Nga Artan Rama
Ndryshimi i mënyrës së menaxhimit së një prej siteve më të rëndësishëm në vend, atij të Butrintit, ka ngritur dyshime për rreziqet që i kanosen. Dokumente të shumta, të konsultuara nga Investigative Network Albania, sugjerojnë se autoriteti shtetëror mund të ushtrojë vetëm një kontroll të zbehtë e të parëndësishëm ndaj fondacionit privat, të cilit i ka besuar Butrintin për 10 vitet e ardhshme.
Vjeshtën e shkuar i kërkova Ministrisë së Kulturës marrëveshjet për administrimin e ri të Butrintit, por ministria më dorëzoi vetëm një, atë në të cilën nënshkruesit, ministria dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, kishin rënë dakord për ruajtjen e konfidencialitetit për disa të dhëna me karakter teknik gjatë transferimit te njëri-tjetri. Duke shfletuar marrëveshjen, kuptova se aty nuk kishte ndonjë të dhënë. Domethënë, ishte vetëm një premtim mes palëve. Ishte dokumenti më i parëndësishëm!
Publiku ishte informuar për drejtimin e ri të sitit nga një fondacion i posaçëm, themeluesit e të cilit mund të mos ishin ekskluzivisht përfaqësues të autoritetit shtetëror. Fondacioni (i njohur si Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit), ishte regjistruar në gjykatë si një organizatë jofitimprurëse dhe kishte për themelues, krahas Ministrisë së Kulturës, përfaqësuesin e vetëm të vetofruar: degën e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit këtu në Tiranë ose shkurt AADF. AADF ishte një degë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, ky i fundit i themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve, pas të cilit qëndron një grup biznesmenësh, veprimtaria e të cilëve i dedikohet aktiviteteve dhe tregjeve financiare. Në Shqipëri, AADF ishte regjistruar si organizatë jofitimprurëse, qëllimi i të cilave bazohet në përdorimin e një pjese të fitimeve për qëllime bamirësie, natyrisht në shkëmbim të përjashtimit prej taksave, si dhe të përfitimit të lehtësirave të tjera, fiskale.
Kur iu drejtova ministrisë, pjesa më e madhe e punës ishte mbaruar, por unë vendosa të hulumtoj nga marrëveshja e fundit, “Marrëveshja e Grantit”, e lidhur mes Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe AADF, valutën që AADF do të kalonte në llogari të fondacionit të ri.
Iu drejtova ministrisë me një kërkesë të re.
Ministria refuzoi, fillimisht me argumentin se nuk ishte palë në marrëveshje. Mbetej ankesa te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Ndërhyrja e tij ishte sipërfaqësore, si gjithmonë. Ai u shmang, duke iu referuar një dispozite të ligjit “Për të drejtën për informim”, sipas të cilit informacioni në mungesë delegohej. Ai e këshilloi stafin e ministrisë që t’ia delegonte kërkesën palëve, por ministria nxori një pengesë tjetër. Shefi i kabinetit, Ergis Sefa, që kishte nisur karrierën në qeverisje me mbështetjen financiare të AADF, në kuadër të programit “Lead Albania”, sipas të cilit të rinjve të përzgjedhur iu ofrohej mundësia, kundrejt mbështetjes financiare 1-vjeçare, për të punuar në pozicione të larta në stafet drejtuese të institucioneve shtetërore, refuzoi, duke u shprehur: “Nuk mund t’iu delegojmë kërkesa për informacion autoriteteve jopublike”.
Kishte dalë një problem edhe më shqetësues: Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, autoriteti i cili do të administronte sitin në dhjetë vitet e ardhshme, rrezikonte të mbetej jashtë kontrollit, për shkak se nuk klasifikohej autoritet publik. Ministria e Kulturës këmbënguli më shumë se një herë, duke thënë se fondacioni nuk e gëzonte këtë status.
“Një organizatë jofitimprurëse nuk mund të jetë një person juridik publik”, – thotë Dorina Asllani, avokate dhe lektore e së Drejtës në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. “Ligji për OJF-të i përjashton autoritetet publike nga kjo kategori, ndërkohë që në Kodin Civil parashikohet themelimi i OJF-ve nga persona juridikë, por pa specifikuar shprehimisht, nëse autoritetet publike mund ta bëjnë këtë. Sidoqoftë, – vijon ajo, – nuk ka ndonjë kufizim ligjor që shërbimet publike, të cilat bien brenda fushës së veprimtarive të subjekteve jofitimprurëse, të përmbushen prej këtyre të fundit”. Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Res Publica, avokati Dorjan Matlija, shkon më tej. “Ndonëse këto funksione i janë dhënë një fondacioni jofitimprurës, Bordi i Drejtorëve ushtron funksione publike dhe shteti mbetet përgjegjës. Të tilla ngjashmëri na sjellin në vëmendje shoqëritë aksionere, të themeluara nga institucionet shtetërore, ku shteti zotëron shumicën e kapitalit, kësisoj ai kontrollon vendimmarrjen. Të tjera institucione, ndërmjet tyre edhe Radio Televizioni Shqiptar, janë gjithashtu të ngjashme”.
Më tej, duke hulumtuar aktet e themelimit të fondacionit, lexojmë: “Të ardhurat e gjeneruara nga Fondacioni nuk konsiderohen fonde publike”. Në një tjetër dokument thuhet se “…të ardhurat e gjeneruara nga Fondacioni nuk janë objekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit“.
“Me gjasë, veprimtaria e fondacionit rrezikon të mos i nënshtrohet as ligjit “Për të drejtën e informimit”, – konstaton zonja Asllani. – Sidoqoftë, kjo mbetet për t’u parë në vijim”, – përfundon ajo.
Komisioneri për të Drejtën për Informim vazhdon ta mbajë pezull vendimin lidhur me aksesin ndaj Marrëveshjes së Grantit, ndërkohë që vetë palët, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe AADF, refuzuan t’iu përgjigjeshin kërkesave të tjera për informacion, pjesë e të cilave ishte dhe interesi për këtë marrëveshje. Për avokatin Matlija, ky qëndrim nxit zhgënjim. “Është e trishtueshme që Ministria deklaron apriori, se Fondacioni nuk është një autoritet publik, duke e pozicionuar atë si një ishull të izoluar prej kontrollit shtetëror.”
Historia e sitit në tridhjetë vitet e fundit pas rënies së regjimit komunist të Hoxhës ka qenë një betejë për shkëputjen e tij nga modeli i pasuksesshëm dhe i vjetër i administrimit të deritanishëm. Fillimisht si ministër i Kulturës, Edi Rama përkrahu përpjekjet për më shumë autonomi, të nxitura nga fondacioni i atëhershëm, Fondacioni Butrinti. Por, paradoksalisht, që nga viti 2013 e këtej, kur ai fitoi më shumë pushtet si kryeministër, Butrinti mbeti po njësoj, siç kishte qenë: i shpërfillur dhe i keqadministruar.
Kryeministri u dorëzua në fund, duke shkëmbyer përgjegjësinë për dështimin me premtimin për një mënyrë dhe për një plan të ri menaxhimi.
Por, a rrezikon kjo mënyrë e re që t’i shërbejë një grupi të ngushtë? Mungesa e transparencës nuk është aspak një garanci për eliminimin e këtij rreziku.
Gjashtë vjet pas vitit `97, siti i Butrintit, i cili e kishte fituar statusin e Parkut Arkeologjik në vitin 2000, qëndronte ende në listën e trashëgimive të rrezikuara, së bashku me disa vende afrikane. UNESCO (Komiteti i Trashëgimisë Botërore), rekomandoi që plani i menaxhimit i pasurisë kulturore të bashkë-koordinohej me planin e menaxhimit të një zone natyrore, Ramsar. Kjo për shkak se Butrinti ndodhej në zemër të një peizazhi të egër, ligatinor që shquhej për larminë e pasur e të patrazuar biologjike.
Gjërat u përmirësuan, kur në fund të vitit 2005 qeveria shqiptare iu përgjigj shqetësimeve të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) lidhur me ndërtimet e paligjshme në afërsi të sitit.
Në përpjekje për t’i ndaluar, ajo e shpalli Butrintin Park Kombëtar, nën emrin “Kompleksi Ligatinor i Butrintit”. Në këto rrethana, Butrinti u fortifikua dhe territori i mbrojtur u zgjerua shumë kilometra përtej sitit kryesor.
Pasuria kulturore, mbi tokë dhe nën tokë, u përfshi në zonën qendrore të parkut të ri dhe u shënua në hartë me simbolin A3. Qendra e Trashëgimisë Botërore reagoi, duke e nxjerrë sitin nga lista e trashëgimive të rrezikuara. Dy vjet më pas, në vitin 2007, Komiteti e quajti territorin rreth A3-shit, zonë mbrojtëse (buffer), kufijtë e së cilës u përputhën, saktësisht, me ato të parkut. Sipas udhëzimeve të Qendrës së Trashëgimisë Botërore, e ashtuquajtura “zonë mbrojtëse”, ndonëse nuk është pjesë e nominimit, është e nevojshme për të mbrojtur pasurinë kulturore, mirëpo çdo ndryshim i zonës në të ardhmen duhet që të marrë edhe miratimin e Komitetit. Për këtë shkak, të dyja këto pasuri: pasuria e listuar Trashëgimi Botërore (siti arkeologjik) dhe zona mbrojtëse (buffer zone), u regjistruan si pjesë integrale e të njëjtit habitat të larmishëm, natyror.
Kur në tetor të vitit 2019, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit i propozoi Ministrisë së Kulturës themelimin e një organizate jofitimprurëse për të administruar Butrintin, pas të cilit qëndronte edhe një plan i mirëfilltë biznesi, ai e kufizoi interesin vetëm në sitin kryesor A3. Tradicionalisht, A3 tërhiqte vëmendjen dhe aksesohej masivisht nga turistët, duke grumbulluar kësisoj pothuajse të gjitha të ardhurat që gjeneronte parku, por tani A3 bënte pjesë në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe bazuar në legjislacionin e ri, të sapo-promovuar të zonave të mbrojtura, tërësia territoriale e parkut ishte nën përgjegjësinë e një tjetër ministrie: Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Krijimi i këtij dualiteti autoritetesh, në një kohë kur pjesa fitimprurëse e parkut propozohej që të shkëputej në favor të njërës prej tyre, prodhoi natyrshëm një konflikt mes dy ministrive: asaj të Kulturës dhe asaj të Mjedisit, mbi raportin e ndarjes së të ardhurave e për pasojë edhe ndarjes së përgjegjësive mes tyre.
Grupet përkatëse të interesit ishin përplasur në vitin 2018, që kur kishin filluan diskutimet për hartimin e planit të menaxhimit të Parkut të Butrintit, në një proces të komisionuar nga AADF. Ndonëse plani merrte në konsideratë të gjithë territorin e parkut, zbatimi i tij do të administrohej prej dy autoriteteve të ndryshme. Drejtuesit e Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit kishin kërkuar trajtim të barabartë të pasurive: kulturore dhe mjedisore.
“Siti arkeologjik ka qenë gjithmonë një prioritet, ndërkohë që ne kërkuam që zona buferike të mos shihej në varësi të sitit kryesor, por si dy pasuri të miksuara”, – thotë Lorela Lazaj, drejtoresha e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura (qarku Vlorë).
Sipas një zyrtari të lartë të Ministrisë së Mjedisit, i cili më informoi, me kushtin që nuk duhej t’i përmendej emri, përfaqësuesit e AADF gjatë bisedimeve nuk e pranuan propozimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje për përdorimin e një pjese të të ardhurave, të siguruara nga biletat (deri në 30%), në favor të projekteve dhe të shërbimeve mjedisore, të dobishme për parkun.
Çështja e kontrollit ndaj dy pasurive u ri-çel në vitin 2019, kur projektplani i menaxhimit të Butrintit iu prezantua ekspertëve të Qendrës së Trashëgimisë Botërore në Paris, nëpërmjet Misionit tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, afërsisht në të njëjtën periudhë, kur AADF dorëzoi në Ministrinë e Kulturës kërkesën për administrimin indirekt të Butrintit.
Më 24 janar 2020, palët, me pjesëmarrjen edhe të AADF, u ulën përballë njëra-tjetrës në dy takime të njëpasnjëshme për të diskutuar mbi planin, por pas përfundimit të diskutimeve situata vijoi të mbetej e paqartë…
Më 28 shkurt, Qendra e Trashëgimisë Botërore kërkoi sqarime të mëtejshme, veçanërisht lidhur me rekomandimin e saj, që këshillonte qeverinë shqiptare të krijonte një autoritet të vetëm për t’i administruar që të dyja: A3-shin dhe njëkohësisht Parkun Kombëtar (zonën mbrojtëse). Qendra e nxiste qeverinë që të përfshihej seriozisht dhe menjëherë.
Qeveria u përgjigj më 18 mars përmes një tjetër letre: “Ministria e Kulturës nuk mund të themelojë një fondacion për të administruar pasuri, të cilat nuk janë nën administrimin e saj”, – thuhej në përgjigje.
Nënkuptohej pra, se fondacioni (organizata jofitimprurëse), i propozuar për të administruar A3-shin, nuk do ta përfshinte Parkun Kombëtar të Butrintit. AADF dhe Ministria e Kulturës nuk ndryshuan qëndrim edhe më vonë, kur marrëveshja për kalimin e Butrintit u prezantua në Kuvend. Sipas tyre, ligji i ri “Për Trashëgiminë Kulturore” (hartimi i të cilit, ndonëse u mbështet nga vetë AADF), nuk e lejonte një mundësi të tillë; nuk mundej ministria të negocionte marrëveshje mbi pasuri, të cilat e tejkalonin juridiksionin e saj.
Mirëpo argumenti ndihmohej edhe nga një akt më i hershëm, kur një vendim i veçuar i qeverisë në vitin 2014 e kishte shkëputur administrimin e zonës A3 nga administrimi i mbetur i Parkut Kombëtar, për t’ia kaluar ekskluzivisht Ministrisë së Kulturës. Fjala ishte vetëm për 614 ha të zonës arkeologjike, as sa një e dhjeta e territorit të përgjithshëm të Parkut Kombëtar. Në vitin 2018, ligji i ndryshuar “Për Trashëgiminë Kulturore” i dha të drejtën edhe personave juridikë jofitimprurës që të administronin pasuritë e trashëgimisë kulturore. A3 ishte një prej këtyre pasurive. Këto vendime, gradualisht, njëra pas tjetrës, shënuan fillimin e fundit të një administrimi të përbashkët dhe me shumë gjasë mund të krijojnë pështjellim në të ardhmen, por ajo që ka më shumë rëndësi: fillimin e paqëndrueshmërisë së integritetit territorial të parkut. Si për ironi, Parku Kombëtar, duke i hequr A3-shin, ose thjesht “buffer zone”, e cila u krijua për të garantuar qëndrueshmërinë e sitit, rrezikon të zhvlerësohet, tani që shkëputja e sitit drejt një administrimi të ri mund ta lërë pa mbështetje dhe të ngarkuar plot me përgjegjësi.
Dhe rreziqet nuk mungojnë.
Kështu, në shkurt të vitit 2021, Agjencia për Zhvillimin e Investimeve Strategjike (AIDA) i rekomandoi Komitetit të Investimeve (KIS) dhënien e 128 ha nga zona qendrore e Parkut Kombëtar të Butrintit për ngritjen e një kompleksi turistik me 636 dhoma. Më herët, në janar, një artikull nga Richard Hodges, arkeologu vizionar, britanik dhe njëri prej hartuesve të Planit të Menaxhimit të Butrintit, tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet që i kanosen Parkut Kombëtar prej efektit të ndryshimeve klimatike. Sipas mendimeve të shprehura në artikullin me titull: “Duke u përballur me Ndryshimet Klimatike në Butrint”, jo vetëm siti, por dhe territori përreth, mund të ndikohet seriozisht nga rritja e nivelit të detit Mesdhe në një kohë jo shumë të largët, me pasojë mbulimin nga uji të monumenteve dhe të tokave përreth.
Kjo është sfida kryesore, me të cilën do të përballet sot Butrinti, por edhe administrimi i ri. Mësimi i dhënë nga Qendra e Trashëgimisë Botërore, se e ardhmja e sitit varej nga mirëmbajtja e habitatit që e rrethonte, ishte njësoj i vlefshëm.
Qendra e Trashëgimisë (UNESCO) vijoi me shqyrtimin e paqartësive, duke dërguar përmes drejtoreshës, Mechtild Rössler, një letër të dytë më 24 qershor. Situata, më tepër se demotivuese, shndërrohet në komike, sepse Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore, një organ kolegjial, në dukje i pavarur, por me një shumicë burokratësh në përbërje, vartës të ministrit të Kulturës, kishte miratuar projektplanin e menaxhimit që dy muaj e gjysmë përpara. Sipas procesverbalit të arkivuar të mbledhjes, vetëm një prej anëtarëve të Këshillit u paskësh kërkuar anëtarëve të tjerë pjesëmarrës rivlerësimin e shqetësimeve të UNESCO-s përpara miratimit të projektit, por ndërhyja e ministres së Kulturës, Margariti, i kishte vënë kapak një diskutimi të mundshëm: “Nuk presim prej tyre të kemi rishikime”, – ishte shprehur.
Ministria e vazhdoi “lojën”, duke heshtur për miratimin e planit të menaxhimit dhe më 22 korrik qeveria shpalli miratimin e planit, ndërkohë që korrespondenca me Qendrën e Trashëgimisë Botërore vazhdonte e patrazuar, si të mos kishte ndodhur asgjë. Ç’dobi mund të sillte reflektimi i vërejtjeve të mëtejshme, në një kohë kur planit ishte miratuar?!
Por ekspertët e Qendrës ngrinin edhe një tjetër shqetësim: Si quhej organi qeveritar që do të administronte pasurinë Trashëgimi Botërore? Pyetja nuk ishte një kuriozitet. Në vitin 1989, Shqipëria kishte nënshkruar Konventën e Parisit, një konventë ndërkombëtare, e cila adresonte shqetësimet në rritje ndaj shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Natyrisht, Qendra kërkonte që të sigurohej se propozimi për kalimin e Butrintit drejt personave juridikë, jofitimprurës nuk i cenonte dispozitat e kësaj Konvente, veçanërisht nenin 4, i cili parashikonte: “Çdo shtet anëtar i kësaj Konvente bie dakord, që detyra për mbrojtjen, konservimin, si dhe për transmetimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore drejt brezave të ardhshëm, të vendosura në territorin e tij, i takon në radhë të parë këtij shteti”.
Për të kuptuar më shumë, le të kthehemi te përgjigjja e 18 marsit, e cila ndriçoi një tjetër fakt.
Ministria pohonte se, sipas projektplanit të ri, administrimi i sitit do të realizohej nga një strukturë ndërministrore nën drejtimin e Zyrës së Kryeministrit, e quajtur: Autoriteti i Parkut Kombëtar të Butrintit, kompetencat dhe marrëdhënia ligjore e së cilës do të përcaktoheshin në të ardhmen. Sipas organigramës, e cila shoqëronte përgjigjen, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit renditej nën autoritetin në fjalë, por në të njëjtin nivel me ministritë e tjera. Ishte një përgjigje nga hiçi, pasi varësia e sitit nga Zyra e Kryeministrit nuk përmendej kurrkund, në pothuajse të 200 faqet e projektplanit.
Çfarë po i tregonin UNESCO-s?!
Një vit e gjysmë më pas, në prag të miratimit përfundimtar të Marrëveshjes (maj 2022), Autoriteti në fjalë, i ashtuquajturi organ ndërministerial, përgjegjësitë dhe kompetencat e të cilit, nën drejtimin e Kryeministrit, do të udhëhiqnin administrimin e Butrintit, ishte tretur nëpër korrespondenca.
Kthehemi sërish te diskutimet për projektplanin.
Dialogu me Qendrën u ndërpre papritur në mars të vitit 2020. Deri në shtator, Qendra e Trashëgimisë Botërore kërkoi, jo më pak se tri herë, që të vizitonte Shqipërinë.
Së bashku me ekspertët e saj të ICOMOS ajo u tregua e gatshme të ndihmonte, duke konstatuar nga afër gjendjen e sitit. Ndërkohë, qeveria nuk u përgjigj më herët se pa kaluar një vit. Ajo e anashkaloi ftesën, duke vijuar të shkëmbente hollësira me një rëndësi relative mbi një të shkuar tashmë të kaluar.
Sakaq këtej gjërat përparuan me shpejtësi.
Më 24 shkurt 2021, Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) lidhën marrëveshjen e bashkëpunimit, që i çelte rrugën regjistrimit të fondacionit të posaçëm e më pas hartimit të marrëveshjes përfundimtare të administrimit vetëm për nën-zonën A3. Në pak muaj, të tjera marrëveshje, akte dhe sfida ligjore të mirë-koordinuara u përmbushën pa vonesë, për të finalizuar një proces, rrugëtimi i të cilit shtrihej pas, përgjatë një dekade.
Marrëveshja e bashkëpunimit për themelimin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit
Kur dokumenti përfundimtar (Marrëveshja e Administrimit) iu dorëzua Kuvendit në fund të prillit të vitit 2022, në librarinë virtuale të projektligjeve u depozitua vetëm titulli, por jo përmbajtja. Kështu, një pjesë e deputetëve të shumicës e miratuan pa lexuar asnjë rresht nga dhjetëra e dhjetëra faqe. Nëse autorët e marrëveshjes synuan një proces votimi, ku votuesi nuk e kupton se për çfarë po voton, ata nuk mund të kishin programuar një proces më të suksesshëm se kaq. Por, le të hedhim pak më shumë dritë mbi atë çka deputetët votuan, por që nuk lexuan; procedura jotransparente e zhvilluar e së cilës shumëfishoi interesin dhe rriti vigjilencën publike.
Itinerari i një ftese të pazakontë
Shumëkush mund të deklarojë lehtësisht, se asambleja e ortakëve të një kompanie biznesi dhe bordi i drejtorëve të një fondacion jofitimprurës nuk janë e njëjta gjë. Padyshim, jo! Ndërkohë që e para është pjesë e një sistemi, i cili motivohet nga fitimi në dobi të individit, e dyta synon të kundërtën: bamirësinë jofitimprurëse në dobi të komunitetit. Por, ajo që dikush nuk mund të kuptojë lehtësisht, është se si i njëjti njeri mund t’iu përkasë njëkohësisht të dyjave: edhe fitimit, edhe bamirësisë.
Avokatja Flonja Boriçi është një e tillë.
Askush më shumë se ajo nuk ka përjetuar ndonjëherë më parë magjinë e kalimit dramatik nga bota e zhurmshme dhe reale e tregjeve financiare, në mikrobotën ideale e të magjishme të qytetit antik, homerik. Më 11 qershor 2021, Flonja Boriçi u emërua në Bordin e Drejtorëve të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit nga themeluesit e fondacionit, ndërkohë që prej një dekade kishte themeluar dhe drejtonte kompaninë e saj ligjore, e njohur edhe ndërkombëtarisht: “Tashko&Pustina”.
Në gusht hyri në fuqi marrëveshja për administrimin e ri të nën-zonës A3, ekskluzivisht nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit.
Së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti, Flonja u caktua anëtare në organin më të lartë vendimmarrës të këtij fondacioni, në Bordin e Drejtorëve.
Dy anëtarët e tjerë ishin bashkë-drejtorët e AADF: Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli. Anëtari i pestë dhe i fundit, i vetmi me përvojë administrimi të drejtpërdrejtë në një Sit Trashëgimie Botërore, ishte arkeologu Richard Hodges. Në dhjetë vitet e ardhshme për Flonja Boriçin do të fillojë një karrierë e re, për të cilën nuk ka, as formimin dhe as përvojën.
Pasi u diplomua juriste, ajo fitoi Masterin në Drejtësi për të Drejtën Tregtare. Karriera e saj dhe e studios, që ajo themeloi, spikati në sektorin e industrisë dhe të energjisë së vendit, duke kombinuar shërbimet, jo vetëm në sektorin privat komercial, por edhe si partnere me institucione financiare, ndërkombëtare. Së fundi, në partneritet me konsorciume kompanish ndërkombëtare Tashko&Pustina është bërë pjesë e skuadrave këshillimore shumë-disiplinore të komisionuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim dhënien e ndihmës për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e garave të koncesioneve në fushën e energjisë së rinovueshme (Karavasta dhe Spitallë). Në faqen online të kompanisë nuk mungon as informacioni për shpalljen e garës për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ndërtimi i të cilit dëmton seriozisht Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, një ekosistem i egër, ligatinor, po aq delikat sa dhe Parku Kombëtar i Butrintit, brenda të cilit ndodhet e famshmja nën-zona qendrore A3.
Po si ndodhi që Flonja Boriçi, në kulmin e lulëzimit të një karriere të dalluar, brenda një mjedisi motivues fitimprurës, ta drejtonte vëmendjen drejt një mjedisi më të qetë dhe pak të shqetësuar, siç ishte Butrinti, duke i dhënë karrierës profesionale ngjyrime filantropike dhe një identitet të ri?
“M’u kërkua, nëse mund të merresha me Butrintin dhe unë pranova”, – pohon thjesht dhe shkurt zonja Boriçi, kur u takuam në maj në studion e saj, në qendrën komerciale, Kullat Binjake, në bulevard. Nuk kishte shumë njohuri për parkun, ndërsa për pjesën jashtë A3-shit nuk ishte shumë e sigurt: “Ndoshta AADF donte ta merrte të gjithë parkun, por ne nuk ia dhamë”, – vijoi më tej. Nuk është e lehtë për të dokumentuar trajektoren e saj, për të lëvizur nga portat e biznesit drejt portës së Butrintit si anëtare e bordit vendimmarrës, por disa të dhëna ndriçojnë shtegun nga mund të nisesh për të mbërritur te përgjigjja.
Historia zë fill më 6 prill të 2020, ditën kur Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore kishte miratuar Planin e Menaxhimit të Butrintit. Atë ditë ai kishte marrë edhe një tjetër vendim: propozimin për përfshirjen e një eksperti të jashtëm, i cili do të ndihmonte në negocimin e marrëveshjeve për krijimin dhe funksionimin e fondacionit të posaçëm. Kriteret e përzgjedhjes dhe kualifikimet e ekspertit u vendosën që të caktoheshin në mbledhjen e radhës.
Po në mbledhjen e radhës nuk u përmend asnjë kriter! Asnjë ekspert!
Tre muaj më pas, në korrik, ministria troket te banka Credins.
“Ne nuk kishim pará të mjaftueshme për ta paguar ekspertin. Ishte një shërbim i paparashikuar në buxhetin e ministrisë, – tregon Ergis Sefa, shefi i kabinetit të zonjës Margariti, – ndaj menduam t’i përfitonim ato nëpërmjet një banke, e cila do të mund ta paguante ekspertin”.
Credins e pranoi rolin dhe vendosi në dispozicion të shërbimit 48,000 €, përmes nënshkrimit të një kontrate sponsorizimi, ku Ministria e Kulturës ishte në rolin e “Përfituesit”.
Po cili do ta kryente atë shërbim dhe kush do t’i përfitonte ato pará? Mendoni pak…
Po! E saktë! Studio ligjore Tashko&Pustina u përzgjodh nga banka në një proces të mbyllur në cilësinë e Konsulentit, kundrejt shpërblimit prej 48,000 € (i cili më tej u ngrit në 50,000 €). Ndonëse nënshkrimi i një kontrate sponsorizimi ishte formalisht një veprim i ligjshëm, shpenzimet e së cilës këmbeheshin me lehtësira fiskale në favor të bankës, ajo ngrinte disa shqetësime.
Kontrata e sponsorizimit në favor të studios ligjore, Tashko&Pustina
Në një këndvështrim teknik, përdorimi i parave të huaja jashtë buxhetit për shërbime publike mund të shihet si arritje, por nga ana tjetër shmangia e një konkursi të hapur nën justifikimin se po përdoren fonde jopublike, shmang garën, duke e paracaktuar Konsulentin. Sidoqoftë, ministria mund ta kushtëzonte pranimin e parave nga donatori me zhvillimin e një konkursi, por nuk e bëri.
Shqetësimi i dytë ka të bëjë me kriteret përzgjedhëse. Tashko&Pustina nuk ofronte asnjë përvojë në administrimin e çështjeve që i përkisnin trashëgimisë, artit, historisë apo arkeologjisë. Procesi “u mbyll” në kasafortën e një banke private, e cila shpenzoi pará në këmbim të përzgjedhjes që ajo dëshiroi, në favor të një studioje, fokusi i së cilës ishin aktivitetet dhe dinamikat mes kompanive financiare dhe marrëveshjet koncesionare të këtyre kompanive me autoritetin shtetëror.
Banka, sidoqoftë, nuk ishte e vetme dhe për më tepër, jo njësoj përgjegjëse përballë institucionit publik.
Vetë ministria kishte jo më pak se dy mundësi për kryerjen e një procesi që respektonte një garë të hapur, por ajo nuk shfrytëzoi asnjë. Pikësëpari, ajo mund t`i përdorte të ardhurat e krijuara, të cilat administroheshin në masën 90% nga Zyra e Administrimit të Parkut, që ndodhej nën juridiksionin e vetë Ministrisë së Kulturës. Në njëmbëdhjetë vjet, që nga dalja e vendimit që legjitimonte përdorimin e këtyre fondeve për kryerjen e shërbimeve ndaj parkut, në arkën e administrimit autonom, financiar të Butrintit ishin grumbulluar rreth 2.2 milionë dollarë amerikanë. Pavarësisht se deri në atë moment përdorimi i atyre parave kishte dështuar, aty ishin grumbulluar mjaftueshëm për t’u përdorur për kryerjen e shërbimeve të tilla, ku ato ligjore-administrative nuk mund të përjashtoheshin. Mundësia e dytë ishte përmes parashtrimit të nevojës financiare të Ministrisë së Financave për mundësinë e rialokimit të fondeve shtesë. Kjo e fundit mbetet një praktikë e rëndomtë e përdorimit të fondeve publike në përshtatje me dinamikën e nevojave të paparashikuara apo emergjente përgjatë vitit buxhetor.
Në rrethanat kur opsioni i sponsorizimit prej bankës rezultoi fitues, Flonja mund të jetë ndjerë realisht falënderuese.
“Faleminderit që kontaktuat zyrën tonë me planet tuaja…”, – ishte fjalia çelëse e letrës, përmes së cilës, në emër të Tashko&Pustina, ajo i drejtohej bankës Credins, duke pranuar negocimin e marrëveshjeve. Dhe ajo filloi nga puna menjëherë.
Kontrata përfundonte pas dy vjetësh, më 31 korrik 2022.
Por, më 11 qershor 2021, pa përfunduar kontrata, ajo caktohet anëtare e Bordit të Drejtorëve të Fondacionit të ri, dokumentacionin e të cilit ishte ende duke e përgatitur. Tani, nuk ishte thjesht e vetëm një hartuese shkresash, por këtej e tutje edhe vendimmarrëse; dy përgjegjësi brenda të njëjtit person.
Por, a kemi të bëjmë me një mospërputhje?
Në nenin 7 të ligjit “Për profesionin e avokatit” thuhet: “Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit, nuk mund të kryejë asnjë funksion apo detyrë
tjetër në organet publike”. Kështu që, nëse zonja Boriçi në Bordin e Drejtorëve kryen një funksion apo një detyrë shtetërore, a krijon konflikt ky përfaqësim në veprimtarinë e saj si avokate? “Emërimi nuk bie ndesh me nenin 7″, – përgjigjet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Znj. Zerina Bruçi, karriera e së cilës për sezonin 2019-2020 ishte mbështetur gjithashtu, nga bursa “Lead Albania”, një program i financuar nga AADF. “Fondacioni”, – vijon ajo,
“është një organizatë jofitimprurëse, veprimtaria e të cilit nuk ndikohet nga shteti”. Por avokati Matlija e sheh ndryshe. “Në gjykimin tim”, – shprehet ai, “anëtarët e Bordit të Drejtorëve ushtrojnë funksione publike, pasi vetë organi të cilit i përkasin kontrollohet në shumicë nga Ministria e Kulturës. Që do të thotë se kemi hyrë në terrenin e një papajtueshmërie lidhur me natyrën e dyfishtë të Znj. Flonja Boriçi, papajtueshmëri e cila ka të bëjë me profesionin e saj si avokate e jo me funksionin e saj si anëtar bordi”.
Po në ç’mënyrë i përmbush Flonja Boriçi detyrimet si përfaqësuese e shtetit në rolin e anëtarit të bordit, aq më tepër kur në nenin 11.6 të Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Themelimin e FMB, anëtarëve iu kërkohet një vendimmarrje e zhveshur nga çdo lloj autoriteti prej themeluesve? Në rast se është kështu, në ç’mënyrë, themeluesi (Ministria e Kulturës) sigurohet se vendimmarrja e përfaqësuesve të tij është në favor të interesit shtetëror? Deri ku shtrihen kufijtë e autonomisë së fondacionit dhe ç’mekanizëm e garanton mbarëvajtjen e pasurisë kulturore në favor të interesave shtetërore? Duke shfletuar në morinë e dokumentacionit shkresor, ligjor të fondacionit të ri, vështirë që të të bjerë në sy një garanci konkrete.
Më 16 nëntor 2021, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Pasurisë Kulturore në një atmosferë festive dhe çlirimi ngritën dorën në favor të Marrëveshjes së Administrimit të Nën-zonës A3. Le të shpresojmë që të kenë qenë mjaftueshëm të informuar dhe të vetëdijshëm për çka kanë miratuar atë ditë, përderisa në procesverbalin e mbledhjes ekspozohen së paku dy të pavërteta serioze; e para, kur gjatë prezantimit të draftit juristi i Tashko&Pustina pohon se fondacioni do t’i prokurojë shërbimet, bazuar në ligjin “Për prokurimet publike”, teksa është tërësisht e kundërta (Fondacioni përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik – Marrëveshja e Bashkëpunimit) dhe e dyta, kur Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës informon se UNESCO ka aprovuar modelin e administrimit të Butrintit dhe se mes palëve ishte zhvilluar një komunikim i suksesshëm…
Në fakt, Qendra Botërore e Trashëgimisë nuk ishte njohur me Marrëveshjen, pasi Misioni ynë i Përhershëm në UNESCO nuk e dispononte, të paktën deri në qershorin e vitit pasardhës.
Marrëveshja e bashkëpunimit, sipas të cilit Fondacioni i përcakton vetë procedurat e prokurimit
Ndaj pasaktësive nuk pati asnjë reklamim. Anëtarët e Këshillit votuan me unanimitet.
Më 23 maj (2022) marrëveshja kaloi në Kuvend. Nuk pati asnjë surprizë. Deputetët e shumicës e shmangën debatin për marrëveshjen dhe një pjesë e tyre as nuk e mori mundimin ta lexojë.
Për pasojë, në dhjetë vitet e ardhshme Butrinti do të administrohet, jo më nga shteti shqiptar, por nga një bord prej pesë anëtarësh, organizimi i të cilit lë të kuptohet se nuk do mbetet hapësirë për diskutime të vërteta apo debate mes tyre, pasi, për të shmangur diskutimet, themeluesit kanë propozuar miratimin e vendimeve me shumicë të thjeshtë (gjysma+1).
Por problemi zgjerohet përtej numrit. Ende nuk është e qartë se kujt i takon shumica! Tre prej anëtarëve janë propozuar nga një organizatë jofitimprurëse, ndërkohë që vetëm dy, në minorancë, nga pala shtet.
Është jashtëzakonisht e vështirë për të kuptuar se në ç’mënyrë, të paktën një nga dy të fundit, e ftuara nga një bankë, zonja Flonja Boriçi, do të vendosë në favor të interesave të shtetit gjatë vendimmarrjes. Cili mekanizëm e detyron që ta bëjë këtë? Po nëse qeveria, hipotetikisht, nuk është dakord me vendimet e bordit, a mund të ndërhyjë? I ndalon dot? A mund t’i anulojë?
Pas 21 muajsh ndërprerjeje dhe heshtjeje, UNESCO iu kthye komunikimit në qershor. Ajo përsëriti kërkesën për lejimin e një grupi ekspertësh të saj për të vizituar sitin, si dhe kërkoi përfshirjen e disa të tjerëve në Bordin e Drejtorëve të fondacionit të ri, në cilësinë e vëzhguesve. Por në dy vjet shumëçka kishte ndryshuar. Miratimi nga Kuvendi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes e ka shtuar tolerancën e qeverisë. U ra dakord për një vizitë triditore në fund të tetorit. Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës dhe njëkohësisht kryetarja e Bordit të Drejtorëve të FMB, Elva Margariti, e pranoi kërkesën e Qendrës së Trashëgimisë për përfshirjen në bord, (por) vetëm të një vëzhguesi dhe pa të drejtë vote.
Ndërkohë, Qendra nuk ka shprehur ende një qëndrim për Marrëveshjen për Administrimin e A3. Çuditërisht, ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, z. Ernesto Ottone Ramirez, konfirmoi se ishte njohur me dokumentacionin për themelimin e fondacionit të ri vetëm javën shkuar, pavarësisht se bëhej fjalë për një dokument të nënshkruar që një vit e gjysmë më parë.
Misioni për shkëputjen e A3 ka kaluar në një fazë të re: transpozimi gradual drejt administrimit të ri. Duket se gjithçka është përmbushur jo pa sukses për palët.
Por, një pyetje mbetet, gjithsesi. A është Fondacioni i sapokrijuar një organ publik? Ministria thotë, jo! Nëse është kështu, Shqipëria rrezikon ta ketë shkelur nenin 4 të Konventës së Parisit, duke ia kaluar administrimin një organi privat, ndaj të cilit (dhe duhet theksuar se) autoriteti shtetëror mund të ushtrojë vetëm një kontroll të zbehtë e të parëndësishëm.
Kush përfiton atëherë, nga mungesa e kontrollit?/ Marrë nga Ivestigative Network Albania