Prokurori i Durrësit, Arben Sharra u shkarkua nga detyra më 30 qershor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me veprimet e tij, për dyshimet e ngritura për fshehje të disa pasurive si dhe pamundësinë financiare për krijimin e tyre.
Sharra u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa mangësitë profesionale të konstatuara në hetimin e disa çështjeve, u konsideruan të pamjaftueshme për penalizimin e tij në këtë kriter.
Arben Sharra e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2004 dhe fillimisht e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës. Në vijim Sharra u transferua për në Dibër, ndërsa prej vitit 2010 dhe deri në shkarkimin e tij nga detyra, punoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Komisioni konstaton se prokurori Sharra nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues në procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij, pasi përgjigjet e tij lidhur me një banesë nuk kanë qenë të plota, me qëllim që të prodhonte një rezultat në favor të tij.
Dyshime për pasuri të fshehura
KPK konkludon se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe se ka mungesë burimesh të ligjshme për një shtëpi banimi me dy kate + papafingo. Sharra ka deklaruar se kjo banesë është pronë e babait, i cili i ka dhuruar katin e parë. Por nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka ndjekur të gjitha procedurat e legalizimit për regjistrimin e banesës në emër të tij dhe se rezulton si pronar i vetëm. Në vitin 2017, Sharra e ka shitur këtë pasuri në shumën 150 mijë euro.
Bazuar në fotot e Google Maps për vitet 2007 – 2018, ka rezultuar se në të njëjtën parcelë ku gjendet banesa e shitur në vitin 2017, ndodhet një ndërtim tjetër. Në parcelën ngjitur është konstatuar dhe një tjetër ndërtim, që sipas Komisionit duket se në të dy rastet punimet janë kryer pas vitit 2015.
Sharra ka pretenduar se shtëpinë ia kanë dorëzuar palës blerëse në vitin 2014, megjithëse shitja është formalizuar në vitin 2017. Ai ka theksuar se në vitin 2014 nuk gjendej asnjë ndërtim i ri.
KPK vëren se nuk është provuar që pala blerëse të ketë marrë në dorëzim banesën në 2014-ën, ndërsa babai i subjektit ka aplikuar në vitin 2015 për legalizimin e një prej objekteve të reja. Po ashtu, nuk është gjetur asnjë dokumentacion provues së ndërtimi i objektit të ri të jetë kryer nga blerësi i shtëpisë apo të përdoret prej tij.
“Subjekti, deri në momentin e aplikimit të babait të tij pranë ALUIZNI-t për këtë ndërtim, ka qenë pronar dhe posedues i banesës trikatëshe, pasi ai vetëm në vitin 2017 ka kryer shitjen e saj, si dhe e ka deklaruar si pakësim në deklaratat periodike,” citohet në vendim dhe bazuar në këto të dhëna janë ngritur dyshimet se ndërtimi i ri është pasuri e fshehur e prokurorit Arben Sharra.
Pas kalimit të barrës së provës për këtë gjetje, subjekti ka bërë deklaratë për t’u tërhequr nga legalizimi i banesës, por sipas KPK, ky veprim tregon se ai ka pasur ligjërisht të drejta reale mbi këtë pasuri në momentin e plotësimit të deklaratës “veting” dhe nuk e ka pasqyruar këtë fakt.
KPK konstaton pamundësi objektive për të kontrolluar pronësinë dhe ligjshmërinë e burimeve të krijimit të kësaj pasurie dhe çmon se Sharra ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë rast.
Hetimi administrativ në KPK ka zbuluar se prokurori Sharra ka paguar taksën vendore për një sipërfaqe toke bujqësore si dhe për një ndërtesë tjetër, ku kontrata e furnizimit me energji elektrike figuron në emër të babait të tij.
Subjekti ka sqaruar se kjo është banesa e vjetër e gjyshërve dhe prindërve të tij e ndërtuar rreth vitit 1964 dhe se ka qenë i detyruar të paguajë taksën e ndërtesës së bashku me atë të tokës bujqësore që ka në përdorim, pasi kryheshin në të njëjtin mandatarkëtim. Ai ka theksuar se kjo banesë nuk është poseduar prej tij dhe se në tokën që zotëron nuk ka asnjë ndërtim, pasi shtëpia e vjetër gjendet jashtë territorit të ngastrës.
Këto deklarime nuk janë gjetur bindëse nga KPK, pasi prej verifikimit në ‘Google Maps’ ka rezultuar se banesa është brenda murrit rrethues të tokës bujqësore të subjektit dhe se ato kanë pësuar ndryshime në vite, pasi janë kryer investime. Po ashtu, nga pamjet ka rezultuar se pranë kësaj ndodhen edhe disa ndërtime të tjera.
Komisioni vëren se subjekti ka refuzuar të paraqesë foto të plota të banesës ku të dilte qartë sipërfaqja e brendshme dhe e jashtme e çdo ndërtimi, si dhe foto panoramike të gjithë pasurisë ku të dilnin qartë të gjithë ndërtimet nga jashtë dhe pozicionimi i tyre me rrugën.
Nisur edhe nga fakti se Sharra është sjellë si pronar i këtyre pasurive duke paguar detyrimet deri në vitin 2015, se ka rrethuar tokën bujqësore së bashku me banesën dhe ka hapur rrugën, Komisioni ngre dyshime se kjo pasuri është në pronësi pronësi të fshehur të subjektit.
Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me një ngastër toke në pronësi të shtetit që e ka poseduar, pasi nuk e ka pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë “veting”. “Mund të konsiderohet edhe si fshehje pasurie, në kuptim të nenit 33/5, germa “c” e ligjit nr. 84/2016, pasi subjekti nuk ka deklaruar posedimin e një toke bujqësore me sip. 5336 m2 , për të cilën nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga organet shtetërore se në momentin e plotësimit të deklaratës Vetting ka qenë në posedim të subjektit, duke bërë të pamundur evidentimin e kësaj pasurie nga Komisioni me dërgimin e shkresave institucioneve shtetërore”, shprehet KPK dhe thekson se posedimi i një prone shtetërore pa asnjë akt ligjor bie ndesh me standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së magjistratit.
Ndaj Sharrës janë ngritur dyshime se ka kryer fshehjen e dy automjeteve, një të blerë ne emër të vëllait të bashkëshortes në vitin 2016, kur rezultonte se prokurori Sharra nuk kishte makinë në zotërim dhe tjetrin në emër të nënës në vitin 2017.
Menjëherë pas blerjes së mjetit nga kunati, është lëshuar polica e sigurimit në emër të djalit të Sharrës, si dhe ka rezultuar se subjekti ka dalë jashtë shtetit me këtë makinë gjatë viteve 2016-2017. Sharra nuk e ka pasqyruar përdorimin e këtij automjeti në deklaratën “veting”, ndërkohë që e ka blerë rreth një muaj pas plotësimit të kësaj deklarate.
Makina në emër të nënës rezulton të jetë blerë me të ardhurat e subjektit nga shitja e banesës së tij. Po ashtu, mjeti rezulton të jetë përdorur nga prokurori Sharra dhe djali i tij, ndërkohë që nëna sipas KPK, duket se nuk është në gjendje që të përdorë personalisht makinën e blerë në emrin e saj.
Komisioni ngre dyshime se prokurori Sharra ka fshehur një apartament në Tiranë në emër të prindërve, pasuri që i ati e ka porositur në vitin 2007 për çmimin 60 mijë euro. Banesa e blerë në emër të prindërve rezulton të jetë i lidhur me një apartament në zotërim të subjektit.
Sipas KPK, kjo banesë është regjistruar vetëm në emër të nënës së subjektit, duke përjashtuar nga regjimi i trashëgimisë ligjore vëllanë dhe motrat. Nisur nga këto gjetje dhe fakti se subjekti dhe prindërit nuk kanë pasur mundësi për investimin në këtë pasuri, vlerëson se ky apartament mund të jetë pronësi e fshehur e prokurorit Sharra.
Komisioni ngre dyshime se prokurori Sharra ka fshehur në emër të babait dhe një vlerë 100 mijë USD. Në vitin 2007, babai i subjektit e ka depozituar këtë vlerë në bankë, me emërtim “kursime gjatë jetës dhe trashëguar nga prindërit”. Ndërsa gjatë hetimit administrativ, subjekti ka deklaruar se burim i kësaj depozite ka qenë një marrëveshje e babait me një shoqëri tregtare për shitjen e një sipërfaqe toke në fshatin Shëngjin, të Njësisë Administrative Shëngjergj.
Nga hetimi ka rezultuar se toka ka qenë në posedim të subjektit dhe jo të babait të tij në vitin 2009. Bazuar edhe në faktin se kjo shumë është tërhequr në momentin që prokurori Sharra ka porositur apartamentin e tij, KPK vlerëson se vlera 100 mijë euro mund të jetë pronë e fshehur e tij.
Komisioni vlerëson se prokurori Sharra është përpjekur të fshehë një banesë që rezulton të ketë qenë adresë e tij për periudhën 1995-2004, pasi nuk ka bërë deklarime dhe nuk ka dhënë shpjegime për këtë pasuri. “Për shkak të mungesës së bashkëpunimit të subjektit, Komisioni e ka pasur të pamundur për të evidentuar nëse ka qenë në posedim/përdorim apo pronësi të fshehur të subjektit të rivlerësimit”, konstaton Komisioni.
Subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 128.1 m2 në Tiranë në vitin vitin 2008, kundrejt vlerës 94 mijë e 830 euro, si dhe për një garazh me sipërfaqe 45 m2 në 2013-ën, për çmimin 11 mijë euro.
Atij i është kaluar barrë prove për të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shfrytëzimi ndër vite i banesës në fshat dhe tokës bujqësore, në emër të babait, në vlerën totale rreth 4.2 milionë lekë.
KPK konstaton se subjekti nuk e ka pasqyruar në deklaratën “veting” posedimin e tokës bujqësore si dhe nuk ka dokumentuar të ardhurat e përfituara dhe pagimin e detyrimeve tatimore.
“Duket e paqartë se si subjekti ka mundur të kryejë i vetëm të gjitha shërbimet e tokës, duke marrë në konsideratë faktin se në të njëjtën kohë ka qenë i punësuar si prokuror në Dibër e më pas në Durrës”, vëren KPK dhe nuk i ka përfshirë në analizën paraprake të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga aktiviteti bujqësor.
Sharrës i është kaluar barrë prove edhe lidhur deklarimet e tij se ai vetë së bashku me prindërit kanë shitur në treg produkte bujqësore, pasi është vlerësuar prej KPK si veprimtari ekonomike në papajtueshmëri me detyrën e prokurorit.
“Shitja e produkteve bujqësore në treg nga një prokuror i Republikës së Shqipërisë (i cili nuk ka paguar detyrimet tatimore përkatëse, për sa kohë nuk ka qenë i regjistruar si fermer), jo vetëm që është në papajtueshmëri me detyrën e prokurorit, por është sjellje joprofesionale dhe joetike, e cila diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit, si dhe dëmton besimin e publikut në sistemin e prokurorisë”, vlerëson KPK dhe ka vendosur ta konsiderojë këtë gjetje në vlerësimin tërësor të çështjes.
Nga analiza financiare prej fillimit të detyrës deri në deklaratën “veting”, ka rezultuar balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë, ndërsa para vitit 2003 ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 4.2 milionë lekë, që në total rezulton me bilanc negative në shumën 7.3 milionë lekë.
Në përfundim, Komisioni vëren se nuk janë provuar plotësisht dyshimet për fshehjet e pasurive dhe për këtë arsye gjetjet në këtë drejtim i ka konsideruar në vlerësimin tërësor të çështjes.
Dyshimet për fshehje të pasurive, së bashku me konstatimet për qëndrimin jo bashkëpunues; marrdhënien e tij me tokën bujqësore dhe banesën e prindërve; shitjen e produkteve bujqësore personalisht në treg; posedimin e tokës shtetërore pas asnjë dokument ligjor; si dhe mospagimin e një pjese të çmimit të një apartamenti të regjistruar në emrin e tij, vlerësohen prej Komisionit se kanë janë rrethana që cënojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. /Reporter.al