Tregu i sigurimeve, vitin e kaluar kaloi nivelet e para pandemisë, por pa arritur ndonjë kthesë thelbësore në trajektoren e vet të zhvillimit. Vlera e primeve të sigurimit për frymë mbetet në nivelet më të ulëta në Europë, ndërsa tregu është i varur, në masën dërrmuese, nga produktet e detyrueshme.
Ersuin Shehu
Tregu i sigurimeve iu kthye rritjes në 2021-n, duke ndjekur rrjedhën e përmirësimit të ekonomisë reale dhe të heqjes graduale të të gjitha kufizimeve të lidhura me pandeminë.
Sipas vlerës së primeve të shkruara bruto, tregu i sigurimeve u rrit me 16% për vitin e kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se volumi i përgjithshëm i tregut arriti në 19.3 miliardë lekë, ose pothuajse 161 milionë euro. Primet e shkruara bruto kaluan edhe nivelin e shënuar para pandemisë në vitin 2019, me 9.7% më shumë.
Në ndarjen sipas dy segmenteve kryesore, tregu i jo-jetës dominoi edhe për vitin e kaluar, me më shumë se 92.4% të primeve të shkruara bruto, ndërsa në vlerë, primet për këtë segment u rritën me 15%.
Tregu i sigurimit të jetës shënoi ritme të rritjes pak më të larta, me 22.7%, por sërish primet në këtë segment zënë një peshë relativisht të ulët ndaj totalit të tregut, me 7.4%.
Sigurimet e detyrueshme mbeten dominuese
Tregu më i madh, ai i sigurimeve të jo-jetës, edhe vitin e kaluar u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike, që sollën 66.7% të primeve të shkruara bruto të tregut. Megjithatë, pesha specifike e këtyre produkteve shënoi rënie të lehtë me rreth 2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Produktet e lidhura me lëvizjet ndërkufitare, si kartoni jeshil apo sigurimi kufitar, shënuan rritje më të lartë të primeve dhe zgjerim të peshës së tregut. Primet e shkruara bruto nga policat kufitare u rritën me 122%, ndërsa ato nga kartoni jeshil, me afërsisht 32% krahasuar me një vit më parë.
Produkti më i rëndësishëm i tregut për nga volumet, sigurimi i brendshëm TPL, shënoi rritje më të ulët, me 7.6%, ndërsa pesha e tij në totalin e primeve të tregut të jo-jetës zbriti në 56.6%, nga 60.9% një vit më parë.
Nëse vërejmë peshën e sigurimeve të detyrueshme motorike ndaj primeve të shkruara bruto në tregun e jo-jetës, në një horizont më të gjatë kohor, duket se tregu jo vetëm që nuk po jep asnjë shenjë të shkëputjes nga varësia prej këtyre produkteve, por po “kapet” më shumë pas tyre.
Në vitin 2011, sigurimet e detyrueshme motorike sollën rreth 51% të primeve, ndërsa në vitin 2021, ato sollën pothuajse 67% të tyre.
Burimi: AMF
Një tjetër produkt ligjërisht i detyrueshëm që prej fundit të vitit 2019 është sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit. Për vitin 2021, primet e shkruara bruto nga ky sigurim arritën në 567 milionë lekë, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë.
Duke llogaritur edhe peshën e këtij produkti, sigurimet e detyrueshme sollën mbi 70% të primeve të shkruara bruto vitin e kaluar.
Pesha e produkteve vullnetare u rrit… por sa janë vërtet vullnetare?
Kontributi i sigurimeve vullnetare në treg regjistroi rritje krahasuar me një vit më parë, megjithatë kjo rritje erdhi kryesisht si rezultat i zhvillimeve në tregjet e tjera, të lidhura.
Produkti kryesor i sigurimeve vullnetare, sigurimi i pronës ndaj katastrofave, vitin e kaluar shënoi rritje të primeve të shkruara bruto me 32.7%, ndërsa pesha e këtij produkti në treg u rrit në 9.8%, nga 8.5% një vit më parë. Rritje të primeve me 22.5% shënoi edhe sigurimi KASKO i mjeteve motorike.
Megjithëse këto produkte janë ligjërisht vullnetare, në shumicën e rasteve, ato faktikisht nuk janë të tilla dhe tregu i tyre është i lidhur kryesisht me detyrimet kontraktore që vendosen nga palë të treta.
Produkti më i rëndësishëm i sigurimit vullnetar, sigurimi i pronës nga katastrofat, kryesisht mbështetet te sigurimi i kolateraleve të lëna për kreditë bankare.
Rritja e këtij produkti gjatë vitit të kaluar vlerësohet se është ndikuar ndjeshëm nga zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe zgjerimi i kredisë për prona.
Me rritjen e çmimeve, kreditë bankare po marrin vlera mesatarisht më të larta dhe rrjedhimisht, edhe sigurimi i kolateraleve kërkohet për vlera më të mëdha. Si rrjedhojë, edhe primet e sigurimit po rriten.
Edhe sigurimi Kasko i mjeteve ligjërisht është vullnetar, por praktikisht është mjaft i lidhur me financimet me leasing, si kusht i detyrueshëm i institucioneve financiare.
Vitin e kaluar tregu i leasing-ut vlerësohet se u përmirësua ndjeshëm, falë gjallërimit të ekonomisë, rritjes së turizmit dhe kërkesës më të lartë për makina me qira. Kjo duket se ka ndikuar në një rritje të primeve të shkruara nga ky produkt.
Shembull tjetër është sigurimi i aksidenteve në udhëtim. Kjo policë sigurimi zakonisht është pjesë e dokumentacionit shoqërues, që kërkohet për të udhëtuar në hapësirën Schengen. Dalja graduale nga pandemia dhe shtimi i udhëtimeve jashtë bëri që primet e shkruara bruto nga produkti të rriten me 42% vitin e kaluar.
Nëse do të shtojmë edhe sigurimet e mësipërme, mund të kuptojmë qartë se sigurimet e bazuara në vullnetin e lirë të qytetarëve janë në nivele të papërfillshme.
Siguruesit vazhdojnë t’i shohin mundësitë e rritjes së tregut të sigurimeve kryesisht të lidhura me shtimin e spektrit të sigurimeve të detyrueshme. Ata po kërkojnë një skemë të detyrueshme sigurimi nga katastrofat, si dhe zgjerimin e sigurimeve të detyrueshme për përgjegjësitë civile ndaj palëve të treta.
Aktivet e tregut arrijnë në 338 milionë euro
Tregu i sigurimeve në fund të vitit të kaluar zotëronte aktive totale në vlerën e 40.6 miliardë lekëve, ose rreth 338 milionë euro. Madhësia e tregut u rrit me 4.4% krahasuar me një vit më parë.
Për sektorin e Jo-Jetës, rritja e aktiveve ka ardhur kryesisht nga rritja e zërit “Investime në toka, ndërtesa dhe investime financiare” me rreth 1.1 miliardë lekë ose 26.8% më shumë krahasuar me 31.12.2020. Gjithashtu dhe investimet financiare paraqiten me rritje të konsiderueshme prej 1 miliard lekë, ose 8%.
Edhe këtë vit financiar ka pasur rënie të zërit “Pjesa e risiguruesve në provigjonet teknike”, me rreth 1 miliard lekë, ose 19% më pak krahasuar me vitin 2020, si pasojë
e përfundimit të pjesës kryesore të pagesave për dëmet e shkaktuara nga dy tërmetet e ndodhura gjatë vitit 2019, si dhe uljes së pjesës së risiguruesve në dëmet e ndodhura në vitin financiar 2020.
Edhe për sektorin e Jetës, rritja e aktiveve ka ardhur kryesisht nga rritja e zërit “Investime në toka, ndërtesa dhe investime financiare” me rreth 142 milionë lekë, ose 3.3% krahasuar me vitin 2020.
Investimet kanë vijuar të dominojnë totalin e aktiveve të tregut të sigurimeve, me rreth 68% të totalit. Investimet u rritën me 10.7% krahasuar me një vit më parë.
Depozitat vazhdojnë të zënë peshën kryesore të aktiveve me 30%, ndjekur nga zëri “Toka dhe ndërtesa” dhe “Bono thesari dhe obligacione”, të cilët kanë shënuar rritje me nga 2% në strukturën e aktiveve për tregun e sigurimeve.
Ndarja e tregut, kryeson Sigal, rritet sërish Albsig
Ndarja e tregut, sipas primeve të shkruara bruto, nuk shënoi luhatje shumë të mëdha në vitin 2021, gjë që pjesërisht mund të reflektojë tiparet jo shumë konkurruese të tregut, sidomos në mënyrën sesi administrohet produkti kryesor, sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL).
Edhe vitin e kaluar, kompania më e madhe sipas prime të shkruara bruto ishte SIGAL Uniqa Group Austria, me 25.6% të tyre, me një rritje prej 0.45 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Albsig u rrit në 18.7% të tregut, nga 17.4% që mbante një vit më parë. Albsig ishte, për të dytin vit radhazi, kompania me rritjen më të lartë të pjesës së tregut.
Vijon Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, me rreth 13%, në rënie për të dytin vit radhazi. Tendencë të ngjashme shënoi edhe Eurosig, që pësoi rënie të pjesës së tregut pranë 13%, nga 13.2% që mbante një vit më parë. Megjithatë, në nivel grupi, SIVIG dhe Eurosig, kanë peshë tregu më të lartë.
Duke shtuar pjesën e Intersig, Vienna Insurance Group zotëron rreth 22.8% të tregut, duke u renditur e dyta, pas grupit UNIQA Group Austria. Ndërsa Eurosig, duke shtuar edhe pjesën e tregut të kompanisë së kontrolluar, INSIG, mban pothuajse 20% të tregut, duke renditur si grupi i tretë në tregun shqiptar të sigurimeve.
Sipas origjinës së kapitalit, tregu shqiptar i sigurimeve dhe për vitin 2021 ishte i ndarë mes kompanive me kapital austriak dhe atyre me kapital shqiptar.
Që nga largimi i sllovenëve të Triglav, në horizont nuk janë shfaqur investitorë të tjerë të huaj, me përjashtim të disa përpjekjeve nga kompani të sigurimeve që veprojnë në tregun kosovar, por që nuk arritur të përmbushin kërkesat ligjore që iu ka parashtruar AMF.
Për vitin 2021, kompanitë me kapital shqiptar zotëronin 51.6% të tregut sipas primeve të shkruara bruto, ndërsa ato me kapital austriak mbanin 48.4% të tregut.
Burimi: AMF
Për shumicën e kompanive të sigurimit, struktura e primeve të shkruara bruto dominohet nga ato të detyrueshme. E vetmja kompani ku sigurimet vullnetare përbëjnë më shumë se gjysmën e primeve është Albsig. Sipas AMF, për vitin e kaluar Albsig siguroi 53.2% të primeve të shkruara bruto nga sigurimet vullnetare.
E dyta për nga pesha e sigurimeve vullnetare renditet SIGAL Uniqa Group Austria, ku sigurimet vullnetare përbëjnë rreth 44.8% të totalit. Kompanitë e tjera janë larg këtyre niveleve.
Pesha e sigurimeve vullnetare lëviz nga 24.6% për SIVIG, deri në 16.6% për Ansig, që është kompania me peshën më të ulët të këtyre sigurimeve në strukturën e primeve të shkruara bruto.
Bien dëmet bruto, rriten ato neto
Kompanitë e sigurimeve paguan afërsisht 6.7 miliardë lekë ose 55 milionë euro dëme vitin e kaluar. Sipas statistikave të AMF, vlera e dëmeve të paguara nga siguruesit shqiptarë pësoi një rënie me 11.1% krahasuar me vitin 2020.
Tërmeti i fundit të vitit 2019 shkaktoi një rritje të ndjeshme të dëmeve në sigurimeve për vitin 2020 dhe kjo e shpjegon kryesisht vlerën më të madhe të dëmeve krahasuar me periudhat që nuk janë ndikuar nga ngjarjet e jashtëzakonshme. Po të krahasojmë dëmet e paguara vitin e kaluar me vitin 2019, ato rezultojnë në rritje me 4.4%.
Efekti i përkohshëm i tërmetit bëri që rënia e dëmeve për vitin e kaluar të jetë e përqendruar kryesisht në tregun e jo-jetës, me 11.8% më pak.
Përkundrazi, në tregun e sigurimit të jetës dëmet shënuan rritje të ndjeshme, me 31.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky treg i ndjeu më së shumti efektet e rritjes së numrit të vdekjeve, për shkak të pandemisë gjatë vitit të kaluar.
Në segmentin më të madh të tregut të sigurimeve, atë të jo-jetës, rënia erdhi kryesisht nga produkti i sigurimit të pronës nga katastrofat, ku dëmet pësuan rënie me më shumë se 69% krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2020 që pasoi tërmetin, kompanitë e sigurimit kishin paguar 2.9 miliardë lekë dëme bruto, të lidhura kryesisht me këtë ngjarje. Kjo shumë përbënte mbi 42% të dëmeve totale vjetore në sigurime. Për vitin 2021, dëmet në këtë klasë ranë pranë niveleve të zakonshme historike, me më pak se 15% të totalit të dëmeve.
Kthimi në normalitet bëri që struktura e dëmeve vitin e kaluar të dominohej sërish nga sigurimet e detyrueshme motorike, për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Dëmet në këto klasa u rritën me 20.3% krahasuar me vitin 2020. Pesha e tyre në strukturën e dëmeve të paguara bruto arriti në 53.5%, nga 39.2% që kishte qenë një vit më parë. Vitin e kaluar, aksidentet rrugore në Shqipëri u rritën me 11.5% dhe kjo rritje është reflektuar edhe në shtimin e dëmeve të paguara nga siguruesit.
Nëse dëmet në sigurimin e katastrofave u ndikuan në rritje gjatë vitit 2020, e kundërta ndodhi me dëmet nga aksidentet. Mbyllja e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit 2020 dhe kufizimi i ndjeshëm i lëvizjeve ndërkufitare edhe më tej gjatë vitit reduktuan aksidentet përkohësisht.
Rritje e dëmeve u shënua edhe në sigurimin vullnetar KASKO të mjeteve tokësore, me 20% më shumë krahasuar me vitin 2020 dhe në disa klasa të sigurimeve vullnetare. Dëmet në produktin e sigurimit të sëmundjeve u rritën me 22.4%. Duket se Covid-19 dhe pasojat që la në shëndetin e njerëzve kanë ndikuar në shtimin e dëmeve nga sigurimet e shëndetit.
Megjithatë, shpenzimet neto për dëmet të paguara nga siguruesit (duke zbritur dëmet e paguara nga risiguruesit) u rritën me 21% në tregun e Jo-Jetës, ndërsa pësuan një rënie të lehtë me 0.7% në tregun e Jetës. Raporti i dëmeve neto në raport me primet e fituara neto vitin e kaluar u rrit në 34.4%, nga 31.9% një vit më parë.
Pagesa e dëmeve, rriten SIGAL dhe SIVIG, bie Albsig
SIGAL Uniqa Group Austria vitin e kaluar u kthye të jetë kompania që pagoi më shumë dëme, me 28.35% të totalit të tregut, nga 24% që kishte paguar një vit më parë. Rënia e përkohshme e Sigal në këtë renditje vitin e kaluar ishte kryesisht e lidhur me tërmetin e nëntorit 2019 dhe me produktin e sigurimit nga katastrofat.
Kjo ngjarje preku më shumë kompaninë Albsig që, me sa duket, ka një pjesë më të lartë tregu në sigurimin e pronës. Sigurimi i pronës në tregun shqiptar është mjaft i lidhur me kredinë bankare dhe me kërkesën e detyrueshme të bankave për të siguruar kolateralin.
Pozicionimi në këtë produkt është i lidhur, në një masë të madhe, me marrëdhënien që kompanitë e sigurimit krijojnë me bankat tregtare dhe nivelin e komisioneve që janë të gatshme të paguajnë. Pjesa më e madhe e të prekurve nga tërmeti rezultuan të siguruar nga Albsig dhe kjo bëri që për vitin 2020, kompania në fjalë të renditej e para për nga vlera e dëmeve të paguara bruto, me 25.5% të totalit.
Por, me kalimin e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, edhe struktura e dëmeve iu rikthye normalitetit.
Për vitin 2021, pjesa e tregut të Albsig ndaj dëmeve totale të paguara ra në 14.4% dhe kjo kompani u rendit e treta për nga vlera e dëmeve të paguara. E dyta në renditje rezultoi SIVIG, me 18.3% të dëmeve, nga 14.2% një vit më parë.
Burimi: AMF
Tregu i jetës “mbahet” te kredia bankare
Primet e shkruara bruto në tregun e sigurimit të jetës vitin e kaluar arritën vlerën e 1.43 miliardë lekëve, në rritje me 22.7% krahasuar me një vit më parë. Pesha e aktivitetit të jetës në tregun e sigurimeve u rrit në 7.4%, nga 7% që kishte qenë një vit më parë.
Rritja e tregut u mbështet kryesisht nga rikthimi në normalitet i shumë produkteve që ishin paralizuar prej pandemisë. Por, në thelb, tregu i sigurimit të jetës “mbahet” nga detyrimi që vendosin bankat për sigurimin e jetës së debitorëve.
Falë rritjes së kredisë bankare, ky produkt shënoi një rritje vjetore me 28.7%, ndërsa pesha e tij në tregun e sigurimit të jetës arriti në 68.3%, nga 65.1% që kishte qenë një vit më parë.
Për pjesën tjetër, sigurimi i jetës në Shqipëri konsiston kryesisht në produkte dytësore, të jetës dhe shëndetit në udhëtim dhe produkte të lidhura me fondet private të pensioneve. Kjo tregon se tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri funksionon më shumë si një treg komplementar i segmenteve të tjera të sistemit financiar.
Edhe për vitin 2021, tregu i sigurimit të jetës u dominua nga Sigal Life Uniqa Group Austria, me 52.7% të primeve të shkruara bruto. Megjithëse mban më shumë se gjysmën e tregut, pjesa e Sigal ka pësuar rënie për të dytin vit radhazi.
Kjo ka ndodhur kryesisht nga hyrja në treg e aktorit të katërt, Albsig Jeta, që edhe vitin e kaluar ka vijuar të fitojë terren dhe ka arritur në 12.5% të tregut, nga 7.65% që mbante një vit më parë. Rënie të lehtë në pjesën e tyre të tregut kanë pësuar edhe dy kompanitë e tjera, SiCRED dhe Insig Jeta.
Burimi: AMF
Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit të jetës vitin e kaluar arritën në 338.5 milionë lekë, në rritje me 31.6% krahasuar me një vit më parë. Edhe dëmet u dominuan në pjesën dërrmuese nga sigurimi i jetës së debitorit, me pothuajse 64% të totalit të tyre.
Dëmet në këtë produkt u rritën me 60% krahasuar me vitin 2020. Rritja e numrit të vdekjeve, e lidhur kryesisht me pandeminë e Covid-19 dhe me pasojat anësore të saj tek aksesi në shërbimet shëndetësore, ka prekur edhe debitorët, kryesisht të sektorit bankar.
Kjo e rriti faturën e dëmeve për siguruesit e jetës, që shpenzuan 216 milionë lekë, për 207 raste sigurimi në produktin e sigurimit të jetës së debitorit.
Fitimet e kompanive ranë me 42%
Tregu i sigurimeve pësoi rënie të fitimeve për vitin 2021. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rezultati financiar i tregut arriti vlerën e 601 milionë lekëve ose 5 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2020, fitimi i kompanive të sigurimit pësoi rënie me rreth 42%.
Rënia e fitimit neto solli edhe uljen e treguesve të rentabilitetit. Raporti i kthimit nga kapitali pësoi rënie në 4.6%, nga 8.21% një vit më parë, ndërsa raporti i kthimit nga aktivet zbriti në 1.48%, nga 2.67% në vitin 2020.
Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës raportuan fitim neto në vlerën e 470 milionë lekëve, ose 3.9 milionë eurove. Fitimi i tregut të Jo-Jetës pësoi rënie me 46.7% krahasuar me vitin 2020.
Rënia e fitimeve u përcaktua paralelisht nga ulja e rezultatit teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues) dhe ulja e rezultatit nga burimet e tjera (kryesisht nga investimet).
Fitimi në rezultatin teknik vitin e kaluar ra në vlerën e 748 milionë lekëve, 23% më pak krahasuar me një vit më parë. Megjithëse primet e fituara neto u rritën krahasuar me vitin 2020, rënia e rezultatit teknik erdhi nga shtimi i dëmeve të paguara neto dhe rritja e shpenzimeve të marrjes në sigurim.
Zëri i të ardhurave nga investimet për vitin 2021 rezultoi me humbje, ndërsa një vit më parë kishte dhënë një kontribut pozitiv, duke ndikuar më tej në përkeqësimin e rezultatit financiar neto të tregut të sigurimit të Jo-Jetës.
Kompanitë e sigurimit të Jetës pësuan rënie të fitimit neto për të dytin vit radhazi, në shumën e 130 milionë lekëve, 17.2% më pak krahasuar me vitin 2020. Shifrat tregojnë se rënia është ndikuar nga ulja e rezultatit teknik dhe rënia e fitimeve nga të ardhurat e tjera.
Rezultati teknik ra në 162 milionë lekë, 11% më pak krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht rritjes së primit të fituar neto, madje edhe një rënieje të lehtë në dëmet e paguara neto, rënia e fitimeve erdhi kryesisht nga zgjerimi i shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe e shpenzimeve të tjera operative.
Në fund të vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve zotëronin një kapital aksioner në vlerën e 13 miliardë lekëve, ose 109 milionë eurove, në rritje me 3.2% krahasuar me një vit më parë.
Sigurimet, Shqipëria e fundit në rajon
Megjithëse tregu i është kthyer tendencës normale të rritjes, me ritmet e para pandemisë, sërish Shqipëria ka një ndër tregjet e sigurimeve më të vegjël në Europë. Për vitin 2021, treguesi i densitetit të sigurimeve ishte rreth 55 euro prime të shkruara bruto për frymë në vit (vetëm Moldavia e ka këtë tregues më të ulët, me rreth 37 euro për frymë).
Shqipëria mbetet mbrapa në densitetin e sigurimeve në popullsi edhe krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor.
Kosova, raportoi për vitin e kaluar, prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 62 eurove për frymë, Maqedonia e Veriut rreth 89 euro për frymë, Bosnjë-Hercegovina, 127 euro për frymë, Serbia, 145 euro për frymë dhe Mali i Zi, 159 euro për frymë.
Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian, primi mesatar i sigurimit për frymë është në nivelin 2093 euro, ose 38 herë më shumë se Shqipëria.
Burimi: Rregullatorët e tregut, llogaritje të Monitor
Për vitin 2021, volumi i tregut të sigurimeve në Shqipëri sipas primeve të shkruara bruto ishte afërsisht sa 1.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Edhe sipas këtij treguesi, të njohur ndryshe si penetrimi i tregut të sigurimeve, Shqipëria ka tregun më të vogël të sigurimeve në rajon.
Para Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, ku tregu i sigurimeve ka një volum të primeve të shkruara bruto sa 1.35% e PBB-së. Vijojnë Kosova, me 1.5% të PBB-së, Serbia me 1.7% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 1.85% të PBB-së. Tregu i rajonit me penetrimin më të lartë të sigurimeve është Mali i Zi, ku primet e shkruara bruto përbëjnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rajoni ynë, megjithatë, ngelet ende shumë larg niveleve mesatare të Bashkimit Europian, ku primet e shkruara bruto përbënin 7.4% të PBB-së.