Prokurori federal me përvojë Andrew Adams drejton grupin e posaçëm të punës të quajtur “KleptoCapture” në Departamentin amerikan të Drejtësisë. Kjo inciativë bashkëpunimi mes disa agjencive filloi të funksionojë në muajin mars për të zbatuar sanksionet e gjera që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i vendosën Rusisë në përgjigje të sulmit të saj ndaj Ukrainës.
Gjatë një vizite të enjten në Uashington, zoti Adams bisedoi me korrespondentin e Zërit të Amerikës për çështjet e drejtësisë Masood Farivar, për hetimet e grupit të punës dhe konfiskimin e pasurive, sfidat që paraqiten dhe nivelin e pahasur më parë të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit.
Intervista në vazhdim është redaktuar për t’u bërë më e qartë dhe më e përmbledhur.
Zëri i Amerikës: Kanë kaluar nëntë muaj që kur prokurori i përgjithshëm (Merrick Garland) njoftoi krijimin e grupit të punës KleptoCapture dhe ju caktoi juve drejtor. A mund të na informoni për aktivitetet më të fundit të grupit të punës dhe se si po shkon procesi i konfiskimit të pasurive?
Andrew Adams: Në ditët e para të grupit të punës, gjurmuam dhe konfiskuam mega-jahte, një në Spanjë, një në Fixhi. Morëm masa ndaj disa llogarive bankare në institucione financiare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. U angazhuam shumë për t’u ofruar informacion vendeve partnere që të mund të ndërmerrnin hapa të ngjashëm.
Që atëherë kemi patur një valë në rritje konfiskimesh, të pronave të patundshme, avionëve dhe pasurive të tjera luksoze. Krahas personave apo entiteteve që gjenden në listën e sanksioneve, ajo çfarë kemi patur në vëmendje që në fillim ka qenë pastrimi i parave dhe shmangia e sanksioneve nga njerëz që nuk janë në listë, por që janë profesionistë të pastrimit të parave.
Gjatë javëve të fundit, ato çfarë keni parë janë frutet e përpjekjeve në formën e akuzave penale ndaj personave si (sipërmarrësi britanik) Graham Bonham-Carter, në lidhje me zotin (Oleg) Deripaska dhe të tjerë që janë në thelb profesionistë të pastrimit të parave të angazhuar për të gjetur boshllëqet në regjimin e sanksioneve.
Zëri i Amerikës: Dhe kush tjetër klasifikohet nën këtë kategori? A ka banka, ndërmjetës financiarë, kush janë ata?
Andrew Adams: Ajo për çfarë kërkojmë janë të gjithë llojet e personave që ofrojnë qasje në sistemin financiar legjitim. Pra, keni të drejtë. Shqyrtojmë bankat, por edhe institucionet financiare më gjerësisht. Shqyrtojmë fonde të pasurisë familjare, fonde investimesh të menaxhuara nga profesionistë, fonde investimesh në kompani të sapokrijuara. Shqyrtojmë kriptomonedhat dhe institucionet financiare më novatore të teknologjisë së lartë, ku mund të ketë mundësi për zhvendosje të parave. Shqyrtojmë agjentët e pronave të patundshme, ndërmjetësit financiarë dhe agjentët e investimeve. Pra vërtet në mbarë spektrin e sektorit financiar.
Zëri i Amerikës: Shifra e fundit e pasurive të konfiskuara nga elitat ruse ishte në rreth 39 – 40 miliardë dollarë. A keni shifra më të përditësuara?
Andrew Adams: Në njëfarë mënyre është e vështirë të përmblidhet në një shifër, në veçanti kur e shikon edhe pjesën ndërkombëtare. Dhe mendoj se numri që citoni juve është ndërkombëtar…
Zëri i Amerikës: Në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera…
Andrew Adams: Pikërisht. Pra, mund të jetë e vështirë pasi ka faktorë të ndryshëm në lojë – diferenca, për shembull, mes autoritetit tonë për konfiskim, që ka goditur pasuri me vlerë në qindra miliona dollarë, përfshirë jahte dhe pasuri të patundshme, si dhe autoritetit për ngrirje, që nuk arrin deri në konfiskim, por që në disa mënyra mund të jetë po aq efikas.
Zëri i Amerikës: Dhe sa prej pasurive janë konfiskuar nga Shtetet e Bashkuara krahasuar me vendet partnere? A keni shifra të zbërthyera?
Andrew Adams: Për sa i përket kapjes dhe konfiskimit, Shtetet e Bashkuara mendoj se kanë marrë një rol udhëheqës në këtë drejtim. Globalisht, për sa i përket ngrirjes dhe mbajtjes së pasurive nën autoritetin që i ngjason shumë autoritetit bllokues që ka Departamenti i Thesarit, kjo ka qenë sigurisht në vëmendjen tonë,… por realisht shumica e pasurive të kapura gjenden jashtë Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo shifër mendoj se është relativisht e lartë brenda Bashkimit Evropian dhe në rang global. Ajo që do të doja të theksoja është sërish se autoriteti për ngrirje pasurish ka ndoshta efekt po aq të fuqishëm për ta bllokuar ushtrinë ruse që të pajiset me armatime, shtetin rus që të zhvillojë si zakonisht aktivitetet e tij të paligjshme.
Zëri i Amerikës: Disa prej pasurive të konfiskuara janë transferuar tashmë në Shtetet e Bashkuara, si superjahti që u soll nga Fixhi në San Diego disa muaj më parë. Cili është statusi i këtij jahti dhe i pasurive të tjera që janë marrë në Shtetet e Bashkuara?
Andrew Adams: Procesi për ta humbur përfundimisht pasurinë, një jaht për shembull, përfshin konfiskimin, transportimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe shqyrtimin e një padie civile për shpronësimin e jahtit.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje, duhet paraqitur një padi civile për shpronësim. Këtë e bëjmë relativisht shpejt, brenda disa muajsh në disa raste, dhe gjatë këtij procesi vazhdojnë edhe hetimet.
Zëri i Amerikës: A ka patur ndonjë çështje që ka kaluar plotësisht nëpërmjet procesit gjyqësor?
Andrew Adams: Për asnjë nga pasuritë e konfiskuara nuk është dhënë vendim gjyqësor i formës së prerë. Kemi paraqitur rishtazi padi civile për disa llogari bankare të lidhura me Konstantin Malofeev-in (miliarder rus dhe aleat i ngushtë i Presidentit Putin), dhe do të shikoni lëvizje në atë drejtim. Më 7 dhjetor bëmë një padi civile në Qarkun Lindor të Nju Jorkut për dy prona të patundshme, shtëpi në Los Anxhelos, të lidhura me Andrii Derkach-in (sipërmarrës ukrainas dhe ish-deputet që u fut në listën e sanksioneve nga Departamenti i Thesarit në vitin 2020).
Zëri i Amerikës: A prisni sfida ligjore nga pronarët e këtyre pasurive? A mund ta komplikojë kjo procesin e shitjes së pasurive?
Andrew Adams: Sigurisht që presim të ketë sfida ligjore. Mendoj se do të ketë jo vetëm nga pronarët e këtyre pasurive, por edhe nga personat që paguhen për t’u shtirur sikur janë pronarë… Mendoj se do të jenë të financuar mirë dhe kjo do të jetë një sfidë për të cilën jemi përgatitur.
Zëri i Amerikës: A ka paraqitur dikush padi deri më sot?
Andrew Adams: Publikisht, askush nuk ka paditur çështjet që kemi hapur. Jemi kontaktuar nga persona që janë në fazën përgatitore dhe do të merremi me këtë në kohën e duhur.
Zëri i Amerikës: Kam një pyetje për mirëmbajtjen e pasurive. Supozoj se Departamenti i Drejtësisë mirëmban objektet e pasurisë që janë transferuar në Shtetet e Bashkuara. Sa është kostoja për mirëmbajtjen e tyre?
Andrew Adams: Kur e marrim nën kontroll, kur konfiskojmë një pasuri, është e saktë që marrim përsipër edhe mirëmbajtjen. Arsyeja për këtë është në dy plane. Pikë së pari ruhet vlera e pasurisë… Së dyti është thjesht çështje procesi të drejtë. Kur i marrim nën kontroll, ja heqim atë pasuri të paktën përkohësisht dikujt që pretendon të jetë pronari i ligjshëm. Dhe është detyrimi ynë që ta marrim objektin nën kontroll përpara se të zhduket duke na hequr mundësinë neve dhe paditësve që të paraqesin pretendimet në gjykatë. Përkushtimi ndaj një procesi të drejtë mendoj se është me rëndësi jetike për të gjithë programin që po ndërmarrim dhe që na dallon nga regjimet autoritare, ku mënyra se si veprohet është konfiskimi i drejtpërdrejtë pa një proces të duhur ligjor.
Zëri i Amerikës: Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar në të kaluarën Kongresit që t’i jepet autoriteti ligjor për t’i transferuar për rindërtimin e Ukrainës të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara. Ekziston mbështetje dypartiake për këtë në Kongres, por Kongresi ende nuk ka vepruar. A mendoni se do ta merrni këtë autoritet dhe se do t’i transferoni fondet në të ardhmen në Ukrainë?
Andrew Adams: Kërkesa për marrjen e autoritetit për ta lehtësuar dhe qartësuar aftësinë tonë për t’i bërë këto pasuri të disponueshme për rindërtimin e Ukrainës është një përparësi e departamentit. E konsolidon vërtet të gjithë programin. Qëllimi i këtyre konfiskimeve është që këto pasuri të bëhen të disponueshme. Dhe siç qëndrojnë gjërat sot, ekzistojnë disa kufizime se si mund të likujdohen pasuritë e humbura. Për këtë nevojitet një ndërhyrje legjislative dhe shpresojmë se do t’i arrijmë. Kam parë shumë aktivitet në Kongres dhe me zyrën tonë për marrëdhëniet me legjislativin. Jam optimist se do të ecim përpara me këtë. Është qartësisht një prioritet dhe një prioritet që përjetohet thellë nga njerëzit në mbarë spektrin në Shtetet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Dhe sapo t’ju jepet autoriteti, ju mund të filloni transferimin e fondeve për në Ukrainë. Sa shpejt mund të ndodhë kjo?
Andrew Adams: Me dhënien e këtij autoriteti, teorikisht do të jemi në gjendje të transferojmë pasuritë e shpronësuara drejt Ukrainës. Parimi këtu është që të mos shmangim procesin e duhur. Ideja është që të sigurohemi se kemi një mekanizëm të caktuar me ligj për t’i lëvizur dollarët nga pika A në pikën B, pasi është kryer një proces i duhur ligjor.
Zëri i Amerikës: Por nuk keni ndonjë pasuri për të cilat është dhënë vendim shpronësimi i formës së prerë?
Andrew Adams: E saktë. Në muajt e parë të grupit të punës janë bërë sekuestrime, hapje çështjesh gjyqësore, por ky është një proces që mund të kërkojë më shumë kohë.
Zëri i Amerikës: Ndihmojeni audiencën tonë që të kuptojë se si e bëni punën tuaj, si identifikoni pasuritë që do të konfiskohen. Departamenti i Thesarit ka publikuar lista sanksionesh për entitete dhe individë, dhe më duket se janë mbi njëqind. A merrni shtysë nga këto lista? A janë këta individë dhe entitete duke u hetuar nga grupi juaj i punës?
Andrew Adams: Kemi një përqasje me dy fronte. E para është që të mendojmë për objektivat parësore të lidhura me entitete dhe individë që gjenden në Listën e Sanksioneve OFAC (Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja) si dhe Listën e Entiteteve të Departamentit të Tregtisë… Përtej kësaj, po shqyrtojmë lehtësuesit, persona që nuk gjenden domodoshmërisht në këto lista, por që ofrojnë mundësinë për t’i shmangur sanksionet, që ofrojnë mundësinë për pastrim parash dhe hapësira të reja.
Zëri i Amerikës: Si i identifikoni këta lehtësues?
Andrew Adams: Në disa mënyra. Kemi përqasjen që ka çdo grup pune për krimin e organizuar. Kërkojmë burime konfidenciale. Flasim me dëshmitarë. Bisedojmë gjithë kohës me sektorin privat për të marrë tregues paralajmërues për problemet. Dhe përdorim të gjitha mjetet në dispozicion të një hetimi për krimin e organizuar. Bëhet fjalë për urdhëra kontrolli. Mbledhim të dhëna me urdhër gjykate. Mbledhim të dhëna me metoda të aktivitetit të zbulimit për shembull, pra vërtet çdo mjet që na ofrohet për të krijuar dosjet.
Zëri i Amerikës: Duke qenë se numri i entiteteve dhe individëve të sanksionuar është shumë i madh, duhet të keni shumë hetime që shpesh ndërlidhen dhe mbivendosen njëkohësisht. A mund të më jepni një tregues se sa hetime janë në vazhdim?
Andrew Adams: Ah, dhjetëra, dhjetëra në çdo moment. Është e rëndësishme të theksojmë se grupi i punës merr shtysë nga angazhimi i vazhdueshëm i Departamentit të Drejtësisë për të luftuar kleptokracinë. Pra ka patur dhe ka çështje ku persona që janë brenda kuadrit të punës sonë kanë qenë në vëmendje prej kohësh. Dhe këto çështje janë vërtet të pjekura në disa raste… Pra prokurorë në mbarë vendin, qindra prokurorë që kanë menduar për këtë problem prej vitesh, tani po përqëndrohen, ndihmohen dhe po u jepen burimet për të mbështetur përpjekjet e tyre, dhe po përkrahen nga një bashkëpunim ndërkombëtar në një nivel të paprecedent. Por, çfarë do të thotë kjo, është se dhjetëra çështjet që kanë ekzistuar, po plotësohen tashmë me dhjetëra, vërtet dhjetëra çështje të krijuara që nga fillimi i grupit të punës dhe ne tashmë shohim një rritje të konsiderueshme të burimeve dhe të reflektimit të këtyre përpjekjeve në vende të tjera.
Zëri i Amerikës: Veprat penale financiare, hetimet e krimit të organizuar dihet se kërkojnë shumë kohë. A i keni ju burimet për ta përshpejtuar procesin për të prodhuar rezultate ndërkohë që lufta vazhdon?
Andrew Adams: I kemi sot dhe kjo është përgjithësisht për shkak se kemi bashkëpunim ndërkombëtar në një nivel të pahasur më parë. Bota e një viti më parë dukej shumë më e ndryshme nga ç’duket sot, për sa i përket legjislacionit tonë krahasuar me ligjet e partnerëve tanë evropianë, partnerëve tanë në Britani, partnerëve tanë në mbarë globin. Sot, ekzistenca e regjimit të sanksioneve në këto vende partnere që i ngjason regjimit tonë të sanksioneve, na jep mundësinë të dërgojmë një kërkesë për kontroll, një kërkesë për arrest, një kërkesë konfiksimi në vende partnere që e njohin menjëherë vlefshmërinë e saj si të zbatueshme bazuar në ligjet e tyre. Kjo përshpejton shumë proceset tona si për hetimet dhe për ndërmarrjen e masave dhe kjo është arsyeja përse gjatë periudhës së shkurtër të ekzistencës së grupit të punës kemi parë kaq shumë suksese në mbarë globin.
Zëri i Amerikës: A ka aleatë të Shteteve të Bashkuara apo vende të tjera që shquhen në veçanti për sa i përket zbatimit energjik të sanksioneve dhe nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit me të cilin janë angazhuar?
Andrew Adams: Do të thoja dy gjëra për këtë. Ka sigurisht partnerë të hershëm që vazhdojnë të jenë jetikë për këtë përpjekje. Tek Britania dhe tek vendet anëtare të BE-së, shohim bashkëpunim real për raste të shumta që ndihmojnë punën e mbarë departamentit. Por tashmë është kushtuar vëmendje e veçantë ndaj këtij problemi dhe kjo vetëm sa është forcuar gjatë 10 muajve të fundit që kemi bërë këtë punë. Gjithashtu gjejmë ndonjëherë partneritet që bie më pak në sy në pjesë të botës që mendoj se janë perceptuar tradicionalisht si më të vështira për të vepruar në kontekstin e agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, jo aq e dukshme sa ç’janë proceset hetimore. Por shohim tregues bashkëpunimi dhe ndonjëherë ndarje informacioni që i lehtëson dhe ndonjëherë i mundëson konfiskimet dhe hetimet tona.
Një ndër gjërat që ka marrë përsipër grupi i punës është që të krijojë dosje për rastet kur konstatojmë diçka, dhe për të folur publikisht sa më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur për hetimet tona, kur konstatojmë një problem. Pra kemi bërë publike padi që janë për situata më agresive se politika e zakonshme e Departamentit të Drejtësisë për të publikuar paditë. Dhe qëllimi është që të jepet një pamje më e qartë dhe një trajektore për hetimet tona, në mënyrë që personat në sektorin privat, në banka dhe kompani siguracioni, në kompani transporti detar, në shërbimet e aviacionit, të shohin punën tonë, të shohin si e kemi ndërtuar çështjen, të shohin emrat e entiteteve dhe strukturat e kompanive guackë, personat fiktivë që përdoren si mbulesë, dhe të marrin hapat e tyre për t’i përjashtuar këta persona dhe këto entitete nga sektori legjitim financiar, edhe në rastet kur nuk gjejmë bashkëpunim në ndonjë territor të caktuar.
Zëri i Amerikës: Për sa i përket objektivave të hetimeve tuaja, nuk po hetoni vetëm elitën ruse, oligarkë rusë me lidhje me Kremlinin. Ukraina ka pjesën e saj të oligarkëve të korruptuar, ashtu siç ka Bjellorusia, një aleate e Rusisë. Më 7 dhjetor, Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave ndaj oligarkut ukrainas Andrii Derkach. A mund të flisni për këto raste? Sa përqëndrohet grupi juaj i punës tek oligarkët jo-rusë që kanë ndihmuar Kremlinin?
Andrew Adams: Në epiqendër do të thoja se është regjimi politik në Kremlin. Nuk është program me një kombësi të përcaktuar. Ka raste amerikanësh, shtetasish britanikë që bërë objekt dhe janë arrestuar në këtë kuadër. Problemi në këtë drejtim është global.
Diçka tjetër që doja të vija në dukje është se oligarkët janë ndoshta ndër objektivat më të dukshëm dhe për të cilët flasim më shumë publikisht. Por nuk kjo nuk reflekton gamën e plotë të objektivave tona. Personat që ndodhen në listën e sanksioneve OFAC shtrihen shumë përtej të qenit oligarkë të pasur. Në disa raste, bëhet fjalë për kompani të caktuara që janë jetike për ushtrinë ruse dhe shërbimet ruse të zbulimit. Në disa raste, bëhet fjalë për persona me lidhje të forta politike brenda sferës së influencës së Kremlinit, të cilët mund të mos jenë miliarderë, por që i kemi parasysh kur flasim për oligarkët.
Zëri i Amerikës: Zoti Derkach nuk mund të jetë i vetmi ukrainas apo oligark rus me pasuri të paligjshme që shkel sanksionet e Shteteve të Bashkuara në territorin amerikan. E di që nuk mundeni të flisni për hetimet në vazhdim, por a po i shqyrtoni këta persona në Shtetet e Bashkuara? Sa prej këtyre rasteve po i hetoni?
Andrew Adams: Po. Po shqyrtojmë persona dhe pasuri që gjenden në Shtetet e Bashkuara, për sa i përket oligarkëve që mund të kenë pasuri në Shtetet e Bashkuara të përfituara nga shkelja e sanksioneve. E patë rishtazi rastin Derkach, kur akuza për të ka radhitur një listë pasurish, në disa raste pasuri të patundshme shumë ekstravagante, si pasuri e konfiskueshme. Pra po e shqyrtojmë këtë aspekt në Shtetet e Bashkuara. Por, pika tjetër që mendoj se duhet patur parasysh për të kuptuar shtrirjen ndërkombëtare të asaj që po bëjmë, është se Shtetet e Bashkuara kanë patur një regjim energjik sanksionesh ndaj oligarkëve rusë të paktën që nga viti 2014, në përgjigje të pushtimit fillestar të Krimesë.
Që nga ajo kohë, kjo ka qenë në fokusin e pjesëve të ndryshme të Departamentit të Drejtësisë… Dhe si rezultat për pjesën më të madhe të një dekade, Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë një territor miqësor për oligarkët rusë në listën e sanksioneve, ku mund të dërgonin paratë e tyre apo të mbanin pasuri të patundshme. Shohim përpjekje për t’i shmangur këto sanksione amerikane për shkak se Shtetet e Bashkuara janë një vend tërheqës për të mbajtur prona jashtëzakonisht të mira të patundshme, dhe për t’i mbajtur llogaritë bankare në një ekonomi të qëndrueshme. Por gjatë pothuajse një dekade ato janë shndërruar në objektiv. Dhe si rezultat… shumë nga këto pasuri kanë tendencën të mbahen në vende të tjera dhe veprimet tona duhet të shtrihen në rrafshin ndërkombëtar.
Zëri i Amerikës: Keni qenë aktiv në këtë drejtim prej disa vitesh, duke hetuar vepra penale financiare dhe aktorë malinj të lidhur me Kremlinin. Kritikët thonë se me problemin duhet të ishim përballur kohë më parë dhe se u desh sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës që Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate të përqëndroheshin vërtet tek ky problem. Cila do të ishte përgjigja juaj?
Andrew Adams: E di me siguri se brenda Departamentit të Drejtësisë ka patur persona të përkushtuar këtij problemi prej vitesh. Kjo ka qenë prioritet në njësinë kundër pastrimit të parave. Në Departamentin e Drejtësisë ekziston prej një dekade tashmë një njësi kundër kleptokracisë me ekspertizë për Ukrainën, që ka patur suksese domethënëse. Diferenca krahasuar me një vit më parë është tashmë aftësia për të vepruar ndërkombëtarisht. Vendosja e sanksioneve nga vendet e tjera, bërja e tyre pjesë e kodit të tyre penal, ndryshon gjithçka për Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, mund të jemi në gjendje të hetojmë dhe t’i kemi pothuajse gati shumë prej këtyre çështjeve, pa mundësinë e bërjes së veprimeve jashtë vendit, apo hapave jetikë hetimorë, me përjashtim të rastit kur ligjet tona reflektohen në një masë të madhe në vende të tjera.
Gjatë muajve të fundit, kemi parë miratime ligjesh të këtilla në vende të tjera në përmasa të pahasura më parë. Po thyhet një barrierë e madhe në këtë drejtim. Me këtë rikonfigurim të pahasur më parë, po shohim një numër të paprecedent arrestimesh dhe konfiskimesh.
Zëri i Amerikës: Cili ka qenë roli i qeverisë ukrainase në gjithë këtë?
Andrew Adams: Nga këndvështrimi im, ndërveprimi me qeverinë ukrainase ka qenë krejtësisht mbresëlënës.
Që kur mora këtë rol, kam qenë në kontakt me homologët në Ukrainë në Ministrinë e Drejtësisë dhe zyrën e tyre të prokurorit të përgjithshëm. Duhet të vlerësojmë së tepërmi përpjekjet dhe angazhimin e këtyre burrave dhe grave gjatë muajve të fundit, që punojnë nga strehime të nëndheshme, që punojnë nga pikat ku janë evakuuar, apo edhe që janë kthyer në Kiev për ta vazhduar punën. Po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Por ajo çfarë bëjnë për sa i përket punës tonë, është se vazhdojnë të drejtojnë hetime për një sërë objektivash të ndërthurura, po shqyrtojnë oligarkë dhe individë të futur në listën e sanksioneve. Dhe lehtësojnë hetimet tona duke mbledhur informacion, duke ofruar informacion aty ku është i dobishëm dhe duke i mundësuar Shteteve të Bashkuara që të ndërmarrim veprimet e duhura për të ndihmuar Ukrainën. Në të njëjtën kohë, ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është që ta bëjmë të disponueshëm informacionin dhe mundësitë për Ukrainën që të arrijë suksese sipas ligjeve të saj, kur shikojnë se ekzistojnë mundësinë për të vepruar atje.
Zëri i Amerikës: Grupi i punës ka qenë një pjesë jetike e përgjigjes së administratës së Presidentit Biden ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë. Çfarë ndikimi mendoni se keni patur tek kapacitetet në fushëbetejë të Rusisë?
Andrew Adams: Mendoj se kemi parë sigurisht një rënie të aktivitetit ekonomik në përgjithësi. Shohim se njerëzit nga vende perëndimore po tërheqin me shpejtësi investimet nga Rusia, pjesërisht për shkak të përgjegjësisë morale dhe etike. Pjesërisht mendoj për shkak se i shikojnë sanksionet si në thelb të pashmangshme nga pikëpamja financiare. Aspekti tjetër që mendoj se ka qenë veçanërisht me ndikim janë jo vetëm sanksionet ekonomike, por ato ndaj eksporteve. Autorizimi i Departamentit të Tregtisë për të ndalur importin e gjysmëpërçuesve, importin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë që mund të përdoret për prodhimin e armëve të teknologjisë së lartë dhe municionit. Kjo mendoj se ka një ndikim të vërtetë tek ushtria ruse. Në thelb, çdo herë që ndalim dërgimin e një gjysmëpërçuesi, çdo herë që ndalim dërgimin e një plumbi në Rusi, kemi shpëtuar një jetë.
Zëri i Amerikës: Dhe për sa i përket të ardhmes. Çfarë roli shikoni për grupin e punës në periudhën e pasluftës?
Andrew Adams: Jemi përqëndruar plotësisht tek kjo emergjencë e caktuar në këtë periudhë kohore. Mendoj se kemi nxjerrë mësime se si ta ngrejmë një përgjigje emergjente në nivelin e një përpjekjeje vërtet shumëpalëshe sanksionesh, që mund të rezultojë e dobishme në kontekste të tjera. Por përqëndrimi ynë ka qenë plotësisht tek Rusia dhe do të vazhdojë të jetë kështu.
Marrë nga VOA