Ajo ka jetuar nëpër institucionet e përkujdesit shtetëror që 40-ditëshe dhe deri në moshën 12 vjeç. Për pak muaj e mitura mbush 16 vjeçe dhe bashkë me të jetojnë edhe 4 diagnoza të shëndetit mendor. Identitetin e minorenen fatkeqe nuk do ta bëjmë publik për ta mbrojtur nga diskriminimi.
Historia e trishtë ka nisur kur nëna e saj, në pamudnësi për ta ushqyer e çoi në institucionin e kujdesit të jetimëve “Zyber Hallulli”. Një institucion që ashtu si streha të tjera, fsheh brenda mureve drama dhe keqtrajtime të jetimëve referuar raporteve zyrtare të institucioneve dhe organizatave.
“Kishim probleme të ndryshme; p.sh dënonin fëmijët për lekët e muajit, kishte abuzime; dmth ofendime nga shokët dhe shoqet. Sulm nga shokët dhe shoqet. Goditje. I drejtohesha, i dënonin për disa orë dhe e hiqnin dënimin. Sherre, më kanë rrahur, sharje, ofendime, më dënonin për lekët e muajit. Nga 10 mijë. Varej nga dënimi. Një muaj, dy muaj. Një herë nga nervat theva banjon” u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
E vënë nën presion të vazhdueshëm, vajza thotë se ka qenë e detyruar të mos tregojë vuajtjet brenda institucionit. E ëma, ka dyshuar për mirëqënien e vajzës, por nuk ka patur fakte për të vërtetuar ferrin siç e përshkruan, brenda godinës ku presupozohej që duhej të kujdeseshin për fëmijët fatkeqë.
“Mund të them që kisha dyshuar. Ka pasur tre episode që unë dyshova sepse shkova për ta takuar , ishte verë dhe e gjej me shenja në trup në pjesën e krahut dhe parakrahut. Shenja të thithura dhe të pickuara. Vajza ishte e trembur, por nuk më tregoi asgjë. Përderisa nuk kisha një fakt, një arsye, një deklaratë nga fëmija im, nuk mund të ngrija as zërin, as akuzat. Vetë stafi e justifikoi me një përleshje mes fëmijëve, gjë që për ta ishte mëse normale. Ndodhi tre herë në periudha të ndryshme kohore, por vetëm kaq” u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Në disa raste, nëna nuk ka mundur të takojë të bijën në institucion. Punonjësit e shtëpisë së fëmijës, janë justifikuar duke I thënë se vajza ka qenë në kamp bashkë me fëmijët e tjerë. Por, nëna thotë se më vonë, ka kuptuar se e vërteta ka qenë krejt tjetër. Refuzimi i takimeve fshihte një skandal.
“Më thoshin je në kamp. Ndërkohë që isha në spital, Për tentative vetvrasje. Nga mërzitja që më rrihnin dhe ofendonin fëmijët e tjerë. Shumë herë. Desha me i dhënë fund jetës”, u shpreh, vajza e mitur e dhunuar
“Ka pasur periudha të ndryshme gjatë viteve kur shkoja ta takoja më thonin që ishte në kamp, por kampi i saj ishte psikiatria. Nuk më tregonte njeri. Mua më sugjeruan urgjent ta shtroja në psikiatri, u jap emër mbiemër, rezultoi që ishte shtrimi I tretë. Ishte bombë shpërthyese për mua, por stafi I institucionit nuk e pranoi. Ata thanë që kanë qenë thjesht konsulta, ndërkohë që quhet shtrim në bazë të dokumenatcionit të spitalit”, u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Pra, nëna përforcoi dyshimet në momentin kur fëmija, ishte shtruar në spital pa dijeninië e saj. Ajo luftoi që ta rimerrte në shtëpi të bijën. Pasi kaloi traumën psikologjike, vajza rrëfeu tek nëna dramën e madhe. Dhuna brenda shtëpisë së fëmijës ishte vetëm një pjesë e historisë. Vajza ka rrëfyer se ishte abuzuar seksualisht në mjediset e tualeteve të shkollës që frekuentonte “Osman Myderizi”.
“Fëmija im është abuzuar seksualisht në moshën 9 vjeçare. Gjatë kësaj kohe qëndronte në isntitucion. E kam zbuluar pasi është shtruar për herë të parë në psikiatri, pasi ka bërë 7 tentativa vetvrasje. Kam qenë unë që e kam shpëtuar në të 7 rastet. Dhe mua në fund mu sos durimi dhe thashë, ok nëse ti do të vrasësh veten, mund ta bësh tani. Ose më trego çfarë ka ndodhur ose bëje tani sepse nuk mund të vazhdoja ashtu pafundësisht. Në ato momente më tha që ishte abuzuar”, u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Nëna rrëfen se historia e vajzës së saj nuk është trajtuar nga institucionet. Ajo thotë se I është drejtuar programit “Inside Story” pasi askush nuk e ka dëgjuar. Akoma më keq, ajo pretendon se denoncimet e saj janë mbyllur që çështja të mos kthehej në skandal për institucionet publike dhe drejtuesit në fjalë.
“Vajza është dhunuar seksualisht në ambienetet e tualeteve të shkollës që frekuentonte nga një tjetër fëmijë vetëm një vit më I madh se fëmija im. Gjithçka ka ndodhur aty. Ka pasur hematoma në kofshë, në krahë dhe hemoragji. Si kundrapërgjigje ka marrë gjithmonë në bazë të rrëfimit të fëmijës, akuza, fajësime deri te heqja e kuotës mujore të fëmijës, është bërë ballafaqimi I shkollës me institucionin dhe ëshët vendosur që çdo gjë të mbyllet aty duke e lënë gjithmonë fajtore fëmijën”, u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Historia e minorenes është trajtuar në të paktën 2 deponime në Policinë e Tiranës. Po ashtu, minorenia i është nënshtruar edhe ekspertizës për të cilën nëna pretendon se është e manipuluar. Ajo dyshon se gjithçka është bërë për të mbrojtur institucionet dhe zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë lënë fëmijët në mëshirë të fatit.
“Seanca gjyqësore jo, është dhënë dy herë deponimi në komisariat, janë dhënë dëshmi me video dhe audio të vajzës. Më vonë është bërë ekspertizë te IML. IML e ka nxjerrë të paprekur. Unë I jam drejtuar një gjenokologe private sepse vajza kishte dhimbje më tha që është shkatërruar. Kur mori vesh që ishte në isntitucion, u tërhoq. Vajza ka patur abuzime edhe më vonë në institucion përveçse në shkollë. Ma bën vizitën vetëm me një mjek IML. Kam bërë kërkesë për një analizë të dytë. Nuk kam marrë përgjigje. Sot pas 4 vitesh, nuk është bërë asgjë”, u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Abuzimi i vajzës në shkollë, drejtoresha: Nuk kam asnjë raport zyrtar për rastin
Ne i jemi drejtuar shkollës ku vajza pretendon se është abuzuar, për të mësuar rreth qëndrimit të institucionit.
Drejtuesja e shkollës 9-vjeçare “Osman Myderizi” thotë se nuk ekziston asnjë raport për rastin që i prezantohet.
“Është shokuese për mua si drejtuese. Ne nuk kemi asnjë raport zyrtar, as nuk jemi thirrur në gjykatë, as nga institucioni nuk kemi raport”, u shpreh, Brisida Çekrezi Drejtoreshë “Osman Myderizi”.
Në bisedën informale pas intervistës, drejtoresha Çekrezi rrëfeu se pavarësisht mungesës së raporteve, kujtonte si histori ankesat e së ëmës së vajzës. Ajo na tregoi se adoleshentja ka qenë një fëmijë i qeshur dhe i gëzuar kur studionte në këtë shkollë. Madje, sipas drejtoreshës, kur vajza u largua nga shkolla drejt një shkolle tjetër, shokët dhe shoqet e klasës i organizuan një festë.
”Ajo që unë di me fakte është që në shkollat publike të Tiranës, të paktën para tre vitesh kishte 56% janë analfabetë funskionalë, 18% e vajzave të vogla abuzohen dhe bëjnë seks, dhe gati 100 mijë nxënës përdorues drogërash nëpër shkolla. Për në fëmijët e shtëpive të fëmijës ne nuk kemi statistika, për këto fenomene. Kemi statistika për abuzime fizike seksuale të fëmijëve siç ishte rasti i Kavajës. Por kur ka në shkollat publike, ne mund ta imagjinojmë se çfarë mund të ndodhë në këto shtëpi të kujdesit shtetëror të fëmijëve” u shpreh, Sevim Arbana Aktiviste, Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”.
Aktivisti: Janë disa raste të dhunës seksuale në shtëpitë e fëmijës
Rasti i vajzës fatkeqe që rrëfeu dramën e jetës në Inside Story nuk ëhstë një histori e shkëputur. Aktivisti Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri tregon se organizata që ai drejton ka trajtuar të paktën 3 raste të ngjashme nga shtëpitë e fëmijës.
“Dhuna seksuale ka ndodhur në institucion, bëhet fjalë gjithmonë për fëmijë vajza. Institucioni duhej të ishte përgatitur për të parandaluar raste të tilla. Ajo që shohim pas ngjarjes është mungesa e përgjegjësisë institucionale. Që është karakteristikë e pothuajse të gjitha rasteve seksuale. Institucionet nuk janë të përgatitura për tu përballur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve. Të treja rastet kanë qenë nga adoleshentët, por të pakërkuara nga fëmijët vajza. Duhet të ketë monitorim. Siç ka pasur edhe raste që ka ardhur nga të jashtëm. Kemi parë raste të paimagjinueshme abuzimi me fëmijët që vijnë nga institucionet rezidenciale” u shpreh, Altin Azizaj Drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve.
Të dhënat më të fundit të raportit të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve tregojnë se në Shqipëri, 1 në 10 fëmijë, abuzohet seksualisht. Dhuna shtrihet edhe në format e tjera të saj, duke përfshirë dhunën psikologjike, fizike, emocionale dhe neglizhimin.
Abuzimi seksual ndaj fëmijëve, shpesh ndodh nga persona të cilët konsiderohen të afërt dhe njihen me viktimën. Grabitqari seksual, në të shumtën e rasteve është pjesë e familjes, një prind, bashkëjetuesi i një prindi, vëlla apo i afërm, një komshi apo një i njohur dhe i konsideruar si një mik i familjes, ose jashtë shtëpisë një bashkëmoshatar, mësues, person kujdesi dhe i panjohur.
Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se numri më i madh i krimeve seksuale ndaj fëmijëve janë kryer nga bashkamoshatarët e tyre me 32% të rasteve. Statistikat i korespondojnë moshës së dhunuesve nga 14-24 vjeç. 41% e abuzuesve e kanë kryer krimin e dhunës seksuale në grup me mbi 4 persona. Mosha 10-14 vjeç është më e prekura nga krimet seksuale me 44% të rasteve të raportuara, e ndjekur nga mosha 15-18 vjeç me 36% të tyre.
55% e fëmijëve që i kanë mbijetuar dhunës seksuale jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe rreth 42% e tyre jetojnë në banesa të papërshtatshme për jetesë.
Jugu i Shqipërisë renditet në vendin e parë përsa i përket raportimit të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve me 50% të rasteve të raportuara, e ndjekur nga Shqipëria e Mesme me 42% të rasteve të maranë studim, ndërsa Veriu i vendit me 8% të tyre.
Policia e Shtetit, renditet në vendin e parë, për mbulimin që ajo i ka bërë shërbimeve që marrin fëmijët që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, të ndjekur nga shërbimet sociale dhe ato mjekësore e shëndetësore. Sistemi i drejtësia vijon të ketë mangësi serioze në qasjen miqësore dhekujdesin ndaj fëmijëve.
Dëshmia: Ja cfarë ndodh brenda mureve të institucioneve që kujdesen për fëmijët. Si kthehen në kontigjent të krimit të rrugës
”Për mua është një fasadë e mrekullueshme, nga brenda më keq se ferri i Dante Aligerit. Gjithmonë bazuar në rrëfimet e sime bijes. Ajo ka përjetuar përleshje deri në ekstrem, dhunë, drama psikologjike. Ka pasur edhe orgji, marrëdhënie, lidhje që krijonin që në atë moshë, institucioni ka qenë pa kamera”, u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
“Në këtë institucion ka probleme të trajtimit të këtyre fëmijëve ku një pjesë prej tyre kanë braktisur shkollën, fëmijë të rritur përdorin lëndë narkotike brenda mureve të këtyre institucioneve, fëmijët e rritur ushtrojnë dhunë fizike dhe verbal mbi fëmijët e vegjël, ushtrojnë dhunë psikologjike mbi personel. Ka fëmijë problematikë që dalin nëpër Tiranë dhe lypin në emër të fëmijëve më të rritur. Ka fëmijë problematikë që grabisin marketetet. Kemi një fëmijë kontigjent të rajonit nr 1. Dy herë ky komisariat e ka marrë dhe e ka parë rastin e tij si fëmijë me rpoblematika penale”, u shpreh, Ilir Çumani Drejtori Përgjithshëm i institutit kombëtar i integrimit te jetimeve shqiptar.
Sipas të dhënave konfidenciale të siguruara nga komunikatat e brendshme policore, janë 5 fëmijë të moshës 12-15 vjeç të identifikuar të cilët janë shndërruar në tutorë për më të vegjlit brenda institucionit të kujdesit. Këta fëmijë, rezidentë në “Zyber Hallulli” janë problematikë dhe rekrutojnë minorenët e tjerë po nga institucioni i përkujdesit shtetëror dhe i nxjerrin nëpër Tiranë për të lypur.
Këta fëmijë problematikë identitetet e të cilëve nuk mund ti bëjmë publike për shkak të moshës, raportohen se shkatërrojnë mjediset e brendshme dhe orenditë brenda institucionit. Ata ushtrojnë dhunë fizike dhe psikologjike tek fëmijët e vegjël brenda në institucion dhe përmes dhunës i nxjerrin për të lypur.
Njëri prej tyre raportohet se ka braktisur shkollën, vjedh dhe shëtit rrugëve të Tiranës duke lypur të holla tek qytetarët. Madje, raportohet si përdorues I lëndëve narkotike.
“Në 25 korrik, 2022, ka grabitur 700 – 800 mijë lekë në arkën e Market “J…”, pranë Drejtorisë së Higjenës, dhe më dt. 25 korrik, 2022 është ndaluar nga Komisariati i Policisë i Rajonit nr. 1. Po më 21 shtator, 2022, është ndaluar sërish nga ky komisariat….”
Për të ballafaquar këto informacione dhe për të rrëmuar më tej, Inside Story iu drejtua me kërkesë Shërbimit Social Shtetëror për xhiruar brenda ambjenteve të institucionit të kujdesit. Për këtë qëllim Shërbimi Social Shtetëror ngriti një ekip për të shqyrtuar kërkesën dhe konkludoi në përgjigjje negative.
“Lidhur me kërkesën për xhirime brenda Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” ju bëjmë me dije se për arsye të mbrojtjes së privatësisë së fëmijëve dhe të drejtave te tyre, bazuar në Ligjin për të Drejtat dhe Mbrojtjen e fëmijës dhe Konventën e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, nuk mundësohet hyrja për qëllimin e kërkuar nga ju.”
I riu rrëfen tmerret: Drunjë, hekur, grushta…Ja çfarë ndodhte në shtëpinë e fëmijës në Shkodër
“Zyber Hallulli” nuk është e vetmja shtëpi fëmije që rrit fëmijë të traumatizuar dhe keqtrajtuar. Dhjetra kronika televizive, denoncime organizatash jofitimrurëse dhe dëshmi ndër vite kanë treguar makabritetin që përjetojnë fëmijët e braktisur dhe jetimë në këto institucione të përkujdesit shtetëror.
Një dëshmi të tillë ka dhënë edhe një djalë 20 vjeçar në INSIDE STORY, i cili ka jetuar në këto institucione që në moshën 5 vjeçare i braktisur nga e ëma. Së fundmi ai ka qenë në shtëpinë e fëmijës në Shkodër përpara se të dilte vetë në jetë.
”Ka qenë skandal jetimorja. Mbaj mend dhunë nga edukatoret, nga parashkollori. Ishte jetesë e keqe, haja gjysmë buke, asgjë më shumë. Kur shkuam te jetimorja 6-16 vjeç aty ka pasur dhunë të pandalueshme. Së pari të rriturit. E dyta edukatoret. Unë isha shumë I frikësuar, më jepnin ilaçe pa asnjë arsye, pa patur asnjë problem me shëndetin, më kanë çuar në një shkollë se me demek unë kam qenë me sëmundje mendore. Ishte shumë skandal për jetën time”, u shpreh, djali i dhunuar.
Ky i ri që sot i ka kaluar të 18-at dhe tashmë ka dalë në jetë, shfaqet me një fjalor minimalist dhe disi i frikësuar Ai shpreh dëshirën për të ndihmuar të ngjashmit e tij duke rrëfyer vuajtjet. Por, edhe frika nga kërcënimet është prezente teksa tregon ferrin që ka përjetuar që në moshë të mitur në mjediset e institucioneve shtetërore ku pati fatin e keq të jetojë.
“Shkopinj, drunj, hekur, gjuanin natën. Nga të riturit dhe edukatoret. Unë e bëja në brek nga frika. Edhe bukë nuk na jepnin, na mbyllnin në bodrum ose ndonjë derë që ishte errësirë. Kam pasur shumë sëmundje që më erdhën nga traumat dhe ilaçet që më jepnin kot. Më kanë çuar te shkolla e personave me prapambetje mendore. Nuk kisha çfarë të mësoja aty”, u shpreh, djali i dhunuar.
Jo vetëm i braktisur dhe keqtrajtuar, por edhe i vjedhur. I riu rrëfen se nëna që e la në qendrën e kujdesit është pëprjekur të fitojë lekë me emrin dhe statusin e tij.
“Pastaj mora vesh se mami u kishte thënë atyre që të merrte mami kempin deri në moshën 14 vjeç pastaj e kishin anulluar sepse e kishin kuptuar që i merrte ajo dhe jo unë. Pasi të mbushja moshën 18 vjeç do ti merrja unë lekët e kempit”, u shpreh, djali i dhunuar.
Nga kqetrajtimet e pësuara i riu thotë se ka bërë disa operacione. Këto episode i kanë lënë dëmtime, pasojat e të cilave i vuan sot e kësaj dite.
“Atje dhunoheshin fëmijët. Seksualisht jo. Dhunë e pandalshme. Sihin shumë çuna, ishin disa çuna të tjerë që e panë. Kur erdhën në darkë, disa më mbrojtën disa më rrahën. U hodha nga dritarja e dhomës dhe çava kokën. Bëra shumë operacione. Aty ka qenë trauma më e keqe. Theva dhëmbët. Asnjë nuk e di çfarë është jetimorja. Unë jam i vetmi që hap gojën, të tjerët kanë frikë”, u shpreh, djali i dhunuar.
Pavarësisht dramave pafund në shtëpinë e fëmijës, sot ky djalë ia ka dalë të sigurojë jetesën me dinjitet dhe punë të ndershme. Por, edhe stabilizimi dhe pranimi në punë nuk ka qenë fort e lehtë. Keqtrajtimet që kjo shtresë pëson deri në moshën 18 vjeç në qendrat e kujdesit, pasohet nga braktisja dhe mungesa e shanseve për të punuar si gjithë të tjerët.
“Punova menaxher kamarierësh.Kam pasur rrogë 400 mijë plus bonuse. Ia dhashë mamit të gjitha lekët dhe pastaj më përzyri nga shtëpia dhe më mori lekët. Në jug fjeta jashtë për të jetuar. Punova ngarkim shkarkim, jam ulur në gjunj një pronari. Punova në furr buke nuk e përballoja dot. Më mori policia. Më çoi në qendër sociale. Gjeta një punë. Më sistemuan gocat. Më ndihmuan. Më morën, më lanë. Nuk pranoja të shkoja në shtëpinë e tyre sepse kishin familjarë. U largova u mbyll qendra. Ngela prapë rrugëve”, u shpreh, djali i dhunuar.
/Inside Story/
Lexo edhe:Tronditëse/ Shteti u ha bukën jetimëve, KLSH zbulon skandalin te “Zyber Hallulli”