“Qeveria është kthyer në instrument të krimit dhe oligarkëve për të shtypur dhe vjedhur shqiptarët”, u shpreh ish-Presidenti Ilir Meta, drejtues i Partisë së Lirisë, në një intervistë për MCN TV.
Meta e quajti Kryeministrin Edi Rama si kryeoligark, ndërsa theksoi se Partia e Lirisë u themelua në sheshin e 2 Marsit, e motivuar nga fryma liridashëse, patriotike, atdhetare dhe ultra demokratike
Sipas tij, Partia e Lirisë çdo ditë do të ndezë shpresën dhe flakën e lirisë në zemrën e çdo shqiptari.
Meta tha se korrupsioni është armiku më i madh i lirisë, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit do na ndihmojë të luftojmë edhe varfërinë
Pyetje: E nisët me zhurmë që nga dita e parë e largimit tuaj nga Presidenca. U bë zhurmë në media për faktin që u vendosët në krye të Partisë së Lirisë, ish-LSI. Në fakt kjo lëvizje pati edhe goxha komente, u tha që ju keni kaluar djathtas me këtë “shpikje” të ripozicionimit nga LSI në Partinë e Lirisë…
Meta: Nuk mendoj që ka ndodhur ky fenomen dhe më duken këto si cic-miqe majtas-djathtas, aq më tepër kur tani është e qartë se partia që duhet të ishte model për të mbrojtur shtresat në nevojë, siç është PS dhe Qeveria e saj, është kthyer në instrument për të shtypur këto shtresa, në shërbim për fat të keq të grupeve kriminale dhe atyre që quajmë me të drejtë oligarkë, ndërsa kryeoligarku dihet se kush është kryeministri aktual. Por çfarë ka ndodhur? Asnjë gjë, thjesht jam rikthyer në sheshin e 2 Marsit dhe LSI i është bashkuar vendimit tim për t’u rikthyer në atë shesh ku njerëzit dolën për të mbrojtur Kushtetutën, sovranitetin dhe për të rikthyer fuqinë e tyre politikëbërëse, vendimmarrëse. Bashkë me LSI në këtë shesh janë shumë intelektualë si Agim Nesho dhe do të vijnë edhe shumë të tjerë.
Pyetje: Është parti e majtë apo e djathtë?
Meta: Është një parti tërësisht e motivuar nga fryma liridashëse, patriotike, atdhetare dhe ultra demokratike përderisa synon të garantojë referendumin si instrumentin, si garantin e demokracisë dhe fuqinë e popullit shqiptar. Brenda saj janë të gjithë të mirëpritur sepse ne çështjen nuk e shohim e majtë e djathtë, këto janë histori që u shërbejnë vetëm analistëve në shërbim të propagandës për të spostuar vëmendjen. Sot është një betejë për demokraci ose diktaturë, një betejë për liri ose nënshtrim ose robëri, për t’i mbajtur shqiptarët këtu të bashkuar, në rezistencë, në qëndresë, për shporrjen e këtij regjimi të pashpirt, të cilin e shohim në të gjitha drejtimet nga aspektet ekonomike dhe sociale dhe deri te aspektet thelbësore të dhunimit brutal të të drejtave të njeriut dhe të marrjes së jetës në mënyrën më arrogante, sepse kemi toleruar deri tani si shoqëri kapjen e shtetit në një bandë.
Pyetje: Me një të rënë të lapsit praktikisht nga LSI doli Partia e Lirisë dhe pamë që ndryshoi thuajse pjesa më e madhe e gjithë përbërjes së kësaj force politike. Ishte ky një ndëshkim për rezultatin e arritur gjatë kohës që ka qenë në opozitë?
Meta: Nëse bëhet fjala për ndëshkim nuk është fjala për rezultatin, sepse nuk pritej ndonjë rezultat fantastik në kushtet kur gjithçka ka qenë e mirëkalkuluar prej kohësh midis Ramës dhe Bashës. LSI ka marrë shumë vota, 120 mijë vota, duke u thënë shqiptarëve që do të bënte kryeministër Lulzim Bashën. Ato vota duhen shumëzuar me 5, duhen shumëzuar me 7, në të ardhmen. Ai gabim i pafalshëm i lidershipit të LSI është pikërisht djegia e mandateve, që u pasua nga një vendim tjetër i mos marrjes pjesë në zgjedhjet vendore, të gjitha këto sollën shumë zhvillime negative në vend dhe LSI doli nga filozofia e saj, si parti e institucioneve, si parti që lufton ta përmirësojë jetën në institucione në çdo drejtim. Tani kjo histori ka përfunduar, ka nisur një rrugë e re, ju e patë që përkrahja dhe mirëkuptimi ishte i jashtëzakonshëm.
Pyetje: Përshtypje na bëri fakti që nuk u mbajt asnjë nga figurat e vjetra të LSI, edhe zonja Kryemadhi…
Meta: Mendoj që znj.Kryemadhi z.Vasili janë nga njerëzit kryesor që kanë mirëkuptuar, kanë mbështetur këtë projekt transformues dhe gjithëpërfshirës. Do vazhdojnë të jenë më aktivët sepse janë edhe deputetë.
Pyetje: Flisni për referendum dhe të drejtën e mbajtjes së tij. Konkretisht nga çfarë niseni, si do zhvillohet ky referendum?
Meta: Çështja e referendumit është çështje e vullnetit të shumicës së qytetarëve shqiptarë, dhe së dyti edhe e një shumice politike, e cila do të garantojë përmes miratimit të një ligji, që e ka kërkuar edhe rezoluta e fundit e PE për referendumet, që të kemi një ligj që garanton mbajtjen e referendumit dhe jo që bllokon mbajtjen e referendumit, pasi ne referendumin e kemi në Kushtetutë që në 98’. Por kjo gjë është bllokuar qëllimisht që ky pushtet të dalë jashtë kontrollit të popullit të Shqipërisë, që të kemi atë Parlament që kemi, atë qeveri që kemi, ato institucione që kemi, që s’përfaqësojnë sovranin.
Pyetje: Nuk do kërkojë ndërhyrje në Kushtetutë?
Meta: Referendumin e kemi në Kushtetutë ne. Referendumi kërkon një ligj të posaçëm që garanton zbatimin e referendumit. Kërkon vullnetin e një shumice në Parlamentin e ardhshëm. Të gjithë ata që duan referendumin duhet të votojnë për këtë shumicë. Nëse e pranon shumica aktuale referendumin që tani, ne jemi shumë dakord ta përkrahim me te gjitha mundësitë tona. Por ata kanë këshillimet që i bëjnë vet në laboratorët e tyre! Një formë mashtrimi banal. Referendumi nuk është ai ku partia thotë se çfarë do populli. Referendumi është ai ku populli shprehet me votën e tij dhe arsyen e tij të plotë.
Pyetje: Ka një heshtje të çuditshme nga opozita sa i përket skandalit të rrjedhjes së të dhënave dhe sulmit kibernetik që u bë, dhe që ende s’kemi një transparencë se çfarë ndodhi, sa është dëmi…
Meta: E vetmja transparencë që kemi është që janë hedhur nja 300 milionë euro për AKSH-in, investimi, dhe ja ku jemi. Dihet si janë trafikuar të dhënat e qytetarëve shqiptarë nga partia në pushtet, për t’ia dhënë patronazhistëve për të kontrolluar, mendimet, lëvizjet, opinionet dhe votën e qytetarëve shqiptarë. Se sa është marrë opozita me këtë, kjo është çështje e re, çështje në ndjekje dhe kuptohet që është një çështje që meriton edhe thellim sa më të garantuar, pasi ka të dhëna që ka edhe ndërhyrje nga jashtë. Por në çdo rast përgjegjësia i bie qeverisë shqiptare, pasi ajo ka hedhur 300 milionë euro dhe ky është një sistem i pambrojtur.
Pyetje: Do ngrini akuza të reja, do bëni kallëzime, apo do të kemi vetëm zbardhje aferash të mundshme?
Meta: Partia e Lirisë çdo ditë do të ndezë shpresën dhe flakën e lirisë në zemrën e çdo shqiptari. Është një parti që çdo ditë do të jetë në një luftë të paparë me të gjithë ata të cilët duan të qëndrojnë indiferentë dhe oportunistë me këtë situatë, dhe do t’i ndërgjegjësojë ata që nëse nuk bashkohen tani, do të jenë viktimat e radhës e një regjimi që shtyp, që vjedh, që grabit, që falsifikon pronat e shqiptarëve, identitetet e tyre dhe gjithçka tjetër. Partia e Lirisë është një parti tani e kudondodhur në të gjithë vendin, në krye të aksioneve politike dhe e vendosur ballëpërballë me këtë regjim, të hajdutokracisë që është instaluar në çdo nivel, të qeverisjes qendrore, vendore. Korrupsioni është armiku më i madh i lirisë. Lufta kundër korrupsionit do na ndihmojë të luftojmë edhe varfërinë sepse është gjithë ky korrupsion i madh që ka sjellë këtë polarizim kaq të madh në shoqërinë tonë, vendi me rrogat më të ulëta në rajon, me pensionet më të ulëta në rajon, kur para 8-10 vjetësh ishte një situatë krejt ndryshe. Sepse të gjitha lekët shkojnë për inceneratorë që vidhen edhe paguhen ata që janë në kërkim, të cilët janë pronarë formalë, sepse realët janë ata që vazhdojnë pagesat dhe kanë gjithë mundësinë për ta ndërprerë këtë shpërdorim kriminal të fondeve të buxheteve të shtetit, paratë shkojnë për t’i bërë nga 10-fish ato rrugët, për t’i bërë të florinjta, jo të asfalta, shkojnë kudo për të vjedhur për të shpërdoruar.