Nga Boldnews.al
Shtetasi kinez Liangbin Chen, i arrestuar në Korrik 2022 në Tiranë, ka ngritur një perandori të vërtetë kumari dhe bastesh on-line, me të cilën dyshohet nga autoritetet e Kinës se ka mashtruar mbi 9 milionë persona për një shumë që llogaritet në rreth 140 milionë euro
Në mes të kësaj jave, Gjykata e Tiranës miratoi kërkesën për ekstradimin e Chen, drejt vendit të tij, ku akuzohet për mashtrim kompjuterik. Ai pritet të vijojë betejën ligjore në shkallët e tjera të gjyqësorit shqiptar, ndërkohë që qëndron nën masën “arrest shtëpie” në një prej komplekseve rezidencalë më luksozë të Tiranës, pranë qendrës tregtare “TEG”, në Lundër.
“Boldnews.al”, i cili ka raportuar më herët se aktiviteti i dyshuar kriminal i Chen ishin bastet on-line, ka zbuluar detaje mbi mënyrën se si ka vepruar “perandoria e kumarit”, referuar hetimeve të kryera nga autoritetet kineze. Në vitin 2019, kinezi Liangbin Chen, rezident në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka krijuar në Dubai kompaninë “Hui Yuan”. Shoqëria kishte aktivitet kryesor krijimin e platformave të basteve on-line.
Në funksion të kësaj veprimtaria, Chen dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan disa faqe interneti bastesh dhe kumari, ndër të cilat “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card” dhe “A8 Entarteinment”.
“Perandoria” e kumarit
Për të kryer aktivitetin, kompania ndërtoi një strukturë gjigande. Selia e saj ishte në Dubai, por thuajse të gjithë aktivitetin e basteve on-line e ka ushtruar me qytetarë-lojtarë kinezë. Konstrukti i shoqërisë ishte bazuar në katër shtylla kryesore ose departamente.
Departamenti i teknologjisë ishte përgjegjës për kërkimin, zhvillimin, testimin dhe mirëmbajtjen e “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card”, “A8 Entarteinment”, si edhe aplikacioneve të tjera të bixhozit, duke ofruar lojtarë virtualë të rremë, të krijuar në servera, të cilët u krijonin bindjen lojtarëve realë se po përballeshin me kundërshtarë të vërtetë. Ky departament dyshohet se ka krijuar aplikacione, mbi bazën e të cilave kombinoheshin fitore e humbje të lojtarëve realë, me qëllim që t’i mbanin “lidhur” me faqet e tyre të kumarit dhe për të siguruar që grupi kriminal të siguronte përfitime të paligjshme.
Departamenti i Teknologjisë, krahas miërmbajtjes së sistemit elektronik të basteve, kryente edhe ndryshimin e herë pas hershëm të “domain-it” për shkarkimin e aplikacioneve të lojërave të kumarit, mbyllte apo integronte aplikacione të tjera, në mënyrë që të shmangeshin hetimet policore. Por, më e rëndësishmja, këto ndryshime të shpeshta në aplikacion, krijonin pamundësi tek lojtarët që të tërhiqnin përfitimet e tyre.
Departamenti i dytë i kompanisë së krijuar nga Liangbin Chen, gjithnjë sipas hetimit të autoriteteve kineze, ishte ai Operaciiional.
Ky Departament ishte përgjegjës për veprimtarinë e aplikacioneve, statistikat, komunikimin, si edhe pagesat. Ai përqëndrohej kryesisht tek ajo që konsiderohej si “shërbimi ndaj klientit”. Departamenti operacional angazhohej më së shumti në rekrutimin e agjentëve të kompanisë, si edhe raportonte mbi depozitimin apo tërheqjen e parave. Ky departament orientonte lojtarët që të përdornin aplikacione si “WeChat” apo “Alipay” për t’u përfshirë në lojërat on-line të basteve.
Ndërsa Departamenti i marketingut ishte përgjegjës për promovimin e aplikacioneve të bixhozit, duke përdorur sistemtet “QQ”, “WeChat”, “SMS” dhe të tjera mjete komunikimi, duke postuar link-e me aplikacionet e bixhozit, të shoqëruara me fjalë kyçe për t’u përdorur në motorët e kërkimit dhe reklamat. Departamenti i marketingut ishte gjithashtu përgjegjës për punësimin e kinezëve jashtë shtetit (në Emiratet e Bashkuara Arabe), me qëllim kryerjen e punëve për llogari të departamenteve të ndryshme, duke u siguruar bileta avioni, viza, mjete transporti akomodimi dhe gjithçka tjetër të nevojshme.
Departamenti i Financës ishte përgjegjës për kryerjen e pagesave, përqindjet nga bixhozi, mbledhjen dhe transferimin e parave të paligjshme. Sipas hetimit të Policisë kineze, vetëm në periudhën Maj-Dhjetor 2020, grupi kriminal kishte mbi 9.19 milionë anëtarë të regjistruar, të cilët depozituan mbi 7.058 milionë CNY (monedha kineze- Chinnese Yuan Renminbi, shën. Red.) dhe tërhoqën 5.165 milionë CNY, kurse fitimi i grupit kriminal ishte 1.893 milionë CNY.
Deri më tani, janë arrestuar 44 anëtarë të bandës kriminale.