Ngutja për t’i dhënë jetë projektit të “Durrës Yachts & Marina”, duket se ka ngritur dyshime edhe vetë brenda mazhorancës socialiste duke qenë se mijëra metra katrorë tokë publike do të falen për një vepër, për të cilën ka zëra se lidhet fort me kompani offshore.
Ka qenë ish zv/kryeministri Erion Braçe ai që ka shprehur rezervat e para për projektin nga radhët e të besuarve të kryeministrit Rama, teksa në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë ka kërkuar më tepër transparencë sa i përket aktorëve të përfshirë në këtë projekt.
Pavarësisht nisjes me debat dhe gjuhës jo etike me të cilën iu drejtua kolegut demokrat Edmond Spaho, Braçe e mbështeti kërkesën e opozitës për të thirrur në Komision, ministren e Financave Delina Ibrahimaj dhe zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilat kanë hedhur firmën në marrëveshje.
“Dua të them që mundësia për të diskutuar është gjëja më e mirë që mund ti ndodhë këtij komisioni. Çfarë ndodhi më parë nuk shkon. Është legjitime kërkesa për të qen1% ministrat këtu, po për çfarë? Nëse i themi hajdut këtij e atij… Dhe roli i ministrave, për çfarë të vijnë? Për t’i sharë? Nuk shkon”, tha Braçe.
Në vijim Braçe rreshtoi një mori pyetjesh për të cilat ai kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e ministrisë dhe Këshillit të Ministrave në Komision, duke mos lënë mënjanë dyshimet se toka që aktualisht i përket shtetit në portin e Durrësit, po i falet me ligj privatit.
“Dua të di sa është prona e shtetit e vënë në dispozicion për këtë, në hektar? Cili është dokumenti që na garanton se kjo sipërfaqe toke që do të jetë aty, duhet të depozitohet dokumenti? Çfarë ndodh me vijën bregdetare që vihet në dispozicion të këtij projekti? Në cilin dokument është kjo që investitori, përfshirë dhe shtetin shqiptar, nuk do ta përdorë këtë pronë për të garantuar financim? Më jepni dokumentin që tregon se prona nuk do vendoset kolateral! Ju thatë se 8 hektarë do u kthehen qytetarëve, është pronë private apo publike? Sa janë taksat që do paguajë investitori? Sa është vlera e taksave nga e cila do përjashtohet? Ju thatë se ai do ndërtojë hoteleri. Do ndërtojë gjë tjetër veç hoteleve? Sa është vlera e taksave. Sa taksa do paguajnë dhe nga sa taksa do përjashtohen?”, tha Braçe.
Duke iu referuar fjalës së kolegëve të tij socialistë, të cilët vijojnë ta mbrojnë projektin duke u kapur pas “madhështisë” së figurës të kreut të Emaar Group, Mohamed Alabbar, Braçe theksoi se atij nuk i intereson “se sa i madh është zotëria që financon”, por do “garanci se ky projekt do mbarojë”.
“Duam të dimë, kemi të bëjmë me një kompani, është e ndarë në përqindje, ka të tjera kompani që financojnë në këtë pjesë, duam ta dimë. Dua të di, a ka kompani offshore të përfshira? Nëse po cilat, nëse jo shumë faleminderit. Dua të di se cilat janë dhe ku? Pyetja tjetër: Në disa nene, ka ndonjë detyrim që kompania të zbatojë ligjet vendase për financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave. Në cilin dokument janë dhe nga cili moment do t’i nënshtrohen? Për këtë sipërfaqe, ka pasur kërkesa të tjera? Nëse po, nga cilët. Kush do jetë institucioni që do shikojë këtë marrëveshje dhe këtë investim?”, pyeti më tej Braçe.
I gjendur përballë pyetjeve sfiduese të kolegut të tij socialist, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi u përgjigj duke thënë se “çdo gjë do jetë e lidhur me letra”.