Blerja e klikimeve është kthyer në një çështje shumë të diskutuar ditët e fundit për këngëtarët që marrin pjesë në festivalin “Kënga Magjike”.
Drejtuesi i Acromax, Aldor Nini, ka shpjeguar më imtësisht proçesin e blerjeve të klikimeve dhe si ndikon kjo në treg. Ai tha se janë 7 artistë që kanë blerë klikimet, por nuk përmendi emra specifik.
Përsa i përket artistëve të Kënga Magjike, Nini sqaroi: “Ka [artistë që kanë blerë klikime], jo vetëm për këtë edicion por edhe për shumë vite të tjera përpara këtij edicioni të Këngës Magjike. Unë kam telefonuar secilin artist që ka blerë klikime për festivalin. Janë shtatë artistë [këtë vit]. Jo për tu thënë që e di, por për tu shpjeguar si mund të bëjnë marketing real pa blerë klikime. Nëse ne do tregonim emra do dënonim edhe ata që e kanë që të detyruar të blejnë klikime sepse të njëjtën që po bën edhe konkurrenti i tyre.”
Nini, tha se klikimet vijnë nga vende si India, Indonezia dhe shumë prej artistëve paguajnë kompani publikimi për strategji marketing dhe në padijeni përfundojnë me klikime të blera.
“Në sektorin e cyber-crime, ky është sektori që hyn si mashtrim, patjetër në bazë të kodit penal shqiptarë këta njerëz mund të dënohen. Si për shitjen e klikimeve, ata që ndihmojnë bëjnë transaksionin financiar, por dhe kundrejt çdo lloj personi që është i përfshirë, si edhe menaxheri, apo kompanitë publikuese që mburren. Janë shumë njerëz të përfshirë që mund të dënohen.”