Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 14 prill 2022 që të rikthejë në detyrë gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, duke e rrëzuar si të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e shkarkoi atë nga detyra për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.
Konfirmimi u vendos me shumicë votash, ndërkohë që u paraqitën dy mendime të ndryshme në pakicë nga dy prej anëtareve të trupit gjykues që kërkojnë lënien në fuqi të shkarkimit të Islamajt, ku në një kundërshtohet konkluzioni i shumicës për pasurinë, ndërsa në tjetrin arsyetohet se subjekti Islamaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e figurës.
Kolegji riçeli dhe mbylli dy herë shqyrtimin gjyqësor për Islamajn. Në një rast, shqyrtimi u riçel pas paraqitjes së një opinoni nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i cili vërejti se mbetej i pakontestuar fakti se Islamaj ka gëzuar përdorimin e apartamentit në emër të babait për gjashtë vite.
Duke iu referuar Aneksit të Kushtetuës, ONM shprehet se ekziston parimi i barazimit të pasurive që zotërohen formalisht prej subjekteve të rivlerësimit dhe atyre që janë thjesht në përdorim të tyre, edhe pse të regjistruara në emër të dikujt tjetër.
Sipas vëzhguesit ndërkombëtar, ky barazim është veçanërisht i rëndësishëm për efektivitetin e procesit të rivlerësimit, pasi përdorimi informal i pasurive do të ishte “kalë troje” që do t’u shërbente subjekteve të rivlerësimit për t’iu shmangur verifikimit të duhur.
Vëzhguesi ndërkombëtar gjithashtu shton se Komisioni në vendim, nuk përjashton plotësisht mundësinë që subjekti i rivlerësimit të jetë realisht pronari përfitues i kësaj pasurie.
Në seancën gjyqësore publike më 12 prill 2022, Islamaj mbajti qëndrim ndaj opinionit të ONM-së, duke përsëritur se ka sqaruar në mënyrë të detajuar, marrëdhënien e qirasë dhe se kishte depozituar prova që vërtetojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave që kanë shërbyer për financimin e apartamentit.
Shumica e trupit gjykues të Kolegjit që konfirmoi në detyrë Islamajn përbëhet nga kryesuesi Sokol Çomo dhe anëtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama. Relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarja Rezarta Schuetz dolën në pakicë, duke kërkuar lënien në fuqi të shkarkimit, por secila me arsyetim të ndryshëm.
Dy vlerësime për pasurinë
Debati në kriterin e pasurisë në Kolegj zhvillohet më së shumti për një apartament të blerë nga babai i gjyqtarit Islamaj në vitin 2010, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka përdorur kundrejt qirasë gjatë periudhës 2011-2017.
Pasi nuk është provuar me dokumentacion marrëdhënia e qirasë për pjesën më të madhe të kohës, KPK ka arsyetuar se duhet të konsiderohet të paktën si një marrëdhënie huapërdorjeje që sjell si pasojë kategorizimin e babait të Islamajt si person tjetër të lidhur dhe passjell detyrimin e subjektit të rivlerësimit për të provuar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie. Komisioni ka arritur në përfundimin se nuk provohet mundësia e babait të blerjes së apartamentit me burime të ligjshme.
Islamaj e kundërshtoi vendimin e Komisionit lidhur me detyrimin ligjor që i është ngarkuar për të justifikuar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie, si dhe mbi mundësinë financiare të babait të tij në cilësinë e kryefamiljarit për blerjen e kësaj pasurie. Ai pretendoi në KPK dhe në Kolegj se e ka përdorur këtë pasuri kundrejt një marrëdhënie qiraje dhe se nuk ka pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar, pasi shuma që paguante nuk e kalonte vlerën 300 mijë lekë në vit.
Kolegji ashtu si KPK arrin në përfundimin se nuk ka pasur një marrdhënie qiraje për përdorimin e apartamentit. Këtë konkluzion shumica e bazon në faktin se mes babait të subjektit dhe vëllezërve të tij ekziston ndjenja e mbështetjes reciproke të fëmijëve ndaj prindërit dhe anasjellas.
Po ashtu, evidentohet fakti se subjekti në një deklarim të kryer në vitin 2014 në ILDKPKI ka sqaruar se prej vitit 2011 jeton përkohësisht në apartamentin e të atit, por nuk ka shpjeguar ndonjë të dhënë për marrëdhënien e qirasë, si dhe nuk ka rezultuar asnjë dokument për shlyrjen e detyrimeve financiare.
Por shumica e konsideron të pabazuar dhe në kundërshtim me jurispudencën e KPA konkluzionin e Komisionit se marrëdhënia e huapërdorjes e bën babanë e subjektit person tjetër të lidhur. “…Gabon në kualifikimin e kësaj marrëdhënieje si nënkategori e parashikuar nga neni 32, pika 4 e ligjit nr. 84/2016, që çon subjektin e rivlerësimit në detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie sipas këtij parashikimi ligjor”, arsyeton shumica dhe vlerëson se Islamaj nuk ka pasur detyrim ligjor për të provuar burimin e ligjshëm të krijimit të apartamentit.
Kolegji ka kryer analizën financiare të mundësisë së babait për porositjen e banesës në vitin 2010 kundrejt çmimit 50 mijë euro.
Ndryshe nga KPK, Kolegji e cilëson të bazuar pretendimin e subjektit për të ardhurat e përfituara nga babai nga shitja e kuotave të një shoqërie të themeluar prej tij në shkurt të vitit 2006.
Në analizë janë përfshirë edhe të ardhurat e tre vëllezërve, megjithëse në vitin 2014 subjekti ka deklaruar në ILDKPKI se kanë kontribuar dy prej tyre. “…Nuk përbën shkak për përjashtimin e të ardhurave të tij, pasi ai ka qenë anëtar i familjes dhe, në referencë të jurisprudencës së Kolegjit për raste të ngjashme, duhet trajtuar në kushtet e ekonomisë së përbashkët familjare,” vlerëson shumica dhe i ka konsideruar në analizë të ardhurat e vëllait A.I., si dhe investimet dhe shpenzimet e kryera prej tij deri në vitin 2010.
Pas kryerjes së analizës financiare në Kolegj bazuar edhe në dokumentet e dorëzuara nga subjekti për të ardhurat e familjarëve, përfshi dhe të një prej vëllezërve që jeton në Zvicër, ka rezultuar se ata kanë pasur mundësi për blerjen e apartamentit.
Anëtarja Rezarta Schuetz ka dalë kundër shumicës në vlerësimin e pasurisë, duke çmuar se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm në këtë kriter. Sipas saj, shumica pranoi pretendime deklarative për të ardhura për të cilat nuk u provua shuma dhe as dërgimet në Shqipëri.
Ajo vlerëson ashtu si shumica se, subjekti nuk arriti të provojë dot marrdhënien e qirasë për apartamentin, por shprehet kundër lidhur me mundësinë e babait të Islamajt për blerjen e apartamentit me burime të ligjshme. Shcuetz shton se babai i subjektit ka blerë një tjetër apartament në vitin 2007 kundrejt çmimit 56 mijë e 700 euro.
“Përpos këtyre dy apartamenteve, babai i subjektit, pensionist prej vitit 1998, ka në pronësi dhe ka pasur të regjistruara një sërë aktivitetesh private, të gjitha pasi subjekti është emëruar gjyqtar”, shton Schuetz dhe vëren se megjithëse babai i Islamajt ka qarkulluar shuma të konsiderueshme, KPK nuk ka kryer asnjë hetim për këto veprimtari.
Në vijim, Schuetz konstaton se megjithëse babai i subjektit ka pretenduar në një deklaratë noteriale të vitit 2019 të hartuar gjatë hetimit administrativ se, për blerjen e apartamentit kanë kontribuar katër fëmijtë e tij të tjerë, veç gjyqtarit Islamaj, ka qenë vetëm ky i fundit që e ka përdorur.
Ajo shprehet se ndan të njëjtin qëndrim me opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me faktin se KPK nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë që subjekti i rivlerësimit të jetë realisht pronari përfitues i kësaj pasurie.
Sipas saj, shumica u bazua në kryerjen e analizës financiare në pretendimet deklarative të subjektit, pasi ai nuk ka depozituar asnjë dokument apo provë për mënyrën e transferimit të vlerave nga vëllai që jeton në Zvicër, tek babai.
“Në total, flitet për një shumë prej përreth 115 mijë eurosh të dërguara cash në Shqipëri nga z. F. I., në periudhën kohore 2002-2007, e cila nuk ka lënë asnjë gjurmë dokumentare, qoftë në Zvicër apo në Shqipëri,” konstaton Schuetz dhe shton se tërheqjet e shumave duhej të kishin lënë të paktën gjurmë në bankë.
“U kërkua dhe u pranua një skenar i paqartë dhe alogjik faktesh, ndonëse me peshë vendimtare në fazën e procesit në Kolegj për rivlerësimin e subjektit”, vlerëson Schuetz dhe ka votuar për shkarkimin e Islamajt për deklarim të pasaktë e të pamjatueshëm për pasurinë.
Mendimi ndryshe për figurën
Relatorja Natasha Mulaj në pakicë ka votuar kundër ndryshimit të vendimit të KPK, duke kërkuar lënien në fuqi të shkarkimit për probleme në kriterin e figurës.
Ajo vlerëson se nga shqyrtimi i akteve të hetimit administrativ i kryer në Komision, duket se Islamaj është përpjekur të bëjë deklarimin e tij në deklaratën për kontrollin e figurës në mënyrë të pasaktë. Mulaj vëren se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka informuar se subjektit i është revokuar viza amerikane më 26 janar 2017, por kjo rrethanë nuk është pasqyruar në deklaratën e kontrollit të figurës, pasi Islamaj e ka plotësuar një ditë para, më datë 25 janar.
Mulaj konstaton se shpjegimet e Islamajt në Komision dhe në Kolegj për arsyen e revokimit të vizës kanë qenë të pamjaftueshme dhe se nuk i përgjigjeshin problematikës së ngritur. Sipas saj, subjekti ka deklaruar se është telefonuar në fund të muajit të janarit 2017 nga zyra konsullore, ku është ftuar të paraqitej pas dy ditësh, por pa shpjeguar arsyen e takimit dhe datën kur është kontaktuar.
Arsyet e dhëna nga subjekti se revokimi i vizës ka ardhur si rezultat i një lapsusi gjatë plotësimit të formularit të aplikimit për vizë emigruese; mospërmendja e datës kur është kontaktuar nga ambasada për t’u paraqitur; fakti se është ftuar zyrtarisht nga ambasada për t’u paraqitur më datë 26 janar 2017; si dhe dorëzimi i deklaratës së kontrollit të figurës një ditë më parë më datë 25 janar, megjithëse kishte pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion – vlerësohen prej Mulajt si rrethana që shtojnë dyshimet se dorëzimi i deklaratës së figurës më 25 janar, është kryer me qëllim që të shmangej deklarimi i revokimit të vizës amerikane.
Në përfundim, Mulaj çmon se vendimi i Komisionit për shkarkimin e Islamajt duhej të lihej në fuqi, por me arsyetim ndryshe, që lidhet me deklarimin e pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës./BIRN/