Andrzej Izdebski, tregtar famëkeq armësh në qendër të një skandali me tenderët e ventilatorëve mjekësor në Poloni, vdiq beftas në Tiranë në moshën 71 vjeçare nga një atak në zemër, duke lënë pas një valë virale spekulimesh se vdekja e tij mund të ishte inskenuar.
Andrzej Izdebski nuk iu përgjigj trokitjeve të përsëritura në derën e apartamentit të tij në Tiranë mesditën e 20 qershorit.
Jashtë banesës të marrë me qira, në katin e dytë të një prej godinave të ndërtuara nga sovjetikët në qendër të kryeqytetit të njohura si Pallatet Agimi, qëndronte i shqetësuar Ylli Zyla – një oficer i lartë i forcave të armatosura dhe ish-drejtues i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, SHIU.
Së bashku me pronarin e apartamentit, Zyla tentoi ta hapte derën me një kopje të çelësit, por ajo ishte e mbyllur nga brenda dhe çelësi i qiramarrësit kishte mbetur në bravë. I shqetësuar për mikun e tij polak Zyla telefonoi zjarrfikësit dhe policinë. Pak minuta pas mbërritjes së tyre, administratori i pallatit, Tomorr Baruti dhe një prej zjarrfikësve u ngjitën me shkallë në ballkonin e apartamentit të mbyllur me vetrata.
“Vetëm hoqëm nga dritarja rrjetën e mushkonjave,” tha Baruti. “Unë hyra nga një krah, ndërsa zjarrfikësi nga krahu tjetër,” shtoi ai.
Baruti dhe zjarrfikësi e gjetën Izdebskin pa jetë, të shtrirë mbi krevatin në dhomën e gjumit.
“Kishte gjak në dyshek, në të dy krahët e tij”, kujtoi ai.
Policia e raportoi vdekjen në një komunikatë të shkurtër për shtyp në të njëjtën ditë. Gabimisht Izdebski në komunikatë u identifikua me inicialet A.H. dhe i moshës 73-vjeç.
Kur vdekja u mësua në Poloni një muaj më vonë, gabimet e komunikatës dhe e shkuara e errët e viktimës si tregtar armësh i përfshirë në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, krijuan dyshime. Për më shumë biznesmeni ishte nën hetim në vendin e tij, për të paktën 8 milionë euro detyrime të papaguara nga një kontratë me qeverinë polake për të furnizuar spitalet me aparatura respirimi për të sëmurët me COVID-19. Spekulimet për një vdekje të sajuar për të shmangur detyrimet e papaguara pushtuan gazetat bulevardeske në Poloni.
Megjithatë, në Tiranë policia dhe prokuroria insistojnë se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
“Dyshimi kryesor është që ka vdekur nga infarkti”, tha Arens Çela, drejtues i Prokurorisë së Tiranës, i cili shtoi se çdo muaj në kryeqytet regjistrohen 20 raste të ngjashme. Çela theksoi se për ta quajtur të mbyllur çështjen, Prokuroria po pret edhe një analizë të fundit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
I kontaktuar në telefon, Koloneli Ylli Zyla refuzoi të komentonte mbi vdekjen e Andrzej Izdebskit dhe marrëdhënen me të ndjerin.
“Unë jam ushtarak, nuk mund të flas,” tha ai.
Kush është Izdebski?
Emri i Andrzej Izdebski, i cili gjatë kohës së komunizmit në Poloni kishte punuar për shërbimet sekrete, nuk përmendet për herë të parë në Shqipëri.
Në vitin 2011, polaku hapi në Tiranë dy biznese – kompaninë Unimesko që kishte për objekt tregtinë e armëve dhe një shoqëri të pagëzuar me emrin ‘Wind Sun Water Initiative’, me objekt sektorin e energjisë dhe ortakë ndër të tjerë edhe Liljana Zylën, bashkëshorten e Ylli Zylës. Të dy kompanitë u themeluan në të njëjtën adresë në pallatet “Matriks” pranë Gjykatës së Tiranës në fund të janarit 2011.
Kompania ku ishte ortake Liljana Zyla solli një furtunë akuzash në media nga Partia Socialiste në opozitë. Socialistët e akuzuan ish-shefin e SHIU dhe Ministrinë e Mbrojtjes se ishin përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve. Zyla u dorëhoq nga SHIU, por në deklaratën e largimit i cilësoi akuzat në media si “sulme të pamoralshme dhe të pabazuara’.
Dy vjet më vonë, në vitin 2014 kur socialistët erdhën në pushtet, Ministria e Mbrojtjes e shkarkoi Zylën edhe nga detyra e drejtuesit të Policisë Ushtarake dhe e paditi në prokurori i akuzuar për përgjimin e paligjshëm të opozitës. Por akuzat nuk shkuan ndonjëherë në gjykatë. Në të kundërt, Zyla arriti të fitonte në gjyq kundër Ministrisë së Mbrojtjes, që u detyrua t’i rikthente uniformën e kolonelit. Ai është të paktën prej fillimit të vitit 2021, komandant i Qendrës Stërvitore pranë Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura.
Por ndërsa telashet e Zylës për shkak të emrit të Izdebskit duket se përfunduan, bizesmenit polak iu hapën probleme të reja në Poloni, pasi fitoi në vitin 2020 një kontratë prej 44.5 milionë eurosh nga Ministria e Shëndetësisë për furnizim të pajisjeve mjekësore respiratore.
Sipas kontratës, Izdebski do duhej të furnizonte deri në 30 qershor 2020 – në kulmin e pandemisë nga COVID-19, 920 respiratorë. Çmimi ishte tre herë më i lartë se ai i tregut, por u justifikua me kushtin se apartatet do të dorëzohesh shpejt. Por në botën të përfshirë në garë për të siguruar të njëjtat paisje, tregtari i armëve i akuzuar mes të tjerave se kishte thyer embargon dhe furnizuar me armë Kroacinë gjatë luftrave për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 90’, nuk ia doli ta përmbushte kontratën në kohë.
Kur Izdebski arriti të siguronte një pjesë të aparateve, Ministria Polake e Shëndetësisë hoqi dorë prej tyre dhe ato u magazinuan në aeroportin e Varshavës. Kjo e la 71-vjeçarin me një detyrim prej të paktën 8 milionë eurosh ndaj qeverisë – detyrim që mund të rritet nga hetimet në vijim për shkak se edhe respiratorët që u dorëzuan dyshohet që janë të papërdorshëm dhe riparimi i tyre do të kushtonte shtrenjtë.
I vënë nën hetim në vendin e tij, Izdebski zgjodhi Tiranën. Sipas zyrës rajonale të Prokurorisë së Lublinit, qyteti i lindjes së Izdebskit, ai ishte larguar nga Polonia më 9 dhjetor 2020.
“Andrzej I nuk u thirr në prokurori për t’iu njoftuar akuzat, sepse ishte e ditur që i dyshuari nuk ishte në vendbanimin e tij,” deklaroi zëdhënësi i Zyrës Rajonale të Prokurorisë së Lublinit, Karol Blajerski.
Izdebski u shpall në kërkim në mars 2022, vetëm pas denoncimeve nga deputetë polakë, që vunë në dukje se ai kishte dështuar të paguante Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për respiratorët që i shiti Ministrisë së Shëndetësisë.
Por në këtë kohë i ndjeri ishte tashmë në Tiranë në përpjekje për të ngritur një biznes të ri me miq të vjetër.
Biznesi në Tiranë
Dëshmitë që u siguruan nga BIRN dhe gazeta Wyborcza tregojnë se Izdebski erdhi në Shqipëri në fund të vitit 2021 dhe kontaktoi me Ylli Zylën. Në janar, me propozim të Zylës, ai u takua Syrja Myftarin dhe të dy i ofruan të ishte administrator në një kompani të re të Izdebskit, e cila sipas përshkrimit të vendosur në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të merrej me tregti të materialeve ushtarake, armëve, miniera e një mori fushash të tjera.
Myftari – një ish-inxhinier i aviacionit dhe ish-punonjës i SHIU-t, tha gjatë një interviste në një kafene në Tiranë se me polakun e kishte njohur një “mik i ngushtë shkolle”, por këmbënguli se nuk do t’ia thoshte emrin për hir të miqësisë.
“Ju e thatë”, shtoi ai gjysëm duke qeshur kur u pyet drejtpërdrejt për Zylën. Në fund të janarit 2022, pak javë pasi ishin takuar për herë të parë, Myftari dhe Izdebski regjistruan një kompani të quajtur ‘Trade Invest & More’ sh.p.k.
Myftari, i cili ndërkohë punonte në një kantinë verërash u caktua administrator i kompanisë së re dhe u ra dakord të paguhej 80 mijë lekë në muaj – një pagesë që sipas tij nuk e pa kurrë.
“Andrej më tha që do të merreshim me tregti të respiratorëve dhe materialeve ushtarake e armëve, unë i thashë që nuk isha dakord për armët,” kujtoi Myftari.
Myftari thotë se e takoi Izdebskin vetëm katër herë. Në të gjitha rastet ai ishte së bashku me Zylën që shërbente si përkthyes. Vetëm një herë në muajin mars, Myftari dhe Izdebski ishin vetëm. Në atë kohë ata shkuan në zyrat e Policisë së Emigracionit në Tiranë, për të marrë një leje qëndrimi për polakun.
Sipas tij, tregtari i armëve kishte tejkaluar kohën e qëndrimit në vend dhe iu desh të udhëtonte në Malin e Zi për disa ditë, para se të mund të hynte sërish në Shqipëri.
Myftari thotë se fillimisht nuk kishte asnjë ide për të shkuarën e Izdebskit. Ai i tha se për dy muaj pas regjistrimit të kompanisë, nuk e dinte se çfarë mbiemri kishte Andrej. Por më pas filloi të kërkoj në internet.
“Kur pashë atë që shkruhej për të në Poloni, telefonova mikun tim,” kujtoi Myftari, ndërsa thekson se ‘ai më siguroi që gjithçka do të shkonte mirë.’
“Më tha se problemet ishin në Poloni, por ne nuk kemi pse shqetësohemi, sepse nuk ka asnjë problem këtu”, shtoi 51-vjeçari.
Por problemet nxorën krye shpejt. Myftari thotë se fillimisht ata nuk ishin në gjendje të hapnin një llogari bankare, pasi një sërë bankash refuzuan.
“Unë kuptova që kishte të bënte me të shkuarën e Andrej”, tha ai.
Në fund një degë e një banke hungareze në Tiranë ra dakord të hapte llogarinë, por vetëm me kushtin që objekti i biznesit të ngushtohej. Atëherë Izdebski vendosi si objekt pune biznesin e respiratorëve.
Në anën tjetër llogaria bankare e kompanisë mbeti bosh, pasi Izdebski nuk depozitoi para në të. Kur u njoftua se duhej të paguante detyrime tatimore vendore dhe detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, Myftari që ka një kredi u shqetësua dhe telefonoi sërish Zylën.
“Ai më siguroi se problemet ishin të përkohshme dhe kishin të bënin me bllokimin e llogarive të Andrejt në Poloni,” thotë Myftari.
Ai theksoi se kishte shpresuar që biznesi të funksiononte. Madje ai i bëri Izdebskit një shishe verë nga ato të kompanisë së tij dhuratë dhe kur ky i fundit shprehu interes edhe për këtë biznes, Myftari u angazhua të merrte prej shefit të tij në kantinë një ofertë të mirë.
Por pavarësisht oferta e kantinës ishte shumë e mirë, Izdebski nuk ktheu më përgjigje. Myftari thotë se kjo e kishte nxjerrë në pah për keq në punë – me të cilën mbante familjen, dhe prej këtij momenti ai donte të largohej nga kompania e polakut. Ai thotë se kur po afronte afati i detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe ato nuk ishin paguar, i bëri presion se do të largohej nëse pagesa nuk kryhej.
Por në 17 maj në llogaritë e biznesit u derdhën rreth 700 mijë lekë. Një pjesë e tyre, rreth 300 mijë lekë u morën ‘cash; nga Izdebski, të tjerat u përdorën në 3 qershor për të shlyer detyrimet.
Myftari thotë se në këtë kohë, ai ishte i qartë që kjo punë nuk kishte të ardhme.
“A jam pishman që jam përfshirë?! Po, më është dukur sikur ma kanë hedhur”, tha ai.
Vdekja e papritur
Dëshmitë e mara dhe përmbledhjet e hetimit të Prokurorisë së Tiranës të para nga BIRN dhe gazeta Wyborcza tregojnë se 71-vjeçari filloi të ndjehej keq të shtunën me datë 18 qershor.
Syrja Myftari thotë se mësoi nga “shoku i tij” që atë ditë ata kishin qenë për një drekë në Shëngjergj. Pas dreke kur të tjerët ishin ngritur për të bërë ecje, Izdebski kishte thënë se do të qëndronte pasi nuk ndjehej mirë.
Myftari tha se Zyla ishte ofruar ta dërgonte në spital, por 71-vjeçari kishte refuzuar duke thënë se do i kalonte.
Administratori i pallatit, Tomorr Baruti pohon për një bisedë të ngjashme me Zylën drekën e 20 qershorit, kur Izdebski u gjet i vdekur.
“Ndjehej shumë keq që nuk kishte këmbëngulur për ta dërguar në spital”, kujtoi ai.
Më pas Zyla u përpoq ta telefononte Izdebskin. Baruti thotë se pasi nuk ia kishte hapur telefonin, mëngjesin e të hënës Zyla – të cilin ai e identifikon në foto, kishte menduar se polaku ishte në gjumë. Por pasi edhe një përpjekje tjetër për tu lidhur kishte dështuar ai ishte shfaqur tek apartamenti.
Kur Izdebski nuk u përgjigj të trokiturave, Zyla telefonoi policinë dhe zjarrfikësit që e gjetën atë të vdekur. Prokurori Naim Tota, i cili po heton çështjen, tha se në trup nuk i ishin gjetur shenja dhune. Një oficer i policisë i cili foli në kushte anonimati theksoi se përfshirja e një personi të tretë përjashtohej, pasi dera ishte e mbyllur nga brenda dhe nuk kishte shenja të thyerjes.
Prokurori Tota deklaroi se për momentin ata nuk kishin asnjë arsye për të hetuar përtej vdekjes natyrale. Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës Arens Çela theksoi se hetime të tjera mund të ndërmerreshin vetëm nëse kishte dyshime që shkak i vdekjes ishte diçka tjetër.
Të pyetur për të shkuarën e Izdebskit, prokurorët në Tiranë deklaruan se nuk kishin asnjë informacion. Ata po ashtu pohuan se nuk kishin pasur as një kontakt nga autoritetet polake në lidhje me hetimet mbi vdekjen e 71-vjeçarit. Të vetmit të interesuar ishin të afërmit që kishin tërhequr trupin në morgun e Tiranës.
Megjithëse duken të sigurt për arsyet e vdekjes, zyrtarisht autoritetet shqiptare po presin përfundimin e analizave të toksikologjisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ndërkohë i trembur se vdekja e papritur e biznesmenit do i hapte punë shtesë, Syrja Myftari tha se u lehtësua vetëm kur një prej mjekëve të cilin e kishte kontaktuar e siguroi që çdo gjë ishte natyrale. Tani ai po përpiqet të largojë veten nga kompania e të ndjerit, por siç tregon edhe kjo nuk po i del punë e thjeshtë. /BIRN/