Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar një konflikt pronësie në fshatin Progonat të Tepelenës dhe ndërhyrjen e paligjshme të policisë. Bëhet fjalë për një shtëpi të vjetër të familjes Daci. Liljana Daci, njëra prej trashëgimtareve, na tregon historikun e kësaj prone. Në vitin 1985 tragëshimtarët Daci, që ishin 8 pjesëtarë, ia lanë për ruajtje dhe për të jetuar një zonje, Aishe Daci, me të cilën ishin kushërinj të largët, me kushtin që kjo pronë të mos tjetërsohej.
“Kjo shtëpi është rindërtuar në vitin 1927 nga gjyshi jonë Neki Daci, ka qenë një shtëpi e evidentuar edhe nga këshilli popullor i kohës atëherë si shtëpi me pllakë përkujtimore për shkak të aktiviteteve të saj atdhetarie. Unë Liljana dhe 7 vëllezërit e motrat e mi jemi pasardhës të pronarit të ligjshëm të kësaj shtëpie në Progonat të njësisë administrative vendore Kurvelesh, Gusmar, Tepelenë. Midis nesh nuk kemi asnjë lloj kontradikte, as mosmarrëveshje, jemi në pëlqim dhe në mirëkuptim të plotë lidhur me pronësinë e saj. Meqënëse kjo ishte një shtëpi e vjetër e ndërtuar në vitin 1927 dhe dëmtuar nga lufta pjesërisht e djegur, ka qenë një shtëpi 2-katëshe, lindi nevoja për ta mirëmbajtur, për ta patur më shumë si relike të traditës tonë familjare, dhe të dy vëllezërit e mi u investuan edhe materialisht, edhe fizikisht edhe shpirtërisht për ta ndërtuar me pëlqimin tonë dhe e rindërtuan. Bënë disa restaurime të përshtatshme për kohën, thjesht për të mbetur një kujtesë e familjes tonë. Ndërkohë na duhej edhe dikush tjetër që të kujdesej, ta hapte, ta mbyllte, të ajroste, dhe ne aty ngjitur kishim disa kushërinj të largët tanë, konkretisht një zonjë, Aishe Dacin, e cila ishte një grua shumë e vuajtur, i shoqi i vdiq në një moshë të re, i la 4 jetimë dhe nuk kishin shtëpinë e tyre. Ne i morëm që andej me mirëkuptim dhe i vendosëm në banesën tonë me një kusht që kjo shtëpi kurrë të mos tjetërsohej në interes të dikujt tjetër përveç ne dy palëve. Një marrëveshje mirëkuptuese”, tregon Liljana Daci.
Në vitin 2021, Aishe Daci ndërron jetë dhe pas nderimeve për të ndjerën, pasardhësit e kësaj të fundit refuzuan t’u jepnin çelësat e shtëpisë trashëgimtarëve të ligjshëm. Dy palët iu drejtuan gjykatës, e cila i dha të drejtë 8 trashëgimtarve të ligjshëm.
“Në 2021 zonja e moshuar ndërroi jetë duke lënë mbrapa 3 vajzat e saj të sistemuara secila në banesa të ndryshme. Duke shkuar për ngushëllim, vajzat na ofrojnë që ne të merrnim çelësat. Kuptohet për momentin ne nuk mund t’i merrnim se nuk ishte momenti i përshtatshëm dhe e lamë në një periudhë tjetër pas 2-3 muajsh. Kur shkuam aty filluan të ndryshojnë gjërat, vajzat morën pozicionin tjetër, jo kjo është shtëpia jonë, kemi jetuar ne dhe të tilla gjëra. Ne ju drejtuam gjykatës në muajin Dhjetor, në muajin Janar bëhet seanca e parë e cila përfundoi në 13 Prill 2022 me definim përfitimin e banesës dhe truallit përkatës në favorin tonë. Ndërkohë pala tjetër e humbi të drejtën për pretendimet e saj pasi nuk kishin asnjë lloj dokumenti dhe kështu që aty u ndanë rrugët tona. Vendimi i tyre mori formën e prerë për shkak të mosankimimit të tyre si njerëz koshientë për padrejtësinë e tyre. Që nga ai moment nuk kemi patur asnjë lloj kontakti. Çudia ishte sepse më 18 Gusht, ne trashëgimtarët e pronarit të ligjshëm shkuam u futëm në banesën tonë. Shtëpia ishte në kushtet e amortifizimit natyral, jo të prishur nga ndërhyrjet e tyre, të një amortizimi që nuk i qëndrojnë më standarteve të kohës. Prandaj dhe shkuam që të shikojmë çfarë mund të restaurojmë ose ndërtojmë aty. Në verandën e shtëpisë ishte zonja Arta, një nga vajzat, së bashku me dhëndrin dhe vajzën e saj dhe me motrën tjetër të vogël Veziko Daci. Ju themi që ne kemi ardhur në shtëpinë tonë. Na thonë ne tani e kuptojmë dhe na lini pak kohë që ne të heqim mobiljet sepse do na dëmtohen. Dakord, i themi, i lejojmë që të tërheqin disa, pastaj ato e ndërprenë sepse ndërkohë u lidhën me policinë. Pra, e kuptuam që ishte një grackë”, rrëfen Liljana Daci.
Me vendimin e gjykatës në dorë, të 9 pronarët e ligjshëm shkojnë në Progonat për të rimarrë shtëpinë. Pala tjetër kishte nisur ta boshatiste banesën. Por policia e urdhëruar nga shefi Armand Koni ka shkuar në Progonat në mes të natës dhe ka shoqëruar 4 gra të familjes, në shkelje të ligjit.
“Marrim dokumentet që kishim, shkojmë në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Së bashku me ta, me dëshirën tonë të pashoqëruar në kushte shumë normale. Shefi i komisariatit z.Koni ka marrë një furgon të madh policie nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër dhe një patrullë nga Tepelena dhe janë ngjitur në banesë në Progonatë. I them çfarë po ndodh. Ka ardhur shefi i komisariatit dhe po urdhëron policët që të na rrëmbejnë, dhe shqyejnë derën. Shoqëruan 4 femra që u ndodhën. Personat e ndodhur brenda i kanë kërkuar leje ose urdhër me shkrim çfarë kishin, çfarë statusi kishte në këtë moment mësymja në këtë banesë. Nuk i kanë dhënë asgjë, asnjë urdhër. Ka dhënë shefi i komisariatit policëve, të cilët kanë nguruar fillimisht, ju ka thënë kush nuk zbaton urdhrin që t’i rrëmbejë dhe t’i fusë në furgonët e policisë, do të pushohet në moment nga puna”, thotë zonja.
PËRBALLJA E PARË ME POLICINË:
Denoncuesja-Më lër, se do të filmoj e do t’ia çoj mediave!
Shefi i Komisariatit Tepelenë-Pusho! Fute telefonin në xhep!
Denoncuesja-Do ia çoj tani mediave.
Shefi i Komisariatit Tepelenë-S’ke të drejtë fare ti të filmosh! More vesh?
Denoncuesja-Mos më prek me dorë mua!
Shefi i Komisariatit Tepelenë-Përjashta, se s’ka të drejtë fare këtu! Fike atë telefon shpejt!
Po kështu policia ka shoqëruar edhe avokatin e familjes, Zaçe Islami.
“Në datën 20 që është bërë një reprezalje e dytë ku kanë arrestuar edhe avokatin, nga ai moment e tutje ne kërkuam edhe përfaqësuesin e pushtetit vendor. E arrestuan avokatin për të na krijuar neve terror, që ne të iknim nga banesa dhe na e thanë shqip, që ju do largoheni dhe do futet pala pretenduese me një telefonatë që ka bërë”, shprehet Liljana Daci.
Pa asnjë lloj shkrese Policia e Tepelenës ka mbajtur në ruajtje për 3 ditë shtëpinë e trashëgimtarëve Daci.
“Kjo ishte një praktikë e padëgjuar ndonjëherë që habiti dhe vetë punonjësit e policisë. Kjo nuk ka ndodhur. Të ruajnë një shtëpi pa asnjë status, pa u bërë një kontroll. Kur ne u kthyem nga komisariati që dorëzuam letrat, avokati shoqëroi të 4 të shoqëruarat nga policia dhe mbeta vetëm unë banesë dhe shikoj që mbetën 2 punonjës policie, një femër dhe një mashkull, të cilët më thanë nuk do flesh atje dhe do hysh në të me lejen tonë dhe për të përmbushur ndonjë qëllim të vogël personal. Unë kam ndejtur që nga data 18 deri në datën 22 në orën 14:00”, thotë Liljana Daci.
PËRBALLJA E DYTË ME POLICINË:
Inspektori i Policisë Tepelenë-Jeni në një konflikt.
Inspektori i Policisë Tepelenë-Jeni në një konflikt.
Avokati Zace Islami-Me kë? Erdhët këtu edhe plagosët gratë. S’keni turp!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Edhe njëherë, po ju them të dilni vullnetarisht!
Denoncuesja-Jo, unë po ia coj AMP-së këtë edhe njëherë.
Inspektori i Policisë Tepelenë-Çoja patjetër!
Denoncuesja-Sille urdhrin me shkrim! Ku e ke urdhrin, se dal unë!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Çoja AMP-së dhe kujt të duash ti!
Avokati Zace Islami-Bjer urdhrin me shkrim zotëri!
Denoncuesja-Nuk dal unë, pa urdhër me shkrim.
Inspektori i Policisë Tepelenë-Ka mundësi, ka mundësi!
Avokati Zace Islami-Do bëni terror? Bëjeni!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Ka mundësi, se po na ndërhynë në punë..?
Avokati Zace Islami-Po shkel ligjin!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Po na ndërhynë në punë..
Avokati Zace Islami-Se po bëhesh palë me uzurpatorët e shtëpisë.
Inspektori i Policisë Tepelenë-Nuk bëhem palë me asnjë unë.
Denoncuesja-Po ato ç’a letrash kanë? Zbato ligjin! Sill çertifikatën e atyre!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Edhe njëherë..
Avokati Zace Islami-More, më jep ligjin!
Inspektori i Policisë Tepelenë-Po ju komunikoj, që të dilni vullnetarisht.
Avokati Zace Islami-More, më jep ligjin!
Denoncuesja-Më jep çertifikatën, ne nga shtëpia jonë të futen uzurpatorët pa asnjë letër.
Inspektori i Policisë Tepelenë-Edhe njëherë..!
Avokati Zace Islami-Po shkel ligjin! Je në shkelje të ligjit!
Inspektori i Policisë-Erdhe u përgjigje për këto?
Avokati Zace Islami-Je në shkelje të ligjit!
Inspektori i Policisë-Erdhe u përgjigje për këto?
Avokati Zace Islami-S’kanë bërë asgjë ato, do rrinë aty.
Pas disa ditësh, forcat e policisë që qëndronin me turne në ruajtje të shtëpisë.
“Pikërisht sepse kjo banesë u mor nga forcat e policisë pa një status, ikën në mënyrë të fshehtë, ikën u larguan dy punonjësit e fundit të turnit 14:00 të datës 22 dhe nuk na thanë asnjë gjë. I pyetëm na thanë mos guxoni të futeni brenda. Lidhemi me sallën operative 129 dhe ju kërkojmë shpjegime. Pas një komunikimi me eprorët na thotë kështu: ‘Ne nuk do merremi më me atë shtëpi’. Është rast i paprecedentë që policia të marri në ruajtje një banesë pa asnjë urdhër, duke shkelur të gjitha ligjet, edhe Kushtetutën, edhe Konventën e të Drejtave të Njeriut në disa dispozita të saj”, vijon rrëfimin zonja.
Ndërsa avokati i familjes Daci i konsideron sjellje fashiste veprimet e policisë.
“Policia ka vepruar në mënyrën më fashiste që mund të veprohet ndonjëherë. Të tilla reprezalje në Shqipëri janë bërë në vitet 45’-46’-47’ kur komunistët shqiptarë nxirrnin nga shtëpia njerëzit me forcë ikni ju se do rrimë ne. Pikërisht këtë gjë ka bërë banditi Armand Koni”, shprehet avokati.