Një sërë transaksionesh të kryera nga ish-bashkëjetuesi dhe kompanitë e tij u evidentuan si probleme në kriterin e pasurisë për prokuroren Elsa Kareçi. Ajo u mbrojt duke theksuar marrëdhëniet jo të mira me ish-bashkëjetuesin dhe se nuk kishte lidhje me pasuritë e tij.
Prokurorja e Tiranës, Elsa Kareçi u përball të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove në lidhje ne një sërë pasurish dhe transaksionesh të ish-bashkëshortit dhe kompanive të tij.
Problemet sipas relatimit të KPK fillonin që me kohën e fillimit të bashkëjetesës dhe vijonin me deklarimet në vite, duke krijuar për subjektin një balancë negative prej 12 milionë lekësh.
Kareçi këmbënguli në deklarimet e saj se ish-bashkëshorti kishte pasur probleme me alkoolin dhe se ajo nuk kishte dijeni të veprimeve të tij. Ajo tha se pas ndarjes, komunikimi ishte i keq dhe kjo e kishte penguar të gjente informacion. Kareçi po ashtu kundërshtoi kohën e fillimit të bashkëjetesës mes saj dhe ish-bashkëjetuesit.
Kareçit nuk iu gjetën probleme të figurës dhe në kriterin e profesionalizmit asaj iu kërkuan shpjegime vetëm sa i përket një hetimi.
Elsa Kareçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Kavajës. Ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës prej vitit 2007.
Procesi i vetingut për Kareçin po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Suela Zhegu anëtare. Vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.
Problemet e pasurisë
Nga relatimi i bërë në seancën dëgjimore të së martës në KPK u duk sikur problemet e Kareçit fillonin në momentin e nisjes së bashkëjetesës. Sipas Komisionit, kjo bashkëjetesë kishte filluar në vitin 2009, ndërsa Kareçi këmbënguli se ajo kishte filluar vetëm në vitin 2012.
Por relatorja tha se pavarësisht pretendimit, çifti kishte udhëtime së bashku dhe ish-bashkëjetuesi kishte ndihmuar Kareçin në pagesën e një kredie në vitin 2010, të marrë nga familja e saj për një vresht. KPK vuri në dukje se edhe për këtë pagesë, supozuar me burime nga biznesi i ish-bashkëshortit, çifti dilte me mungesë burimesh.
Dy bizneset e bashkëshortit, sipas Komisionit nuk provonin të ardhurat e ligjshme as për blerjet as për shitjet dhe transaksionet në disa raste me vlerë 200 mijë euro ishin të padokumentuara. Nga sa u tha në relatim, ish-bashkëjetuesi ishte përfshirë në biznes anijesh, pronash dhe mineralesh.
Kareçi këmbënguli që koha e bashkëjetesës të merrej viti 2012. Ajo kërkoi që analiza e KPK të fillonte nga kjo periudhë, ndërsa shtoi se s’kishte pasur kontroll mbi veprimet e ish-bashkëjetuesit dhe se konfliktet gjyqësore të tij me familjen e origjinës e kishin bërë edhe më të rrëmujshme situatën.
Kareçi tha se i kishte kërkuar ndihmë ish-kunatit, por nuk kishte marrë asnjë informacion prej tij. Nga relatimi doli se ish-bashkëjetuesi ishte pyetur në KPK për financat e tij dhe kishte dhënë përgjigje evazive.
KPK po ashtu pyeti prokuroren në lidhje me deklarimet vjetore të ish-bashkëjetuesit. Kjo e fundit pretendoi se ato ishin bërë nga ai vetë dhe se ajo e kishte konstatuar se ishin rrëmujë, por nuk kishte pasur mundësi të ndikonte. Ajo kujtoi një rast kur sipas saj ish-bashkëjetuesi kishte ardhur i dehur dhe se të nesërmen kur duhej të dorëzohej deklarata, nuk mbante mend asgjë.
Nga relatimi rezultoi ndër të tjera një marrëdhënie e bashkëjetuesit me një fabrikë të pasurimit të kromit, e cila edhe pse përfshinte shumën prej 200 mijë eurosh ishte pa dokumente dhe e deklaruar si në mirëbesim. KPK vuri në dukje se shuma dilte si hua në deklarimet vjetore, por më pas ishte pretenduar si detyrim biznesi që do të shlyhej në vijim.
Probleme të ngjashme u vunë në dukje edhe në lidhje me një sërë transaksionesh me tokat dhe ndërtimet në to. Kareçi pretendoi se ajo nuk kishte përgjegjësi për veprimet e të tretëve dhe të bashkëjetuesit.
Prokurorja tha se pas ndarjes, ajo kishte marrë vetëm makinën nga ish-bashkëjetuesi. Ajo tha se jetonte me qira dhe se kujdesej vetë për fëmijët.
Kareçi dha shpjegime edhe mbi një denoncim në kriterin e profesionalizmit. Ajo tha se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe kërkoi të konfirmohej. /BIRN/