Kanë kaluar më shumë se pesë vjet që kur në bregdetin e Golemit kërkesa e lartë e agjencive të huaja për të parablerë dhomat për pushuesit potencialë nxiti me shpejtësi investime të mëdha në hotele, duke e kthyer sot zonën në pritësin më të madh të turistëve të huaja.
Qeveria kishte vetëm një detyrë: të rregullonte infrastrukturën në të gjitha drejtimet.
Por sot, kur kanë kaluar pesë vjet, ato pak kilometra rrugë nuk janë shtruar ende përfundimisht. Operatorët janë ankuar vazhdimisht se infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, duke krijuar një trafik të dendur, që mërzit e zemëron pushuesit. Në zonën më popullore të plazhit nuk ka ende një stacion autobusi dhe të huajt presin cepave të rrugëve.
Mbetjet nuk pastrohen shpesh, madje mungojnë edhe koshat në plazhin më të madh të vendit, që po kthehet në një industri për turizmin e organizuar dhe me prenotime në avancë. Dezinfektimi i plazhit nga mushkonjat është një tjetër shërbim i pakryer.
Të huajt vijojnë të zënë kapacitetin kryesor të hoteleve, por nuk ka vlerësime se nëse ata rikthehen sërish! Por një gjë është e dukshme këtë vit, ka më pak targa të makinave nga Kosova, si asnjëherë tjetër më parë.
Kalojmë në jug të vendit, në Sarandë. Ashtu si Durrësi, modeli i zhvillimit aty ka nxitur ndërtimin e hoteleve të mesme, që sjellin punësim e vlerë të shtuar për ekonominë shumë më tepër sesa fshatrat turistikë që janë ndërtuar e po ndërtohen në zonën e Palasës dhe të Dhërmiut.
Sërish infrastruktura në zonën përreth lë shumë për të dëshiruar. Të huajt, që janë të shumtë në numër, duhet të jenë të kujdesshëm kur të ecin në këmbë, ndërsa rreth e rrotull janë hotelet më të mira të Sarandës. I sfidojmë institucionet shtetërore të vijnë të bëjnë një xhiro në “monopatin” e Saralndės, ku zhvillojnë aktivitetin më shumë se 100 hotele!
Buxheti i shtetit ka të planifikuara në vitin 2022 rreth 200 milionë euro investime kapitale vetëm për transportin rrugor, më të lartin nga të gjitha funksionet e tjera. Transfertat e pakushtëzuara për bashkitë në vend janë dhe rreth 230 milionë euro. Vetëm nga taksa e qarkullimit në naftën, që konsumatorët shqiptarë e kanë ndër më të shtrenjtën në botë, buxheti arkëton rreth 160 milionë euro në vit.
Sërish, shtetasit nga Kosova, që përbëjnë rreth një të tretën e ardhjeve të shtetasve të huaj në vend (në pandemi pesha u rrit në 50%), duhet të rrinë më orë të tëra në trafik, sepse nuk zgjerohet rruga nga Miloti deri në Fushë -Krujë.
Është e paimagjinueshme që këto investime, sidomos ato rajonale, që në vlerë janë relativisht të vogla (dhe burimet financiare mund të gjenden lehtësisht), po ndikimin e kanë të madh, nuk merren seriozisht nga qeveria.
Kjo e fundit është e përqendruar kryesisht në infrastrukturën që të çon në fshatrat strategjikë. Këto fshatra, në momentin që e marrin statusin e kanë të garantuar dhe infrastrukturën, përveçse kanë dhe kthimin e shpejtë dhe as që i afrohet mundimit të menaxhimit të një hoteli.
Turizmi kontribuon direkt dhe indirekt në më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas Organizatës Botërore të Turizmit . Ndikimi është i lartë në punësim, transportit, rritjen e konsumit në tregtinë më pakicë, shtimin e frekuentimit të bareve e restoranteve dhe efektet në zinxhirin mbështetës, nga bujqësia e deri te argëtimi.
Janë këto hotelet në Durrës, Sarandë, Ksamil, po ashtu dhe nga Vlora në Sarandë që ndikimin real në ekonomi e kanë shumë më të lartë sesa fshatrat luksozë turistikë, që shpesh marrin statusin e investitorit strategjik.
Edhe këta të fundit janë të nevojshëm dhe kanë kërkesën e vet, por debati këtu është në mungesën e vëmendjes për të mbështetur turizmin masiv, që realisht i sjell më shumë vlerë të shtuar ekonomisë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 45% e vizitorëve jo rezidentë janë në zonën qendrore dhe 30% në atë veriore, duke i lënë Jugut vetëm 25%.
Shqipëria është e bukur dhe po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të huajve dhe mediave ndërkombëtare, por merita për këtë është vetëm e natyrës. Qeveritë vetëm sa e kanë lejuar shkatërrimin e kësaj natyre, dhe asnjëherë nuk kanë pasur një vizion të qartë për modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë.
Përkundrazi, betonizimi po vazhdon, këtë herë i zhvendosur në jugun e Shqipërisë, që i kishte të gjitha mundësitë për t’u bërë një zonë elitare, e pangarkuar me ndërtime. Po, ashtu si shumë shanse dhe turizmi duket se do të kthehet në një mision të humbur, për atë që duhet të përfaqësonte realisht për vendin./monitor