Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike që mbështesin Enkelejd Alibeajn, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padi për bordin që cakton çmimet e karburanteve.
Padia u depozita nga Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula. Çupi u shpreh se bordi po cënon konkurencën në treg. Ajo shtoi se krijimi i bordit cënon Kushtetutën, lirinë ekonomike, konkurencën në treg, thellojnë më shumë varfërinë tek qytetarë si dhe vjedhin edhe më shumë qytetarët.
“Sot në emër të interesit të qytetarëve, në emër të interesit publik, 28 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Bordeve të caktimit të çmimeve. Është fakt tashmë që prej muajsh qytetarët shqiptarë janë përballur me abuzimet me çmimet. Shqipëria është një nga 10 vendet në botë me çmimin më të lartë të naftës, gazit dhe benzinës. Edhe pse më të varfërit në Europë e Rajon, shqiptarët janë përballur me çmimet abuzive të naftës, gazit dhe benzinës. Është fakt që Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, u shndërrua shumë shpejt në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin. Është fakt që Bordi me veprimtarinë e tij po cënon konkurencën në treg, që sjell ulje të cmimit, si dhe lirinë ekonomike, që mbron të drejtat e konsumatorëve”, tha Çupi në një prononcim për gazetarët jashtë gjykatës.
“Me miratimin e këtyre dy ligjeve Qeveria në vend që të bënte atë që ka bërë cdo Qeveri në botë, të mbronte interesin e qytetarëve, të drejtat e konsumatorëve, në fakt zyrtarizoi Klubin e Oligarëve dhe i dha liri të plotë që me marrëveshje me njëri tjetrin të caktojnë çmimin e naftës, gazit dhe benzinës. Cdo qytetarë ka parë sesi tallet vazhdimisht Klubi i Oligarkëve, që sa herë qytetarët reagojnë e ul çmimin me 2 lekë, dhe të nesërmen e rrit me 12 lekë. Ngritja e Bordit po dëmton interesin e qytetarëve. Ligjet bien ndesh me Kushtetutën, cënojnë lirinë ekonomike, cënojnë konkurencën në treg, thellojnë më shumë varfërinë tek qytetarët, vjedhin edhe më shumë qytetarët. Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës Kushtetutese shfuqizimin e këtyre ligjeve, mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Ne kemi besim që Gjykata Kushtetutese do ti nënshtrohet vetëm Kushtetutës, dhe nuk do të jetë nën ndikimin e Klubit të Oligarkëve, apo Qeverisë që prej kohësh nuk i shërben qytetarëve, por interesit të një grushti oligarkësh. Dua të konfirmoj se ne do të jemi krah qytetarëve, në mbrojtje të interesit të tyre. Ulja e çmimit të naftës, benzinës dhe gazit është interes i qytetarëve dhe Qeveria nuk duhet të mbyll sytë përpara abuzimeve. Por për fat të keq, sot shqiptarët qeverisen nga një Kryeministër, që shqetësim të fundit ka hallet e qytetarëve. Prej 9 vitesh tashmë Edi Rama ka provuar katërciprisht që interesi i vetëm i tij është ti shërbëjë një grupi njerëzish, në kurriz të 3 milion shqiptarëve”, shtoi ajo.
Një ditë më parë, edhe Enkelejd Alibeaj e cilësoi antikushtetues bordin që vendos për çmimet e naftës, benzinës dhe gazit.
“Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me çmimin më të lartë të hidrokarbureve. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të taksave, mungesës së reagimit nga Qeveria, por edhe për faktin se Shqipëria është nga të vetmet vende ku çmimi i naftës, benzinës apo gazit, paracaktohet nga Klubi i Oligarkëve, që qeveria e ka emërtuar si Bordin e kontrollit të çmimeve”, u shpreh Alibeaj.
“Gjatë gjithë këtyre muajve, Klubi i Oligarkëve jo vetëm nuk ka mbajtur nën kontroll çmimet e naftës, benzinës apo gazit, por ka shërbyer si një mekanizëm korruptiv për të deformuar tregun në dëm të interesit të qytetarëve. Për këtë arsye, dua të informoj opinionin publik se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të çmimit të naftës, benzinës dhe gazit”, tha Alibeaj në një konferencë për mediat.