Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën më 5 dhjetor 2022 të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik Florian Ballhysa, për kryerjen e një analize financiare lidhur me burimet e krijimit të pasurisë së gjyqtares së Apelit Tiranë, Elona Toro. Vendimi u mor pasi Kolegji u njoh me parashtrimet e palëve dhe çeli hetimin gjyqësor duke administruar si prova aktet e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit.
Komisioneri e konsideroi të paplotë hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë, konkretisht për mundësinë e personave të tjerë të lidhur për një hua dhe dhurimet e kryera. Toro këmbënguli se analiza duhet të kryhet vetëm për vlerën e dhënë hua apo ato të dhuruara, ndërkohë që renditi një numër të madh aktesh dhe dokumentesh me të cilat pretendoi se vërteton ligjshmërinë e burimeve të personave të tjerë të lidhur.
Në seancë u bë me dije se ndaj subjektit i kishin mbërritur 13 denoncime, por Komisioneri Publik u shpreh se nuk kishte gjetur të dhëna për t’i bërë pjesë të ankimit. Po ashtu, edhe Kolegji çmoi se nuk përmbushin kriteret për zhvillimin e hetimeve të mëtejshme.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro u konfirmua me shumicë votash në detyrë më 17 qershor 2020, pasi kryesuesja e trupës, Firdes Shuli dhe relatorja Pamela Qirko u bindën nga shpjegimet e saj.
Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja arsyetoi në favor të shkarkimit, duke vlerësuar se Toro kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.
Kontestimi kryesor lidhet me burimet financiare të deklaruara për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 112.7 m2 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro. Në deklaratën veting, subjekti ka shënuar si burime shumën 5.8 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në bashkëpronësi me të atin në vitin 2009; hua në vlerën 45 mijë euro të marrë nga miku i bashkëshortit në korrik 2008; 5 milionë lekë kredi të marrë në shkurt 2011 dhe 1 milion e 980 mijë lekë të përfituara nga nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor në mars 2006. Në vitin 2009 ka deklaruar si burim edhe shumat 6.000 euro dhe 4.000 USD të tërhequra nga llogaria bankare e babait të saj.
Në vendimin e shumicës në KPK argumentohet se “bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit si dhe në mungesë të indicieve të besueshme për fshehje të pasurisë”, u krijua bindja se babai i subjektit ka pasur burime të mjaftueshme për krijimin e shumave 6 mijë euro dhe 4 mijë USD.
Por Komisioneri Publik argumentoi në ankim se ky përfundim nuk përputhet me aktet e dosjes dhe se metodologjia e ndjekur mbi llogaritjen e shpenzimeve të jetesës së babait të subjektit nuk mbështetet në jurisprudencën e Kolegjit apo në vendimet e mëparshme të vetë Komisionit. Ballhysa ngriti pikëpyetje edhe mbi metodologjinë e ndjekur për të analizuar mundësinë financiare të huadhënësit – mik me bashkëshortin e subjektit të rivlerësimit, duke argumentuar se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e dokumentuara.
Edhe gjatë parashtrimeve të hënën, Ballhysa i qëndroi ankimit duke kërkuar hetim të mëtejshëm për pasuritë e subjektit të pasqyruara në deklaratën “veting”. Ai kërkoi që të verifikohen mundësitë e personave të tjerë të lidhur për huadhënien dhe dhurimet.
Komisioneri kërkoi që veç për apartamentin, të rikryhet analiza financiare lidhur me mundësinë e babait të bashkëshortit të subjektit për dhurimin e një shume 10 mijë euro që ka shërbyer për blerjen e një vendparkimi, kundrejt çmimit 12 mijë euro.
Parashtrimet për burimet
Sipas komisionerit, përllogaritja e KPK lidhur me mundësitë e huadhënësit A.LL. nuk është e rregullt dhe e qartë, pasi duheshin bazuar në aktet e administruara. Sipas tij, të ardhurat janë përllogaritur prej vitit 1994, ndërsa shpenzimet për periudhën 2000-2009 dhe për një person, ndërkohë që familja e huadhënësit ishte e përbërë nga disa individë.
Edhe për dhurimet nga babai i subjektit në vlerat 6.000 euro dhe 4.000 USD Ballhysa vërejti se KPK nuk e ka kryer verifikimin bazuar në situatën faktike. Komisioneri kërkoi që në analizë të përfshihen edhe investimet në pasuri të paluajtshme dhe në depozita bankare, pasi duket se nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme.
Ndërsa për dhurimin e kryer nga babai i bashkëshortit të gjyqtares Toro, u konstatua se nuk është evidentuar analiza financiare për këtë person tjetër të lidhur. Ballhysa vërejti se të gjitha dhurimet e kryera nga vjehrri i subjektit arrijë në shifrën rreth 3.3 milionë lekë dhe kërkoi që të bëhet analiza finaciare për mundësitë e tij.
Lidhur me dhurimet e babait të saj, Toro pretendoi se vlerat janë dhënë në një hark kohor më të gjatë. Ajo kërkoi që të verifikohet vetëm mundësia e krijimit të shumës së dhuruar dhe jo analiza e gjithë të ardhurave dhe shpenzimeve të babait të saj.
Toro deklaroi se babai ka pasur të ardhura nga pensioni dhe qiradhënia e një apartamenti. Sipas saj, për një periudhë ka dorëzuar dokumentacion se janë paguar detyrimet për të ardhurat nga qiraja. Për periudhën e mëparshme ajo pretendoi si prova dokumentacionin që vërteton shpenzimet utilitare për ujin dhe energjinë elektrike në apartamentin ku ka jetuarbabai dhe në atë të dhënë me qira, që sipas saj konfirmonte këtë marrdhënie.
Ajo solli në vëmendje ndryshimet e përllogaritjes së INSTAT për shpenzimet jetike në vitin 2007, duke i konsideruar jo reale dhe kërkoi që të konsiderohet 2/3-at e këtyre shpenzimeve. Toro paraqiti përllogaritje të detajuar për të ardhurat e pretenduara se janë përfituar nga babai i saj, duke këmbëngulur se ai rezulton me balanca pozitive dhe ka pasur mundësi për dhurimet e kryera.
Lidhur me depozitat bankare për të cilat u kërkuan verifikim nga ana e Ballhysës, subjekti pretendoi se nuk i përkisnin babait të saj. Ajo shpjegoi se i ati ishte kujdesuar për vajzën e nipit të tij. Sipas Toros, nipi të atit ishte në moshë të madhe dhe jetonte në Gjirokastër, prej nga nuk mundej të ndiqte vajzën gjatë shkollimit të saj universitar.
Ajo pretendoi se vlerat në depozita i përkisnin nipit të babait, i cili ia kishte lënë që t’ia jepte vajzës së tij kur t’i nevojiteshin. Subjekti deklaroi se kushëriri i saj kishte përfituar dëmshpërblim në vlerë të konsiderueshme si ish i persekutuar politik dhe nisur nga fakti se ishte bërë me vajzë në moshë të madhe, ishte kujdesur që ajo të mos dispononte likujditete në vlera të mëdha dhe pasuritë që do t’i trashëgonte, pa mbushur moshën 20 vjeç.
Toro pohoi se gjatë viteve të studimeve nuk kishte pasur emergjenca dhe se ato vlera i ishin kaluar mbesës pasi kishte ndërruar jetë babai i saj.
Subjekti pretendoi se kishte arritur të provonte se vjehrri kishte pasur burime të ligjshme për dhënien e shumës 10 mijë euro për blerjen e garazhit. “Sikurse kam shpjeguar, babai i bashkëshortit ka trashëguar disa prona nga gjyshi, përfshi edhe një vilë nga më të dëgjuarat në Tiranë, e dhënë me qira dhe me pas është shitur”, sqaroi Toro dhe u shpreh se nëse do të përllogariten të gjitha të ardhurat që vjehrri ka përfituar nga qiradhënia e pasurive që zotëron si dhe nga tjetërsimi i tyre, rezulton me bilanc pozitiv.
Subjekti theksoi se huadhënësi i vlerës 45 mijë euro, shtetasi A.LL. kishte pasur një ekonomi të shëndetshme. Ajo këmbënguli se familjarët e tij nuk mund të ishin persona të tjerë të lidhur dhe se për këtë arsye nuk mund të kryhej analiza e tyre. “Vetëm në këtë format jepet siguria juridike e duhur”, pohoi Toro dhe sqaroi se huadhënësi ishte djalë i vetëm dhe menaxhonte gjithë pasuritë e familjes, për lehtësi veprimi.
Toro deklaroi se prindërit e huadhënësit pas viteve ’90 kishin përfituar prona të konsiderueshme në cilësinë e ish-trashëgimtarëve. Ajo vërejti se për shkak të kohës së gjatë nuk disponohet një pjesë e dokumenteve për të ardhurat e siguruara nga qiradhënia e pronave dhe se për këtë arsye i kishte paraqitur me rezervë në analizë.
Ajo pretendoi se huadhënësi ka pasur shumë më shumë të ardhura nga sa janë dokumentuar dhe se kishte depozituar dokumente të reja nga ato të dorëzuara më parë në KPK, mes tyre edhe një kontratë për qiradhënien e një magazine. Toro shtoi se huadhënësi ka zotëruar pasuri në qendër të Tiranës që i ka dhënë me qira, si dhe kishte pasur aktivitet tregtar nga kishte gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi se gjendej në pamundësi objektive për sigurimin e një pjese të dokumenteve që vërtetonin gjithë të ardhurat e huadhënësit ndër vite. “Nuk mund të penalizohesh kur vetë shteti pranon të meta dhe informalitet”, argumentoi ajo dhe këmbënguli se huadhënësi kishte pasur në çdo kohë burime të ligjshme të mjaftueshme për dhënien e shumës 45 mijë euro.
Në vijim Toro dha sqarime lidhur me shpenzimet e familjes së saj për udhëtimet. Ajo pohoi se kur kishin pasur shpenzime i kishin deklaruar, ndërsa pretendoi se kishin qëndruar edhe tek të afërmit.
Në përfundim, Kolegji çeli hetimin gjyqësor, administroi provat e dorëzuara nga subjekt dhe me shumicë votash vendosi të kryejë analizë financiare paraprake, rezultatet e së cilës do t’u njoftohen palëve brenda datës 15 dhjetor. Seanca e ardhës u shty për më datë 21 dhjetor, në orën 10:00./ BIRN