ERE ka miratuar kërkesën e Furnizuesit të Shërbimit Universal për vendosjen e fashës në faturimin e energjisë elektrike. Familjet që do shpenzojnë mbi 800 kWh në muaj do faturohen me 42 lekë për kilovat (që me gjithë TVSH shkon në 50 lekë/ kWH) dhe do të ketë efekt deri më 31 dhjetor 2022.
Furnizuesi i Shërbimit Universal, kishte aplikuar në ERE në datë 20 shtator për vendosjen e fashës prej 800 KWh dhe çmimin për konsumin mujor mbi këtë nivel për konsumatorët familjarë. Kërkesa e FSHU bazohet mbi vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të KESH të cilët kanë përcaktuar që çmimi për konsumin mbi 800 KWh/muaj për konsumatorët familjarë të jetë 34.3 lekë/kwh. Sipas të dhënave, gjatë muajit tetor janë saktësisht 49 334 familje që harxhojnë më shumë se 800 kwh energji elektrike. Ndërkohë, në muajt nëntor-dhjetor janë 71 278 familje që harxhojnë më shumë se fasha e vendosur.
“Bazuar në nevojën për të ardhura për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kw/h për konsumin familjar mbi 800 kw/h në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike. Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Për gjithë sa më sipër, kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kw/h orë për konsumin mbi 800 kw/h”, tha më herët në mbledhje përfaqësuesi i FSHU.
Sa do të paguajnë familjet shqiptare? Sekretari i bordit të ERE shpjegoi se si do të ndryshojë çmimi në faturën e konsumatorëve:
“Nëse vendosim çmimin 42 lekë për kilovat, fatura do të ndryshojë në këtë mënyrë, marrim si shembull konsumin familjar në vlerën 850 kilovat në muaj:
-800 kilovat do të faturohen 9.5 lekë për kilovat
50 kilovat do faturohen me 42 lekë për kilovat
Shtohet 1940 lekë TVSH dhe 100 tarifa e televizionit. Fatura do të shkojë 11.740 lekë”, u shpreh ai.
Bazuar në llogaritjet e FSHU, konsumi mbi 800 KWh për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor përbën rreth 7% të konsumit total të tre muajve bazuar në shifrat e vitit 2021 por edhe të parashikimit të bërë nga FSHU në aplikim. FSHU raporton një rritje në kostot e blerjes nga KESH të energjisë elektrike, për familjaret për konsumin mbi 800 kwh/në muaj, me 1.8 miliardë leke, rreth 15.6 milione Euro, për shkak të vendimit të Asamblesë së aksionerëve për rritjen e çmimit nga 2.6 në 34.3 lekë/kwh.
Deputetja e PD-së Jorida Tabakut në mbledhjen e Bordit kundërshtoi nismën e qeverisë:
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kundërshtoi nismën duke kërkuar që qeveria të tërhiqet nga vendosja e fashës për konsumatorët familjarë dhe bizneset, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur rritet prodhimi i energjisë hidrike. Tabaku u shpreh se në propozimin e FSHU-s mungon parashikimi i numrit të abonentëve që konsumojnë më shumë se pragu i vendosur ndërsa shtoi se duhet të vendosur një fashë e mbrojtur në një sasi më të ulët energjie.
Ajo shtoi se ERE nuk ka për detyrë të jetë noter i vendimeve të qeverisë pasi është organ i pavarur prej saj. Sipas Tabakut, në rastet kur ka pasur ulje të çmimit të energjisë elektrike në botë, qeveria nuk ka bërë asnjë kërkesë që kjo të ndodhë edhe me abonentët vendas.
“Kompania llogaritjet i ka bërë në sasitë që do të konsumohen mesatarisht bazuar në vitin e kaluar. Nuk kuptohet nëse parashikon rënie të numrit të abonentëve që konsumojnë më shumë se 800. Duke u nisur nga fakti që qeveria e ka marrë këtë masë, ka miratuar zv/kryeministria rritjen e kostos, ju thotë ju ne e kemi formalizuar një vendim. Përfitimet e pritura janë ulja e sasisë së konsumuar nga familjarët. Kosto nga rivendosja e fashës dihen. Unë jam për vendosjen e një fashe të mbrojtur por kjo mund të ketë probleme në zbatim. Raportet e ERE-s thonë se heqja e kësaj fashe kanë ndihmuar për uljen e humbjeve në rrjet. Rrezikon që kjo politikë ta përkeqësojë situatën dhe të jetë barrë shtesë për një bazë familjesh. ERE është i pavarur nga qeveria. Nuk ka për detyrë të jetë noter i vendimeve të qeverisë. Duhet të evidentojmë që ERE ka synim përmirësimin e treguesve ekonomikë. Kemi analizuar disa raporte të ERE-s për shëndetshmërinë dhe efektivitetin e shpenzimeve që janë kryer në këtë sektor. Unë besoj se duhet të shohë edhe interesin publik. Ne nuk e parashikojmë dot si do të shkojë çmimet. Kur ka pasur rënie pse nuk erdhi qeveria të thotë që duhet një ulje çmimi këtu. Momenti që po marrim për rritjen e çmimit të energjisë është i pakthyeshëm”, deklaroi Tabaku.