Nga Boldnews.al
Pas shtyrjes së seancës së fundit, Gjykata e Apelit të Tiranës pritet të shqyrtojë këtë të Mërkurë (23.11.2022) kërkesën e Prokurorisë për lejimin e ekstradimit të shtetasit kinez, Liangbin Chen, i akuzuar nga autoritetet në Pekin se ka zhvatuar rreth 140 milionë euro, nëpërmjet mashtrimit të miliona qytetarë me anën e platformave on-line të basteve dhe kumarit.
Liangbin Chen u arrestua në mes të Korrikut në aeroportin e Rinasit, sapo kishte zbritur nga një udhëtim prej Dubait, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhëri i kërkimit ndërkombëtar nga Interpol Pekini.
Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij po zhvillohet në një situatë tensioni dhe presioni politik “nën zë”, pasi faktorë të rëndësishëm të jetës politike duket se nuk duan që Chen t’u dorëzohet autoriteteve kineze.
Në rast pranimi të kërkesës për ekstradim nga gjykatat, firma përfundimtare i mbetet Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Njerëz të besuar të tij në sistemin e drejtësisë, deri më tani kanë ndërmarrë veprime që shkojnë në favor të kinezit të kërkuar.
Në lojë ka hyrë edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që po kryen verifikime mbi shkelje procedurash, të paktën nga një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtare kanë treguar vëmendje të shtuar për këtë rast, ku dyshimet për korrupsion dhe ndikim politik në sistemin e drejtësisë janë mëse të dukshme.
Përpjekje për mos-ekstradim
Liangbin Chen u arrestua në 20 Korrik të vitit 2022, pasi kërkohej për ekstradim në Kinë. Çështja shkoi para gjyqtarit të Tiranës, Albert Meçe, i cili fillimisht vendosi masën e sigurisë “arrest me burg 40 ditë”, siç parashikon ligji.
Në fund të Gushtit, i arrestuari bën kërkesë për zbutjen e masës së sigurisë, nën argumentin se vuan nga një sëmundje, që i rrezikon jetën në kushtet e qelisë.
Procedura parashikon se kjo kërkesë duhej të shqyrtohej nga i njëjti gjyqtar që kishte dhënë masën paraprake. Por, gjyqtari Meçe ishte në periudhë pushimesh dhe shorti caktoi kolegun e tij, Kujtim Vranici, i njohur për lidhjet e forta me patriotin e tij dibran, Ulsi Manja.
Albert Meçe rikthehet nga pushimet, para se Vranici të shqyrtonte kërkesën Chen për zbutje mase. Në rastet normale, Vranici duhet të dorëzonte dosjen tek gjyqtari përgjegjës.
Por, siç konstatohet nga vendimi gjyqësor, Kujtim Vranici nuk hoqi dorë. Ky qëndrim nxiti prokurorinë e Tiranës që të kërkonte largimin e tij nga shqyrtimi i rastit.
Vranici vijoi shqyrtimin gjyqësor dhe zbuti masën e sigurisë për Chen, duke caktuara “arrest në shtëpi”.
Sjellja jo-proceduriale e gjyqtarit Vranici nxiti Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që të nisë verifikimet mbi shkeljet e mundshme ligjore. “Boldnews.al” mëson se ILD është ende në fazën e shqyrtimit të rastit dhe pritet së shpejti që të dalë në konkluzione.
Me vendimin e Vranicit në dorë, Liangbin Chen “vetë-arrestohet” në një vilë, në një prej komplekseve më luksozë të Tiranës, pranë qendrës tregtare “TEG”.
Prokuroria e kryeqytetit ankimoi vendimin e gjyqtarit Vranici në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku kërkonte rikthimin në burg të kinezit të akuzuar për mashtrim masiv.
Në seancën e parë gjyqësore në Apel, prokurorja Arta Marku, sërish një person i lidhur ngushtë me Ulsi Manjën, vendos të mos përkrahë ankimin e kolegëve të saj të shkallës së parë.
Në këto kushte, trupa gjykuese e Apelit, nën drejtimin e relatorit Genti Shala, detyrohet të lërë në fuqi “arrestin në shtëpi” për Liangbin Chen.
Dyshimet mbi Gjykatën e Apelit
Në vijim, autoritetet kineze i dërguan drejtësisë shqiptare dosjen kundër Chen dhe gjyqtari i Tiranës, Albert Meçe, i cili rimori sërish çështjen, vendosi lejimin e ekstradimit të tij, me një vendim të datës 14 Tetor 2022.
Mbrojtja e të akuzuarit ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit.
Procedura ligjore parashikon që çështja duhet të shqyrtohet nga i njëjti gjyqtar që ka shqyrtuar më herët edhe masën e sigurimit.
Çështja masës së sigurisë së Liangbin Chen në Gjykatën e Apelit u shqyrtua nga gjyqtari relator Genti Shala.
Pra, sipas procedurës, ai duhet të shqyrtonte edhe themelin e kësaj çështje-kërkesën për lejim ekstradimi.
Por, Gjykata e Apelit zhvillon short për zgjedhjen e gjyqtarit dhe rasti i caktohet një prej gjyqtareve të atij institucioni.
“Boldnews.al” mësoi pranë Gjykatës së Apelit që gjyqtarja e shortuar hoqi dorë nga procesi, me argumentin se rasti i Liangbin Chen duhet të gjykohet nga i njëjti që ka shqyrtuar edhe masën e sigurimit.
Përfundimisht, vendimi mbi kërkesën për ekstradimin e Liangbin Chen u rikthye tek gjyqtari relator, Genti Shala, i cili pritet të hapë procesin gjyqësor paraditen e kësaj të mërkure.
Akuzat mbi kinezin e kumarit
“Boldnews.al”, i cili ka raportuar më herët se aktiviteti i dyshuar kriminal i Chen ishin bastet on-line, ka zbuluar detaje mbi mënyrën se si ka vepruar “perandoria e kumarit”, referuar hetimeve të kryera nga autoritetet kineze.
Në vitin 2019, kinezi Liangbin Chen, rezident në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka krijuar në Dubai kompaninë “Hui Yuan”. Shoqëria kishte aktivitet kryesor krijimin e platformave të basteve on-line.
Në funksion të kësaj veprimtaria, Chen dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan disa faqe interneti bastesh dhe kumari, ndër të cilat “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card” dhe “A8 Entarteinment”.
Për të kryer aktivitetin, kompania ndërtoi një strukturë gjigande. Selia e saj ishte në Dubai, por thuajse të gjithë aktivitetin e basteve on-line e ka ushtruar me qytetarë-lojtarë kinezë. Konstrukti i shoqërisë ishte bazuar në katër shtylla kryesore ose departamente.
Departamenti i teknologjisë ishte përgjegjës për kërkimin, zhvillimin, testimin dhe mirëmbajtjen e “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card”, “A8 Entarteinment”, si edhe aplikacioneve të tjera të bixhozit, duke ofruar lojtarë virtualë të rremë, të krijuar në servera, të cilët u krijonin bindjen lojtarëve realë se po përballeshin me kundërshtarë të vërtetë.
Ky departament dyshohet se ka krijuar aplikacione, mbi bazën e të cilave kombinoheshin fitore e humbje të lojtarëve realë, me qëllim që t’i mbanin “lidhur” me faqet e tyre të kumarit dhe për të siguruar që grupi kriminal të siguronte përfitime të paligjshme.
Departamenti i Teknologjisë, krahas miërmbajtjes së sistemit elektronik të basteve, kryente edhe ndryshimin e herë pas hershëm të “domain-it” për shkarkimin e aplikacioneve të lojërave të kumarit, mbyllte apo integronte aplikacione të tjera, në mënyrë që të shmangeshin hetimet policore.
Por, më e rëndësishmja, këto ndryshime të shpeshta në aplikacion, krijonin pamundësi tek lojtarët që të tërhiqnin përfitimet e tyre.
Departamenti i dytë i kompanisë së krijuar nga Liangbin Chen, gjithnjë sipas hetimit të autoriteteve kineze, ishte ai Operacional.
Ky Departament ishte përgjegjës për veprimtarinë e aplikacioneve, statistikat, komunikimin, si edhe pagesat. Ai përqëndrohej kryesisht tek ajo që konsiderohej si “shërbimi ndaj klientit”. Departamenti operacional angazhohej më së shumti në rekrutimin e agjentëve të kompanisë, si edhe raportonte mbi depozitimin apo tërheqjen e parave.
Ky departament orientonte lojtarët që të përdornin aplikacione si “WeChat” apo “Alipay” për t’u përfshirë në lojërat on-line të basteve.
Ndërsa Departamenti i marketingut ishte përgjegjës për promovimin e aplikacioneve të bixhozit, duke përdorur sistemtet “QQ”, “WeChat”, “SMS” dhe të tjera mjete komunikimi, duke postuar link-e me aplikacionet e bixhozit, të shoqëruara me fjalë kyçe për t’u përdorur në motorët e kërkimit dhe reklamat.
Departamenti i marketingut ishte gjithashtu përgjegjës për punësimin e kinezëve jashtë shtetit (në Emiratet e Bashkuara Arabe), me qëllim kryerjen e punëve për llogari të departamenteve të ndryshme, duke u siguruar bileta avioni, viza, mjete transporti akomodimi dhe gjithçka tjetër të nevojshme.
Departamenti i Financës ishte përgjegjës për kryerjen e pagesave, përqindjet nga bixhozi, mbledhjen dhe transferimin e parave të paligjshme. Sipas hetimit të Policisë kineze, vetëm në periudhën Maj-Dhjetor 2020, grupi kriminal kishte mbi 9.19 milionë anëtarë të regjistruar, të cilët depozituan mbi 7.058 milionë CNY (monedha kineze- Chinnese Yuan Renminbi, shën. Red.) dhe tërhoqën 5.165 milionë CNY, kurse fitimi i grupit kriminal ishte 1.893 milionë CNY.
Deri më tani, janë arrestuar 44 anëtarë të bandës kriminale.