Amant Josifi, miku i afërt i Olsi Ramës dhe ish-këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes, në kohën kur dikasteri në fjalë drejtohej nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, është “koka” kryesore e mashtrimit me kriptovalutat nga Call Center-at në Shqipëri, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle.
Më 8 dhe 9 nëntor Garda Civile spanjolle mësyu në disa call-centera në Elbasan, Vlorë e Tiranë, në kudar të një operacioni ndërkombëtar, të mbështetur nga Eurojust dhe Europol.
Në kuadër të hetimit ndërkombëtar janë identifikuar disa rrjete kriminale që qëndrojnë pas më shumë se 470 faqeve interneti mashtruese të investimeve në kriptomonedha, ndërsa në Shqipëri Bullgari, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë u kontrolluan 15 qendra telefonike dhe u arrestuan 5 të dyshuar.
Katër prej personave të vënë në pranga, dy prej të cilëve Spanja kërkoi edhe ekstradimin, janë nga Shqipëria.
Por emri i Josifit u zbulua vetëm pas një artikulli të thelluar investigativ të medias prestigjoze spanjolle “El Pais”, ndërsa më herët ishte denoncuar edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha se e kishte ngritur skemën e mashtrimit prej miliarda eurosh, me mbrojtjen e vëllait të kryeministrit Rama.
Edhe ditën e djeshme gjatë një takimi me demokratët e njësive 1 dhe 3 në Tiranë, Berisha komentoi urdhër-arrestin për Josifin, duke thënë se call center-at patronohen nga Olsi Rama.
“Këtu kam denoncuar vjedhjet që po bëhen me bitcoin. Këtu kanë zbarkuar policitë e vendeve të BE-së, sepse rrjeti i ‘call center’-ave i identifikuar tani të një biznesmeni që quhet Amant Josifi, biznesmen pushteti ai që ka mbulimin e plotë të Olsi Ramës, u ka vjedhur qytetarëve evropian 2.2 miliardë euro. Duke i joshur, duke i mashtruar, blini Bitcoin dhe vendoseni në këtë aplikacion se kompania jonë do ua vlerësojë 30% më shumë dhe ky Bitcoin kalon në kuletat e hajdutëve shqiptarë, konvertohet në lekë ose depozitohet në Emiratet e Bashkuara. Ky është një nga mekanizmat që Rama do t’ia kalojë edhe princit të Emirateve për pasuri. Alabbar është i pasur, por Rama në këtë mënyre do bëhet më i pasur se Alabbar”, tha Berisha.
Tanimë sipas “El Pais”, Spanja i është qepur pas Josifit duke lëshuar një urdhër-arresti, pasi akuzohet se është pjesë e një skeme që ka shkaktuar rreth 2.4 miliard euro dëm, ndaj mijëra qytetarëve nëpër Europë dhe më gjerë.
Në zbardhjen e detajeve nga operacioni grabitës përmes call-centerave, duke iu referuar avokatit Mauro Jordan që mbron interesat e 20 klientëve që kanë rënë pre e mashtrimit, gazeta zbulon se një të moshuare 80-vjeçare, “Call Centeri” i Josifit i ka marrë më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) pas investimeve në kriptovaluta.
Sa i përket Amant Josifit, ai është një emër i njohur për Shqipërinë, pasi prezantohet si biznesmen dhe ka qenë këshilltar i ministrit shqiptar të Mbrojtjes deri në vitin 2020.
Ai gjithashtu është themelues i “APA-LIAISON Ltd” në vitin 2012, i ndjekur nga “EUROPE SERVICE GROUP Ltd”, “MCN SERVICES Ltd”, dhe të tjera kompani.
Artikulli i “El Pais”:
Duke përdorur Call-Centera që punojnë në 24 orë të plota me bazë në Ballkan, një rrjet ndërkombëtar i kriptomonedhave ka mashtruar më shumë se 200,000 persona në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.
Shpërthimi global i skemës tani është ekspozuar nga një hetim i koordinuar që përfshin policinë nga shtatë vende. Policia spanjolle përgjoi 3 milionë e-maile që u mundësuan hetuesve të identifikonin dhe lidhnin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga call-centera, platformat teknologjike dhe bizneset.
Nga analiza e të gjitha e-maileve që përfundojnë me domenin e nivelit të lartë për Spanjën (.es), policia vlerëson se mund të ketë të paktën 17,000 viktima të mundshme vetëm në shtetin iberik. Ky numër nuk përfshin njerëzit me e-mail që mbarojnë me (.com), të cilët mund të jenë mashtruar nga një rrjet global që po ndryshon vazhdimisht formë dhe po rishpik veten.
Sipas burimeve policore, kriminelët kanë grumbulluar 2.5 miliardë dollarë (2.4 miliardë euro) nga qindra mijëra viktima në mbarë botën.
Eurojust (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) po koordinon hetimin e paprecedentë me shtatë vende evropiane që së fundi kryen bastisje të njëkohshme në call centera me bazë në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Ukrainë.
“Këto organizata u krijuan fillimisht në Izrael dhe Evropën Lindore. Pak nga pak, ata filluan të lidhen me njëri-tjetrin dhe u rritën”, tha Mauro Jordan, një avokat që përfaqëson rreth 20 persona në çështjen ligjore që ndezi hetimet në Katalonjë (Spanja verilindore).
Te grupi i klientëve të tij përfshihet një grua 80-vjeçare, e cila humbi më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) duke investuar në kriptovaluta të ruajtura në kuletat dixhitale, tek të cilat ajo kurrë nuk pati qasje.
“Këto organizata shumë të mëdha dhe të lidhura ngushtë po krijojnë dhe fshijnë vazhdimisht faqe interneti, dhe po hapin dhe mbyllin kompani“, shtoi Jordan.
“EverFX” është një nga markat ndërkombëtare nën shqyrtim. Ajo operoi në Spanjë si ICC Intercertus Capital (e regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të Qipros) dhe sponsorizoi ekipin e futbollit të Seviljes (Spanja jugore) për tre sezone.
Kur EL PAÍS pyeti ICC Intercertus (tani i quajtur Harindale Ltd. dhe në pronësi të Oryx Group) për hetimin e EverFX, kompania hodhi poshtë çdo njohuri për hetimin. Autoriteti i Sjelljes Financiare të Mbretërisë së Bashkuar i ndaloi Intercertus ICC dhe EverFX në vitin 2021 të ofronin shërbime financiare të rregulluara për banorët e Mbretërisë së Bashkuar.
Për katër vitet e fundit, policia rajonale dhe kombëtare spanjolle ka zbërthyer rrëmujën e faqeve të internetit, domeineve, platformave dhe emrave pas skemave mashtruese të investimit në tregjet e kriptovalutave, mallrave dhe produkteve të tjera financiare.
Autoritetet e zbatimit të ligjit katalanas kanë postuar publikisht një listë të 470 faqeve të internetit të supozuara mashtruese, duke përfshirë disa domeine të “EverFX” dhe “Intercertus”.
Një zëdhënës nga Komisioni Kombëtar i Tregut të Letrave me Vlerë i Spanjës tha se rregullatori do të analizojë të gjitha të dhënat e policisë në faqet e internetit të supozuara mashtruese përpara se të ndërmarrë veprime. Lidhur me kompanitë e licencuara nga vende të tjera të BE-së, Komisioni ka autoritet vetëm të njoftojë vendin licencues.
Burimet policore thonë se është për të ardhur keq që Qiproja e ka lejuar veten të përdoret nga grupet që kërkojnë një shtresë legjitimiteti për të kryer mashtrime në të gjithë Evropën.
Autoritetet spanjolle morën pjesë në bastisjen e call centera-ve shqiptare, burimi kryesor i thirrjeve të marketingut për viktimat në gadishullin Iberik. Një urdhër-arresti është lëshuar për Amant J., një pronar call-centeri me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, i cili është edhe këshilltar i Ministrisë së saj të Mbrojtjes.
Në Gjeorgji, autoritetet gjermane arrestuan Mikhail B., një kontribuues i madh i fushatës politike që zotëronte call centera dhe faqe interneti që synonin kryesisht qytetarët gjeorgjianë. Pavarësisht se ishte në luftë, policia ukrainase çmontoi gjithashtu call centera që punësonin më shumë se 800 njerëz.
Bastisja e koordinuar nuk kishte në shënjestër të gjithë shitësit individualë, ndërmjetësit që telefonojnë njerëzit natë e ditë për të nxitur mashtrimet e tyre.
“Legjislacioni i çdo vendi është shumë i ndërlikuar”, thanë burime policore.
Rrjetet kriminale janë të vendosura qëllimisht në vendet e Ballkanit, sepse është më e vështirë për policinë të ndërmarrë veprime atje. “Nëse ata do të ishin lokalizuar në Spanjë, do të kishim mundur t’i arrestonim fare lehtë”, thanë autoritetet spanjolle, të cilët shtuan se individët që bëjnë këto thirrje shitjeje janë plotësisht të vetëdijshëm për mashtrimet.
“Disa prej tyre mund të fitojnë 20,000 deri në 30,000 € në muaj”, thanë burime në industrinë e call centera-ve.
Si shembull, policia spanjolle shfaqi një foto të postuar në një llogari të mediave sociale EverFX të një punonjësi që mbante një certifikatë çmimi “Ali Baba dhe 37 hajdutët“.
“Shpesh pyes veten se si mund të më ndodhë kjo“, tha Carlos (jo emri i tij i vërtetë).
Biznesmeni 61-vjeçar me bazë në Madrid mësoi fillimisht për një nga platformat mashtruese të investimeve në Facebook dhe shumë shpejt u fiksua me to. Ashtu si gjithë të tjerët, ai filloi me pak dhe investoi vetëm 260 dollarë (250 euro), por më pas telefonatat e përditshme nga shitësit bindës e shtynë atë të investonte 63,000 dollarë (60,000 euro).
Kur ai u përpoq të nxirrte paratë e tij, kjo ishte e pamundur. Policia thotë se paratë nuk investohen kurrë dhe të dhënat dhe grafikët që klientët shohin në faqet e internetit janë të rreme.
“Janë të gjitha para të humbura”, tha një Carlos i mërzitur, i cili përmend gjithashtu dëmin moral dhe psikologjik të mashtrimit.
Katër vjet më vonë, Carlos ende merr thirrje shitjesh nga mashtruesit. “Të dhënat e mia janë atje”, tha ai.
Sipas burimeve të industrisë, informacionet personale blihen dhe shiten rregullisht nga të gjitha organizatat kriminale.
Josep (jo emri i tij i vërtetë) gjithashtu vazhdon të marrë telefonata për shitje nga call-centera.
“Sot mora një mesazh në WhatsApp nga dikush që thotë se po i ndihmojnë njerëzit të rikuperojnë paratë që kanë humbur”, tha ai. Ky është një tjetër mashtrim, i krijuar shpesh nga të njëjtët kriminelë që përfaqësojnë veten si avokatë dhe paguajnë një tarifë për rikuperimin e investimeve të “bllokuara”.
“Unë i besova vetë dhe shkoi keq”, tha një nëpunës civil nga Tarragona (Spanja verilindore) me një përvojë në tregtimin e aksioneve. Në vitin 2018, ai u regjistrua në një nga faqet e internetit, i joshur nga kthimi tërheqës i investimit që iu premtua. Një ndërmjetës shpejt u bë miku i përditshëm i telefonit të Josepit dhe e bindi atë të investonte gjithnjë e më shumë para.
Ndërsa investimi i tij rritej, Josep kërkoi një takim ballë për ballë me ndërmjetësit në zyrat e tyre.
“Ata më thanë se e bënë këtë vetëm me klientë të nivelit të lartë që investuan më shumë se një milion”, zbuloi ai.
Josep hoqi dorë nga kthimi i 100,000 eurove pasi dërgoi një të afërm për të kontrolluar adresën në Londër të kompanisë me të cilën kishte të bënte. “Ishte një dyqan rrobash“, shtoi ai.
“Ndihesh keq që ke kaq besim“, tha Josep, i cili gjithashtu fajëson Komisionin Kombëtar të Tregut të Letrave me Vlerë se nuk ishte më i dobishëm kur telefonoi për të pyetur për viktima të tjera të të njëjtit mashtrim.
“Ata nuk më thanë asgjë sepse nuk mund të zbulonin informacionin e njerëzve të tjerë”, tha ai.
“Mungon ndërgjegjësimi i publikut për këto mashtrime”, thotë avokati Mauro Jordan, edhe pse ato janë të përhapura dhe kanë lënduar rëndë mijëra njerëz, shumë prej tyre pensionistë.
“Vuajtjet që ata kanë shkaktuar nuk janë të njohura. Disa rrethana individuale janë mjaft dramatike”, tha Jordan, i cili dëshiron të shohë më shumë përfshirje nga rregullatorët spanjollë. Ndërkohë, hetimi ndërkombëtar mbetet aktiv.
Burimi: El Pais/ Përshtati: Boldnews.al