Ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhër-arreste lidhur me aferën e inceneratorëve, duke u ndalur në veçanti te skandali i evazionit fiskal, me faturat fiktive që përdoreshin për të “vjelur” para nga fondet publike me bekimin e institucioneve shtetërore.
SPAK krijoi përshtypjen se drejtësia e re është hedhur në aksion për të zbardhur mega-skandalin, por një nga denoncuesit kryesorë të aferës 430 milionë euro, Jamarbër Malltezi, nuk mendon kështu.
Madje sipas anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së situata është bërë qesharake me SPAK-un që është kthyer në ‘Sss-kape’, pasi vepron me urdhër të Edi Ramës dhe çon pas hekurave ata që kryeministri “shet” dhe i hedh si leckë para drejtësisë.
“Ajo që ne po shikojmë është kthimi i SPAK-ut në ‘Sss-Kape”- drejtësi me regji të komanduar nga Edi Rama dhe kjo është shumë herë më e rëndë sesa po të ishin thjesht të paaftë si prokurorë apo të frikësuar, po kemi të bëjmë me një drejtësi me regji që të gjithëve u thotë Edi Rama se deri ku e kanë litarin të lirë që të “Sss-Kapin”, përndryshe nuk lejohen më tutje”, tha Malltezi në një intervistë në SyriTV.
Sipas Malltezit afera është shumë herë më e madhe sesa cilësohet në dosjen e SPAK, teksa vetëm për inceneratorin e Tiranës janë lëshuar në periudhën janar-nëntor 2022 plot 8.2 milionë euro shtesë.
“Unë mendoj se afera e inceneratorëve është shumë herë më tepër se këto që thoni ju. Ju thoni 4 milionë, por të kemi parasysh se për inceneratorin e Tiranës janë dhënë deri tani 46 milionë, pra 11 herë e gjysmë më shumë e në inceneratorin e Tiranës nuk keni as themelet e hapura”, nënvizoi Malltezi.
Ai shton më tej se nuk janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako “kokat” e kësaj skeme që “shkund” buxhetin e shtetit për llogari të klientëve të qeverisë, duke drejtuar gishtin nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Të kemi parasysh që Lefter Koka nuk është koka e kësaj afere, është “kokë turku”, të gjithë këta janë “koka turku”. Afera e inceneratorëve është 430 milionë euro, ndërkohë Lefter Koka akuzohet për Tvsh-të e kompanive fiktive, për 4 milionë euro që është vetëm 1%, më pak se 1% e vlerës! Alqi Bllako akuzohet për 120 mijë euro!!! Ky qenka problemi?! Afera e inceneratorëve qenka kthyer në një aferë 120 mijë euroshe?! Është qesharake, sepse 120 mijë euro nuk janë as 0,05%…Po 99,8% të aferës, kush po e heton?! Është qesharake. Në shifra janë devijime të gjitha këto që kanë sulmuar, janë devijime, janë persona të komisionit të prokurimeve e gjëra të tilla për ryshfete të vogla”, thekson Malltezi:
ARGUMENTET E MALLTEZIT:
Së pari: Kush e kishte autoritetin që të hidhet në kosh të plehrave, Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Trajtimit të Mbetjeve, që ishte hartuar nga Bashkimi Europian?! Me jo më pak, por gati 4 milionë euro para nga taksapaguesit europianë. U hodh në kosh të plehrave.
Së dyti: Kush ka autoritetin që kur thotë Agjencia e Prokurimeve Publike “stop, nuk mund ta bësh në këtë mënyrë se është e kundërligjshme” dhe të vazhdojë në atë mënyrë?! Domethënë, qartazi është një vullnet direkt nga kryeministri ose Ëngjëll Agaçi. Asnjeri tjetër!
Kemi rastin e famshëm sikur është pretenduar të bëhen nëntë procedura brenda një dite. Nëntë procedura me 17 firma brenda një dite! Këtë nuk e bënte dot as Alqi, Bllako, as Lefter Koka dhe asnjë nga ata “kamarierët” që kanë arrestuar dje. Jo për një ditë e për një natë, po sikur të rrinin edhe 100 vjet nuk e bënin dot. Nëntë procedura dhe 17 firma duan goxha më tepër aktivizim me urdhër të të gjithë institucioneve.
Së katërti: Kemi Ministrinë e Mjedisit që kishte zero lekë në buxhetin e saj. Atëherë si mund të shkojë dikush e të firmosë jo një, po tri herë, kontrata dhjetëramilionshe dhe qindramilionë euroshe duke pasur zero lek në buxhet?! Është qesharake komplet. Nuk lejohej. Menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave duhet të thoshte “stop, ti nuk ke para. Si mund të lidhësh kontratë ti?!”
Së pesti: Kemi parasysh se është një shkelje ligjore e hapur, flagrante. Nuk mund të dalë ministria, pra pushteti qendror të marrë tagrat e pushtetit vendor. Menaxhimi i mbetjeve është tagër ekskluzive e pushtetit vendor, nuk është i qeverisë. Pra, këtu kemi dhe shkelje të ligjit të menaxhimit të mbetjeve. Në rast se do të kishim një Sekretar të Përgjithshëm normal të Kryeministrisë, do ta kishte ngritur këtë dhe do të thoshte nuk mund të firmoset një kontratë e tillë.
Së gjashti: kemi një nen në kontratë që ka të bëjë me pamundësinë e heqjes dorë nga kontrata. Në cilindo Zyrë Arbritazhi ta çosh, ky nen e bën kontratën nul, sepse është nen direkt i përgatitur me urdhër politik dhe korruptim, në të njëjtën kohë, sepse çdo kontratë ka nenin përkatës sesi ndërpritet kontrata, kujt i adresohen palët, po nuk ekziston kontratë që të thotë “ke pamundësi të heqësh dorë nga kontrata”, pra ti çfarë të duash bëj! Bëj hesap, në kohët e sotme ti mund të ndahesh nga gruaja – Edi Rama nuk ndahet nga kjo kontratë: e imagjinoni dot çfarë është?! Këtu mjafton që SPAK të kishte le të themi, deçensën që të merrte në pyetje ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Juridike në Kryeministri, Sekretarin e Përgjithshëm dhe të shikonte si mund të dalë ky nen. Mjafton kaq. Si mund të dalë ky nen?! Si mund të dalin para nga fondi i emergjencave për diçka që nuk ka qenë fare në Buxhetin e shtetit? Si mund të jepet garanci?! Kush i ka dhënë garanci këtij njeriu?!
Tjetër! Kemi më tej. Kemi parasysh që të njëjtët sekserë të Edi Ramës, të njëjtët, janë ata që kanë marrë 8 milionë euro për të zhvendosur plehrat e Elbasanit për tek venddepozitimi i ri. Është e njëjta dorë dhe të njëjtët që pa tender fare, tani duan t’ia ngopin Alqi Bllakos, por pa tender fare ia kanë dhënë Porto Romanon. Heqjen e mbetjeve, Porto Romanos, sjelljen e tyre në Tiranë ia kanë dhënë po kompanive të lidhura me Klodian Zoton, sekserin e Edi Ramës dhe një sekser i një ish-një politikani tjetër.
Qartazi kemi të bëjmë me një dorë. Po të kemi parasysh, është aferë akoma më e madhe, po Klodian Zotos i kanë dhënë dy herë nga dy milionë euro për të vendosur zgara në lumenj. Aty kanë dalë të dy ministrat e Mjedisit, edhe Lefter Koka, edhe Blendi Klosi, kanë dalë duke thënë “shiko ç’po bëjmë ne, po bëjmë një arritje të jashtëzakonshme” ndërkohë që janë paguar paratë, zgarat nuk ekzistojnë dhe ministria përkatëse nuk i ka marrë në dorëzim zgarat, sepse nuk ekzistojnë. I kanë dhënë paratë ndërkohë që s’kanë marrë në dorëzim veprën. Nuk flet njeri për këtë, nuk heton dot SPAK-u. Pse?! Është sekser direkt i Edi Ramës. Kemi të bëjmë me një situatë goxha alarmante.
Tjetra! Që e bën gjithashtu përgjegjës direkt Erion Veliajn, përveç Edi Ramës, është situata e monopolit që kanë krijuar në Sharrë. Sharra ishte një institucion publik, ishte një e mirë publike e krijuar me fonde publike me të gjitha. A e dini ju se Sharrën gjithashtu e ka marrë si monopol, Klodian Zoto?!
E kanë marrë monopol i katërfishtë menjëherë. Kanë marrë mbetjet urbane, kanë marrë mbetjet e riciklueshme (këtu kanë dalë nga qarkullimi të gjithë ricikliuesit e tjerë sepse mbetjet e riciklueshme i ka vetëm Klodian Zoto, sekseri i Edi Ramës), kanë marrë mbetjet inerte ku do të hedhin gjithë kompanitë edhe dherat, që dherat nuk janë mbetje fare, janë mall po ta marrësh.