Partizani e ka nisur këtë sezon edhe më mirë se në vitin kur u shpallën kampionë dhe pjesë e skuadrës ishte Erald Çinari, i cili shënonte 6 gola, dy prej tyre ndaj Tiranës në derbin e fituar, që siguronte matematikisht titullin. Tashmë pjesë e Samsunspor në Turqi, sulmuesi shkodran në një intervistë për “Panorama Sport” flet për startin e Partizanit, derbin dhe pikën e dobët të Vllaznisë, ku është formuar dhe ka dalë si futbollist.
Për arsye të ndryshme nuk keni pasur ecurinë e pritshme në fushë në kohët e fundit. A jeni gati të kthehesh Çinari i dikurshëm?
Të them të drejtën unë po pres momentin tim dhe besoj se do të vijë dhe shumë shpejt do të jem ai që kam qenë gjithmonë. Të vazhdoj të shënoj gola dhe të kontribuoj për ekipin.
Në verë u përfol në media për disa lëvizje të mundshme tuajat, e menduat largimin nga Samsunspori apo ishin thjesht thashetheme?
Unë kam kontratë edhe për dy vite me Samsunspor, kështu që deri më tani jam këtu dhe vazhdoj të jem pjesë e klubit dhe besoj se do të vazhdoj të respektoj kontratën. Pastaj futbollit nuk i dihet asnjëherë, por tani për tani po respektoj kontratën që më lidh me Samsunsporin
Sa i fortë ju duket Partizani i këtij sezoni?
Të them të drejtën Partizani më ka surprizuar për mirë. Nuk e kam pritur që në fillim një ecuri kaq të mirë, por dihet se Partizani gjithmonë hyn me synimin për të fituar titullin kampion dhe nuk është çudi aspak që është në krye.
Si të duken paraqitjet e Skukës dhe sa mund të arrijë ai te Partizani?
Në rast se vazhdon me këto ritme, do t’i shërbejë shumë Partizanit dhe shpresoj ta bëjë këtë, sepse i duhet shumë ekipit. Nëse i shërben Partizanit si duhet, ndihmon edhe veten e tij. Skuka është lojtar me shumë cilësi.
Nga cili prej lojtarëve pret më shumë seç ka dhënë deri më tani?
I kam parë ndeshjet e Partizanit dhe e kam ndjekur kampionatin shqiptar dhe besoj se gjithsecilit i është marrë maksimumi i mundshëm dhe të gjithë po e shfaqin veten në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jo më kot janë edhe në vend të parë.
A ju duket Partizani për titull dhe sa të fortë e pret konkurrencën me ekipe si Vllaznia apo Tirana?
Është shumë herët për të folur për titullin kampion, janë javët e para dhe janë ende shumë ndeshje në lojë, por në rast se vazhdojnë me këto ritme besoj se do të jenë më afër se të gjithë. Nuk mbeten pas as Vllaznia e Tirana. Për mendimin tim shkodranët kanë një ndër ekipet më të mira në Shqipëri dhe mendoj se është një nga dy pretendentët kryesore. Për mua Partizani dhe Vllaznia janë pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion.
Si ju duket Kolela dhe mesa sheh nga jashtë, ku ndryshon ai nga Sormani dhe Lerda, të cilët kanë drejtuar kur ju ishit te të kuqtë?
Unë kam punuar me Lerdën dhe Sormanin. Unë nuk jam në brendësi të gjërave tani për tani, por e di që mesa shoh, taktika është primare edhe për Kolelën. Këtë vit po shprehen shumë më mirë në fushë. Edhe ne me Lerdën nuk ishim keq, sepse me të ishim në vend të parë, prandaj nuk mund të themi se kemi pasur eksperienca shumë të këqija.
A ju erdhi ndopak keq për mënyrën se si u largua Belica për shkak se ai ishte një nga lojtarët më me eksperiencë aty?
Nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur aty, por di të them se Partizani ka humbur një lojtar dhe një djalë shumë të mirë. Lojtar me eksperiencë shumë të madhe, i cili për mua do t’i kishte bërë shumë punë Partizanit në këtë sezon. Gjithsesi, janë gjëra që nuk më takojnë mua t’i vlerësoj, thjesht të respektohet vendimi i gjithsecilit
Si e prisni derbin e parë të këtij sezoni?
Derbi është një ndër ndeshjet më të bukura dhe më të rivalizuara të kampionatit shqiptar. Shpresoj dhe besoj se tifozët do të jenë aty në mbështetje të ekipit, siç kanë bërë gjithmonë dhe shpresoj shumë që ndeshjen ta fitojë Partizani!
A do të donit të luanit në shtëpinë e re të Partizanit dhe a ju mungonte diçka e tillë kur ju ishit te Partizani?
Gjithkush kur është në shtëpinë e vet shprehet edhe më mirë. Më vjen mirë që presidenti po ia arrin qëllimit, sepse kishte shumë kohë që investonte në atë vend. Ai ka bërë diçka shumë të mirë për futbollin shqiptar dhe për ekipin e Partizanit. Besoj shumë që ekipi do të shprehet edhe një herë më mirë në fushën e vet, siç është shprehur deri më tani. Në lidhje me të luajturin, futbollit asnjëherë nuk i dihet. Sot je këtu, nesër je atje. Është i papritur dhe ndryshon nga momenti në moment, kështu që nuk mund ta heq mundësinë që mund të loz, por ndoshta nuk luaj edhe asnjëherë atje. Të shohim.
Ku mund të përmirësohet më shumë Vllaznia, sepse e kemi parë të ketë disa luhatje, veçanërisht ndaj ekipeve të vogla?
Gjithmonë shkodranët i ka karakterizuar kjo pjesa që me ekipet e vogla e ka ulur tempin. Do të doja t’i këshilloja që siç marrin Tiranën dhe Partizanin, të luajnë edhe ndaj ekipeve të tjera më të vogla në letër, sepse mesa po shohim në Shqipëri nuk po ka shumë diferenca.
/Panoramasport