshorti ka jetuar kohë më parë në këtë apartament bazuar në dakordësim verbal me pronarin. Sipas KPK-së, duket se ka pasur favorizim në çmimin e qirasë mujore.
Prokurorja Hamiti e kundërshtoi konstatimin e Komisionit për trajtim preferencial të çmimit të qirasë. Sipas saj, vlera e qirasë nuk ishte aspak preferenciale dhe se ishte bazuar në dakordësinë e palëve rreth 10 vjet më parë kur ishte marrë në përdorim apartamenti; për faktin se mobilimi sipas saj ishte modest; se pallati ishte i vjetër si dhe për faktin se ishte mirëmbajtur.
Në përfundim, prokurorja Armida Hamiti kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 21 dhjetor, në orën 09:45.
/Reporter.al/